BallinaAktualitetParashikohej gjobë dhe burg për grumbullimet / Kushtetuesja pranon kërkesën, shfuqizohet marrja...

Parashikohej gjobë dhe burg për grumbullimet / Kushtetuesja pranon kërkesën, shfuqizohet marrja e lejes për tubimet

Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar shprehjen “për të marrë leje nga organi kompetent” lidhur me organizimin e grumbullimeve të personave në sheshe ose vende të kalimit publik.

Kujtojmë që parashikohej dënim me gjobë ose burg deri në një vit, për organizatorët që shkelnin kushtet sa i takon lejes.

Vendimi i Kushtetueses vjen pas kërkesës së Gjykatës së Apelit Shkodër që kërkoi shpalljen antikushtetues të konsiderimit vepër penale të tubimeve dhe protestës pa marrë leje te organet kompetente.

Ky ankim i gjykatës është depozituar prej 28 janarit, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka dhënë verdiktin dje në 4 maj.

Në përfundim të shqyrtimit Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:

  1. Pranimin e kërkesës.
  2. Shfuqizimin e shprehjes “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta” në paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal.
  3. Detyrimin e Kuvendit të plotësojë normën ligjore nga data e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri në hyrjen në fuqi të tij.
  4. Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Çfarë parashikohej për grumbullimet

Organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Po kjo vepër, e kryer më shumë se një herë ose kur ka sjellë pasoja të rënda, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular