Kush është Xhovani Bruska, killeri i Cosa Nostra, që rifitoi lirine pas vrasjes së Falkones

0

Mafiozët e quanin “u verru” (derri). Xhovani Bruska, 25 vite pas arrestimit u la i lirë nga drejtësia italiane megjithwse mban mbi shpinw vrasje dhe ekzekutime tw tmerrshme. Tek familjarët e viktimave riktheu dhimbjen. Në politikën italiane ndezi një debat të fortë, se si një prej ekzekutorëve më të pamëshirshëm të mafias të dilte një ditë nga burgu.

Një emër i njohur i Cosa Nostra, killer gjakftohtë dhe eksponent i dorës së parë i klanit të korleonezëve, Xhovani Bruska u arrestua në vitin 1996, për t’u shndërruar në një nga të penduarit më të dobishëm për drejtësinë italiane, ndërsa pranoi se kishte marrë pjesë në më shumë se 100 vrasje, përfshirë edhe masakrën e Kapaçi në Itali, ku mbeti i vrarë Xhovani Falkone.

Xhovani ishte djali i një bosi të mafias siçialiane dhe ndoqi rrugën e të atit. U bë pjesë e Cosa Nostrës kur ishte në drejtim të një grupi vrasësish që merrnin urdhra direkt nga Toto Rina. Përkrah, kishte disa nga mafiozët më gjakatarë të kohës.

Në vitin 1983 ka pranuar se përgatiti autobombën e mbushur me 75 kilogram eksploziv, që u përdor për vrasjen e gjyqtarit Roko Ciniki në Palermo. Në vitin 1991 shpallet në kërkim dhe një vit më pas, nis një luftë të vërtetë kundër shtetit.

Bruska shndërrohet në një nga vrasësit më të pamëshirshëm të mafias. Ka treguar për vrasjen e mafiozëve që iu kundërvunë Toto Rinës dhe se si tre muaj më pas, mbyti me duart e tij, të fejuarën, që ishte tre muajshe shtatzënë.

Në të njëjtin vit përgat atentatin kundër Xhovani Falkones bashkë me grupin e vrasësve të urdhëruar nga Toto Rina. është pikërisht Bruska që shtyp butonin e telekomandës nga e cila shpërtheu gjysëm tonelate me tritol në kanalin poshtë rrugës. Në atentat mbetën të vrarë edhe bashkëshortja dhe tre truprojat e Falkones.
Shpërthimi, që u pasua dy muaj më vonë me vrasjen e kolegut të Falkones, Paolo Borselinos shkundi Italinë nga themelet dhe solli një nga ligjet më të ashpra në botë kundër mafias.

Në operacionin e arrestimit të tij morën pjesë mbi 400 vetë dhe 40 mjete speciale të policisë: 80 vetë hynë nga dera, 80 të tjerë hynë nga dritaret e vilës ku fshihej Bruska.

Rrëfimet para hetuesve

Kur vendosi të flasë pas një periudhe në “41 biss”, gazetarët italianë raportojnë se Bruska iu drejtua prokurorëve të Antimafias me këto fjalë. “Jam një kafshë. Gjithë jetën kam punuar për Cosa Nostra. Kam vrarë më shumë se 150 vetë. A emrat nuk ua mbaj mend”

Në rrëfime janë ekzekutimet e shumë kundërshtarëve të mafias, përfshirë edhe ekzekutimin e prokurorit të Anti-Mafias, Xhovani Falkone.

Një nga më të tmerrshmit ka qenë vrasja e 11-vjeçarit Xhuzepe Di Matteo, i biri i një mafiozi tjetër të kohës, i cili e kishte tradhëtuar. Bruska e kishte rrëmbyer fëmijën, e pati torturuar para se ta mbyste dhe më pas ta shkrinte trupin e tij në acid- në mënyrë që familja të mos kishte mundësi as ta varroste atë.

Pas arrestimit të tij në vitin 1996, ai pranoi të bashkëpunonte për të përfituar uljen e dënimit. Nga rrëfimi i tij, arritën të vinin pas hekurave disa prej gangsterëve më të njohur të kohës, të cilët ishin përgjegjës për një seri sulmesh mafioze në vitet 80 dhe 90.

Si reaguan italianët?

Lirimi nga burgu i një prej vrasësve më të egër të mafias siçialiane provokoi dhimbjen dhe irritimin e të afërmve të disa prej viktimave. Bashkëshortja e një prej truprojave të vrarë në atentat, Tina Montinaro i tha gazetës Repubblica në Itali se ajo ishte e “indinjuar”.

Shteti është kundër nesh. Pas 29 vitesh ne ende nuk e dimë të vërtetën për masakrën dhe Xhovani Bruska, njeriu që më shkatërroi familjen është i lirë” tha Montinaro. Maria Falkone, motra e prokurorit, tha se ajo ishte “e dëshpëruar”, pasi kishte marrë vesh lajmin, megjithëse ligji ia njihte të drejtën Bruskës të dilte nga burgu.

Reagime ka pasur edhe nga politika italiane. “Pas 25 vitesh, bosi i mafias Xhovani Bruska është i lirë. Kjo nuk është drejtësia që meritojnë italianët” tha Mateo Salvini, lideri i të djathtës “La lega”. “Është si një grusht në stomak, që të lë pa frymë” u shpreh Enriko Leta, kreu i partisë Demokratike, një parti e qendrës së majtë.©Pershtati Lapsi.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.