BallinaKryesoreSot 4 vjet pa drejtuesin e hekurt të policisë. Kush ishte Artan...

Sot 4 vjet pa drejtuesin e hekurt të policisë. Kush ishte Artan Cuku, “Dëshmori i Atdheut”

spot_img
spot_img

U mbushën sot katër vite nga dita kur Drejtuesi i Lartë i Policisë së Shtetit Artan Cuku u nda tragjikisht nga kjo jetë. Familja dhe të afërmit humbën njeriun e shtrenjtë, uniformat blu kolegun, mikun dhe drejtuesin e mirë tek i cili kishim besim. Për të gjithë ata që e kanë njohur Artan Cukun, qofshin këta qytetarë të Republikës, përfaqësues të medias, apo dhe kolegët gjenin tek ai garantin e zbatimin të ligjit.
Ish-Drejtuesi i Parë i Policisë së Shtetit përderisa kishte pranuar të vishte uniformën blu ishte betuar të ishte “ushtar” i ligjit dhe shtetar në drejtim të zbatimit të tij. E ka bërë këtë gjë në çdo ditë të punës duke mos rënë preh e asnjë ndërhyrje dhe asnjë shantazhi, mjaft që qytetarët në vendet ku ka shërbyer të kishin më shumë siguri.
Në 14 vitet e detyrës Artan Cuku ka spikatur duke kryer me përpikmëri derisa për turp ai u larguar nga detyra, iu zhvesh uniforma blu, siç ka ndodhur fatkeqësisht pas vitit 2013 me profesionistët. Drejtuesi i Parë i Policisë së Shtetit u la në rrugë, e për fat të keq krimi që kishte goditur mori krah dhe hak. Dora barbare e krimit ndërpreu në mes jetën e përfaqësuesit të përkushtuar të shtetit, duke lënë në pikëllim familjarët, kolegët dhe gjithë shoqërinë. Në këtë përvjetor po përcjellim një shënim për rrugëtimin e lënë në mes të Artanit. Dëshmori Artan Cuku do të mbetet në kujtesën e çdo punonjësi të policisë dhe çdo njeriu që e ka njohur e punuar me të si simbol i vlerave të larta njerëzore, inteligjencës, besnikërisë, moralit të lartë, si drejtues i talentuar i policisë, intelektual me vlera, vendimmarrës kurajoz dhe me performancë të lartë. Ne i jemi shumë mirënjohës dhe përulemi me respekt para jetës dhe veprës së Artanit, të cilën ai ia përkushtoi me vetëmohim mbrojtjes së jetës së qytetarëve të vendit të vet.


Kush ishte Artan Cuku?
Artan Cuku, lindi më 25.01.1975 në fshatin Lurë e Vjetër të rrethit Dibër. Ishte fëmija i katër i Sulejman dhe Nurije Cukut. Arsimin fillor dhe 8-vjeçare e përfundoi në Fushë-Lurë, ndërsa arsimin e mesëm të përgjithshëm e mbaroi në qytetin e Peshkopisë.
Pas përfundimit të arsimit të mesëm, në vitet 1994-1996, ka punuar si mësues në shkollën e mesme “Nikoll Kaçorri” Lurë. Në vitet 1997-2000 mbaroi Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari” me rezultate të shkëlqyera duke marrë titullin “Specialist i Lartë i Policisë”. Përsa i përket shkollimit, Artan Cuku, në vazhdim, gjatë karrierës së tij, përfundoi pa shkëputje nga puna, studimet për Drejtësi në nivelet Bachelor dhe Master e më pas ju nënshtrua provimit të avokatisë ku mori titullin “Avokat”, profesion të cilin nuk e ushtroi asnjëherë.
Gjithashtu ka kryer me sukses me dhjetra kurse e trainime të ndyshme si brenda dhe jashtë vendit, të organizuara nga Institucionet Ligjzbatuese Shqiptare, Evropiane dhe Amerikane, përgjatë periudhës 2000 – 2014 .
Starti ne Policine e Shtetit
Në shtator te vitit 2000, menjëherë pas mbarimit të Akademisë së Policisë, Artani u emërua në strukturat e Policisë së Shtetit, në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Malësisë së Madhe. Në startin e karierës së tij u vunë re cilësi të spikatura të një oficeri me talent e me passion, me intuitë dhe fantazi profesionale. Kjo u reflektua në zbulimin e disa ngjarjeve të vjetra që kërkonin angazhim, devotshmëri, këmbëngulje, kurajo e aftësi operative e procedurale. Ndërtoi punën për kapjen e disa personave të kërkuar që në ato vite ishin të shumtë, të rrezikshëm dhe strukturat e policisë akoma nuk e  kishin imazhin e duhur në publik pas ngjarjeve të vitit 1997.

Pas rreth një vit e gjysëm eksperiencë si specialist i hetimit të krimeve në Malësinë e Madhe, në fillim të vitit 2002, nisur nga rezultatet e admirueshme, vjerësohet nga titullarët duke e  emëruar Shef të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër. Qyteti i Shkodrës në atë periudhë kishte një kriminalitet të theksuar. Vetëm dy vjet kishin kaluar nga koha kur në këtë qytet u dogj godina e policisë dhe situata ishte totalisht jashtë kontrollit. Duhet thënë se në këtë periudhë me punën e përkushtimin e ekipit policorë, me rezultatet që u arritën, ballanca kishte kaluar në anën e policisë së shtetit. Krimi dhe grupet kriminale humbën terren në Shkodër dhe parametrat e sigurisë filluar të përmirsohen. Artan Cuku ishtë njëri nga protoganistët e spikatur dhe shumë aktiv në kthesën që u arrit me shumë sakrificë në drejtim të vendosjes së rendit në këtë qytet. Shumë persona të rrezikshëm u kapën dhe shumë dosje penale u përpiluan në atë kohë të vështirë.
Në fundin e vitit 2002, për cilësitë e treguara në Shkodër, Artani përzgjidhet nga titullarët e Ministrisë së Brendshme dhe trasferohet në detyrën e Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë së Durrësit, qytet ky shumë problematik në atë kohë. Si një vend bregdetar ku përvec krimit të rrugës ushtrohej një veprimtari dinamike e trafiqeve dhe krimit të organizuar. Eksponent të rëndësishëm të krimit u goditën në atë kohë. Persona të rëndësishëm të botës së krimit me lidhje politike u përballën me reagimin e policisë. Artani ishte njeriu kyc i këtyre aksioneve dhe prandaj në këtë qytet filluan dhe angazhimet e njerzve me influencë për ta lëvizur nga ky pozicion. Këtë detyrë e mbajti deri në vitin 2004 për t’u trasferuar në qytetin më të largët verior.
Në vitin 2004 emërohet Shef i Komisariatit të Policisë Tropojë. Për disa muaj në këtë qytet u organizuan operacione spektakolare për kapjen e personave me rrezikshmëri të madhe që nga Lekbibaj e deri në skajet më të largëta të bjeshkëve të Shkëlzenit. Në cdo aksion të drejtuar nga Artani kishte shkëmbime zjarri por triumfi i strukturës policore të komisariatit të Tropojës ishte i padiskutueshëm, i suksesshëm e pa dëmtime nga radhët e policisë. Në këtë periudhë u bë një punë e madhe për grumbullimin e armëve nga popullata pasi periudha e vitit 1997 kishte krijuar kushte që gjithkush kishte armë dhe rreziku i ngjarjeve kriminale ishte evident në cdo moment.
Pas disa muajsh shërbimi e përballje në Tropojë, po në vitin 2004, trasferohet në Berat në Sektorin Kundër Akteve Terroriste ku u muar me krijimin e dosjeve sipas procedurave ligjore e standartet profesionale për të gjithë personat  e evidentuar me precedent në sektorin që mbulonte. Në fundin e këtij viti emërohet Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin Nr.4 në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Detyrë parësore dhe efektive ishte hetimi i ngjarjeve të vjetra të pa zbuluara deri në atë kohë. Shumë ngjarje kriminale të viteve 1997 e në vazhd ishin pa autorë, dosjet e përpiluara për këto ngjarje ishin krejt skematike pa mundësinë e duhur për të kryer veprime të plota procedurale për shkak të situatës së at’hershme. Ndaj prioritet dhe punë e madhe u krye në rihetimin e këtyre ngjarjeve, dokumentimin dhe vënin para përgjegjësisë ligjore të autorëve për krimet e vjetra të kryera dhe kjo jepte një imazh dhe impakt mjaft të mirë në komunitet si dhe ndikonte shumë në parandalimin e krimeve të tjera. Artani si drejtues i seksionit kundër krimeve ishte në krye të të gjitha veprimeve dhe autor i të gjitha sukseseve të këtij Komisariati.
Në vitin 2005 nga Komisariati Nr.4, trasferohet dhe emërohet si Specialist Drejtimi në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë e më pas në vitet 2006 deri në 2007 punoi në Sektorin e Krimeve Kundër Personit në Tiranë e më pas, dhe në Sektorin Kundër Krimit të Organizuar. Edhe në këto detyra puna e tij, angazhimi dhe novatorizmi në veprimet e tij prodhonin rezultate cilësore dhe nuk pati dosje të bujshme që u finalizua në atë kohë që të mos kishte angazhimin, dorën dhe mendjen e Artan Cukut.
Nga mesi i vitit 2007 emërohet si Zëvendësdrejtor i Policisë Qarkut Vlorë. Fundi i vitit 2007 dhe viti 2008 e gjen Artan Cukun si Zëvendësdrejtor i Policisë Qarkut Fier. Fundi i vitit 2008 dhe fillimi i vitit 2009 ishte Zëvendësdrejtor i Policisë Qarkut Berat e më pas deri në vitin 2011 Zv. Drejtor i Policisë Qarkut Tiranë. Për 4 vite si Zv. Drejtor i policisë në katër Qarqe ka përballuar sfida të mëdha, Zv.Drejtori i Qarkut në atë kohë ishte drejtuesi më i lartë i hetimit të krimeve. Artani dërgohej në qarqet ku ishin problemet delikate që duheshin zgjidhur dhe angazhimi i tij i pakursyer jepte rezultate të dukshme. Në këto vite janë kryer hetime spektakolare dhe janë finalizuar operacione të rëndësishme. Këto rezultate e ky angazhim i policisë së kësaj periudhe solli plotësimin e standarteve për antarsimin në NATO të Shqipërisë dhe plotësim të standarteve për liberalizimin e vizave. Dy arritje të mëdha dhe historike për Shqipërine. Padyshim që Artan Cuku kishte rolin e tij në sektorët e rëndësishëm që drejtonte duke prezantuar cdo javë rezultate të pa imagjinueshme. Pas vitit 2011, Artani transferohet për të kryer detyrën e Shefit të Sektorit Kundër Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, detyrë të cilën e kreu për rreth një vit. Ky ishte një drejtim i ri i punës së Artanit por një prioritet i kohës për policinë. Përvec eksperiencës së jashtëzakonshme që kishte në hetimin e veprave të rënda penale kundër jetës dhe personit si dhe veprave penale që lidheshin me trafiqet dhe krimin e organizuar, tashmë Artani njihet me proceudrat dhe legjislacionin e sfidës së shekullit, atë të pastrimit të produkteve të veprës penale. Në fillimin e vitit 2012 deri nga fundi i vitit 2013 ishte në detyrën e Drejtorit të Policisë Qarkut Vlorë.  Kjo është koha me e lavdishme për Artanin, koha më e mirë dhe për qytetarët e Vlorës. Duke patur mbi supe këtë detyrë të rëndë dhe peshën e përgjegjësisë në drejtimin e policisë së Qarkut Vlorë, Artani me stafin e tij bënin diferencë të theksuar nga gjithë qarqet e tjera në punë, në rezultate e në performancë. Aksione spektakolare u finalizuan në Vlorë, disa herë personalitete të policisë italiane dhe ambasadori Italian shiheshin në konferenca shtypi ne krah të drejtorit të sukseshëm Artan Cuku duke prezantuar finalizimin e operaconeve që partnerët evropian i dëshironin aq shumë.
Hedhja ne rruge e Artan Cukut nga shteti
Nga fundi i vitit 2013, pas ndryshimeve politike që ndodhën në Shqipëri, Artani u transferua nga Vlora dhe deri në Qershor 2014 ka punuar në Drejtorinë e Studimeve Strategjike në Policinë e Shtetit derisa u lirua nga policia pa asnjë shkak. Kishte aftësi të rralla lidershipi si Drejtues i Lartë i Policisë së shtetit, me afro 17 vjet përvojë pune. Ka iniciuar, drejtuar dhe menaxhuar hetime të rëndësishme në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Aftësitë e tij të veçanta organizative dhe manaxheriale, vinin si rezultat i ngritjes graduale në karrierë dhe trajnimeve profesionale të vazhdueshme duke filluar nga niveli “Inspektor” terreni e deri në gradën e lartë policore drejtuese “Drejtues i Parë”.
Gjatë gjithë karrierës të gjitha vlerësimet e punës ndër vite, të cilat gjenden në dosjen e tij personale,  kanë qenë të nivelit “shumë mirë”.


Dora kriminale qëlloi mbi Cukun
Me datën 08.04.2017, rreth orës 20:10, u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në “Rrugën e Kosovarëve, Tiranë, fakt për të cilin Prokuroria Për krimet e Rënda kreu hetimet në kuadër të Procedimit Penal nr.139/2017 dhe në përfundim te hetimeve, organi i akuzës ka konkluduar se vrasja e tij është kryer në bashkëpunim, për shkak të Detyrës së tij, gjatë kohës kur ushtronte funksionet e Drejtorit të Drejtorisë së Policisë Qarkut Vlorë, krim i parashikuar nga nenet 79/b e 25 te Kodit Penal (“Vrasja e punonjësve të policisë së shtetit”.) Me datë 09.04.2017, Policia e Shtetit në nderim të tij organizoi ceremoninë shtetërore të homazheve. Mina HYSA

Vlerësime dhe dekorime sipas kronologjisë:

  1. Për merita të larta, Ministri i Brendshëm me Urdhërin nr. 464, datë 12.06.2017 i ka akorduar Artan Cukut “Medaljen e Nderit” pas vdekjes me motivacionin “Për merita dhe shërbime të veçanta në luftën ndaj krimit, sigurimit të rendit e të qetësisë publike”
  2. Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani me Dekretin nr.10532, datë 27.06.2017 ka dekoruar Artan Cukun me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes) me motivacionin “Ne vlerësim dhe nderim të thellë për përkushtimin maksimal, devotshmërinë e pashembullt, sakrificën e rrallë në luftën pa kompromis kundër keqbërësve dhe dhe krimit të organizuar, si profesionist dhe misionar pararojë në radhët drejtuese të Policisë së Shtetit”.
  3. Bashkia Dibër, me vendimin nr.13, datë 09.02.2018, i ka akorduar Artan Cukut titullin “Qytetar Nderi i Dibrës” (pas vdekjes), me motivacionin: “Për vlerat profesionale, për kontribut të lartë në strukturat e policisë së shtetit, sakrificën e pashembullt dhe pa kompromis në luftën kundër krimit të organizuar si dhe lartësimin e vlerave morale, historike dhe fisnike të trevës së Lurës dhe Dibrës”.
  4. Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr. 770, datë 02.04.2019 ka shpallur Artan Cukun “Dëshmori i Atdheut” dhe familjes së tij i ka dhëne simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”.
  5. Këshilli i Qarkut Dibër, me Vendimin Nr. 19 Datë 27/06/2019, i ka akorduar Artan Cukut titullin: “Nderi i Qarkut Dibër” (pas vdekjes) me motivacionin: “Për vlerat e veçanta njerëzore, kontributin e lartë në strukturat e Policisë së Shtetit, sakrificën e pashembullt dhe pa kompromis në luftën kundër krimit të organizuar si edhe lartësimin e vlerave morale, historike dhe fisnike të Qarkut të Dibrës”

Vrasja e Drejtuesit të Parë Artan Cuku është radhitur si një nga vrasjet më të bujshme të shtetit shqiptar në këto njëqind vitet e fundit dhe është përshkruar në librin “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar (në të gjitha trojet shqiptare)” të autorit Roland Qafoku.

Gjithashtu Artan Cuku është përfshirë në librin me 50 vrasjet më të rënda në botë për arsye shtetrore. Libri titullohet :“Faces os Assassination” (“Fytyra e vrasësve”) i hartuar nga një grup ekspertësh nga e gjithë bota dhe është botuar nga organizata prestigjioze “Iniciativa globale kundër krimit transnacional” (“Global Initiative against Transnational Organized Crime”) me qendër në Gjenevë të Zvicrës. Në këto 50 vrasje janë përfshirë ekzekutime të personaliteteve shtetërore në 40 vende nga e gjithë bota pas vitit 2000, ku njëra nga këto është vrasja e Artan Cukut.

Figura dhe personaliteti i Artan Cukut është përshkruar edhe në librin: “PERSONALITETET E DIBRES (Enciklopedia e Dibrës 3)”.

Për Artan Cukun pas vdekjes janë shkruar dy libra :“ARTAN CUKU In memoriam” ideuar dhe përgatitur nga ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prenci në bashkëpunim me gazetarë, politikan, ish-pedagog, ish-epror, ish-kolegë të Artanit etj, si dhe “Jam pri’ Lure” të autorit Fatos Daci. Gjithashtu është realizuar edhe dokumentari me titull: “In memoriam Artan Cuku”, realizuar nga Ardita Bala dhe Verjana Abazaj.
Për Artanin  kanë shkruar dhe kanë folur  personalitete të shumta të fushave  të ndryshme duke vlerësuar lart figurën e tij, si dhe kanë shprehur qartë dhe fort indinjatën e hidhërimin e thellë për atë që ndodhi.

 

 

 

 

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular