BallinaOP ED230 vjet Kushtetuta polake, e dyta më e vjetra në botë

230 vjet Kushtetuta polake, e dyta më e vjetra në botë

BUJAR LESKAJ

Më 3 maj 1791, 230 vite më parë, Parlamenti polak “Grand Sejm” proklamonte Kushtetutën e dytë më të vjetër në botë, pas asaj amerikane të vitit 1787, Kushtetutën e Polonisë, pasuesen e denjë të Magna Carta-s. Ky akt demokratik i pashembullt për Europën e kohës, prezantoi një monarki kushtetuese të trashëgueshme, në vend të zgjedhjes së lirë të mbretërve, tolerancën fetare dhe ndarjen e pushtetit në degët legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, midis dispozitave të tjera.

Kushtetuta e 3 majit është e njohur botërisht si një dokument revolucionar në historinë politike të botës. Ishte Kushtetuta e dytë e shkruar në botë dhe – ashtu si Kushtetuta Amerikane – përfaqësonte një moment të rëndësishëm në zhvillimin e idealeve demokratike në botën perëndimore. Në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, Amerika dhe Polonia u bënë dy vendet e vetme demokratike në botën e monarkive absolute. Duke lejuar banorët e qytetit dhe fisnikërinë të votonin, Kushtetuta e Polonisë mbulonte të njëjtën përqindje të popullsisë si Kushtetuta Amerikane.

Kushtetuta e 3 majit e shndërroi Republikën e shekullit XVIII në monarki kushtetuese, mbështetur në ndarjen e tri pushteteve. Ajo u garantonte qytetarëve të drejtat e tyre dhe përbënte një zhvillim konsekuent të trashëgimisë polake. Vlen gjithashtu të theksohet që kjo reformë e rëndësishme kushtetuese, novatore, ishte efekt i një procesi politik dhe jo i ndonjë revolucioni apo represioni të elitave ndaj gjithë klasave shoqërore. Ky akt historik mbetet për polakët burim i përhershëm i krenarisë së thellë.

Sipas Presidentit polak, Andrzej Duda, në kumtesën e tij të botuar në revistën polake të mendimit të lirë “Wszystko co najwa¿niejsze (gjithçka që është më e rëndësishme)”, “Në atmosferën e gëzueshme pranverore, kremtojmë në Poloni festën e madhe kombëtare, gjeneza e së cilës është e shekullit XVIII. Atë e shënjon Kushtetuta e miratuar më 3 maj 1791, e pagëzuar me emrin ‘Ligj qeveritar’, ose Kushtetuta e 3 Majit. Ligji themeltar modern, i miratuar asaj kohe, është Kushtetuta e parë në Europë dhe e dyta në botë dhe përbën një vepër juridike epokale. Miratimi i këtij akti të rëndësishëm nga Parlamenti i Madh i Republikës së Dy Popujve në Varshavë kishte dimensionin e një kthese të madhe historike. Trashëgimia e Kushtetutës së 3 majit, mendimi i saj juridik, mesazhi i lirisë dhe demokracisë përbën një pjesë jashtëzakonisht të rëndësishme të trashëgimisë europiane. Ndaj dhe 230-vjetori i miratimit të kësaj Kushtetute duhet të jetë një festë inspiruese për mbarë Europën bashkëkohore”.

Ne librin “GAO, NIK dhe leksionet e Dodaros”, kam theksuar se Kushtetuta polake e 3 majit është e rëndësishme edhe sot për demokracinë europiane, së pari si një monument i mendimit kushtetues dhe shtetformues polak, dhe së dyti si një provë e lidhjes eksplicite të Polonisë me qasjen europianoperëndimore ndaj politikës (Kushtetuta ishte një produkt i Rilindjes Europiane). Kushtetuta përfaqësoi një arritje të jashtëzakonshme për kombin polak, i cili u përpoq të ruante pavarësinë e shtetit dhe të siguronte potencialin për zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.

Aktet e mëdha sistemore shpesh janë efekt i kondensimit politik apo kulturor, fryt i një analize të thellë të anëve të qarta dhe të errëta të rrjedhës së ngjarjeve të kohës. Gjithsesi, arti qëndron të dish t’i përmirësosh me mençuri dhe jo t’i shembësh totalisht, udhëhequr nga ndonjë mendim utopik, shkëputur nga kushtet historike. Rendi i ri nuk mund të dekretohet arbitrarisht në letër, ai duhet të jetë produkt i përvojave autentike njerëzore, produkt i brengave dhe synimeve të njerëzve.

Kryevepra e hartuesve të Kushtetutës së 3 Majit të vitit 1791 qëndron në faktin se planin e tyre të reformave e transplantuan në situatën konkrete politike dhe shoqërore. Sipas Presidentit polakm Andrzej Duda: “Kushtetuta ishte medikamenti më i goditur për krizën që kishte prekur Republikën e atëhershme. Ligji themeltar kishte për t’u shërbyer të drejtave, qeverisjes, por edhe stabilitetit të shtetit. Ai kishte për t’i dhënë forcë organizmit shtetëror që të mund t’i kundërvihej në mënyrë të pavarur dhe të efektshme veprimeve armiqësore të fuqive fqinje që mëtonin ta dominonin Republikën dhe që përfundimisht të gllabëronin territorin e saj”.

Jubileu i 230-të i Kushtetutës së 3 majit është njëkohësisht rast për t’i bërë homazh gjithë traditës së lavdishme juridike të Republikës së dikurshme polake, traditës së sundimit të ligjit, demokracisë dhe parlamentarizmit. Ajo përbën një pjesë domethënëse të identitetit polak.

Vlen të pohohet se tradita e pasur republikane, e inspiruar nga arritjet e Romës së lashtë dhe Greqisë, në Poloni kishte mbërritur qysh në shekullin XIV. E drejta fisnikërore neminem captivabimus (askush në burg pa vendim gjyqësor) e vitit 1430 e kapërcente ndjeshëm aktin anglez Habes Corpus Act të vitit 1679. Ligji parlamentar nihil novi sine communi consensu (nuk ka asgjë të re pa pëlqimin e përgjithshëm)- që i ndalonte monarkut të fuste çfarëdolloj ligji të paaprovuar nga Parlamenti- është i vitit 1505. Qysh prej vitit 1573, mbreti në Poloni zgjidhej me zgjedhje të përgjithshme nga e gjithë fisnikëria, e cila përbënte asokohe 10% të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Akti i Konfederatës Varshaviane i vitit 1573 edhe sot e kësaj dite konsiderohet monument i tolerancës fetare. Ndërsa vetë vendimi i vitit 1569 i Republikës së Dy Popujve- shtetit të përbashkët të polakëve dhe lituanëve, krijuar me konceptin e unionit me vullnet të lirë dhe të drejta të barabarta- përbënte fenomen për Europën e atëhershme, të cilin mund ta pranojmë si protoplazmë të Bashkimit të sotëm Europian.

Një tjetër risi polake (e cila më vonë do të rezultonte fatale për Komunuelthin polaklituan) ishte një procedurë parlamentare e quajtur “veto liberum”. Rrënjosur në strukturën politike dhe administrative (në thelb një federatë e dy vendeve), Komunuelthi i Poloni-Lituanisë ishte një aleancë e re dhe politikisht e paprovuar që, siç doli më vonë, ishte shumë përpara kohës së saj. Modeli amerikan për Federatën e Shteteve, i paraqitur në Kushtetutën Amerikane të vitit 1787, pati sukses të plotë vetëm në gjysmën e dytë të shekullit XIX, pas tragjedisë dhe shkatërrimit të Luftës Civile.

Arritja politike që Kushtetuta e Majit 1791 përfaqësonte në historinë e Polonisë, u bë një faktor i rëndësishëm për të gjithë qytetarët polakë që jetonin në atdheun e tyre të okupuar. Njohur si një shprehje e vullnetit të jashtëzakonshëm politik në kohë fatkeqësish të mëdha, kujtesa e Kushtetutës së 1791 ushqeu aspiratat politike të shumë brezave të njëpasnjëshëm të qytetarëve polakë. Flaka e demokracisë u mbajt e gjallë dhe përfundimisht çoi në rivendosjen e pavarësisë së Polonisë në vitin 1918, kur Kushtetuta e majit 1791 u rishikua dhe përditësua.

Po sipas Presidentit Andrzej Duda: “Vepra e Kushtetutës së 3 Majit mbijetoi. Në ndërgjegjen e gjeneratave u regjistrua kujtesa për atë reformë sistemore epokale, kujtesa për çlirimin e mendjes dhe shpirtit, qëllim i të cilit ishte modernizimi shpëtimtar që inspirohej nga vlerat universale më të epërme. Trashëgimia e Kushtetutës së 3 majit është pjesë e pandashme e trashëgimisë më të mrekullueshme europiane. Jo rastësisht, gjatë kremtimeve të 50-vjetorit të traktateve të Romës, Kushtetuta e 3 Majit u referua si ‘një nga burimet e para të ideve të Bashkimit Europian’”.

Dua ta mbyll këtë shkrim për rëndësinë e Kushtetutës së dytë më të vjetër në botë, asaj polake, me vlerësimin përmbyllës të kumtesës së Presidentit polak, Andrzej Duda, mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve dhe mbështetës konsekuent i integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe europiane: “Jam i bindur që edhe sot, bashkërisht, mund të përfitojmë nga dispozitat ideore dhe trashëgimia e Kushtetutës së Majit- që mund të na japë shumë mbi trajtën e ardhshme të integrimit europian si dhe mbi amendimin e mundshëm të ardhshëm të traktateve europiane. Parimi i 3 majit, “çdo pushtet i shoqërisë njerëzore merr jetë nga vullneti i popullit”, duhet të jetë përherë inspirues. Mangësitë e demokracisë, artikulimi joadekuat i përfaqësimit shoqëror në vendimmarrjet e Bashkimit Europian- përbën njërën nga sfidat tona të përbashkëta më të rëndësishme (është interesante që tensioni midis nevojës së praktikimit si të demokracisë, ashtu edhe të meritokracisë, e gjejmë në dispozitat e Kushtetutës së Majit). Me ç’duket, ajo Kushtetutë ishte në kërkim të mënyrave të pajtimit të traditës me bashkëkohësinë- sepse ishte një ngjizje e mendimit të Iluminizmit dhe kultivimit të vlerave kristiane, të pranuara si themele të unitetit të Europës. Duhet theksuar që Ligji Qeveritar i vitit 1791 udhëhiqej nga parime që sot i shohim si themele të civilizimit dhe rendit europian; respektimi i dinjitetit njerëzor, lirive, barazisë dhe solidaritetit. Këto drejtime të busullës aksiologjike nuk mund t’i humbasim kurrë nga fushëpamja jonë. Ndaj me ju krenarinë e thellë dhe gëzimin në këtë 230-vjetor të miratimit të Kushtetutës së 3 majit. Kjo është një festë e madhe për polakët dhe lituanët, për gjithë popujt e Europës Qendrore dhe Lindore, të cilët ishin pjesë përbërëse e trashëgimisë së Republikës së atëhershme; por është edhe festa jonë e përbashkët europiane. Kushtetuta e 3 majit le të na frymëzojë për ndërtimin e një Europe më të mirë, më të integruar! Le të jetë ashtu si në këngët e moçme “e nesërmja e majit”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular