BallinaOP EDShpenzime buxhetore marramendëse për fitoren e zgjedhjeve

Shpenzime buxhetore marramendëse për fitoren e zgjedhjeve

Nga Artan Hoxha –

Shpenzimet e buxhetit të shtetit nga Qeveria rilindëse përgjatë periudhës Janar-Prill 2021 u rritën në tërësi, por rritje të ndjeshme pati në disa zëra të veçantë që logjikshëm lidhen me synimin e ndikimit të votuesve.

Zërat buxhetorë më të spikatur janë: i) shpenzimet për personelin; ii) operative/mirëmbajtje; iii) transferta për pushtetin vendor; iv) ndihma ekonomike; v) investime me financim të brendshëm. Sa për fondet për rindërtimin ato shfaqen për herë të parë në dhjetor 2020 dhe janë specifike vetëm për këtë vit zgjedhor.

Në zërat e sipërpërmendur buxhetorë, shpenzimet gjithsej për Janar-Prill janë 90.6 miliard lekë të reja, 19.4 miliard lekë më shumë se Janar-Prill 2020 ose 27% më shumë; për muajt Shkurt-Prill shtesa e këtyre lloj shpenzimeve, 2021 kundrejt 2020, është 20.6 miliard leke ose 36%; për muajt Mars-Prill shtesa është 17.5 miliard leke ose 43%; për muajin Prill 2021 kundrejt Prill 2020 shtesa në këto zëra së bashku është 13.8 miliard lekë ose 78%. Muaj pas muaji me afrimin e zgjedhjeve shpenzimet 2021 rriten me galop kundrejt 2020.

Ne qershor 2013 u zhvilluan zgjedhjet parlamentare nga Qeveria demokrate. Për të njëjtat zëra buxhetore e për periudhat zgjedhore Mars-Qershor; Prill-Qershor; Maj-Qershor dhe Qershor 2013 kundrejt atyre 2012 rezulton se shtesat në shpenzime janë respektivisht 12.8; 13.7; 6.2 dhe 3.2 miliard leke ose 21%; 30%; 21% dhe 22% rritje.

Vihet re fare qartë se edhe masa monetare, por edhe rritja në përqindje e shpenzimeve qeveritare rilindëse në muajt zgjedhorë 2021 krahasuar me periudhën e një viti më parë janë mjaft më të larta, dukshëm e ndjeshëm, se ato qeveritare demokrate dhe rriten progresivisht me afrimin e zgjedhjeve. Përdorimi i parasë së taksapaguesve shqiptarë për të ndikuar sjelljen e votuesve duket se ka arritur majat e abuzimit në rastin e rilindësve.

Krahasimisht demokratëve, rilindësit në 2021 rritën ndjeshëm shpenzimet për pagat. Për muajt Janar-Shkurt-Mars-Prill 2021 këto shpenzime u rritën respektivisht me 4%; 9%; 11% dhe 14%. Në katër muajt zgjedhorë 2013, Mars-Prill-Maj-Qershor pagat u rriten respektivisht me 4%; 1%; 0% dhe 4%. Rritja rilindëse e shpenzimeve për pagat është jo vetëm shumëfish krahasuar me atë demokrate, por është edhe tërësisht e njëanshme politikisht meqë edhe pushteti vendor është tërësisht në dorën e rilindësve.

Zëri i veçantë buxhetor rilindës që u përdor me efikasitet për të ndikuar votuesit në zonat nga Rrogozhina, Kavaja, Durrësi, Kruja e deri në Laç, Lezhë e Mirditë, përfshirë të gjitha bashkitë e rrethit të Tiranës, ishte ai i fondeve të rindërtimit, pra të parave buxhetore të lidhura me riparimin e dëmeve nga tërmeti.

Ky lloj shpenzimi në buxhetin e shtetit shfaqet për herë të parë në muajin dhjetor 2020 me vlerën rreth 16.6 miliard lekë, kryesisht investime në shkolla dhe infrastrukturë publike, por edhe ca fonde për familjet gjithashtu.

Shpenzimet për rindërtimin kapën vlerën e 10.8 miliard lekë për Janar-Prill 2021, nga të cilat 9.8 miliard lekë në Mars-Prill dhe 6.8 miliard lekë në Prill, kryesisht fonde me lekë në dorë për familjet për vetëriparimin e dëmeve, fonde këto të vonuara në kohë për t’u dhënë sa më pranë zgjedhjeve 2021 e, me gjasa, dhënë me kritere të fryra për të rritur artificialisht shumën e dhënë e për të forcuar joshjen.

Që do jenë kërkuar e marrë edhe ryshfete të majme nga zyrtarët lokalë, krahas a pavarësisht votës, kjo merret me mend e s’ka nevojë për imagjinate të zhvilluar.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular