BallinaKryesoreDokumenti/ Si Luljeta Bozo i mori shtëpinë djalit të Sevasti Qirjazit

Dokumenti/ Si Luljeta Bozo i mori shtëpinë djalit të Sevasti Qirjazit

Përballja e inxhinier Dakos me çiftin Bozo, që i kishin rrëmbyer vilën dhe e kishin nxjerrë në rrugë në moshën 70 vjeçare.

Ky dokument gjyqësor i vitit 1978, i siguruar nga Kujto.al, zbulon përpjekjet e dëshpëruara të një inxhinieri të burgosur nga regjimi komunist, për t’u kthyer në shtëpinë e tij. Ai është në të vërtetë, vetëm epilogu i dhimbshëm i jetës së këtij intelektuali, që shpesh i ishte dashur të ecte “këmbëzbathur në ferr”.
Duke u nisur nga ky dokument, zbulojmë fatin e tragjik të këtij intelektuali, që diktatura komuniste e burgosi që në ditët e para të regjimit, si “pro-amerikan”. Ai përjetoi, ndërsa ishte edhe vetë i burgosur, vdekjen e të vëllait, mjek kirurg, nën tortura në hetuesinë e Tiranës, zhdukjen e trupit të tij pas vdekjes, dëshpërimin e madh të nënës së tij, një zonjë e madhe e këtij vendi, e cila prej dhimbjes, me njërin djalë në burg e tjetrin të vrarë e të zhdukur, nuk mundi të duronte më tej dhe mbylli sytë përgjithmonë, në vitin 1949.
Kjo është historia e Aleksandër Dakos, djalit të madh, të çiftit Sevasti Qiriazi e Kristo Dako, të dy me kontribute të mëdha kombëtare. Çifti Dako kishte rritur e shkolluar në perëndim dy djem, Aleksandrin inxhinier dhe Gjergjin mjek kirurg.
***
Vitet e Luftës i gjejnë në Itali vëllezërit Dako. Shkollat fillore dhe të mesme i kishin bërë në Amerikë dhe kur Sevastia ishte kthye në Shqipëri në vitin 1922, djemtë i kishin dërguar për studime në Kolegjin Robert të Stambollit dhe pastaj për mastera në Itali. Viti 1941 shënon ndarjen nga jeta e të atit, Kristo Dako. Kjo ishte edhe plaga e parë e hapur në familje.
Pas kapitullimit të Italisë, në vitin 1943, dy motrat Qiriazi, Sevastia dhe Parashqevia jetonin në Kamzë, pa ndonjë veprimtari publike të veçantë. Ishte kohë lufte. Aleksandri shërbente si atashe me legatën e Kilit në Romë, kurse Gjergji punonte në spitalin civil në Tiranë si pjesë e ekipit të kirurgjisë.
Meqenëse qëndrimi në Itali u bë i rrezikshëm, mbasi Italia kapitulloi dhe u pushtua nga gjermanët, të cilët filluan të hakmerreshin kundër popullsisë civile, Aleksandri kthehet në Shqipëri. U kthye edhe e shoqja e tij, Rozi, dhe vajza e vogël 2- vjeçare, Viktoria. Gjergji banonte ndërkohë në Kamzë bashkë me të shoqen e tij Maria (që ishte motra e Rozit) dhe nuk kishin fëmijë.
Me pushtimin gjerman, jeta e motrave Qiriazi kthehet përmbys. Një betejë në Kamëz, pranë pronës së tyre (Instituti Kyrias), ku kishte mbetur i vrarë një ushtar gjerman, ishte bërë shkas që e gjithë familja e motrave Qiriazi të internoheshin në kampin nazist në Beograd. Vajza e Aleksandrit, Viktori Dako (Ruli) në kujtimet e saj për këtë ngjarje shkruan:
“Pas kësaj filluan të na hipnin në një kamion dhe, kur i erdhi radha Rozit (nënës) me mua në krah, shoferi i tha: “Po të kesh ku ta lësh vajzën, lëre. Se atje ku po ju çojnë, nuk do të dilni të gjallë”. Nëna nuk kishte ku të më linte, mbasi Sevastia, Parashqevia, Aleksandri, Gjergji, Rozi, Maria edhe unë, madje dhe kuzhinierja besnike e shkollës “Rukie Tafaj”, ishim të gjithē në kamion dhe u drejtuam nga Rruga e Elbasanit. Afër fshatit Ibē me një kundërurdhër, kamioni u kthye dhe ne shpresuam se do të na kthenin në shtëpi, por kamioni vazhdoi rrugën e Shkodrës për në Veri, kapërcyem kufirin dhe u gjendëm në kampin e përqendrimit “Banjica në Beograd”.
Në atë kamp të tmerrshëm nazist, motrat Qiarizi, dy djemtë e Sevastisë me bashkëshortet dhe fëmijët e Aleksandrit qëndruan deri në nëntor të 1944, kur bombardimet e aleatëve bënë që dyert e kampit të hapeshin, e ata të ktheheshin në atdhe.
Kthimi në Kamëz do i trishtonte pa masë, pasi e gjithë prona e tyre ishte shkatërruar e vjedhur. Gjithë vitit 1945, kaloi me përpjekje titanike të dy motrave Qiriazi për tu rimëkëmbur, por në janar të vitit 1946 erdhi një urdhër nga qeveria që do të merrte godinën e shkollës me qira. Ai ishte akti i parë në valën e goditjeve që do t’ju jepte më pas regjimi komunist dy motrave Qiriazi.
Në kujtimet e saj Viktoria shkruan: “Mbas dy muajve erdhi urdhri i sekuestrimit të të gjithë pronës dhe dëbimi i familjes nga Kamza. Sevastia dhe Parashqevia u ankuan dhe ato u lejuan të jetonin përkohësisht aty. Rukia (punonjësja besnike) i ndihmoi të përshtatnin një kotec pulash për të jetuar. Por pas tre muajsh, edhe prej aty u dëbuan me urdhër të qeverisë. Sevastisë iu desh të kapërcente dhe një moment të hidhur dhe tragjik të jetës së saj. Shkolla ishte kthyer në shkollë partie, ku mësonin ish-partizanë dhe fshatarë injorantë, të cilët e shkatërruan varrin e Kristo Dakos. Kockat i nxorën nga varri dhe i shpërndanë andej-këndej dhe sot nuk dihet se ku janë.
Në Tiranë nuk dinim se ku të strehoheshim, prandaj kuzhinierja besnike, Rukije Tafaj, na ofroi të banonim në njërën nga shtëpitë e djalit të saj. Ajo ishte një shtëpi përdhese dhe muret dhe dyshemenë prej balte pa tavan, pa ujë brenda dhe me një nevojtore jashtë në oborr. Në këto kushte të vështira Sevastia merrej me gatimin e ushqimit, Parashqevia me punët e shtëpisë, mbasi Rozi me Marien punonin që të siguronin triskat e bukës. Në fund të vitit 1946, Sigurimi i Shtetit filloi të merrte në pyetje çdo natë Aleksandrin dhe Gjergjin, me shpresë që ti fusnin në ndonjë grup armiqësor…”, -shkruan në kujtimet e saj Viktoria.
Të dy vëllezërit Dako, arrestohen me akuzën si spiunë të amerikanëve. Për Sevastinë, kjo qe një goditje shumë e rëndë. Të dy djemtë ishin në burg pa asnjë faj. Ajo nuk mund t’i takonte, pasi të dy ishin në hetuesi dhe asnjeri nuk i kishte pranuar akuzat. Kësisoj për gati tre vjet ajo nuk i pa djemtë me sy. 55news.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular