BallinaBota“Irani u përpoq të më rrëmbejë” / Rrëfimi i gazetares së Zërit...

“Irani u përpoq të më rrëmbejë” / Rrëfimi i gazetares së Zërit të Amerikës

Drejtuesja e një emisioni televiziv të Seksionit Persian të Zërit të Amerikës dhe një kritike e hapur e qeverisë iraniane, ka dhënë hollësi të reja rreth njoftimit të autoriteteve amerikane, se ajo ishte shënjestra e një komploti iranian për ta rrëmbyer. Përmes një mesazhi filmik të regjistruar, gazetarja iraniano-amerikane Masih Alinejad, flet rreth dyshimeve për eleminimin fizik të saj nga agjentë iranianë

Gazetarja thotë se agjentët e Byrosë Federale të Hetimit i thanë se sundimtarët islamikë të Iranit “jo vetëm që donin të siguroheshin për eleminimin fizik të saj, por edhe në mbylljen e llogarive që ajo ka në Instagram“.

Më martën në mëngjes Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se një gjykatë federale e Nju Jorkut ka ngritur padi ndaj katër shtetasve iranianë për përfshirje në komplotin e pretenduar për të rrëmbyer një “gazetar, autor dhe aktivist të të drejtave të njeriut nga Bruklini, në Nju Jork, që synonte mobilizimin e opinionit publik në Iran dhe në të gjithë botën për të sjellë ndryshime në ligjet dhe praktikat e regjimit iranian”. Por në njoftimin për shtyp të Departamentit të Drejtësisë nuk përmendej emri i personit

Zonja Alinejad, e cila jeton në Nju Jork, konfirmoi më vonë në llogaritë e saj në rrjetet sociale se bëhej fjalë për të.

Në mesazhin e saj me video të martën ajo thotë se për arsye sigurie, FBI-ja e ka ndaluar atë të largohet nga Shtetet e Bashkuara.

Departamenti i Drejtësisë, nuk ka komentuar ende rreth deklaratave të zonjës Alinejad dhe bisedave që ajo thotë se ka zhvilluar me agjentët e FBI-së.

Në një mesazh tjetër filmik të postuar në Tëitter të martën nga shtëpia e saj në Bruklin, zonja Alinejad tha se në dy javët e fundit forca policore po ruajnë shtëpinë si një tjetër masë paraprake sigurie. Një makinë policie mund të shihej nga dritarja e gazetares, parkuar jashtë ndërtesës së saj të banimit.

Agjencitë e lajmeve amerikane thanë se misioni i Iranit në OKB në Nju Jork nuk i është përgjigjur ende kërkesave për komente në lidhje me komplotin e dyshuar.

Departamenti i Drejtësisë tha se katër persona që dyshohet të jenë agjentë të zbulimit iranian, Alireza Shavaroghi Farahani, Mahmoud Khazein, Kiya Sadeghi dhe Omid Noori, planifikonin ta rrëmbenin dhe ta dërgonin me forcë viktimën e tyre në Iran. Ai tha se grupi kishte shqyrtuar metodat e transportimit nga Shtetet e Bashkuara, mes tyre përdorimin e një evakuimi të stilit ushtarak nga qyteti i Nju Jorkut dhe transportimin e saj në rrugë detare në Venezuelë, qeveria e së cilës është një aleate e Iranit. Asnjë nga të katër personat nuk është arrestuar. / Zëri i Amerikës

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular