BallinaKryesoreNjë demaskim i vonuar: Katovica, Fazlliçi e të tjera

Një demaskim i vonuar: Katovica, Fazlliçi e të tjera

NGA GENC POLLO

Në Europë, SHBA e Rusi, ecuria e vaksinimit kundër Covid-19 nuk po çalon më nga mungesa e vaksinave, por nga skepticizmi i një pjese jo të vogël të popullsisë ndaj tyre. Aq sa së fundmi Franca dhe Greqia njoftuan të parat masat “jab or job” (dmth: ose bëj gjilpërën, ose ik nga puna) për punonjësit e sektorit shëndetësor dhe pritet të vijojnë me punonjësit e arsimit.

Shkak për këtë skepticizëm janë bërë llojlloj teorish konspiracioni mbi pasojat e vaksinës; ato i shtyjnë skeptikët të refuzojnë një trajtim që mund t’u shpëtonte jetën apo të paktën t’u mbronte shëndetin nga një sëmundje e ligë.

Mendja njerezore ka qenë gjithmonë e cenueshme deri diku nga besëtytnitë e nga manipulimi me to për qëllime të ndryshme. Por prania e kudondodhur dhe impakti publik i rrjeteve sociale iu ka dhënë këtyre dukurive një dimension të ri. E thënë me fjalët e Umberto Eco-s: Një budalla i fshatit, i cili të drejtën kushtetuese për të thënë broçkulla deri dje e konsumonte vetmitar në mejhane, tashmë lidhet në “Facebook” me budallain e shumë fshatrave të tjerë duke krijuar një grupim interesant e mbase të rrezikshëm.

Edhe shoqëria shqiptare nuk bën përjashtim nga ky fenomen i përgjithshëm, megjithëse te ne vaksinat nuk po i refuzon kush. Por në Shqipëri, edhe në erën para “Facebook”-ut, janë përhapur, madje kanë zënë rrënjë, teori konspiracioni e legjenda urbane nga më të çuditshmet. Por çka më duket më shumë e çuditshme është që disa syresh nuk janë ballafaquar me një analizë faktike dhe me demaskim intelektual siç lipset të ndodhë me çdo gënjeshtër komplekse që besohet pjesërisht nga publiku. Por rreshtoj më poshtë tre syresh, që janë të ndryshme për nga lloji e rëndësia.

Ekziston Katovica, nuk ekziston Katovica!

Në vitet ’90, në Tiranë filloi të flitej gjithmonë e më shumë për “marrëveshjen sekrete të Katovicës” midis udhëheqësve të shteteve komuniste të Europës Lindore e Bashkimit Sovjetik, të arritur dikur nga fundi i viteve ’80, por para rrëzimit të Murit të Berlinit. Në thelb të marrëveshjes paskej qenë dakordësia se përballë pashmangshmërisë së rënies së regjimeve do të duhej që elita komuniste të mimetizohej me lëvizjen demokratike, të mbante pushtetin ekonomik dhe gradualisht të rimerrte pushtetin politik.

E vetmja gjë e shkruar që paraqitet në favor të kësaj teze është një shënim (thuhet i Komitetit Qendror të PPSH-së) ku referohet se një material i shokut Gorbaçov po studiohet prej dy vjetësh nga shokët e partisë (PPSH) me porosi të shokut Ramiz dhe se aty bëhej fjalë për mbajtjen e pushtetit ekonomik nga komunistët. Nuk flitet as për Katovicën, as për ndonjë mbledhje të fshehtë të udhëheqësve komunistë të Lindjes e aq më pak për përfaqësimin e PPSH në këtë mbledhje. Studiues të ndryshëm bazuar në gjuhën e në germat e përdorura e konsiderojnë shënimin një dokument apokrif (të rremë).

Por edhe sikur shënimi të ishte autentik, nuk thotë ndonjë gjë të re: perestrojka gorbaçoviane nuk ishte ekonomi tregu e mirëfilltë. Ajo synonte të çlironte ndërmarrjet shtetërore nga korseti i ngurtë i planifikimit qendror dhe tolerimin e biznesit të vogël privat pa vënë në diskutim pushtetin sovjetik (komunist). Këtë gjë shokët e partisë po e studionin prej dy vjetësh.

E parë nga një kënd tjetër “Marrëveshja e Fshehtë e Katovicës”, nëse vërtet do të kishte ndodhur, do të ishte një zhvillimi politik i rëndësishëm në Europë. Shqipëria komuniste që kishte braktisur Traktatin e Varshavës e KNER-in e që bubullinte kundër “socialimperializmit sovjetik” nëse do të ishte e ftuar prapë do të mbetej vrima e fundit e kavallit. Ky zhvillim politik i rëndësishëm nuk mund të mbahej më i fshehtë, sidomos mbasi forcat demokratike në Lindje morën pushtetin e hapën arkivat dhe kur një numër funksionarësh komunistë nisën të flasin e të nxjerrin sheshit të palarat e regjimit.

Nisur nga domethënia politike, “Katovica” do të ishte bërë patjetër objekt prezantimi publicistik, debati politik dhe studimi akademik. E megjithatë, fakt është që “Marrëveshja e Fshehtë e Katovicës” nuk njihet gjëkundi, përveçse në telestudiot e kafenetë e atdheut tonë. Literatura e bollshme e tranzicionit pos-komunist europian, me sa kam lexuar unë, nuk e përmend gjëkundi atë. Por edhe gugëllimi, sido të kombinosh fjalëkyçet në anglisht e në gjuhë të tjera (Katowice, Communist, secret, agreement, plot, economic control e të tjera), nuk të jep asgjë të tillë. Me pak humor mund ta konsiderojmë “Marrëveshjen e Fshehtë të Katovicës” si një komplot ndërkombëtar, për të cilin palët e përfshira nuk dinë gjë akoma edhe pas tridhjetë e kusur vjetësh.

Tranzicioni shqiptar nga komunizmi në demokraci tregu ka qenë kompleks, i vështirë plot mangësi e probleme. Por ato lipset të shpjegohen në kontekstin e rrethanat konkrete të kohës kur vepruan aktorët politikë. Të shikosh aty dorën e Gorbaçovit apo firmën e Katovicës është një formë e mosmarrjes së përgjegjësisë dhe e projektimit të saj diku jashtë vendit. Por “Katovica” është gjithashtu edhe një orvatje veresie për të diskredituar proceset demokratike në Shqipëri, të cilat filluan në dhjetor 1990.

FAZLLIÇI MERR SEKRETE, FAZLLIÇI S’MERR SEKRETE

Skandali sipas opozitës: Në vitin 2006, një shqetësim i madh i opozitës dhe i mediave pranë saj kaploi për muaj të tërë debatin publik: si ka mundësi që sekretet shtetërore të zbuloheshin para një boshnjaku të dyshimtë të quajtur Damir Fazlliç.

“Provë” për zbulimin e sekreteve shtetërore para Fazlliçit ishte një fotografi ku dukeshin ulur rreth tryezës Kryeministri Berisha, ministri i Mbrojtjes, Tom Ridge, ishguvernator i Pensilvanisë (republikan) e ishsekretar për Sigurinë e Atdheut (Homeland Security) në administratën Bush, Damir Fazlliçi e ndonjë tjetër.

“Provë shtesë” ishte pohimi se fotografia paraqiste një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare me praninë e paligjshme e kërcënuese të z. Fazlliç (për praninë aty të z. Ridge, që teorikisht ishte gjithashtu e paligjshme nuk u shqetësua kush).

Ngjarja sipas meje: Kryeministri më kishte ftuar mua, asokohe ministër i Arsimit, të vija një paradite maji 2006 në një takim me Sekretarin Ridge mbasi ai mund të na ndihmonte në projekte arsimore me SHBA. Në takim, ku ishte edhe Damir Fazlliç, u fol në përgjithësi për reformat, raportet me SHBA e për anëtarësimin në NATO. Fotoja publike e këtij takimi e përmendur më lart fillon nga e djathta me ministrin e Mbrojtjes; unë që isha ulur përbri tij në të majtë mbeta jashtë fotos dhe si pasojë jashtë vëmendjes të korit qortues për rrezikimin e sekreteve.

Meqë në takim nuk doli koha për arsimin, Kryeministri sugjeroi që të rrija për drekë me sekretarin Ridge. Në restorant “Piazza”, në praninë e asistentes së tij, Elisabeth, një bionde e pashme, e të NS, këshilltar i Kryeministrit, hëngrëm një drekë të shijshme e patëm një bisedë të këndshme edhe për arsimin. Z.Ridge nja dy herë tha: “Elisabeta. Ministri e unë do të shkojmë shumë mirë!”. (Elisabeth! The minister and me will get just fine!). Gjithsesi, e-mail-i që i dërgova të nesërmen me propozime bashkëpunimi arsimor, nuk mori ndonjëherë gjegje nga zoti Ridge; ajo ditë ishte e para dhe e fundit që takova atë dhe z. Fazlliç.

Në javët më pas ndiqja edhe me habi edhe me zbavitje shqetësimin agjitativ të Partisë Socialiste për sekretet e rrezikuara. Si dhe moskokëçarjen e Kryeministrisë për të sqaruar që kjo ishte thjesht një broçkull. Qoftë duke përmendur faktin e njohur se Këshilli i Sigurisë Kombëtare ishte një organ me kryetar Presidentin e Republikës, asokohe zotin Alfred Moisiu. Ky i fundit, i vetmi me tagër për të mbledhur Këshillin, ishte mjaftueshëm rigoroz për të mos ftuar të huaj; le më pastaj për të toleruar, praninë e të huajve aty; qofshin këta boshnjakë apo amerikanë.

Diku nga vjeshta e atij viti, në studio televizive, pasi mbaruan pyetjet për reformat në arsim, Ilir Babaramo më kërkon sqarim sesi mundet qeveria të tradhtojë sekretet shtetërore te një boshnjak i tillë. I shpjegova me arsyet e mësipërme që bëhej fjalë për një sendërgji publike, duke shtuar se me po atë stil mund të shpallnim takimin tonë Pollo-Babaramo si mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB; madje edhe të miratonim ad hoc ndonjë rezolutë për Lindjen e Mesme:). “Si ka mundësi?!”, insistonte Babaramo. Ai ndodhej qartazi në të hershmen dilemë njerëzore për të besuar faktet e verifikueshme konkretisht apo pohimet e përsëritura deri në budallallepsje.

KA APO NUK KA UJDI PD-PS?

“PS e PD kanë rënë dakord që të mos e ankimojnë në Gjykatë Kushtetuese Ligjin e Dekriminalizimit. Sepse ai ligj është antikushtetues dhe Gjykata nuk ka rrugë tjetër veçse ta shfuqizojë atë”. Kjo ishte intriga që dëgjoja shpesh nga vëzhgues të politikës në kafenetë e Tiranës mbas miratimit në Kuvend të atij ligji në dhjetor 2015. Asokohe, këtë gjë e dëgjoje edhe në studio televizive nga analistë pasionantë.

Për mua kjo ishte një broçkull, por po të thosha se një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte, do të dilte një kompetent që të më thoshte se deal-in e kishin bërë direkt e personalisht Rama e Basha duke anashkaluar deputetët. Dhe si rregull kompetenti nuk sqaronte se si kishte mësuar për këtë deal sekret. Por insistonte me siguri se deal-i ekzistonte.

Atëherë i kthehesha argumentit ligjor. Nuk kishte kuptim një marrëveshje e tillë se në Gjykatën Kushtetuese nuk legjitimohet ankimimi vetëm i partive, grupeve. Por edhe i çdo deputeti individual, shoqate apo qytetari, për sa kohë është fjala për të drejtat e njeriut e barazinë, pra, ligjit (Dekrimi në fakt është një lloj kufizimi i tyre). Pra, deal-i i supozuar PD-PS nuk bënte fajde, sepse dikush tjetër me mendjen e tij, ose me porosi të fshehtë nga partitë (në fakt nga PS që i rezistoi sa mund Dekrimit) mund të ankimonte ligjin.

Pastaj vinte edhe argumenti madhor: Ligji i Dekriminalizmit mund të rezultonte fare kollaj jokushtetues. Për këtë arsye, Kuvendi amendoi Kushtetutën sipas këtij ligji para se të miratonte vetë ligjin. (Amendamentet kushtetuese nr. 137/ 2015 për ata që duan detaje).

E megjithatë, këto argumente që mund të duken asgjësues, po të perifrazojmë Leninin, nuk impresiononin dashnorët e tezës së deal-it të fshehtë Rama-Basha që kur i takoja sërish mbas pak javësh e përsërisnin pa teklif tezën e tyre, a thua se nuk u kishte kapur veshi argumentet kundër. Deri sa kjo tezë, gjithsesi pa brizancë politike, u shua e u harrua.

E VËRTETA TË BËN TË LIRË

Unë nuk besoj te dominanca apriori e atyre që Noli i përshkruan si grupi i aftë “që të shesë rërën për farë”. Interesi politik apo përtacia mendore mund të përhapin gënjeshtra e sendërgji. Por konfrontimi e demaskimi i tyre është i mundshëm, i nevojshëm, madje i domosdoshëm. Po u lanë të gjallojnë e shumohen rrenat publike, i hapet rruga edhe zaptimit të mendjeve. Dhe pa mendje të lira nuk ka liri e demokraci për njerëzit. Kura mbetet gjithmonë e vërteta e bazuar në fakte dhe e prezantuar me arsye. Sepse e vërteta, siç dëshmon edhe Bibla, të bën të lirë.

Genc Pollo
Ish ministër e deputet

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular