Disa ditë pasi drejtuesit e “Top Channel” i besuan Luana Vjollcës moderimin e “Big Brother VIP”, Arbana Osmani si në një lojë shahu bëri lëvizjen e momentit të fundit.
Ajo takoi trashëgimtaren Lori Hoxha, e cila do të jetë producentja dhe rimori në duart e saj projektin e famshëm, që për herë të parë do të ketë protagonistë personazhe të famshëm.
Burime për “Kryefjala.com” zbuluan se Arbana Osmani ishte në studiot e televizionit ku ka biseduar me vajzat e familjes Hoxha që zotërojnë “Top Channel-in” dhe është vendosur që përfundimisht do jetë ajo drejtuesja e “Big Brother Albania VIP”.
Reality show “Big Brother Albania VIP” pritet që të fillojë transmetimin në tetor të këtij viti. “Big Brother” do të rikthehet në ekranin e “Top Channel” pas 4 vitesh, e si kurrë më parë, këtë herë banorët do të jenë personazhe të njohur VIP. Disa ditë më parë televizioni njoftoi se do të nisë së shpejti “Big Brother”, por kësaj here vetëm me personazhe të njohura shqiptare, të cilat do të bashkëjetojnë për 100 ditë në kushte të zakonshme larg luksit.
“Në udhëtimin e tyre banorët do t’u nënshtrohen kushteve të pazakonta, brenda një shtëpie që askush s’e kishte imagjinuar larg komoditeteve të jetës së përditshme”, shkruhet në njoftimin e organizatorëve.
Deri tani dihet se audicionet do të nisin së shpejti për banorët e brenda shtëpisë, ndërkohë që “lufta” u bë për fronin e moderatorit. Ndjekësit me të drejtë pyesnin se kush do ta prezantonte “Big Brother VIP”, që do të nisë sezonin e ardhshëm?
Në fillim u përmend Ledion Liço si moderatori i “reality show”-t, por më pas u fol se një luftë e vërtetë është bërë brenda televizionit mes prezantueses legjendare Arbana Osmani dhe Luana Vjollcës. Sipas burimeve brenda televizionit, Luana ia kishte rrëmbyer këtë program Arbanës, për ta drejtuar ajo sezonin e ardhshëm.
Pak ditë më parë, Luana dhe trashëgimtarja e televizionit, Lori Hoxha, u takuan dhe postuan një foto ku kishin dalë bashkë si për të thënë se një projekt i ri po vinte. Ndërsa direkt pas këtyre thashethemeve, ishte vetë Luana, e cila postoi një foto me tekstin “Luana Vjollca të vëzhgon”, duke konfirmuar kështu lajmet se do të ishte ajo prezantuesja, me moton e njohur të këtij “reality show”.
E pas kësaj situate nuk dihet çfarë ndodhi dhe ndërkohë që Luana fshiu foton ku jepte mesazh për “Big Brother VIP”, nga ana tjetër pranë Lorit po shihej Arbana.
Tashmë vendimi ishte rishikuar dhe sapo ishte marrë vendimi i ri: “BBV” e merr në dorë Arbana! Le të shohim si do të jetë ky “Big Brother Vip” që nuk do të presë kësaj here “banorë të zakonshëm”, por personazhe publike, që ne i shohim shpesh në rrjetet sociale dhe televizion e të cilët do të sfidojnë veten dhe njëri-tjetrin, duke jetuar në izolim për 100 ditë.
Për vite me radhë “Big Brother” ka qenë ekskluzivitet i Arbanës, ndërkohë që shumë sukses pati Ledion Liço me drejtimin e atij formati. Mund të themi se që prej 2017-ës flitet që do të fillojë “Big Brother Vip”. Në 2018-ën po ashtu u përfolën prezantues si Oriela Nebijaj, Luana Vjollca, Ledion Liço, Dojna Mema etj.
Pastaj u anulua e më pas u rikthye në 2019-ën, pastaj e përforcoi edhe Arbana faktin që s’ka gjasa të rikthehet në 2020-ën. Dhe një vit më vonë, sërish flitet për “Big Brother VIP”. E përveç emrave të rinj dueli më i fortë u komentua ai mes Arbanës dhe Luanës. Ndërkohë që Arbana është në përfundim të ciklit të “Dua të të bëj të lumtur” dhe gati për projektin e ri.
Vetë Arbana ka folur më parë për këtë projekt. “Të them të drejtën nuk e di nëse do ta drejtoj unë sërish”. Unë kam dilemat e mia për rikthimin e formatit dhe realizimin e tij me standardet e dikurshme. Ka shumë faktorë që më bindin të drejtoj një program të caktuar. Me ‘Big Brother’ këta faktorë nuk i kam vlerësuar akoma”, tha në vitin 2019 në një intervistë për revistën “Who”.
Në janar 2020 la të hapur mundësinë e rikthimit, ndonëse nuk sqaroi nëse donte ta prezantonte, ose nëse do ta prezantonte. Vetë televizioni e publikoi spotin e këtij projekti para tri vitesh. Ky spot zbuloi dhe filozofinë apo formulën e shoë-t, që pas një dekade eksperiencë me protagonistë njerëz të zakonshëm, për herë të parë do të ketë si banorë personazhe të famshëm të “showbiz”-it, që bëjnë karrierë në fusha të ndryshme.
Në spotin në fjalë kuptohej ideja e këtij formati nëpërmjet pyetjeve që ngrihen, e secila ka përfaqësuesin VIP që mbart një histori personale.
“Të përndiqesh nga portalet! Të bësh selfie me fansat! Të dobësohesh me palestër! Të parakalosh në tapet të kuq! Të dobësohesh me ndihmën e doktorit! Të marrësh vesh dallaveret e fundit! Të bësh thonjtë! Të zgjedhësh madhësinë e gjoksit! Të frysh buzët pa rënë në sy!… Të bësh prapë thonjtë! Të gjesh paruken e duhur! Të fshish komentet e ‘hate’-ërsve! Të shpikësh një emër për beben e re! Të xhirosh gomat aty ku nuk lejohet! Të kërkosh falje publike! Është e vështirë, të jesh një VIP! Ata meritojnë që të çlodhen! E ku është resorti i VIP-ave?! “Big Brother Vip”… Së shpejti vetëm në ‘Top Channel’”, janë frazat e shkëputura nga ky spot i plot tre vjetëve më parë e që mbeten të njëjtat.
Mbetet për t’u parë se cilët do të jenë emrat e njohur që do të pranojnë të bashkëjetojnë me miqtë apo rivalët e tyre e për më tepër që do të rrëfejnë jetën personale në publik.
Deri tani në rrjet kanë qarkulluar lajme se pjesë e “Big Brother VIP” do të jenë dy ish-konkurrentet e “Përputhen”, Shqipe Hysenaj dhe Tea Trifoni, por që të dyja e kanë mohuar si lajm. Ndërkohë që ish-banori i suksesshëm nga Kosova, Vesel Kurtishaj, ka deklaruar se do të jetë pjesë e këtij reality show.
/Panoramaplus.al