BallinaKronike“S’keni ça më bëni. Nuk pyes për ju”, “o b.q. më shkele...

“S’keni ça më bëni. Nuk pyes për ju”, “o b.q. më shkele këpucët që i kam blerë 200 euro”/Ç’ndodhi mes policit dhe djalit të ri në kryeqytet

Një 26-vjeçar u përplas me policinë, teksa po ndiqej prej tyre, por ai pretendon se goditi njërin nga oficerët pasi ai e shau. Burimet bëjnë me dije se shtetasi A.L., e qëlloi policin, pasi ky i fundit mësohet t’i ketë thënë “o b.q. më shkele këpucët që i kam blerë 200 euro”.

Por ky version i të akuzuarit nuk konfirmohet nga policët e tjerë pjesë e grupit të kontrollit që këmbëngulin se u ndaluan gjatë ushtrimit të detyrës, ndaj dhe i riu u shoqërua në komisariat për kundërshtim të forcave të rendit.

Ngjarja u raportua sipas burimeve të GazetaSi.al, në radio nga oficerët që më pas bashkë me të riun përfunduan në komisariatin numër 3. Polici u rrëfeu kolegëve se ishte i planizuar në turnin e dytë dhe se në shërbim ishte i vendosur me katër persona të ndarë përkatësisht me nga dy motorë.

“Rreth orës 16.00, në rrugën ‘Reshit Petrela’, pranë një supermarketi morëm informacion nga një qytetar që në mes të pallateve tre persona po konsumonin drogë”, – dëshmon oficeri i policisë me inicialet A.K., i moshës 30 vjeç. Në raport shërbimi, thuhet se më pas patrulla e “Shqiponjave” është afruar në vendin ku u kallëzua. Aty u konstatuan tre shtetas, mes tyre edhe i dyshuari në fjalë.

“Në vendin ku qëndronin ata të tre, kishte një erë si ajo e kanabisit dhe ndaj kërkuam të ushtronim kontroll fizik, madje duke iu shpjeguar edhe arsyet e kontrollit fizik”, – deklarohet në dosjen hetimore.

Por i dyshuari ka kundërshtuar, thotë polici, duke shtuar: “Jam përdorues dhe hashashi mu bëftë shëndet”. I dyshuari ka vijuar të përplaset më pas me oficerët, duke pretenduar se ishte poshtë shtëpisë dhe e shikonin prindërit.

“Nuk keni ç’më bëni, jam gangster, do ta shikoni çfarë do t’ju bëj sonte, mbajeni mend. Unë kam bërë burg dhe nuk pyes për ju, do ju sjell SHÇBA-në, do ju heq nga puna do ju shkrij”, citojnë secili nga oficerët t’i ketë kërcënuar i riu që nuk ka pranuar kontrollin fizik.

Oficeri tjetër dëshmitar në aksion, pohon se duke parë refuzimin, ata e rrethuan të riun që reagoi, duke goditur nga krahët njërin prej tyre.

“Ai e kapi kolegun nga rrobat, atij i ranë stemat në tokë dhe gjithashtu i theu radion e policisë, të cilin kolegu e mbante në sup”, – përshkruan polici tjetër në komisariat. Ekspertët vërejnë se në dorën e policit të sulmuar, u vërejtën skuqje dhe gërvishtje me përmasa 0.5 deri në 3 cm.

Por i riu, menjëherë pasi ka përfunduar në komisariat ka filluar mbrojtjen, duke kujtuar se po qëndronte me kushërinjtë poshtë banesës, kur aty mbërriti një patrullë policie.

Ai i tha agjentëve se nuk pranoi kontrollin e policisë, pasi nuk kishte asgjë të paligjshme dhe se këtë fakt ia kishte vënë në dukje patrullës.

“Gjatë kësaj kohe, kur po bisedoja këtë gjë, njëri nga oficerët me motor, m’u afrua dhe unë pa dashje i shkela këpucën. I kërkova menjëherë falje, por ai u përgjigj: ‘…o b.q më shkele këpucën që kam blerë 200 euro’”, – pretendon si shkak të nisjes së konfliktit i riu. Ai i thotë policisë se në këtë çast, u irritua nga edukata e munguar e efektivit.

“Por u vetë përmbajta, duke i kërkuar përsëri falje, ndërsa ai vazhdoi me të njëjtat fjalë. I thashë vazhdo bëj detyrën tënde, pasi për sjelljen dhe etikën tënde ka ku të ankohem“.

I riu insiston se kjo fjali i ka acaruar të gjithë policët, që vazhdimisht, sekondë pas sekonde kryen sjellje provokuese me qëllim që ai të reagonte dhunshëm, por që sipas të dyshuarit, ai në asnjë moment nuk e humbi toruan dhe nuk preku asnjë nga oficerët.

Por pyetjes së policisë se si e shpjegonte ai dëmtimin e radios, veshjes dhe gjymtyrëve të policit, ai i përgjigjet prerë: “Nuk e kam idenë, pyesni policin”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular