BallinaIntervista“PD, qasje me imazh jashtë klisheve, pse vihet theksi te simbolika kombëtare”

“PD, qasje me imazh jashtë klisheve, pse vihet theksi te simbolika kombëtare”

Flet Desada Metaj, Drejtore e Komunikimit të fushatës së PD-së

Pavarësisht se nuk ka një fushatë klasike me takime masive, thuajse të gjithë forcat politike kanë zgjedhur mënyrat alternative për të qenë afër elektoratit. Desada Metaj, Drejtore e Komunikimit të Fushatës së PD, shprehet se strategjia e ndjekur këtë herë ka qenë ajo e takimeve derë më derë, duke e parë këtë si angazhim serioz për të prezantuar alternativën që sjell e djathta për qytetarët.

Metaj thekson se lideri i opozitës ka pasur një qasje të imazhit të tij jashtë klisheve të një lideri global, i cili premton mrekulli dhe me fokus te familja, por këtë duke e parë në dimension më të madh, atë të Shqipërisë. Ndaj këtë herë ka një përdorim më të lartë të simbolikave kombëtare, që në sloganin e fushatës.

Si e ka organizuar Partia Demokratike takimin e saj me elektoratin në këtë fushatë zgjedhore?

Nuk është fushatë në kushte të zakonshme, por kjo nuk e ka penguar PD-në të organizojë fushatën e saj për çdo ditë, pa pushim. Format klasike të takimeve masive, për shkak të pandemisë, janë kufizuar, por ne jemi mbështetur te strategjia e takimeve derë më derë.

Kjo do të thotë se çdo kandidat, çdo drejtues politik dhe çdo demokrat ka trokitur në dyert e qytetarëve për të prezantuar programin, alternativën dhe angazhimet konkrete të PD-së për qeverisjen e ardhshme. Në nivelin kombëtar, kryetari Basha është duke vizituar çdo ditë qytetet kryesore të vendit dhe është duke u pritur me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga qytetarët. Gjatë këtyre vizitave, z. Basha po zhvillon takime me banorë, sipërmarrës, njerëz të spikatur të artit dhe kulturës, gra sipërmarrëse dhe përfaqësuese politike dhe të rinj.

A kemi një prirje të pastër drejt “evidentimit” të liderit në këtë fushatë apo Partia Demokratike ka një shpërndarje të barabartë të peshës së fushatës dhe promovimit të disa figurave bazë të saj?

Për Partinë Demokratike, kjo fushatë nuk është një zgjedhje ndërmjet një partie apo një tjetre, as ndërmjet një lideri apo tjetrit. Është zgjedhja ndërmjet një vizioni për ta qeverisur Shqipërinë me plane, punë të qarta dhe serioze dhe një vizioni tjetër, i cili synon ta mbajë vendin nën presionin e propagandës dhe politikës së batutave, sulmeve personale ndaj opozitës dhe mungesës së transparencës. Është zgjedhja ndërmjet fuqisë së bashkimit të të gjithë qytetarëve për të sjellë ndryshim dhe shpresë dhe opsionit të një udhëheqësi autoritar, i cili ka shtënë në dorë të gjitha institucionet dhe merr vendime arbitrare mbi jetën e qytetarëve shqiptarë.

Z. Basha ka bërë publike gjithë këto kohë planet e punës për çdo sektor bashkë me ekipet e tij të ekspertëve. Kjo është edhe filozofia e tij e punës: puna në ekip dhe ecja bashkë drejt qëllimit final, që është anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Natyrisht, kontrasti i fortë që qytetarët bëjnë ndërmjet z. Basha, si politikan europian, lider i përgjegjshëm dhe serioz dhe z. Rama, si përfaqësues i politikës së konfliktit, arrogancës dhe nënçmimit të qytetarit, i shtyn shqiptarët të shprehin simpati dhe vlerësim të lartë për z. Basha.

Politikanët i sheh rrallë jashtë petkut të politikës, në normalitetin e sinqertë dhe rrethuar nga familja. Në kohë fushatash arrin të shohësh edhe këtë pjesë në copëza për të komunikuar mesazhe dhe diçka të tillë e kemi parë edhe me kreun e PD-së. A e mendoni këtë një mënyrë efektive për të ndikuar tek elektorati, duke evidentuar anën familjare apo të përkujdesjes?

Gjatë këtyre viteve, z. Basha ka qenë aktiv në politikë me alternativën dhe mënyrën e tij të të bërit politikë. Kjo është një qasje normale, jashtë klisheve të një lideri që sillet si “lider global” dhe që shtiret sikur do të zgjidhë çështjet rajonale, ndërkohë që vendi është zhytur në krizë të thellë.

Kjo qasje paradoksale dhe gati qesharake që Rama ka injektuar në komunikimin publik është jo vetëm e padobishme, por edhe e paprekshme për qytetarët të cilët përballen me vështirësi të mëdha. Që nga varfëria e shtuar apo keqmenaxhimi i rindërtimit dhe pandemisë. Përkundrejt kësaj, prezantimi i profilit të z. Basha, si një baba dhe bashkëshort, është një mënyrë për të ardhur pranë qytetarëve, me modelin e familjes që çdo shqiptar do të donte të kishte.

Shkollimi i tij perëndimor, karriera profesionale, stili i politikëbërjes konsensuale dhe vendimmarrjes me bazë këshillimin janë gjithashtu avantazhe të padiskutueshme të Bashës si kandidat për kryeministër të Shqipërisë.

Cilët janë elementet marketing më të rëndësishëm ku do të bazohet fushata, flasim për mesazhet dhe aspektin vizual?

Për PD-në, kjo është një fushatë ku fiton Shqipëria, jo një fushatë e përplasjes klasike ndërmjet partive dhe ideologjive. Ky është kuptimi i pranisë së simboleve kombëtare dhe vetë sloganit tonë, “Shqipëria fiton!” Këtë herë vihet theksi te simbolet tradicionale dhe trashëgimia e Partisë Demokratike.

Këto nuk do të jenë zgjedhje ku duhet zgjedhur një person apo një tjetër, por zgjedhje mes një vizioni, për shndërrimin e Shqipërisë në një vend ku të rejat dhe të rinjtë tanë vendosin të jetojnë, anëtarë të Bashkimit Europian dhe një vizioni që e bën Shqipërinë të pajetueshme dhe prej nga shumica dërrmuese përpiqen të largohen. Këtë mesazh është duke dhënë z. Basha dhe kandidatët tanë në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo rrugë dhe çdo derë.

Çfarë mesazhesh qëndrojnë pas sloganit “Shqipëria fiton” dhe si erdhëm tek ai?

Slogani “Shqipëria fiton” përfaqëson thelbin e programit të Partisë Demokratike dhe z. Basha për qeverisjen e Shqipërisë: një qeverisje ku fiton Shqipëria, fitojnë shqiptarët, fitojnë të rinjtë, fitojnë sipërmarrësit, fitojnë punëtorët, fitojnë fermerët, fitojnë familjet shqiptare. Veçanërisht në këtë situatë krize të thellë shëndetësore dhe ekonomike, një program i madh ndihme për të gjithë shqiptarët është i domosdoshëm.

Programi i PD-së parashikon të nxjerrë biznesin e vogël dhe të mesëm nga falimentimi, shërbimin shëndetësor nga kolapsi, familjet shqiptare nga harresa e shtetit dhe të rikthejë normalitetin në vend. Programi për bujqësinë, turizmin, ulja e madhe e taksave, çlirimi i biznesit nga ushtria e inspektorëve, rritja e pagave në shëndetësi dhe arsim, janë disa nga përfitimet e mëdha të Shqipërisë nga alternativa e z. Basha.

Cili është kanali më i përdorur për komunikimin në këtë fushate dhe roli i mediave sociale?

Çdo kanal informimi është padyshim i dobishëm për të shpalosur idetë, programin dhe angazhimet tona për qeverisjen e ardhshme. Modeli klasik i televizioneve kombëtare dhe lokale (me gjithë vështirësitë e hasura herë pas here) apo mediat sociale janë në funksion të qëllimit tonë: shqiptarët duhet dhe do të zgjedhin ndryshimin.

Kryetari Basha dhe Partia Demokratike kanë një rrjet platformash komunikimi, që shpërndan mesazhin në mënyrë kapilare deri te çdo qytetar i zakonshëm i Shqipërisë. Në fund të fundit, mënyra më e mirë për të komunikuar me qytetarët shqiptarë është t’i takosh, të shohësh shpresën e tyre për ndryshim, të flasësh me ta drejtpërdrejt për problemet që kanë dhe t’u shpjegosh atyre zgjidhjet tona.

Në mjedisin politik shqiptar, komunikimi është shfaqur në të gjithë formatet e tij, agresiv, ironik, i matur në disa raste. Cila është forma që dominon në këtë fushatë të PD dhe përfaqësuesit e saj dhe pse mendoni se është e duhura?

Partia Demokratike dhe z. Basha besojnë se këto zgjedhje janë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, jo për dy njerëz që synojnë një karrige. Për këtë arsye, PD ka punuar prej dy vitesh me ekspertët më të mirë lokalë dhe ndërkombëtarë, është ndihmuar nga partitë e saj partnere për të hartuar plane pune serioze dhe konkrete. Nëse ne ia kemi dalë të gjejmë zgjidhje për problemet e Shqipërisë, kundërshtari ynë i është futur një fushate negative, ku problemi është opozita. Alternativa e vetme e prezantuar deri më tani nga Rama janë sulmet ndaj opozitës, PD, Lulzim Bashës dhe kandidatëve tanë.

Duke përdorur në funksion të saj dhe një gjuhë të papërshtatshme dhe bulizuese. Ky është lajmi i keq i kësaj fushate (deri tani të paktën) Lajmi i mirë është se qytetarët shqiptarë nuk presin as shfaqje, as komedi nga kjo fushatë. Ata duan rrugëdalje nga balta ku ka ngecur Shqipëria prej 8 vitesh dhe ku Rama dëshiron ta mbajë ende. Partia Demokratike, z. Basha dhe ekipet e tij të ekspertëve i kanë ofruar Shqipërisë një rrugëdalje dhe një hartë rruge drejt zhvillimit, rritjes së mirëqenies dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ne nuk kemi rënë në asnjë rast në fushatë agresive apo ironike. I jemi përmbajtur së vërtetës dhe u kemi folur qytetarëve me seriozitet.

A vini re ndryshim tek elektorati në raport me zgjedhjet e mëparshme. A është ai më interaktiv dhe më i interesuar për programet që u paraqitën apo mbetet indiferent?

Së pari, kësaj here, elektorati shqiptar është ballafaquar vetëm me një program: programin që kanë hartuar z. Basha me ekipet e ekspertëve. Prandaj ne vërejmë se ka shumë interes, shumë pyetje, shumë kërkesa rreth programit të opozitës.

Së dyti, qytetarët janë të vetëdijshëm se ndryshimin mund ta sjellë vetëm bashkimi i madh i qytetarëve në një aleancë me opozitën, jo ai që e mbajti Shqipërinë në vendnumëro për 8 vite. Kësisoj, është e kuptueshme se interesi i qytetarëve për ofertën e Partisë Demokratike është shumë i lartë.

Kjo duket qartë në pritjet entuziaste të Bashës në çdo qytet që ai shkon dhe nga pritja e kandidatëve në çdo derë. Ajo që u ofron kundërshtari ynë qytetarëve është një shfaqje e dëshpëruar cinizmi dhe arrogance, pa asnjë zgjidhje për ngecjen e madhe të Shqipërisë në këto 8 vite.

Cila është qasja juaj për të fituar elektoratin gri që mbetet një pjesë e rëndësishme?

Së pari, Partia Demokratike u ka ofruar qytetarëve shqiptarë një program të detajuar në plane pune serioze dhe konkrete për çdo fushë. Z. Basha nuk ka ofruar retorikë, as politikë përçarjeje apo konflikti. Përkundrazi, ka ftuar çdo ditë të gjithë shqiptarët, pa dallime partiake, të bashkohen në një aleancë të madhe për të shpëtuar Shqipërinë. Qytetarët shqiptarë, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive politike duan të dinë se çfarë planesh ka opozita për ta bërë Shqipërinë më të mirë për të jetuar, që të rejat dhe të rinjtë tanë të mos largohen nga vendi, por ta ndërtojnë jetën këtu, në vendin e tyre.

Së dyti, lista e Partisë Demokratike është një listë, pjesë thelbësore e së cilës janë edhe shumë personalitete të rëndësishme të jetës publike, intelektualë dhe profesionistë të cilët përfaqësojnë interesin publik dhe jo thjesht interesin e një partie apo një tjetre. Qytetarët presin që vendimet që merren nesër në Parlament të reflektojnë pikërisht interesin më të mirë të Shqipërisë, jo të partive politike. Një nga angazhimet tona, taksa e sheshtë 9% prek direkt shtresën e mesme, pasi do t’i ofrojë asaj më shumë mundësi dhe hapësirë për t’u fuqizuar dhe për t’u rritur në numër. Si shtresa që është bazë për mirëqenien e çdo shoqërie moderne.

Së treti, i gjithë mesazhi i Partisë Demokratike është mbi mirëqeverisjen, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit, rikthimin e konkurrencës dhe lirisë ekonomike, fuqizimin e ekonomisë familjare dhe shëndoshjen e shërbimit shëndetësor dhe arsimit etj. Këto janë dhe angazhimet tona që do ta afrojnë Shqipërinë me BE. Anëtarësimi në BE është dëshira e patjetërsueshme e çdo shqiptari. Dhe si partia që ka mundësuar liberalizimin e vizave dhe hyrjen e Shqipërisë në NATO-s, ne padyshim kemi besimin e shqiptarëve se do t’ia arrijmë që ta realizojmë këtë ëndërr 30-vjeçare.

Të gjithë shqiptarët e dinë se pa u afruar me BE-në, Shqipëria nuk do të ndryshojë. Kjo do të sjellë investime të huaja, do të ulë varfërinë dhe do të ndryshojë brezin e ri të shqiptarëve. Çdo shqiptar këto zgjedhje duhet të pyesë veten se kush mund ta sjellë këtë ndryshim? Kush mund ta afrojë Shqipërinë me BE-në?

Rama, i cili na ktheu pas gjatë 8 viteve të fundit? Ai nuk mund ta bëjë këtë!

Apo Basha, i cili anëtarësoi Shqipërinë në NATO, i cili realizoi udhëtimin pa viza për të gjithë shqiptarët, që ka marrëdhënie të shkëlqyera me liderët e Europës?

Vetëm Basha mund ta bëjë këtë!

Ndryshe nga kundërshtarët tanë, PD nuk përfshihet në debate boshe, nuk premton mrekulli utopike, por angazhohet të zbatojë plane pune serioze dhe të ofrojë përfitime të prekshme për jetën e qytetarëve. Të tria këto janë arsye të mjaftueshme që shqiptarët, pavarësisht besimit që kanë tek politika, të gjejnë te Partia Demokratike dhe kandidatët e saj atë që kërkojnë nga të zgjedhurit dhe vendimmarrësit publikë./Monitor/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular