Intervista/ Tabaku: Do të godasim sistemin me bazë favoritizmin, frymë dhe jetë konkurrencës!

0

Programi ekonomik i Partisë Demokratike paraqitet ambicioz, sidomos në planin fiskal, me vendosjen e taksës së sheshtë 9% dhe uljes së barrës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në 18% deri në fund të mandatit. A është kjo politikë e pazbatueshme, pasi mund të çojë në një rënie të të ardhurave dhe probleme me buxhetin, deri në rrezik piramidal, ashtu siç e kundërshton sot edhe Partia Socialiste?!

Intervistë me Jorida Tabakun, koordinatore politike për Tiranën dhe një nga hartueset kryesore të programit ekonomik të PD-së, dhënë Monitor.

Tabaku thotë se humbja në buxhetin e shtetit nga ulja e taksave do të mund të kompensohet nëpërmjet kursimeve që do të bëhet nga lufta kundër korrupsionit, ku vetëm përmes praktikës së tenderimit pa shpallje ose me një ofertues abuzohen 300 milionë euro në vit. Nxitja e konkurrencës së lirë dhe goditja e sistemit të favoritizimit janë fokusi i programit të PD-së, sipas znj.Tabaku.

Kali i betejës në çdo fushatë është gjithmonë aspekti ekonomik dhe përfitimet që do të kenë qytetarët gjatë një mandati qeverisës. A mund të bëjmë një përmbledhje shkurt të planit ekonomik, që synon të zbatojë PD, në rast se fiton zgjedhjet e 25 prillit?

Në fokus të planit tonë ekonomik ka qenë shërimi i një plage që është thelluar së tepërmi këto 8 vite; sistemi ekonomik i ngritur jo mbi bazë tregun e lirë, por me bazë favoritizmin. Në 8 vite kemi parë një Parlament të shndërruar në noter të qeverisë dhe gjithashtu në një qeveri të shndërruar në përkthyese të dëshirave të vetëm një grushti njerëzish, në kurriz të shumicës.

Për rrjedhojë, më pak para për bizneset e tjera, më pak të ardhura për qytetarët dhe një ekonomi gjithnjë e më e monopolizuar. Për ta përmbledhur në një fjali, në këto 8 vite, të gjitha ligjet apo të ashtuquajturat reforma ekonomike kanë goditur themelet e ekonomisë dhe e kanë shndërruar ekonominë shqiptare në burim që furnizon vetëm grushtin e njerëzve rreth kryeministrit.

Synimi parësor i planit tonë ekonomik është pikërisht goditja e këtij sistemi, duke i dhënë frymë dhe jetë konkurrencës, ekonomisë së tregut dhe vendosjes së qytetarit në qendër të vëmendjes. Sistemi fiskal i ngritur në këto 8 vite është abuziv, pasi prodhon një situatë ku qytetari u shmanget taksave dhe përpiqet përherë t’ia hedhë shtetit.

Një fokus të rëndësishëm dhe jo rastësor kanë pasur edhe politikat fiskale, si ajo e taksës së sheshtë në 9%, uljes së barrës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në 18% deri në fund të mandatit, vendosjes së Tatimit mbi të Ardhurat Personale në 9% duke i dhënë frymëmarrje shtresës së mesme dhe të punësuarve. Biznesi i vogël dhe familjar për 8 vite është sulmuar me gjoba, taksa dhe gjithashtu tarifa e taksa vendore.

Biznesi vogël sot sulmohet nga taksat e larta vendore, kontrollet e ndryshme nga institucione të ndryshme për leje të shumta do të rishikohen. Biznesi i Vogël do të vendosë një pullë fiskale në hyrje të biznesit, për të ndaluar kontrollet. Kjo pullë do të vendoset pasi biznesi të ketë paguar 0,5% taksë vjetore duke përfshirë edhe taksat lokale. Jo vetëm kaq, por falë kodit tatimor nuk do të kemi më abuzime në vendosjen e taksave vendore nga ana e qeverisjes vendore.

