BallinaAktualitetMashtrimi i Rama-Ballukut me Rinasin: Paratë që iu mbahen kontrollorëve shkojnë tek...

Mashtrimi i Rama-Ballukut me Rinasin: Paratë që iu mbahen kontrollorëve shkojnë tek Beketi

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, pasi dështoi në takimin me kontrollorët e trafikut ajror në Rinas, ka dalë në një konferencë të gjatë për mediat për të justifikuar, shantazhuar dhe politizuar krizën e rëndë që ka bllokuar fluturimet në hapësirën shqiptare.

Balluku tregoi pagat e larta të specialistëve, të cilat kanë qenë të tilla që në kohën që ajo vetë drejtonte AlbControl’, kërcënoi me burg për shkelje të sigurisë kombëtare, hodhi insinuata për presidentin Meta që i përkrah dhe në fund u justifikua, për gjendjen e rënduar financiare të institucionit nga varen kontrollorët.

Thelbi i justifikimit të ministres për përgjysmimin e pagave të specialistëve të kontrollit ajror në Rinas ishte, pandemia dhe rënia e të ardhurave nga fluturimet siç ka ndodhur në gjithë botën.

Por kjo është vetëm gjysma e të vërtetës edhe pse minstria pasi u pyet nga gazetarët e mohoi. Sipas të dhënave që vijnë nga media prestigjioze belge dhe austriake, duket se shkaku kryesor i kësaj krize financiare të ‘AlbControl’ në fakt është skandali i kryeministrit Edi Rama me biznesmenin Italian Françesko Beketi, i cili ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtar një gjyq prej 110 milion eurosh, edhe me vendim të formës së prerë së fundmi në 2 prill.

Kujtojmë se që në fitoren e parë të Beketit, avokatët e tij arritën që të bllokojnë disa llogari të shtetit shqiptar nëpër botë. Dhe më kryesorja, ishte ajo në Eurocontrol.

‘AlbControl deklaron gjatë gjithë vitit pranë Eurocontrol se sa të ardhura i duhen për të operuar…

Trafiku në totalin e tij për shkak të pandemisë ra me 57% në vitin 2020, ndërkohë që në këto 3 muajt e parë të 2021 trafiku ka qenë po me minus 57%. Pra kontrollorët operojnë 43% të trafikut normal.

Duke pasur parasysh se shteti nuk ka involvim financiar në kompaninë AlbControl, nuk merr të ardhura nga kjo kompani dhe nuk i ka dhënë kurrë asnjë qindarkë. Ky është një nga parimet e aderimit në Eurocontrol. Kontrollorëve i shkonin pagat 4400 dollarë dhe sot janë në nivelet 2490 dollarë. Në mbyllje të vitit financiar AlbControll s’ka të drejtë të ketë para mënjanë. Në këto kushte drejtuesit e kompanisë janë ulur disa herë për të diskutuar me kontrollorët e trafikut ajror, sepse kanë vite që punojnë në këtë kompani. Duhet të ishin të qartë që kompania s`ka depozita për tu dhënë para’, deklaroi tekstualisht ministria Balluku.

Por siç e thamë më sipër, justifikimi me pandeminë dhe rënien e numrit të fluturimeve është vetëm gjysma e të vërtetës. Ministria deklaron se fluturimet dhe si pasojë edhe financat kanë rënë që në mars të vitit 2020, por nuk shpjegon dot pse ulja e pagave u bë pikërisht tani 1 vit më pas dhe jo më herët. Kjo ka të bëjë pikërisht me atë që ka ndodhur në fund të dhjetorit dhe muajt në vazhdim me llogarinë e shtetit shqiptar në Eurocontrol

Pra gjysma tjetër e të vërtetës është ajo që shkruante gazeta e njohur belge ‘L’Echo’, në fillim të muajit janar të këtij viti.

Kjo media njoftonte atëherë se ka nisur konfiskimi i pasurive të shqiptarëve në botë për llogari të biznesmenit italian, Françesko Beketi dhe më konkretisht se avokatët e tij ia kanë dalë të konfiskojnë pasurinë e Shqipërisë në kompaninë Eurocontrol.

Në shkrimin e saj gazeta sqaron të gjithë kronologjinë e çështjes, e cila zanafillën e ka në vitin 2013, kur kryeministri Edi Rama anuloi dy koncesione të biznesmenit dhe mbylli televizionin e tij, Agon Channel.

Biznesmeni italian e hodhi Shqipërinë në gjyq në arbitrazh dhe fitoi një dëmshpërblim prej 107 milionë eurosh.

Shqipëria nuk ka pranuar të paguajë këtë shumë. Për këtë arsye ka nisur sekuestrimi i pasurive shqiptare në botë, mes të cilave edhe paratë që ishin të destinuara për ‘AlbControl’.

Shqipëria është një nga 41 vendet anëtare të Eurocontrol, një institucion evropian përgjegjës për mbledhjen mes të tjerash të pagesave nga linjat ajrore që fluturojnë në territore të ndryshme.

Këto shuma më pas u rishpërndahen shteteve anëtare sipas përllogaritjeve. Pikërisht këto shuma janë sekuestruar.

Vetëm gjatë muajit dhjetor të vitit 2020 janë sekuestruar 170 mijë euro, që nuk është një shumë e madhe për shkak se kriza e pandemisë ka reduktuar fluturimet, por këto sekuestrime vazhdojnë. Dhe kështu do të vazhdojë deri sa të shlyhet shuma prej 110 milion euro, e cila siç duket do të dalë edhe në kurriz të pagave të specialistëve të Albcontrol.

Pra përveç pandemisë një nga shkaqet kryesore të krizës së pagesave që po ndodh me specialistët e kontrollit ajror në Rinas është pikërisht skandali që realizoi Edi Rama me biznesmenin italian Beketi, të cilin e përzuri dhe e sekuestroi për arsye se nuk pranoi shantazhet e tij, Engjëll Agaçit dhe Erion Velisë.

Sepse televizioni i tij ‘Agon’, refuzoi që të ndërpriste kritikat ndaj qeverisë dhe të shndërrohej si të tjerët në shërbëtore dhe bojaxhie e Rilindjes.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular