BallinaAktualitetInfermierja në Tiranë në telashe me kolegun: Më mori 2500 euro, kam...

Infermierja në Tiranë në telashe me kolegun: Më mori 2500 euro, kam frikë ta takoj prej Covidit

Pandemia e shkaktuar nga Covid-19 po vazhdon të shkaktojë edhe në Shqipëri humbje jetësh dhe thellim të recesionit ekonomik. Por, përveç këtyre frika e kontaktit fizik me persona të tjerë është ndër problemet kryesore. Pandemia i ka sjellë vështirësi një gruaje në kryeqytet për të marrë mbrapsht një borxh, meqënëse ajo ka frikë ta takojë personin që i dha paratë hua përpara se globi të prekej nga koronavirusi.

Për këtë shtetasja në fjalë, e panikosur se mos infektohej nga personi që i kishte dhënë borxhin, por akoma më tepër e panikosur nga moskthimi i borxhit, e ka zgjidhur problemin duke kërkuar që paratë e dhëna t’ia mbledhë policia. Denoncimi i E.H., i regjistruar në komisariatin numër katër bën fjalë për një borxh prej 2500 eurosh që kanë ndarë dy kolegë, të cilët nga Covid-19 u angazhuan në spitale të ndryshme.

Infermierja thotë se: Paratë ia dhashë kolegut përpara pandemisë në Rrugën e Dibrës. Ishim të dy infermierë në të njëjtin spital në Tiranë. Por më pas kolegu im u transferua infermier pranë një spitali Covid në kryeqytet kështu që nuk pata më mundësi ta takoja më pas.

Por, shqetësimet e saj u shtuan atëherë kur paratë që i kishte nga kursimet e saj nuk po i ktheheshin dhe kolegu nuk po e takonte më. Ata komunikonin vetëm në telefon derisa edhe bisedat u rralluan pasi burri që mori borxhin, ishte shumë i zënë me pacientët e infektuar

“Bashkëshorti im, i cili ishte emigrant në Gjermani, mbeti pa punë nga Covidi dhe u kthye pranë nesh. Im shoq ishte në dijeni të dhënies së borxhit sepse e pyeta dhe më tha në rregull përsa kohë kolegu kishte nevojë për ato para dhe e ndihmova. Por, burri mbeti pa punë dhe u kthye në shtëpi dhe tani edhe ne kemi problemet tona financiare. Ndaj po paraqitem së bashku me tim shoq për të dorëzuar kallëzimin që ky shtetas të shlyejë borxhin që i kam dhënë. I lutem policisë të gjejë një mënyrë që ta kontaktojë kolegun tim në spital mbasi Covid-19 na e bën të vështirë ta gjej”,-vijon kërkesën e saj në polici E.H.

Burime për gazeta “Si” bëjnë me dije se gruaja është pyetur nga agjentët nëse e kishte takuar kolegun, me inicialet G.T. “Parimisht kam folur veçse në telefon, pasi nga Covidi ishte e vështirë të shikoheshim apo të pinim kafe. Por, me kalimin e muajve numri i tij del i padisponueshëm. Por, ky person punon infermier pranë spitalit Covid, u zhvendos aty mbas shpalljes së pandemisë dhe e kam të vështirë ta takoj nga frika e infektimit”, argumenton infermierja.

Ndërkohë, kur infermierja është pyetur nga agjenti i policisë se çfarë kërkon nga policia, pasi çështja është e vështirë që të regjistrohet për ndonjë krim të mundshëm duke qenë se nuk ka asnjë vepër penale ajo tha se: Të shikohet mundësia që ky person të thërritet dhe të kontaktohet, pasi numri del i padisponueshëm dhe ne jemi bërë merak dhe për shkak të pandemisë nuk kalojmë dot që të marrim takim fizik me këtë shtetas.

Mbas këtij kallëzimi edhe pse E.H është pyetur me këmbëngulje nëse ishte mashtruar apo jo për dhënien e borxhit dhe ajo ka theksuar që jo, agjentët e kanë telefonuar infermierin për t’u paraqitur në komisariatin numër 4 për të dhënë qëndrimin e tij. Ai është shfaqur i gatshëm sapo të lirohej nga puna. Në raport-shërbim thuhet se pesë ditë mbas këtij kallëzimit të shtetases me inicialet E.H, infermierja në fjalë ka shkuar sërisht në komisariatin numër 4.

Agjenti shkruan: “E.H. u paraqit dhe deklaron me përgjegjësi të plotë se shtetasi G.T. e ka marrë në telefon dhe ka shkuar ta takojë. Ky shtetas ka shlyer borxhin prej 2500 eurosh dhe kjo shtetase kërkon që kolegu që sipas saj është mirë me shëndet dhe nuk kishte asnjë problem, të mos ndiqet penalisht”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular