Gazetari dhe moderatori i “Zonë e Lirë”, Arian Çani i ka kushtuar disa minuta nga emisioni ngjarjes tragjike që ndodhi të premten në autostradën Fier-Vlorë, ku një aksident që i mori jetën katër anëtarëve të një familje tronditi mbarë opinionin publik.
Teksa e ka quajtur “një krim tragjik” aksidentin, Arian Çani i është drejtuar të gjithë qytetarëve me një apel për kujdes të shtuar, pasi në vendin tonë sipas tij jeta po vlen gjithnjë e më pak.
Aksidenti i tmerrshëm që shoi një familje, është një motiv më shumë tha gazetari, që ai do vazhdojë të bëjë thirrje që shqiptarët të largohen nga vendi i tyre.
Mesazhi i plotë i Arian Çanit
“Para se të flasim për lajmin e kobshëm që sot në një farë mënyre i dha fund jetës së atyre dy vajzave, njëra 9 vjeç dhe tjetra 14, së bashku me prindërit e tyre humbën jetën në një aksident, duhet thënë në një krim tragjik në autostradën, Fier-Vlorë.
Të gjithë i keni parë pamjet. Rrjetet sociale diarre janë mbushur nga komentet. Ka komente pafund. Ishte një gjë e tmerrshme, nga një Audi A8.
Nuk di çfarë ka ndodhur në atë autostradë, por makina e tyre, një Toyota, më duket ishte bërë copë-ciopëm ishte bërë çarçaf. Ishte një tmerr i vërtetë. Besoj se e kuptoni pse unë kam gjithë këto vite që në fund të emisionit, që mos t’u fus frikën në fillim, gjithmonë bëj thirrje, u them urgjent të gjithë ju që e kapni mesazhin tim largohuni nga ky vend sa më parë me qëllim që jeta juaj të vazhdojë.
Këtë thirrje do të vazhdoj ta bëj. Kjo që ndodhi sot është një nga motivet se pse unë e bëj këtë thirrje. Jo më kot them kujdes.
Në rrugë, rrugët janë mbushur me qen jo vetëm me katër këmbë. Kujdes! Të gjithë ju që keni makinat e vogla prej kartoni, të cilat nuk ju mbrojnë jetën, më mirë kalojini pushimet në Greqi, si familja e shkretë që erdhi nga Greqia për të kaluar pushimet ca ditë në jug se sa të vini këtu dhe të ikni për lesh. Kjo është një situatë e tmerrshme. Pse është situatë e tmerrshme kjo? Sepse mund t’i ndodhte çdonjërit prej nesh. Kujtdo.
Por ndryshe nga vendet e tjera që po të ndodhte një ngjarje e tillë kaq e rëndë me një Audi që ecën me 200 kilometra në orë në këto rrugë që nuk kanë barriera ndarëse dhe del makina në fushë, pale se ç’gjen atje përveç bagëtive, mund të gjente dhe njerëz të tjerë dhe që përfundon në këtë farë feje, do të thotë që jeta në Shqipëri e ka vlerën zero.
Kjo është e vërteta, pa e zbukuruar. Çdo njeri prej nesh mund të ishte sot në vend të asaj familje që iku nga kjo jetë kot fare. Në një vend tjetër normal, do ishin ngritur qytetarët. Do kishin protestuar heshturazi me një qiri në dorë. Ju do thoni “Arjan këtu nuk e bëjnë se vapë e madhe”. Jo, jo. Këtu nuk e bëjnë edhe po të ishte dimër. Do të thotë jeta në Shqipëri ka vlerën zero. Kjo nuk do të thotë që jeta nuk vazhdon. Vazhdon. Vazhdon edhe në Shqipëri ku jeta e ka vlerën zero. Derisa të bëhemi zero të gjithë”.