Të gjitha këto synojnë lehtësimin e ekonomisë nga barra fiskale e rritur ndjeshëm, sidomos mbi bizneset familjare, rritjen e konsumit që ka pësuar rënie, sidomos këto 4 vitet e fundit dhe nxitjen e punësimit. Mbi të gjitha, ato synojnë të ngrenë në piedestal qytetarin, duke i mundësuar atij që të jetë qendra e politikave të qeverisë sonë dhe jo vetëm disa individë. Tatimi do të ngrihet mbi bazë parimi dhe rezultati ekonomik, jo mbi bazë favorizimi të dikujt dhe diferencimi të masës së tatimpaguesve.

Biznesit do t’i japim frymëmarrje dhe gjithashtu një armë në dorën e tij. Hartimi i një Kodi Tatimor do të jetë themeli për një marrëveshje të re dhe të ndershme mes qeverisë dhe biznesit. Do të heqim dorë nga pushteti në qeveri për t’i dhënë më shumë pushtet qytetarëve dhe biznesit. Kodi Tatimor do të rregullojë dhe sistemojë një sërë ligjesh dhe aneksesh ligjore që ngrihen në kurriz të tatimpaguesve. Duam të krijojmë një marrëdhënie respekti dhe reciprociteti me biznesin, duke mos e parë nën lupën e gabuar në të cilën është parë këto 8 vitet e fundit.

Këto dy politika do të përcjellin filozofinë dhe vizionin tonë për një Shqipëri që Fiton dhe për një sipërmarrje, e cila rritet dhe zhvillohet. Ndërhyrjet tona ligjore dhe fiskale do të kenë efekte reale në ekonomi. Qëllimi dhe angazhimi ynë është dyfishimi i të ardhurave për frymë nëpërmjet këtyre politikave ekonomike dhe fiskale. Një angazhim serioz dhe i mundshëm nëse vullneti politik ekziston.

Ka thuajse gjithmonë një theks të vazhdueshëm tek ulja e taksave apo heqja e tyre. Masat që ju propozoni për të çliruar ekonominë mund të japin efekt në afatin e gjatë.

Përveç uljes së evazionit, që është një nga efektet që njihet në ekonomitë me taksa të ulëta, ku do të gjenden paratë për të plotësuar nevojat e buxhetit që, duhet thënë se pas tërmetit dhe pandemisë janë rritur ndjeshëm, sidomos në afatin e shkurtër?

Tërmeti dhe pandemia përkeqësuan situatën ekonomike dhe gjithashtu treguan më qartazi dobësitë që ka vendi ynë. Këto dobësi janë të trashëguara, por mbi të gjitha, të krijuara nga një menaxhim i buxhetit, sidomos abuzimi me tenderët publikë, që ka ndikuar në një dëm ekonomik rreth 7.2 miliardë euro.

E thënë thjesht, paratë e shqiptarëve ishin shpërdoruar dhe mjaftoi një fatkeqësi si tërmeti për të na nxjerrë zbuluar e me paaftësi të theksuar menaxhimi. Kjo, për fat të keq, u përforcua me pandeminë, aq sa dukshëm çoi që shëndeti i popullsisë t’i nënshtrohej paaftësisë së menaxhimit nga qeveria dhe pamundësisë reale për menaxhim, për shkak të keqpërdorimit të parasë publike. Në një studim të botuar nga Global Initiative Network rezulton se qeveria shqiptare keqmenaxhon në buxhet nëpërmjet praktikës së tenderimit pa shpallje ose me një ofertues 300 milionë euro në vit.

Nga përllogaritja e kryer prej nesh gjatë punës për të shkruar planin ekonomik të PD-së rezulton se humbja në buxhetin e shtetit nga ulja e taksave do të jetë pothuajse në të njëjtën shifër. Por nuk duhet harruar një tjetër element me shumë rëndësi, ato para do të përdoren për nxitjen e ekonomisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të saj. Janë 300 milionë euro që u rikthehen shqiptarëve për t’i menaxhuar ato në kursimet apo investimet e tyre, do të mund t’i investojnë diku, apo t’i shpenzojnë për turizëm apo investime të tjera, si ai në arsim ose do t’i kursejnë në depozita. Janë para që u hiqen shokëve e miqve të Edi Ramës dhe u jepen qytetarëve.

Janë të ardhura për qytetarët dhe një mundësi më shumë për të rritur konsumin që këto 8 vite ka rënë dhe rënia është ndier më së shumti në 2 vitet e fundit. Kjo ka demoralizuar qytetarët që, ndryshe nga vendet e tjera të Europës, ishin në kufijtë e mbijetesës dhe jo më të mendonin për një konsum normal.

Në lidhje me rindërtimin nga tërmeti duhet të kemi parasysh që qeveria shqiptare është kritikuar publikisht nga FMN për keqmenaxhim të fondeve që i janë dhënë asaj për rindërtimin. Ndihmat e BE-së janë keqpërdorur apo hedhur jo rrallë në vende të gabuara. Ajo që të gjithë partnerët tanë strategjikë kanë vërejtur është se qeveria shqiptare nuk ka korrektësinë dhe as vizionin për të vazhduar një proces transparent të përthithjes së fondeve dhe përdorimit të tyre.

Përthithja e këtyre fondeve dhe njëkohësisht ndihmave që nuk i kanë munguar vendit është një tjetër ndihmë në lidhje me buxhetin dhe nevojat e vendit. Nuk mund të lë pa përmendur që në 8 vite të qeverisë Rama nuk kemi pasur një projekt të financuar nga nismat e BE-së për rajonin. Investimet në infrastrukturën rrugore, që kanë qenë dhe janë pjesë e planeve esenciale të BE-së për rajonin, kjo qeveri ka preferuar t’ua japë miqve të saj, me një formulë abuzive PPP-je se sa të marrë fonde dhe kredi të buta nga BE.

Niveli i të ardhurave buxhetore në vite nuk ka arritur të kalojë 27% të PBB-së. Sa synoni ta çoni ju, si dhe cilat zëra konkretisht pritet të japin kontributin kryesor?

Aplikimi i këtyre reformave ekonomike dhe fiskale do të mundësojë një rritje ekonomike mesatare me 5 deri në 8%, si dhe do të shoqërohet me një rritje të të ardhurave tatimore, si pasojë e rritjes së formalitetit dhe nxitjes së konsumit.

TAP pritet të sjellë një rritje në të ardhurat me 32% në raport me të dhënat e vitit 2019. Ndërkohë që TVSH pritet të sjellë një rritje me 22%, si pasojë e rezultateve të rritjes së konsumit për shkak të uljes së TAP.

PD ka premtuar 110 mijë vende të reja pune në mandatin e saj që do të vijnë nga përmirësimi i klimës së biznesit dhe Investimet e Huaja Direkte. Cilat janë masat që do të merren në këtë aspekt dhe cilët janë sektorët që shihni me potencial në lidhje me tërheqjen e IHD-ve?

Gjatë punës për të shkruar planin ekonomik, bashkë me ekspertët e tjerë vendas dhe të huaj, kemi pasur përpara në tavolinë një analizë mbi atë se çfarë shkon dhe nuk shkon me klimën e të bërit biznes në Shqipëri. Duke nisur nga analizat e Bankës Botërore në raportin e “Doing Business” e deri te raportet e Dhomave të huaja në Shqipëri janë kaluar në lupën tonë.

Synimi ka qenë i thjeshtë; evidentimi i problemeve dhe zgjidhja e tyre. Sikundër iu referova edhe në fillim, problemi kryesor që haset lidhet me monopolizimin e tregut dhe shndërrimin e shtetit në një Leviathian të madh që pengon konkurrencën për t’u shërbyer disave. Përdorimi i ligjeve, si dhe politikave fiskale, si mjet për të favorizuar një biznes apo biznesmen, do të marrë fund. Bërja e ligjeve të veçanta për të favorizuar një biznes të caktuar do t’i ngelet së shkuarës së errët të Edi Ramës.

Së dyti, Shqipëria do të jetë një shtet i parashikueshëm në politikat fiskale dhe ekonomike që do të ndërmarrë. Kur një investitor hedh paratë e tij në një sipërmarrje ka nevojë për siguri juridike, por edhe ekonomike dhe financiare. Qeveria, deri më sot, këto siguri nuk i materializon dhe as i mundëson. Shqipëria është kthyer në një arenë kaubojsash ku ministrat negociojnë personalisht me sipërmarrjet për interesa personale.

Kjo pengon zhvillimin dhe mbi të gjitha, gjeneron më shumë korrupsion se sa investime serioze. Në këto 8 vite të qeverisjes Rama, të dhënat tregojnë se IHD-të që kanë pompuar para në Shqipëri kanë qenë ato të siguruara nga qeveria e fundit demokratike. Kjo nuk është rastësi!

Fokusi ynë, natyrisht, është i lidhur ngushtë jo vetëm me nevojat e tregut vendas, por edhe me ndryshimet gjeopolitike dhe ekonomike në rajon. Po shohim se si tregu i teknologjisë së informacionit po zhvillohet dhe ne dëshirojmë që Shqipëria të jetë pjesë e këtij zhvillimi. Në traditën e PD-së ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë të qenët avangardë, ndaj do të sjellim një tjetër hop me politika në lidhje me prodhimin e software-ve dhe përfshirjen në kurrikulat shkollore edhe më herët të kësaj lënde.

Fokus të veçantë kanë dhe të rinjtë e sidomos bizneset e reja në fushën e teknologjisë, informacioni dhe inovacioni. Tanimë bota po ecën me shpejtësi drejt teknologjisë, ndërkohë që pandemia vuri në pah nevojën për telemjeksinë dhe jo vetëm.

Në fokus të veçantë do të jenë edhe gjysmëpërcjellës apo dhe pajisje të tjera që janë të nevojshme në vendet e BE-së. Fokusi në drejtimet e reja që po merr bota dhe Europa do të jenë prioritarë për të mundësuar më shumë vende pune. Plantacionet e mëdha të fabrikave për gjysmëpërcjellës apo dhe për pajisje të tjera çipesh do të jenë jo vetëm më shumë kapitale të huaja në vend, por edhe një tjetër hap drejt procesit të integrimit.

Energjia do të jetë një tjetër sektor për t’u zhvilluar në kuadrin e Investimeve të Huaja Direkte. Sot po flitet për Energjinë e Gjelbër dhe mundësinë për të diversifikuar rrugën e furnizimit me energji. Shqipëria e ofron këtë komoditet dhe investimet e huaja në këtë fushë do të duhet të vazhdojnë. Ka ardhur koha që Shqipëria të avancojë në një tjetër epokë, duke zhvilluar jo vetëm teknologjinë, por edhe duke ruajtur mjedisin. Trajtimi armiqësor i investitorëve në prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme hidrike, do të marrë fund.

Të tre këta sektorë janë tejet konkurrues në raport me rajonin, por Shqipëria ka një pozitë të favorshme gjeografike dhe një territor tejet tërheqës. Politikat fiskale të ulëta dhe gjithashtu krijimi i një klime ekonomike dhe politike stimuluese do të incentivojnë bizneset. Shqipëria nuk do të jetë plaçkë lufte për qoka kryeministri apo qeverie, por një vend ku konkurrenca do të jetë kryefjala.

Konkretisht kemi përllogaritur që me një rritje ekonomike prej 5.5% për katër vitet e ardhshme të kemi 50 mijë vende të reja pune për periudhën 2022-2023. Krahas hapjes së vendeve të reja të punës, qëllimi ynë është edhe ulja e informalitetit, që do të nxitet dhe nga politikat fiskale. Rezulton se në biznese jobujqësore janë rreth 100 mijë individë të punësuar informalë. Objektivi ynë është që brenda dy viteve të para, ta ulim këtë shifër me të paktën në 50%, pra në vitin e parë të formalizohen 25 mijë vende pune dhe në vitin e dytë, 25 mijë të tjera.

PD premton uljen e varfërisë me 50%. Si parashikoni që ta arrini këtë dhe cilat do të jenë përfitimet që do të ketë kjo kategori shqiptarësh (që jeton me më pak se 5 USD në ditë) në lidhje me aksesin në shërbime dhe të mira? Për familjet që nuk përballojnë dot dritat dhe ujin, a do të riktheni fashat mbrojtëse?

Plani ynë ekonomik nuk premton utopi dhe as nuk dëshiron të prodhojë distopi. Duke ndjekur këto politika ekonomike dhe fiskale, ne do të reduktojmë ekonominë informale, do të zgjerojmë bazën e tatimpaguesve. Ndërtimi i një tribunali tatimor dhe gjithashtu rregullimi i kontrolleve do të mundësojë uljen e korrupsionit. Gjithashtu do të forcojmë strukturat e mbrojtjes konsumatore, pasi ne e konsiderojmë mbrojtjen e konsumatorit si një variabël të rëndësishëm për mbrojtjen e tregut të lirë dhe fuqizimin e individit dhe ekonomisë individuale. E djathta gjithmonë ka në bazë fuqizimin dhe pavarësimin e individit. Kjo i bën edhe institucionet e shtetit struktura më të përgjegjshme.

Që prej vitit 2008, vendi ynë cilësohet si një shtet me të ardhura të mesme të larta. PBB për frymë është 5.300$, ndërkohë që projeksionet e FMN parashikojnë një rënie të PBB për frymë dhe të mendojmë që këto projeksione kanë qenë përpara periudhës së pandemisë.

Kështu lind nevoja dhe domosdoshmëria që politikat tona të reflektohen edhe në përmirësimin e jetës për çdo qytetar. Prandaj synimi ynë në ndërmarrjen e këtij plani është shndërrimi i Shqipërisë në një vend me të ardhura të larta, brenda një afati të caktuar, që do të përkthehet në rritjen më shumë se sa dy herë të të ardhurave për frymë aktualisht.

Kjo do të përkthehet me një rritje nominale të PBB me 8.19%  dhe që do të korrespondonte me një rritje reale të PBB me 5.5% dhe me një deflator 2.55%, që do të sillte një zhvlerësim të Lekut ndaj Dollarit me thuajse 1%.

Rritja ekonomike do të përkthehet drejtpërdrejt në familjet shqiptare dhe nuk do t’i shërbejë vetëm një grupi njerëzish. Vitet e fundit, edhe nga ajo rritje anemike që ka pasur vendi, qytetarët kanë ardhur duke u varfëruar. Të gjithë bizneset do të kenë më shumë mundësi investimesh. Qytetarët do të shpenzojnë më shumë. Prindërit do të shpenzojnë apo grumbullojnë më shumë për shkollimin e fëmijëve të tyre.

Shqipëria, për shumë kompani të huaja, kryesisht fasoneri dhe automotive, është bërë interesante prej krahut të lirë të punës. Si mendoni se mund të amortizohet tërheqja e mundshme e investitorëve të këtyre sektorëve nga një rritje e pagës minimale prej 36 mijë lekësh. Çfarë do t’u ofroni atyre për të baraspeshuar këtë pjesë?

Një mjedis i mirë i të bërit biznes i jep mundësi Rritjes së Shpejtë të ekonomisë dhe mbi të gjitha, investimeve serioze. Një thjeshtim 10% i procedurave, ul me 1% normën reale të taksës dhe kjo rrit me 14% numrin e bizneseve të reja të regjistruara. Çfarë do të thotë thjeshtim procedurash? Lehtësim i marrjes së lejeve dhe licencave, angazhimi në mundësimin e reformave që do të lehtësojnë tregun për të filluar një biznes të ri, sigurimin e kreditimit, regjistrimin e pronave, zbatimin e kontratave e kështu me radhë.

Ulja e taksave, krijimi i politikave të parashikueshme dhe gjithashtu incentivimi i bizneseve përmes politikave fiskale që janë konkurruese në rajon janë një fillim i mbarë. Por të mos harrojmë, vendi duhet të ketë dhe një infrastrukturë të zhvilluar dhe një port funksional. Përpos taksave duhet të kemi dhe një qeveri të përgjegjshme dhe te shpenzimet dhe programet e tyre të shpenzimeve.

Skema e pensioneve, e ndryshuar me asistencën e Bankës Botërore pak vite më parë, për shkak se rrezikonte falimentin, ende nuk është në terma të qëndrueshëm, që do të se thotë mbulimi nga kontributet i përfituesve të pensioneve mbetet i dobët. Ju keni premtuar ulje në 18% të sigurimeve shoqërore. A keni bërë ndonjë përllogaritje mbi efektet e mundshme të kësaj lëvizje dhe si do t’i zbusni efektet?

Skema e re e pensioneve, e aplikuar nga qeveria socialiste, u paratha nga ne gjatë diskutimeve në Parlament se do të ishte një dështim. Problemi qëndron se ne shpesh përpiqemi të imitojmë skema apo formula që prej vitesh aplikohen në vende me një sistem dhe një kulturë jashtëzakonisht të ndryshme nga ne.

Nuk përbën habi për mua personalisht dhe për askënd që e njeh sadopak këtë sektor dhe problematikat e tij, që skema aktuale e pensioneve është kthyer në gangrenë. Ne duam të vendosim në punë jo vetëm skemën shtetërore, por edhe skema private për të nxitur punëdhënës dhe punëmarrës që të jenë më aktivë. Kjo lëvizje vjen për të mundësuar një diversifikim të tregut dhe krijimin e mundësisë së skemave të pensioneve. Ligji aktual nuk e rregullon këtë pjesë plotësisht, por në mënyrë selektive. Ne dëshirojmë që ta zgjidhim këtë pjesë, duke i dhënë mundësi çdo individi që dëshiron të aplikojë në këto skema private.

Një nga pikat e planit tonë është edhe ristrukturimi i Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore. Në përpjekje për të qenë sa më eficientë dhe për të prodhuar realisht një skemë pensionesh që u duhet shqiptarëve. Derisa të konkludojmë këtë hap, ne jemi angazhuar për një rritje me 20% të pensioneve në qytet dhe fshat deri në fund të mandatit tonë të parë në qeveri.

Borxhi Publik, që në fund të vitit 2020 arriti 77.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky nivel është më i larti ndonjëherë në financat shqiptare dhe përpos ezaurimit të hapësirës së mundshme për huamarrje, në rast të ndonjë shoku tjetër në ekonomi, si tërmeti dhe pandemia, paraqet edhe kosto të larta shërbimi. Si parashikoni ta ktheni në terma të stabilizuar këtë nivel borxhi dhe konkretisht, në çfarë niveli?

Borxhi Publik, nëse do të regjistronim siç duhet nga ana kontabël detyrimet që na lindin nga PPP-të, kap nivelin e mbi 94% të PBB. Mendoj që ne kemi kaluar me kohë pjesën e stabilitetit dhe një fije e hollë na ndan nga kolapsi i madh. Angazhimi ynë është që të çojmë nivelin e borxhit publik në kufijtë e Maastricht.

Ky angazhim na ka detyruar që të frenohemi në përllogaritjet e shpenzimeve dhe gjithashtu të rishohim disa elemente të tjera për të korrigjuar gabimet e kryera në këto 8 vite. Problemi nuk është vetëm marrja e borxhit, por edhe mënyra e shpenzimit të tij. Fatkeqësisht Shqipëria ka marrë borxh dhe e ka shpenzuar në fasada. Edhe një menaxhimi të tillë do t’i jepet fund.

Në 8 vjet, Rama ishte për ekonominë shqiptare një fenomen i ngjashëm me tërmetin dhe pandeminë. Pra, PD i duhet në radhë të parë të menaxhojë dëmet e Ramës dhe të kthejë ekonominë në shtratin e një zhvillimi normal e të qëndrueshëm.

Tatimpaguesi për ne nuk do të jetë masa amorfe që vetëm milet për favorizim oligarkësh e për fasada. Për ne, tatimpaguesi do të jetë ai që i siguron rritje ekonomike vendit dhe prosperitet shoqëror. PD në pushtet do të mundësojë zbatimin e atyre politikave që e shndërrojnë këtë në realitet./MONITOR

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.