Vrasja e 20-vjeçares Caroline nga bashkëshorti i saj në Greqi vijon të ngrejë pikëpyetje për hetuesit, sidomos pas publikimit nga mediat britanike të detajeve nga ditari i saj.
Një prej detajeve që ende mbetet mister, është prania e një makine të zezë tip “BMW” e cila është parë gjatë natës në zonën ku ndodhi vrasja. Thanasis Katerinopoulos, një ish-zyrtar i policisë greke thotë se makina mund të ketë lidhje me ngjarjen e rëndë. Kujtojmë që fillimisht, bashkëshorti i studentes deklaroi se ka pasur një grabitje mbrëmjen e ngjarjes, për të cilën mediat greke shkruanin se ishin të përfshirë shtetas shqiptarë.
Ai nuk e heq mundësinë e një bashkëpunëtori të Babis Anagnostopulos. Sipas tij, nga provat e marra deri më tani, nuk rezulton se ka pasur persona të tjerë brenda shtëpisë në momentin e krimit, por mund të ketë persona që kanë qenë në dijeni të vrasjes, duke e lidhur dhe me praninë e makinës tip “BMW”.
“Unë nuk besoj se kishte ndonjë person tjetër brenda shtëpisë. Megjithatë, vlerësoj se ka ndoshta një person ose persona që mund të kenë qenë në dijeni. Kjo duhet të hetohet nga autoritetet“ – thotë Katerinopoulos.
Ish-zyrtari i policisë ka qenë prezent në momentin kur autoritetet kanë marrë në pyetje bashkëshortin e Carolines pas vrasjes. Ai shpjegon se dyshonte që në fillim tek 32-vjeçarit bazuar në mënyrën se si ai sillej.
“Përveç faktit që unë kisha disa informacione rreth disa incidenteve që kishin ndodhur dhe faktit që ata ishin duke shkuar te një psikolog së bashku, unë do t’ju them se ajo që “fliste” ishte gjuha e trupit. Ai foli me pamjen e tij, qëndrimin e tij, qëndrimin e tij ndaj kamerave. Pra, në kombinim me faktet dhe informacionin që kisha, unë isha absolutisht i sigurt – dhe nuk po e them këtë tani të sigurt, e thashë atëherë – se ky është vrasësi” tha ai.
NËNA E CAROLINE I JEPTE ÇIFTIT 1000 EURO ÇDO MUAJ
Një tjetër detaj i zbuluar nga mediat greke është se nëna e Caroline, i dërgonte çiftit një shumë prej 1000 eurosh çdo muaj. Këtë e ka zbuluar avokati i familjes së 20-vjeçares i cili tha se e ka bërë për t’i mbështetur financiarisht.
“Më lejoni t’ju them se nëna e Caroline jepte 1000 euro në muaj për të mbështetur familjen” tha Thanasis Harmanis.