BallinaIntervistaGripi i shpendëve në Shqipëri/ Prof. Bërxholi: Si të izolohet virusi në...

Gripi i shpendëve në Shqipëri/ Prof. Bërxholi: Si të izolohet virusi në vatrat e evidentuara. Nëse HSN8 hyn në komplekset e pularive, do ketë dëme të…

I ardhur nga një eksperiencë e ngjashme në luftimin e  virusit H5N1 në vitin 2006, si pjesë e grupit të punës, eksperti i mjekësisë veterinare, prof. Kristaq Bërxholi tregon rrugën që duhet të ndjekë Ministria e Bujqësisë me qëllim mospërsëritjen e gabimeve të së shkuarës.

Për të izoluar HSN8, i identifikuar vetëm para katër ditësh, pavarësisht se profesori e lajmëroi disa javë më parë, ai thotë se në vatrat e  evidentuara duhen eliminuar shpezët e gjithë zonës përreth, me një diametër maksimumi 5 km (jo 3 sa ç’po veprohet aktualisht). Gjithashtu duhet menduar dhe kompensimi i tyre, për të cilin asnjë qeveritar deri më tani nuk është  shprehur. Paralelisht, duhet të fillojë kontrolli i të gjithë shpezëve, edhe pse nuk shfaqin shenja klinike e njëkohësisht kontroll serologjik.

Dhe kjo me një vendim urgjent dhe jo me tenderë që vonojnë procedurën, ndërkohë që virusi shumohet dita-ditës. Nëse HSN8 hyn në komplekset e  pularive, profesori thotë se dëmet janë të pallogaritshme. Nisur nga kjo, në intervistën e gjatë për “Panorama”, prof. Bërxholi apelon që situata të merret më seriozisht.

Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Bujqësisë konfirmoi atë që ju profesor paralajmëruat shumë javë më parë. Si ekspert i  fushës, a mund të na thoni diçka më shumë për H5N8. Si ka depërtuar në vendin tonë?

Para se të flas për këtë problem, desha të thosha se unë do të flas hapur për situatën ku jemi, me të mirat dhe të këqijat e saj. E di që dikujt edhe mund të mos i pëlqejë, por unë bëj detyrën time si ekspert i fushës për një kohë të gjatë. Kjo është e vërtetë. Unë e kam thënë qysh para disa muajsh  se ne duhet të fillojmë kontrollin e situatës epidemiologjike, duke gjurmuar mundësinë e ekzistencës së këtij infeksioni në vendin tonë.

Ku jeni bazuar për këtë?

Unë kam ndjekur në vazhdimësi të gjithë situatën epidemiologjike të këtij virusi në Europë dhe më gjerë. Ajo filloi me disa raste në veri të Europës dhe mandej u shtri edhe në zonat poshtë saj. Fakti i prezencës së këtij virusi në shpendët e egra nënkuptonte se asnjë shtet nuk ishte i imunizuar nga prezenca e tij. Kjo sepse shpendët e egër, migratorë, janë  rezervuarët e këtyre lloj viruseve dhe vendet e qëndrimit dhe të shumëzimit të tyre janë rezervuarë të vazhdueshëm të infektimit të të porsalindurve në këto rajone. Kjo do të thotë, që këto viruse popullojnë thuajse të  gjitha llojet e shpendëve të egër, ku shumëzohet në organizmin e tyre(zorrë) dhe në shumicën e rasteve, tek ato që shumëzohet nuk shkakton vdekje, por kur përhapet në speciet e tjera që nuk janë në kontakt të vazhdueshëm me virusin, ahere shkaktojnë sëmundje dhe vdekje te to.

Është kjo arsyeja që ne në këto zona, të vendqëndrimit dhe të shumëzimit të shpendëve migratorë gjejmë edhe shpendë të vdekur, edhe shumë të gjalla. Shpendët që nuk vdesin nga shumëzimi i këtyre viruseve, migrojnë në periudha të ndryshme të vitit. Vendi jonë, jo vetëm që është në rrugët e migrimit të këtyre shpezëve, porse me klimën, një distancë mjaft të madhe të vijës  bregdetare, me lugina lumenjsh, liqene, ofron kushte mjaft të favorshme, jo vetëm gjatë migrimit të tyre kur kalojnë mbi vendin tonë, gjatë pushimeve, por një pjesë e tyre, sidomos tani me ekzistencën edhe të moratoriumit që ofron kushte të favorshme për shpendët e egra, për të qëndruar dhe shumëzuar në zona të ndryshme të vendit tonë.

Kjo krijon shansin e përhapjes së virusit, ndotjes së ujërave ku shpendët jetojnë si dhe përhapjen e tyre në shpezët e tjera të vendit si direkt te pulat, por edhe te shpendët e ujit, sidomos rosat e patat, që mbahen në shtëpitë e fshatarëve, si dhe në gjelat e detit. Kjo situatë, e studiuar mirë nga ana ime, nga pikëpamja epidemiologjike, më bëri që të arrija në atë konkluzion, për të cilën nuk u gabova. Krahas kësaj, duke pasur edhe një eksperiencë lidhur me virusin H5N1, si pjesë e grupit të diagnozës në vendin tonë në vitin 2006, më dha mundësi më tepër për të qenë më i saktë në këtë drejtim. Nisur nga  ky realitet i vendit tonë, është kërkuar nga ana ime, që strukturat përkatëse në vendin tonë, duke filluar që nga Ministria e Bujqësisë e më  poshtë, domosdoshmërish, duhet të ishte sensibilizuar dhe të kishte filluar kontrolli i prezencës së tij në shpendët e egër, të cilën me shkrimet e mia e kërkova me forcë, por thirrjet ranë në vesh të shurdhër.

Nëse do  të kishim informacionin me herët, si pasojë e gjurmimit të këtij virusi në shpezët e egra, jam i bindur që situata do të ishte krejtësisht nën  kontrollin e shërbimit veterinar. Është interesante, që më duhet ta theksoj se nga pushteti u veprua njësoj si në vitin 2006, ku ne e diagnostikuam pikërisht në pulat e fushës. Megjithëqë thirrjet tona, edhe në atë  periudhë, pushtetarët i injoruan ato dhe mandej shpenzuan miliona, për të përballuar situatën. Pra, historia u përsëritka. Është mjerane situata, kur politikanët duan të bëhen të ditur për të gjitha dhe nuk lëshojnë pe, për shkak se duan të marrin meritat.

Çfarë duhet të bënte qeveria që të kishte situatën nën kontroll, sipas jush, ndonëse kjo e fundit këmbëngul se nuk ka asgjë për alarm?

Diagnoza në shpendët e egra do të sensibilizonte fshatarët në zonat rurale, por dhe të tjerët, që virusi të mos hynte në shpendët e oborreve. Tani ne nuk dimë se sa është i përhapur virusi. Gjithsesi, ne do të flasim pak gjerësisht këtu, që nëse duan, le të ndërmarrim veprime për ta bllokuar atë atje ku më së paku është përhapur. Para se të vazhdoj më tej, do flisja pak për virusin në fjalë, megjithëse kam folur e shkruar disa herë. Virusi H5N8 është një stereotip i viruseve të influencës, i krijuar si pasojë e  mutacioneve të vazhdueshme të dy elementëve të rëndësishëm që e për- bëjnë atë, të dy proteinave në sipërfaqe të tij, të “H”-së(haemoaglutinina,  të cilat janë 18 nëntipa) dhe të “N”-së(neuroaminidazës, të cilat janë 11  nëntipa). Të mos habitemi se nga kombinimi i të gjitha formave të mundshme të këtyre dy elementëve, mund të krijohen mbi 250 lloje virusesh.

Ajo që duhet theksuar është se jo të gjitha viruset që krijohen janë patogjenë dhe janë në gjendje të shkaktojnë sëmundje në shpendë(qoftë të egra dhe të buta), por edhe te njeriu. Duhet të themi se stereotipat e ndërtuar nga H17N10 dhe H18N11, nuk prekin shpendët, por prekin lakuriqët e natës, kurse të gjitha kombinimet e tjera i prekin ato. Deri më tani, njihen se haemoaglutininat e emërtuara H5, H7 dhe H9, kanë aftësi të krijojnë patogjenë që jo vetëm shkaktojnë dëmtime të mëdha në shpendët e fushës, por vënë në rrezik edhe njeriun. Të tjerat, sidomos H10 si e përmenda më lartë, nuk e kanë këtë aftësi. Ato infektojnë shpendët dhe njerëzit, por nuk kanë aftësinë që të shkojnë më tej të shkaktojnë patologji, si për shembull H10N8 dhe H10N7. Është për të ardhur keq, që disa shkruajtës të lajmeve oline u atribuojnë këtyre, atributin e viruseve për rrezik pandemie. Është fatkeqësi kur flasin ata që nuk dinë. Bazuar në këto cilësi, viruset e këtij lloji ndahen në dy grupe të mëdha: Në viruse me patogjenitet të ulët(LPAI) dhe në viruse me patogjenitet të lartë(HPAI), ku futet dhe virusi H5N8.

Këto  viruse(HPAI) kur futen në pulari, sidomos në komplekse mund të shkak- tojnë vdekjen e tyre duke filluar nga 75% si H5N8, deri në 90 apo dhe  100% të shpendëve si H5N1. Viruset me patogjenitet të ulët(LPAI), mund të futen në tufat e shpendëve, shkaktojnë një ulje të prodhimit të vezëve, si dhe shenja të dobëta klinike të cilat kalojnë shpesh pa u vënë re, si dhe pa pasur vdekje thuajse fare. Edhe këto, gjithashtu shkaktojnë humbje ekonomike, pasi ulja e prodhimit të vezëve mund të arrijë edhe 50% të prodhimit ditor.

A mund të na thoni, si hyri në vendin tonë ky virus?

Rrugët e hyrjes, janë kryesisht zogjtë shtegtarë, që ne i përmendëm më lartë, të cilët jo vetëm kalojnë dhe pushojnë në vendin tonë, pasi rrugët e lëvizjes së tyre e përfshijnë dhe vendin tonë, por një pjesë e tyre, si pasojë e temperaturave të përshtatshme, ku më e ulëta në shkurt është mbi 12 gradë dhe vendeve me liqene, lumenj, vijë bregdetare, krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e virusit. Një karakteristikë tjetër është se virusi përhapet jo vetëm me ujërat ku jetojnë këto shpendë, por shpendët migratorë, për të kërkuar ushqim, natën lëvizin me kilometra  të tërë në territoret afër vend qëndrimit të tyre. Në fshatrat rreth liqeneve, luginave të lumenjve, vijës bregdetare, fshatarët i ushqejnë dhe i  mbajnë shpesët në shumicën e rasteve, në ambiente të hapura, jashtë, duke i ushqyer ato po aty.

Pjesën e ushqimit të mbetur, e hanë natën  zogjtë migratorë, të cilët në të njëjtën kohen me jashtëqitjet e tyre, nxjerrin dhe virusin, i cili merret nga pulat, rosat e patat, bashkë me ushqimin që përdoret për to. Gjithashtu, një rol në këtë përhapje, jo të madh  si shpendët migratorë, luajnë dhe shpendët grabitqarë, të cilët konsumojnë karkasat e shpendëve migratorë të vdekur. Virusi në organizmin e shpendëve grabitqarë edhe mund të adaptohet, por në shumicën e rasteve shumëzohet dhe shkakton vdekjen e tyre. Ne, gjatë  kërkimeve për H5N1, kemi gjetur në një shqiponjë nga Kukësi, virusin e H5N1, i cili kishte shkaktuar vdekjen e saj.

Që nga e marta kur u konfirmua lajmi e deri më sot, Ministria e Bujqësisë raporton vetëm 3 vatra. Bazuar në përvojën tuaj shumëvjeçare, në ç’nivel alerti jemi?

Së pari, desha të thosha se këto vatra mesa duket janë se ka shpendë të raportuar të vdekur. Unë nuk kam lexuar kund se Ministria e Bujqësisë ka filluar survejancën aktive, duke shkuar në zona të ndryshme,  për të kapur shpezë të egra migratorë, rosa, pata e gjela detit, apo me  kampione gjaku, nga rosat, patat e gjelat e detit, që mbarështojnë fshatarët, për të njohur realisht situatën e prezencës së këtij virusi në vendin  tonë. Unë jam i mendimit se përderisa kemi shpendë të fushës(pula) të vdekura, natyrisht virusin është në zona e në shpendë të tjera. Për mendimin tim, duhet menjëherë bërë një program për një survejancë aktive në të gjithë territorin e vendit e sidomos në zonat e rrezikuara  nga shpendë migratorë.

Për mua, nuk ka arsye pse të ngelemi me kontrolle të komplekseve në mënyrë të vazhdueshme. Mundësia e virusit  për të hyrë atje është shumë e vogël, nëse biosiguria në to është korrekte  dhe e vazhdueshme. Vëmendja duhet përqendruar në zonat ku mundësia më e madhe e prezencës ekziston. Kjo gjë, meqenëse nuk u bë për një  kohë të gjatë, bile edhe gjatë pandemisë, shërbimi veterinar mund të  aktivizohej për këtë problem, por indiferenca e ish-drejtuesve të ministrisë së bujqësisë, bëri që ne sot të jemi para kësaj situate të panjohur  mirë. E kam theksuar ne nuk duhet të jemi për këto lloj infeksionesh dhe të tjerë si këta, inaktivë dhe të zbatojmë survejancën pasive duke pritur në zyra shpendët e vdekur që mund të sjellin nga zona të ndryshme.

Duhet, sipas meje një organizim dhe një rikonceptim i rolit të laboratorit qendror të referencës, ISUV, ashtu si dhe për H5N1. Mendoj se  nuk duhet ta nënvlerësojmë këtë virus, pavarësisht patogjenitetit të  ulët kundrejt njeriut. Siç e theksova edhe më lartë, indeksi i patogjenitetit të këtij virusi, të matur shkencërisht është 1.2, që do të thotë, nëse  futet në komplekse apo në pulari më të vogla apo dhe në shpendët e  zonave rurale ai shkakton vdekjen e 75% të tyre, pavarësisht patogjenitetit të deritanishëm kundrejt njeriut.

Duke qenë se vini nga një eksperiencë e ngjashme në Shqipëri, disa vite më parë, në optikën tuaj, çfarë mendoni se duhet bërë për të parandaluar një masakër të tillë në pulari a kudo qoftë dhe të rikthehet biosiguria?

Në këto situata, puna e parë është të njihet gjendja reale e vendit dhe mandej marrja e masave, por për situatën aktuale, për mendimin tim, duhet ecur paralel duke filluar me njohjen e situatës epidemiologjike të vendit dhe njëkohësisht marrjen e masave urgjente për ndalimin e përhapjes së tij në vatrat e evidentuara. Si parim, që është zbatuar në rastin e evidentimit të virusit H5N1, është ndjekur rruga e eliminimit të  shpezëve të zonës përreth vatrës së infektuar, në një diametër rreth maksimumi 5 km dhe kompensimin e menjëhershëm të tyre. Popullimi i  zonave duhet të bëhet mbas një farë kohe, minimum 21 ditë. Gjithashtu, duhet të fillojë kontrolli i të gjitha rosave dhe patave e gjelave të detit, në  territorin përreth vatrës së infektuar, si shpendë të mundshme që infektohen dhe virusi shumëzohet në to, pa shfaqur shenja klinike. Në të njëjtën  kohë, duhet të vazhdojë kontrolli serologjik edhe në të gjithë vendin me kampione gjaku mbi 10 krerë për çdo tufë(rosa, pata e gjela deti).

Po kështu, ISUV, Departamenti i Shëndetit të kafshëve që është plotësisht i aftë për ta izoluar dhe tipizuar virusin pjesërisht, por mundet edhe totalisht me PCR. Për këtë ai duhet të vazhdojë, nëse ka filluar ose të fillojë të izolojë dhe tipizojë viruset e mundshme, si H5N8 ose dhe ndonjë virus tjetër influence. Për këtë kam parasysh se në disa vende të botës, si për shembull në Indi, ky virus bashkëshoqërohej me virusin H5N1, apo  H5N6, gjë e cila, nëse vërehet e komplikon situatën. Në të njëjtën kohë, Ministria e Bujqësisë duhet të nxjerrë fonde të posaçme dhe të bëjë  blerjen e kiteve për PCR, vezë SPF për izolim dhe tipizim virusi, antigjenë specifikë të inaktivuar, si dhe kite diagnostike për serologji (nëse  nuk ka bërë asgjë nga këto deri tani), nëse ka bërë blerjen, tashmë duhet për të gjithë vendin. Blerjet me një vendim të posaçëm duhen bërë pa kaluar në tender, pasi ajo e vonon shume procedurën. Hiqni dorë për këto raste dhe mos ndiqni eksperiencën e keqe të vitit 2006.

Me evidentimin e vatrave të tjera të mundëshme, do të zbatohen të njëjtat rregulla  dhe kritere si dhe për vatrat aktuale. Komplekset e shpendëve, të cilat nëse virusi hyn në to , do të pësojnë një dëm të pallogaritshëm, pasi patogjeniteti aktual i virusit, edhe mund të rritet si pasojë e kalimit nëpër shpendë të ndjeshme. Për këtë, ata duhet ta vlerësojnë seriozisht situatën. Masat e biosigurisë, si ndalimi i futjeve në kompleks të njerëzve të paautorizuar, vendosja e vaskave të dezinfektimit të mjeteve dhe  personave, dezinfektimi i mjeteve që hyjnë e dalin nga kompleksi. Mospërdorimi i bikerinave të përdorura nga dikush tjetër. Një herë në 15  ditë apo një herë në muaj, në vartësi të situatës epidemiologjike të infeksionit në rajonin ku ai është vendosur, të kontrollohet serologjikisht situata e mundësisë së prezencës së infeksionit me testin e hemoaglutinacionit në mungesë të kiteve “ELISA”, me antigjen të njohur të inaktivuar.

Është mjaft i rëndësishme fakti që nëpër oborret e jashtme të  kompleksit, në hapësirat midis kapanonëve, nuk duhet të ketë mbeturina ushqimi të rënë nga pakujdesia, pasi ato bëhen një mjet atraktiv për  shpendët migratorë që lëvizin natën. Kontrolli i përditshëm i tufave dhe në rast evidentimit të vdekjeve mbi normalen, pavarësisht nga shkaku se cili mund të jetë, duhen dërguar në laborator për të parë arsyen e vdekjeve. Po kështu, kontrolli duhet bërë edhe për të parë gjallërinë e shpendëve në stallë, interesin për ushqimin dhe ujin. Kujdes me ujin që përdoret për pirjen e shpendëve. Komplekset nuk duhet të kenë vende të mundshme ku shpezët e egër të futen brenda kapanonëve. Sëmundja e influencës, qoftë dhe dyshim, duhet të jetë e detyrueshme për deklarim:

Kundrejt masave që marrin ekspertët qeveritarë, a mund të mbrohen qytetarët për të mos rënë në kontakt me gripin e shpendëve, sado i papërfillshëm qoftë rreziku i infektimit nga ata?

Nëse po, si? Zbatimi i masave të rekomanduara edhe të tjera që mund të shfaqen të nevojshme, në vartësi të zhvillimit të situatës epidemiologjike, e garanton  mbrojtjen e shpendëve të komplekseve. Ndërsa në zonat rurale duhen marrë masa edhe më drastike, atje ku ende nuk është evidentuar asnjë rast dhe  kur zonat rurale janë afër liqeneve, vijës bregdetare. Në këto situata, nuk është e pranueshme që shpendët(pulat) të lihen të flenë dhe të ushqehen jashtë, në ambient të hapur. Kjo pasi bëhet mjaft atraktive për shpendët migratorë. Kujdes i veçantë duhet të tregohet për rosat, patat dhe gjelat e detit, të cilat duhet të kontrollohen serologjikisht. Në rast të evidentimit edhe të një rasti të sigurt pozitiv, rosat, patat dhe gjelat e detit duhet të eliminohen. Për të mos pasur humbje edhe këto mundësisht të mbahen të mbyllura dhe të lihen të lira vetëm në kohën, paradite, ku mundësia e prezencës së shpendëve migratorë është e pakët ose fare. Mos mbani pulat së bashku me rosat e patat në këtë situatë.

KUJDES: NGA STEREOTIPI H5N8 JANË SHKAKTUAR VDEKJE MASIVE TË SHPENDËVE SI NË SHPENDË TË EGËR, EDHE NË MË KOMPLEKSË, TË CILËT KANË BËRË QË TË ELIMINOHEN MILIONA KRERË SHPENDËSH, DUKE SHKAKTUAR NJË DËM TË PALLOGARITSHËM EKONOMIK. Si mund të infektohemi nga virusi? Nëse ne konsumojmë vezë nga shpendët e infektuar apo mish nga pulat në zonën e infektuar, apo dhe jashtë saj. 

Duhet të kuptojmë se infektimi i njeriut nga virusi H5N8, deri tani nuk është në nivel të rrezikshëm. Sipas të dhënave, njeriu mund të infektohet rastësisht nëse manipulon me shpendë të infektuara nga virusi dhe me shenja klinike, të vdekura nga virusi apo me rosat e patat. Duhet të kemi kujdes të madh lidhur me fëmijët. Mos i lejoni fëmijët të luajnë me rosat dhe patat, apo gjelat e detit në këto situata. Mbajini larg tyre. Sipas të dhënave të autoriteteve ruse, infeksioni i njeriut nga  virusi H5N8 zhvillohet në forma të ndryshme duke filluar nga asimptomatike, subklinike dhe në raste shumë të rralla letale. Këto forma  ndikojnë negativisht në tërheqjen e vëmendjes për këtë infeksion. Gjithsesi, risku i infektimit të njeriut është shumë i ulët, ndërsa kalimi i virusit nga një njeri te tjetri ende nuk është vërejtur në asnjë rast.

Gjithsesi, sipas Qendrës Europiane të Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve,  rekomandohet që personat të cilët kanë të bëjnë direkt me shpendë të infektuara, duhet që të kenë parasysh, pasi shenjat mund të shfaqen tek ata më  vonë dhe për këtë duhet të jenë nën kontroll për 10 ditë. Baza për këtë rekomandim është mbështetur në faktin që vdekjet mbas infeksionit mund të jenë të lidhura me stereotipin H5N6. Duhet të theksojmë me forcë se infektimi i njeriut nga ushqimet që rrjedhin nga pulat e shëndosha të gatuara mirë edhe në një situatë të tillë nuk është parë dhe nuk ndodh. Gjithsesi, si rregull, ushqimet duhet të përgatiten mire(gatuhen mire), të mos konsumohen gjysmë të përgatitura, vezët duhet të zihen fort. Kur manipulohet me shpendë të therur, duhet të zbatoni masat e parambrojtjes, gjatë manipulimit për ta përdorur për konsum.

Mbas mbarimit të përgatitjes, dezinfektoni sipërfaqet, duart, mjetet si thikat dhe enët e përdorura  për të përpunuar shpendët. Në zonat rurale, gjatë therjes së shpendëve, mbeturinat si zorrët dhe përmbajtjet e tyre mos i hidhni andej këtej. I groposni ato edhe sikur të mos keni asnjë rast shpendi të sëmurë ose të  vdekur. Vezët, mund të përdoren edhe omëletë, por gjithmonë duhen gatuar fort. Mos përdorni vezë të sapomarra nga furriku. Nëse në tufën tuaj të  shpendëve, keni ndonjë rast me dyshim për influencë apo vdekje shpendësh, njoftoni menjëherë shërbimin veterinar më të afërt.

Po kështu, nëse në rrugë apo gjetkë, do të shihni shpendë të vdekur, mos i prekni ato me dorë, por thërrisni shërbimin veterinar.  Vdekjet e shpendëve në komplekse i digjni fermerë të nderuar. Shërbimi veterinar nuk duhet të lejojë që të dalin shpendë të vdekur nga  kompleksi, për t’u groposur jashtë kompleksit. Ato digjen në krematoriumin e komplekseve, Nëse të gjithë komplekset nuk kanë krematorium, ata duhet të pajisen sa më parë. Është detyrë e shërbimit veterinar,  ta ndjekë këtë problem.

Një fermer apo edhe një fshatar që rrit shpendë, a mund t’i kuptojë nëse janë apo jo të infektuar. Çfarë shenjash shfaqin?

Specialistët veterinarë e njohin mirë këtë problem, gjithsesi ne po ua kujtojmë edhe një herë. Shpendët e prekur nga influenca, përveç vdekjeve kanë edhe këto shenja: Mungesë oreksi, probleme të frymëmarrjes, ënjtje e kokës, rrjedhje nga sytë, diarre dhe depresion. Nëse vëreni këto shenja, qoftë dhe gjysmën e tyre, njoftoni menjëherë shërbimin më të afërt veterinar. Personat e prekur nga influenca shfaqin këto shenja: Temperaturë e lartë, dhembje muskujsh, dhembje koke dhe kollë. Gjithashtu, mund të kenë edhe pneumoni, si dhe konjunktivit.

Ende pa kaluar një pandemi, po përballemi me një tjetër. A shihni ju një lidhje midis tyre?

Në fakt nuk kanë lidhje midis dy pandemive, për arsye se janë dy virus të familjeve të ndryshme, njeri rrjedh nga familja e Coronaviruseve dhe mbartet nga lakuriqët e natës, kurse tjetri rrjedh nga familja  e Orthomyxoviruseve, që e kanë origjinën nga shpendët e egër. E përbashkëta e tyre është se preken organet e frymëmarrjes, por me intensitet të ndryshëm. Virusi aktual i gripit të shpendëve, nuk kalon ende  në mënyrë masive te njeriu dhe kalimi i tij nga njeriu te njeriu ende nuk është vërejtur. Për luftimin e virusit të influencës së shpendëve përdoret me shumë sukses “Tamiflu”-ja, sidomos që në fillim të infeksionit si dhe “Zanavir”-i. Disa shtete si Rusia e Japonia e kanë të lirë në treg këtë preparat për influencën. Pra, pavarësisht faktit që ka një ngjashmëri midis këtyre viruseve lidhur me patogjenitetit, unë nuk shoh asnjë lidhje në kuptimin që po ikën njeri për ti lënë vendin tjetrit. Njerëzit nuk duhet të kenë frikë. Njerëzit duhet t’i njohin këto probleme dhe shërbimet përkatëse të ndjekin dhe të kryejnë detyrimet e tyre. Shteti duhet të ketë në krye të punëve, jo vetëm për këto raste, por për të gjitha infeksionet që kalojnë nga kafshët te njeriu, shërbimin veterinar. Asnjë  sëmundje nuk luftohet vetëm nga një shërbim.

Nëse, nuk ka një bashkëpunim, jo për interesa për shfrytëzim fondesh e të tjera, po për të mbrojtur popullatën, natyrisht asnjëherë nuk do të kemi suksesin e dëshiruar.  Edhe në rastin e pandemisë, personalisht i kërkova ministres së Shëndetësisë të kishte një mjek veteriner në Komitetin e Ekspertëve, për të ndjekur problemin e kalimit të mundshëm të COVID-19 nga njeriu te  kafsha dhe e kundërta dhe si është situata në vendin tonë. Zonja ministre bëri sikur nuk dëgjoi. Askush nuk i merr meritat tjetrit. Askujt nuk i ulet autoritetit se bashkëpunon me njeri-tjetrin. Zoonozat nuk luftohen vetëm. Desha ta pyesja ministren: Di gjë se sa raste ka të kalimit të virusit të COVID-19 nga njerëzit e sëmurë te kafshët (qentë e macet) në Shqipëri? Jam i bindur që nuk është në gjendje të thotë asnjë përgjigje. Panorama.com.al

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular