BallinaKronikeTrafik kokaine me nëndetëse /Kush është Ylli Didani me 1.2 mln dollarë...

Trafik kokaine me nëndetëse /Kush është Ylli Didani me 1.2 mln dollarë pasuri të sekuestruara! Ja sa ton drogë iu kap në dy vitet e fundit

Policia e Tiranës njoftoi dje se një 44- vjeçari i janë sekuestruar pasuri me vlerë 1.2 milionë dollarë, përfshirë këtu një njësi tregtare me vlerë të përafërt rreth 1 milion dollarë, një shoqëri sh.p.k, 1 llogari bankare me vlerë rreth 206.000 dollarë.

Pak ditë më parë, mediat e huaja, kryesisht ato amerikane, raportuan se personi të cilit i janë sekuestruar pasuritë është një shqiptar, i cili dikur banonte në Michigan. Ai është akuzuar nga zyrtarët federalë në SHBA se ishte koka e një organizate ndërkombëtare të trafikut të kokainës prej 100 milionë dollarësh, që planifikonte të përdorte një nëndetëse për të transportuar drogë përtej Atlantikut. Shqiptari i arrestuar, Ylli Didani, 44 vjeç, u padit për shpërndarjen e kokainës.

Didani, për të cilin prokurorët pretendojnë se është në krye të një organizate globale droge që shpërndau kokainë në 15 vende, u arrestua në Charlotte, Karolina e Veriut, në fund të muajit të kaluar. Sipas BIRN, në vitin 2018 prokurorët shqiptarë ndërprenë një hetim për pastrim parash kundër Ylli Didanit. Më pak se dy vjet më pas ai u arrestua në Shtetet e Bashkuara nën akuzat për trafikim sasish të konsiderueshme kokaine në Europë dhe pastrim parash.

OPERACIONI

Policia në Tiranë finalizoi dje operacionin policor të koduar “Dërgesa”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës. “Vendoset sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 1.200.000 dollarë, të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e subjektit. Nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi disamujor, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar ‘Dërgesa’, si rezultat i të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, datë 26.04.2021, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të shtetasit Y. D., 44 vjeç, aktualisht i arrestuar nga autoritetet e DEA-s (antidroga) në SHBA, pasi është i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine për në SHBA dhe Europë.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të luajtshme e të paluajtshme, vlera e të cilave shkon rreth 1.200.000 dollarë, konkretisht: një njësi tregtare me vlerë të përafërt rreth 1 milion dollarë; një shoqëri sh.p.k; 1 llogari bankare me vlerë rreth 206.000 dollarë. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë”, tha zyrtarisht Policia.

TRAFIKANTI

DEA thotë se Ylli Didani drejtonte një organizatë që merrej me “trafik kokaine në shkallë të gjerë dhe pastrim parash”, e cila projektoi një dron amfib për trafikimin e kokainës nga Amerika e Jugut në Europë dhe kishte financime nga një biznesmen në fushën e telekomunikacionit në Miçigan, Marty Tibbitts deri kur Tibbitts vdiq pasi rrëzoi avionin e tij luftarak të epokës së Luftës së Ftohtë në Uiskonsin në vitin 2018. Sipas BIRN, vetëm gjatë dy viteve të fundit, autoritetet në SHBA dhe Europë kapën rreth 3.5 tonë kokainë, e cila dyshohet se është trafikuar nga grupi i Didanit nga Amerika e Jugut në Bilbao në Spanjë, në portin holandez të Roterdamit dhe në Antwerp të Belgjikës.

Ai tani përballet me akuza për komplot për shpërndarje të substancave të kontrolluara, komplot për shpërndarjen e substancave të kontrolluara në bordin e një anijeje nën juridiksionin e SHBA-së, si dhe për pastrim parash. Sipas DEA-s, organizata e Didanit kishte lidhje në Amerikën e Veriut, Amerikën e Jugut, Shqipëri, Turqi, Gjermani, Belgjikë, Spanjë, Holandë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Që në vitin 2015 dhe 2016, autoritetet amerikane e dinin se kishin zbuluar diçka të rëndësishme kur gjatë dy kontrolle të veçanta të ‘iPhone’-it të Didanit gjatë kontrolleve kufitare në aeroportin O’Hare të Çikagos u gjetën fotografi ku shfaqeshin tufa të mëdha dollarësh amerikanë dhe Didani që mbante armë zjarri.

Dy nga fotot kishin të vulosur elektronikisht datën dhe vendndodhja gjeografike e tyre u përcaktua si një apartament në qarkun Makomb, në Miçigan. Apartamenti në atë kohë ishte marrë me qira nga një person, i cili në dokumentet gjyqësore është identifikuar si Ç-1. Hetuesit e panë Didanin në këtë apartament në disa raste gjatë verës së vitit 2016. Sipas DEA-s, Didani dhe një kontakt i cili në “iPhone”-in e tij ishte regjistruar me emrin “Dan Dan” – për të cilin agjentët thonë se është Ç-1 – shkëmbyen mesazhe Viber në korrik dhe gusht 2016, duke diskutuar transferta të paligjshme parash, marrje pakosh me “FedEx”, falsifikim pasaportash dhe shitje sasish të mëdha kokaine.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular