BallinaKulture“Gjurmë jete”, në udhë dashurie!/Nga Spasse Thanasi

“Gjurmë jete”, në udhë dashurie!/Nga Spasse Thanasi

– Vargjet melodjoze “Udhë në Pasqyrë”, mbeten degëve dhe stinëve si nishan, lenë mijëra “gjurmë jete” duke ndezur një cigare….Një poet, që ballafaqimin njerëzor e sjell në pasqyrë përball vetes në imazhe ndjenjash të paharruara !…

NGA SPASSE THANASI
“ Ika
Me një valixhe druri me vete
Lyer me bojë zmalti
E mbushur me ëndrra !…..”
Këto përjetime, si gjethet e blirit mbi valët e lumit, më futën në librin “Udhë në Pasqyrë” të poetit Ahmet Prenci, botim i vitit 2016….Pas 25 vjetëve përvojë jetësore dhe angazhimit shpirtëror në krijimtarinë letrare, ky është vëllimi i parë poetik, por edhe libri i parë i botimeve të autorit. Ai vjen me rrima bore, me pellgje të acarta në ditë Janari,me avuj në kaltërsi, me yje pafund qielli,me lule lesine mbledhur në verë, me Zotin në shpirtin e tij, me stinët në degën e bredhit,me xixëllonja në grushtet e dritës,me gjurmë në udhë ku bashkohet Drini me Bunën ku galaktika bredh në gardhe në valët e Drinit, me Korabin në sy si udhë-dielli, me harkun e ylberit ku dashuria është qiell i pafund….Poeti “zhytet” në det deri në Karaborun dhe luan me syrin e kurbanit në tastierën e valëve dhe thotë krenar “ Ngrihemi e ulemi si gjoksi i labit !”. I ngjitet avllisë me pjergulla si rreze mëngjesi dhe si “Uliksi dinak” hesht me strall. Ëndërron nën hije rrapi në vetminë e udhës me freski mendimi, merr paqe në shpirtë në hoje mjalti dhe pikon i gjelbërtë si loti i pjergurës me shpirtë të gërryer në marsin e acartë!..
– “ Mbi akullin e pellgut
Epitafin shkrova !….
E shkretë vatra e udha pa njerëz
Vdes dhe Planeti po s’pati njeri !….”
Poeti gjithmonë ka pranë kullën e tij me këngën e Drinit, malet e vendlindjes tutje Gurit të Shqipes si shami në valle, qytetin e ri të Bulqizës me ylberin e kohës harkuar në sy, vajzën e fshatit si nyje në një ëndërr dhe luan krejt mëndsh me “qendismat e vajzave” ku ngrihet bajraku !….
– “Udha është eshtra ime
Udhëto
E në më shkele në gjurmë
Do të kemi shpirtin njësh violinë !….”
Ahmet Prenci si një “sinagogë” apo një “ kishë ” me vështrim diku larg , është gjithmonë në udhëtim dhe vargjet mbeten degëve të stinëve si nishan, lenë mijëra gjurmë jete duke ndezur një cigare !…Poeti “thyen” tabunë e kohës, duke mos fshehur imtësinë, dashurinë dhe urrejtjen për realitetin e kohës.Secilës poezi i ka gjetur sentencën e ligjërimit, fabulën e këndvështrimit të castit dhe ka ‘gdhendur” ndjesinë e papërsëritshme në shpirtë. Në të gjitha faqet e librit ecën nëpër udhë dhe të gjitha imazhet e përshkrimet ndjesore të reflektojnë nën një dritë pasqyre të shpirtit të frymëzuar !…
“Dal te Ura e Bunës
Veten e ankoroj si sule në liqen
Dhe marrë me vete si ëndërr Shkodrën !…..”
Për freskinë e mendimit ai rri në kryqëzimin e rrufeve që sjell shtrëngata….Për ndjenjën e turbulltë ai qesh si të tjerët dhe ndjehet i huaj mes pëllumbash si korb. Për mallin e djegur në terrin e natës, ai rri si varg me rrimë ku endet një shpresë…Për vitet që ikin, kërrusur nga halli,ai krijon udhë – hijesh dhe thotë krenar në rrathët e moshës :
– “ S’jam trung i prerë nga rrathët e viteve
Jam një zgalem i paepur në udhë !….”
Gjithë rrjedhat në pëllumbat e shelgjeve të Zallit e vrimat e fyellit nga meloditë e bilbilave, bëhen rrëkeza e përrua si monar e dragua. Kujtimet e poetit gjallërojnë malet, kthejnë fëmijërinë te Guri i Shqipes, hap si flatër këngët e Drinit në krahë dallëndyshesh dhe sjell të qeshurën – ujëvarë si burim i bjeshkëve !…Poeti vazhdon të pi cigare, dridhet, temperohet dhe si varka mbi valë merr udhën në shkallët e gurtë ku mblidhen zogjtë si qendisma dhe mes një autobiografie me xixëllonja e mall si kristali, kërkon të mbyll magmën brenda vetes :
– “A ka inventar Deti ?
Magazinier nuk bëhet poeti !….”
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular