BallinaKronike25 te shoqëruar/Tri pista për krimin në Elbasan, dyshohet për vrasës me...

25 te shoqëruar/Tri pista për krimin në Elbasan, dyshohet për vrasës me pagesë

Shoqërimi i mbi 25 personave në lidhje me vrasjen e Everest Çakës në Elbasan, duket se nuk ka sjellë ndonjë detaj domethënës për hetuesit. Pas marrjes në pyetje, ata janë lënë të gjithë të lirë.

Mbrëmjen e së martës, 41- vjeçari u ekzekutua me 12 plumba në një atentat të mirorganizuar. Ai ndodhej në makinë bashkë me gruan e tij, pas një aksidenti të simuluar dhe më pas derdhjes së breshërisë së plumbave.

Grupi hetimor ka ngritur disa pista hetimi në lidhje me ekzekutimin e Çakës, që nisin nga ajo e hakmarrjes, për shkak të përfshirjes së tij në vrasjen e Gëzim Alikajt në Elbasan, ngjarje e ndodhur në vitin 2010. Pista tjetër është ajo e larjes së hesapeve mes bandave apo prishja e pazareve të drogës.

Viktima Everes Çaka është djali i tezes i Arjan Spahiut, i ekzekutuar në Belgjikë në nëntor të vitit të shkuar, krim ende i pa zbardhur, por që hetuesit belgë i kanë drejtuar sytë nga Elbasani, ku edhe mbërritën pak javë më parë. Spahiu dyshohej si i përfshirë në trafikun e drogës.

Hetuesit kanë sekuestruar edhe kamera të shumta sigurie në zonë, në përpjekje për të zbuluar më shumë detaje për ngjarjen.

BASHKESHORTJA

Dëshmitarja kryesore e ngjarjes është bashkëshortja e të ndjerit, Silvana Çaka, e cila duket se nuk ka dhënë shumë detaje në lidhje me vrasësit. “Sapo makina jonë nisi lëvizjen, një mjet na goditi nga pas, kujtuam se ishte aksident. Pashë një burrë që u afrua te xhami i shoferit dhe mbante në duar një armë. Ai qëlloi disa herë në drejtim të Everesit, në qafë dhe në gjoks. Një plumb më goditi në krah”, tha ajo.

Mënyra e organizimit të vrasjes hedh dyshime të forta për hetuesit se bëhet fjalë për vrasës me pagesë. Sipas ekspertizës mjekoligjore, 41-vjeçari është qëlluar me të paktën 12 plumba nga një distancë e afërt dhe pjesën më të madhe e ka marrë në qafë dhe në bark.

Deri më tani janë shoqëruar në komisariat mbi 25 persona, por pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë. Nisur nga mënyra si është kryer krimi, hetuesit kanë dyshime se autorët mund të jenë vrasës me pagesë.

Tri janë pistat ku janë përqendruar hetimet, ajo e vrasjes për shkak të përplasjes së grupeve kriminale për prishjen e pazareve të drogës, ajo e hakmarrjes, por nuk përjashtohet edhe ndonjë konflikt që mund të ketë pasur viktima kohët e fundit.

Nga verifikimet, Çaka rezulton se është i afërm i Arjan Spahiut që mbeti i vrarë në Belgjikë një vit më parë. Ky i fundit kishte lidhje familjare me vëllezërit Indrit dhe Erjon Alibej, i pari mbeti i vrarë në dhjetor të 2018-ës, ndërsa Erjon Alibej është arrestuar si urdhërues i dy vrasjeve të ndodhura së fundmi në Elbasan.

NGJARJA

Ngjarja ndodhi të martën në orën 20:10 në lagjen “Skënderbej”, pranë shtëpisë së vjehrrit të viktimës. Everest Çaka, ndodhej brenda automjetit të tij kur u qëllua me armë, ndërsa me të ndodhej edhe bashkëshortja, Silvana Çaka.

Ajo ka marrë një plumb në pjesën e dorës dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Pak minuta pas ekzekutimit mafioz të 41-vjeçarit, në vendin e ngjarjes ka mbërritur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

“Në Elbasan, në sallën operative të Policisë ka ardhur një telefonatë për të shtëna me armë zjarri në lagjen ‘Skënderbej’, dyshohet se ka mbetur i vrarë një person në afërsi të një kompleksi në autostradë, te rrugica që të çon për te lagjja ‘Skënderbej’.

Ka humbur jetën shtetasi Everest Çaka, pasi është qëlluar në drejtim të mjetit të tij me armë zjarri, për pasojë ka mbetur e plagosur në dorë, jashtë rrezikut për jetën bashkëshortja e tij, shtetasja Silvana Çaka, e cila udhëtonte në mjet me bashkëshortin”, tha të martën një burim nga Policia e Elbasanit.

Everest Çaka rezulton të jetë i akuzuar më herët për një vrasje të ndodhur në vitin 2010, ku humbi jetën shoferi i autobusëve Gëzim Alikaj, për të cilën nuk u dënua. Në prangat e Policisë ranë në atë kohë, Ibrahim Çaka, Elton Hyka, si dhe Ardit Spahiu, që të tre banorë të Elbasanit.

Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohej vrasja e vëllait të viktimës së mbrëmjes së djeshme, në një disko në Barcelonë në vitin 2007. Vitin e kaluar u ekzekutua në Belgjikë, Arjan Spahiu, djali i tezes së Everest Çakës, i cili mbeti i vdekur mbrëmjen e së martës.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular