BallinaKryesoreRacizëm, punë e para, çfarë shkruajnë patronazhistët! Ja mënyra e joshjes së...

Racizëm, punë e para, çfarë shkruajnë patronazhistët! Ja mënyra e joshjes së votuesve

Zbardhen të tjera detaje nga databaza e Partisë Socialiste që po qarkullon në masë në duart e qytetarëve. Dokumenti mban informacione të detajuara për mbi 900 mijë votues të qarkut të Tiranës.

Ndërkohë, nga një vëzhgim i gazetës “Panorama.al” zbulohen se si fatkeqësia nga tërmeti, punësimet apo transferimet në punë mund të jenë përdorur si favore për të siguruar votën në favor të PS-së. Por nuk qëndrojnë pas edhe çështjet e pronësisë. “Shumë i kënaqur nga Partia Socialiste dhe është votues historik i PSsë. Ka probleme me hipotekimin e shtëpisë, pasi prona e tij ka mbivendosje me një pronë të fisit D. Ka bërë disa ankesa dhe i është kthyer përgjigje, që kjo do të zgjidhet”, thotë njëri prej patronazhistëve.

Ndërsa një tjetër e thotë qartë se nëse marrin lejen e legalizimit, qytetari do të votojë për PS-në. “Duan legalizim dhe votojnë për ne”, shënon patronazhisti në sistemin e PS-së. Por ka edhe shënime të çuditshme që përbëjnë një shkelje tjetër penale. Bëhet fjalë për një rast ku monitoruesi është në dijeni se qytetari ka marrë legalizimin, por nuk voton për Partinë Socialiste. Në këtë rast, patronazhisti thotë se do të bëhet pengesë për të mos e lejuar që të votojë.

“Edhe pse ka marrë legalizimin, është i çmendur për PD-në, do të mundohemi ta mbajmë në shtëpi ditën e votimit, mos të votojë fare”, shënohet në databazën e PSsë. Ka raste të tjera që vlen për t’u hetuar nga prokuroria, pasi patronazhuesi shënon se qytetari mund të votojë nëse dy muaj para zgjedhjeve merr tapinë. “Sipas tij, nuk e ka marrë ende legalizimin, nëse e merr këto dy muaj, do të votojë për PS-në, në të kundërt nuk do të votojë fare”, shënohet në databazë.

PUNËSIMET

Një tjetër e dhënë delikate që gjendet në databazën e PSsë është edhe vendi i punës. Por sigurisht nuk mungojnë rastet kur në shënimet e patronazhistëve janë joshjet me vende pune, në mënyrë që qytetarët të votojnë për Partinë Socialiste. “Nuk vjen dot në takim te zyra, pasi është i sëmurë. Ka marrë dëmshpërblimin e tërmetit. Është votues i Partisë Socialiste historikisht. Kërkon një vend pune për nusen e djalit, e cila ka përfunduar studimet për biologji molekulare”, thuhet në databazën e PS-së.

“Nuk është aspak i kënaqur, pasi nuk janë në punë. Sipas tij, nuk do të votojnë fare”, thotë një tjetër. Ndërkohë, për një rast tjetër patronazhisti shënon në sistem se qytetari i identifikuar me inicialet A. D. do të votojë PS-në vetëm nëse bashkëshortja e votuesit do të futet në punë si edukatore, pasi me sistem është refuzuar 7 herë. “Votojnë PS-në nëse e shoqja e A. D. rregullohet ne pozicionin e punës si edukatore, pasi ka dhënë mbi 7 herë provimin dhe nuk e ka fituar”, shënon patronazhisti. Por në sistemin e PS-së nuk ka vetëm patronazhues. Por ka edhe referues. Këta zbulohen në sistem kur përshkruhen si lobuesit që bindin qytetarët. “Po punon referuesi që të votojnë për PS”

TËRMETI

Kundërshtarët politikë të Partisë Socialiste kanë hedhur akuza të shpeshta në drejtim të maxhorancës se po përdor fatkeqësinë e tërmetit për vota. Në fakt, të dhëna të tilla dalin edhe në databazën e PS-së. Patronazhuesit kanë informacione të qarta në lidhje me dëmtimet që kanë pësuar qytetarët, nëse kanë marrë paratë dhe nëse jo. “Përfitues tërmeti DS1. Nga tërmeti i është shembur shtëpia, ka mundësi që do të vijë të votojë për PS-në”, shkruhet në databazën e PS-së. Ndërkohë, një tjetër qytetar bën presion për dy vota nëse merr shpërblimin për shtëpinë e dëmtuar. “2 vota PS, kam shqetësim se nuk më kanë dhënë lekët për shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti”. Në patronazh janë edhe punonjësit e Policisë.

Një rast i gjetur nga gazeta “Panorama” është kur patronazhisti ka lobuar me punonjësin e Policisë, i cili sipas sistemit, ka votuar për LSInë, por nëse e transferojnë në Tiranë, kthehet me PS-në. “Janë LSI, Hajriu është polic krimesh në Kukës, kërkon transferim në Tiranë të kthejë”, shënohet në sistem. Por ajo që bën më shumë përshtypje është se edhe ata të cilët janë në kërkim nga Policia kanë të dhëna te patronazhistët. Në sistem del se një votues i PS-së në 2013-ën ka votuar për PS-në, por aktualisht është në kërkim. “Në kërkim nga Policia”, shkruhet në sistemin e PS-së. Sakaq, duket se personat pranë partisë në pushtet që angazhohen për të pasur në monitorim zgjedhësit janë edhe racistë teksa banorët e komitetit rom apo egjiptian i quajnë “dorë e zezë”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular