BallinaKryesoreShteti modern shqiptar sipas konceptit të Branko Merxhanit

Shteti modern shqiptar sipas konceptit të Branko Merxhanit

spot_img
spot_img
Nga Ndriçim Kulla
Shteti, për neo-shqiptarët, është një nga elementet themelore të sistemit të tyre, por edhe në këtë nocion ata paraqiten goxha origjinalë, duke e konsideruar atë si burimin e pavarësisë kombëtare dhe qytetërimit shqiptar. Të gjitha këto mveshje që i bënin zhvillimit të këtij nocioni, përtej se përparimtare, mund të thuhet se arritën deri në caqet e krijimit të një shkence të vërtetë të shtetformimit shqiptar. Po përse vallë mund të shprehemi kështu? Ata bazoheshin te sociologjia, dhe kjo e fundit jep një përkufizim krejt të veçantë dhe të pavarur mbi shtetin. Sipas këtij përkufizimi, shteti përbën përmbledhjen e personalitetit moral, shkencor, artistik, fetar dhe juridik të një turme njerëzore. Individi nuk është veçse një krijesë me instinkt. Dhe vetëm shtrëngimi dhe violenca e ndërgjegjes shoqërore këtë krijesë e transformon në një personalitet shoqëror. Për këtë arsye shoqëria e zotëron dhe e udhëheq kurdoherë individin. Siç thotë pastaj edhe sociologu frëng Durkheim, individi nuk ekziston në realitet. Në realitet ekziston vetëm “Shoqëria, të drejtë s’ka, ka vetëm detyrë”. Në parim individi është një send ashoqëror, kurse në parim shoqëria është një send shoqëror. Ja ndryshimi themelor, që ekziston esencialisht midis shoqërisë dhe individit. Ky ndryshim përbën edhe bazën shkencore të idesë mbi shtetin ose më mirë mbi shtetizmën, nga e cila rrjedh edhe neo-shqiptarizma si teori dhe si veprim. Për neo-shqiptarët shtet do të thotë vullnet i shoqërisë. Prandaj si teori dhe ide ajo nuk interesohet fare për bisedimet mbi formën e shtetit. Çdo regjim, çdo pushtet shtetëror është i nderuar ndaj ligjit gjersa paraqit fuqi dhe grusht për të ushtruar vullnetin e vet mbi dispozitat egoiste të individit. I vetmi pretendim i neo-shqiptarizmës nga pushteti shtetëror është që të frymëzohet kurdoherë nga një “ideal”. “Neo-Shqiptarizma është anëtare dhe shtylla e regjimit monarkik, sepse në Shqipërinë e sotme Monarkija është e vetmja formë shtetërore e cila tregoi me fakte fuqinë, vullnetin dhe vendimin për të ushtëruar forcën e saj mbi tendencat anti-shoqërore të jetës së sotme shqiptare dhe të mbjellë brënda në shpirtin egoist të popullit t’onë ndjenjën e Shenjtërisë, e Dashurisë, e Devocionit për idealismën shqiptare”, – do të shprehej Merxhani në kohën e tij.
Pranë kësaj pikëpamjeje sociologjike, ata vendosnin edhe pikëpamjen e psikologjisë dhe para së gjithash pikëpamjen e psikologjisë së turmave. Sipas kësaj pikëpamjeje, individi, si një vlerë psikologjike, nuk pushon kurrë së qeni armik i shoqërisë dhe kësisoj armik i “institutit përfaqësimtar” të saj më të madh, domethënë armik i shtetit. Përkundrejt kësaj tendence dhe dispozite individualistike të njeriut, e vetmja fuqi, i vetmi institut, që mbaron dhe mban shoqërinë, qytetërimin dhe siguron përparimin dhe mirërrojtjen e ardhshme të njerëzimit, është vetëm shteti. Pra shteti, është burimi edhe i kulturës, edhe i qytetërimit. Përtej kësaj formule, goxha të thellë e të përparuar për kohën, ata i caktonin qenies shtetërore, shtetit edhe një cilësor krejt të veçantë. “Shtet. Ja një fjalë e shkurtër, e cila symbolizon gjithë kuptimin e independencës kombëtare të vërtetë. Shtet do të thotë shoqëri e organizuar. Po është një veprë arti e një pune njerëzore shumë e gjatë. Do punojmë shumë vjet. Do të mundohemi për shumë breza. Do dërmojmë shumë armiq. Do të çdukim influencën e shumë të metave antishoqërore dhe trashëgimore. Vetëm pas një lufte guximtare, vetëm pas një periode të tërë heroismi spiritual, do vijë dita e bukur në të cilën do të ndritij edhé në horizontin e Atdheut tonë Dielli i Qytetërimit: Shteti.”
Një vepër arti, një luftë shpirtërore heroike, një diell i qytetërimit, ja në ç’dimension e në çfarë rrafshesh ndërdisiplinore ata ngjiten me këtë formulim. Po ç’lloj atributesh të tjera duhet të kishte ky mekanizëm, në mënyrë që në përfytyrimin neo-shqiptar të arrinte të kthehej në këtë “diell të qytetërimit”, që ata i jepnin si destinacion? Së pari, të ndahej shteti nga pushteti, një parim ky që s’ka arritur dot të jetë vendimtar dhe mbizotërues as edhe në shoqërinë e sotme. Shtetin dhe qeverinë qytetërimi evropian i ka të ndara. Atje qeveri nuk do të thotë shtet. Shteti është emri i dytë i popullit. Shtet do të thotë komb-nacion. Kur këto të dyja kuptime trazohen, kur shteti zhduket nën formën e qeverisë dhe qeveria e poshtëron kuptimin e shtetit, atëherë si përfundim natyral i kësaj anarkie shoqërore dhe mendore, lind autoritarizmi. Ja, një vulë të tillë ka pasur edhe periudha e tranzicionit tonë post-komunist, vulën e autoritarizmit që pati parashikuar teorikisht Merxhani. Për këtë arsye, një nga shkaqet më të thella të krizës së kësaj periudhe, ka qenë mosshquarja e këtyre dy njohjeve sociologjike. Organizimi ynë politik e ruajti pothuajse vazhdimisht karakterin e vet gjenetik fillestar, pa mundur të zhvillohet e të përsoset, duke e humbur pak nga pak qendrën e mbështetjes së tij në sheshe më shoqërore, pa mundur të marrë jetë të re e dritë të re të drejtpërdrejtë nga burimet e thjeshta të ndërgjegjes kombëtare. Kështu, pushteti, në vend që të shpalosej në të gjitha fashat e jetës popullore, të afrohej më shumë me to, mbeti i rrethuar nga ngushtësia nisëse e origjinës gjenetike, i krijoi vetes një gjendje të koklavitur, një udhë të verbër tragjike, dhe dita-ditës e kufizoi më tepër çdo gjë të gjallë, të drejtpërdrejtë, të sinqertë, të vërtetë. Oportuniteti e shpërnguli nevojën e brendshme. Nën të tilla kushte nuk ishte e mundur që shteti dhe pushteti t’i afroheshin idealit të madh të shtetizmit të viteve të demokracisë. Është ky një koncept aq i lartë, sa trashëgimia merxhaniane sot mund ta konsideronte atë si teoricienin më të madh të shtetizmit shqiptar.
Një këndvështrim po kaq përparimtar do t’i jepte ai edhe rolit të shtetit dhe trajtimit të tij në raport me kombformimin dhe organizimin shoqëror në rrjedhën historike. Sipas Merxhanit, u bëmë shtet para se të mbërrinim të plotësonim formimin tonë si Shoqëri. Ky është shkaku që shteti ynë ka një shfaqje njëanëse paradoksale, dhe ky është kuptim i “Neo-s” që ai i dha terminologjisë së doktrinës së tij në shprehjen shkencore “Neo-Shqiptarisma”. Në brendësi të formulave të kësaj ideologjie kuptojmë menjëherë se gjendemi në altarin e kulturës dhe jo në skenën e politikës. “Deri në ç’pikë mundet të stabilizohet një marrëdhënje midis këtyre dy kuptimevet?, – pyeste atëherë mendimtari shqiptar dhe përgjigjej. – Kjo është një çështje tjetër. Ësht çështja e s’ardhëshmes dhe jo çështje e ditës së sotëshme, e cila mbushet po thua kryekëput nga nevoja e formimit politik, detyra e parë e të cilit ësht të krijojë një takim të sinqertë dhe reciprok midis Shtetit dhe Shoqëris dhe pushon t’interesohet për shvillimin e një pike afrimi midis kulturës dhe politikës”.
Gjetja e mënyrave dhe mekanizmave të përsosura për arritjen e këtij bashkëpunimi, mbetet detyra më e vështirë dhe misioni më vendimtar i ideologjisë së sotme, por formulimi i saj socio-filozofik mund të gjejë mjaft mbështetje te doktrina merxhaniane. E kjo sepse, së pari, shteti është vepra e njerëzve të veprimit, kurse së dyti, Shoqërija = kultura, është vepra e njerëzve të mendimit. Dhe pikërisht rreth kësaj del pyetja e madhe: Pa ndihmën dhe bashkëpunimin e njerëzvet të mendimit, a janë vallë në gjendje njerëzit e veprimit vetë të ngrehin jetën kombtare mbi themele të shëndosha? Jo! Duhet të gjendet mënyra për një bashkëpunim të lirë dhe për një zhvillim të papenguar midis këtyre dy funksioneve që të kryqëzohen përfundimet e të dy lëvizjeve në një njësi praktike dhe të gjallë, nga e cila do të mund të fillojmë të ecim drejt formës së re shoqërore të jetës sonë kombëtare, d.m.th. do të ecim drejt ndryshimit përfundimtar shoqëror. Vetëqenia njerëzore brenda në tërësinë shoqërore nis që nga çasti që mundemi të identifikojmë Realitetin me Propabilitetin. Qenia jonë individuale zvarritet dhe formohet nga ngjarjet e përbotshme të kohës dhe ndriçohet për hir të mundësisë, gjersa të piqen kushtet që ajo të marrë pjesë dhe të ndihmojë brenda në një gjendje. Domethënë, qëndrojmë në mes të qeverisjes qenësore të rregullit kolektiv dhe të një zgjidhjeje të dhënë, që mbështetet mbi forcën. E para përfaqëson shoqërinë, e dyta përfaqëson shtetin. Qëllimin e rregullit qenësor të shoqërisë e shërben njeriu me anën e punës së tij, e cila siguron vetë jetën e tij. Të gjitha planet logjike, programet dhe projektligjet kanë për qëllim përmirësimin e këtij rregulli, perfeksionimin e funksioneve të tij të ndryshme, ndalimin dhe kapërcimin e tronditjeve, zotërimin e drejtësisë, të ligjeve dhe të paqes. Jo shteti si shtet, po ndjenja shoqërore shtetërore është fuqia tundëse e çdo veprimi qenësor njerëzor. Këtu është pika në të cilën bashkohen fenomenet historike me fenomenet shoqërore. Një shkencë e tërë si sociologjia, mbështetet mbi këtë ligj. As shoqëri s’mund të ketë pa histori, po as edhe histori s’mund të ketë pa shoqëri. Elementi krejt individual në shpirtin e njeriut merr karakter historik vetëm nëse del përpara me formë shoqërore. Jashtë shoqërisë s’ka histori. Pra, vetëm brenda në një vend abstrakt mund të konsiderohet gjendja mendore, si e shtetit ashtu dhe e shoqërisë, si një gjendje e përgjithshme e kohës; por si një gjendje e vërtetë ajo shfaqet vetëm brenda në qarkun e problemeve e të nevojave të një shteti të caktuar historikisht. Pavarësisht se ky arsyetim është gati-gati një formulim i ri socio-historik mbi shtetin, përsëri kulmin e vet, në vazhdën e analizës midis raportit të shtetit dhe shoqërisë, Merxhani e arriti në kategorizimin e njeriut-qytetar. Vullneti i Shtetit është vullneti i njeriut për fatin e vet, që buron drejtpërdrejt nga vazhdimësia e brezave. Tërësia shoqërore, si një qark i ndërgjegjshëm aktiviteti, s’mund të kuptohet pa një bazë historike, e cila njeh si kombëtare vetëm ç’është e vërtetë. “Sado që jemi djem të kohës s’onë, si qënie mendore, s’mundet veçse të sjellim brënda nesh disa trashëgime të caktuara, ose dhe disa gërmadha skeptikisme, po në gradë më të madhe e më të fortë nga sentimentalisma e stërgjyshërvet t’onë, në një kohë që jemi dhe rrojmë si qënie që vazhdojnë një gjë të përparëshme. Shteti, i marrë si një njohje konkrete, është funksioni i trurit shoqëror të një cilësie të caktuar njerëzish. Po gjer sa në vëndin qëndror të qënies shtetërore, gjëndet si fuqi lëvizëse kryesore, vulneti i ndërgjegjëshmë dhe mëndja e ndritur, Njeriu dhe Arti, ahere lodra e së Arthmes shpëton nga zotërimi i egër dhe i verbër i ligjavet të natyrës. E arthmja e Shtetit modern në kundërshtim me të Shtetit primitiv, varet vetëm nga një veprim politik dhe edukator i paprerë e sistematik i njeriut-qytetar”. Ky është kategorizimi antropologjik më kulmor i gjithë llojeve të antropologjizimeve që përmban doktrina neo-shqiptare, e që mund t’ia lërë në trashëgim me plot të drejtë kohës sonë, si detyrën e vet më parësore: krijimin e njeriut-qytetar. Po kaq proverbial është edhe konkretizimi në jetën shoqërore dhe intelektuale që ai i bën nocionit të këtij njeriu-qytetar, për ta formësuar kështu karakterialisht në termin e bashkatdhetarit, të ashtuquajtur, merxhanian. Shpirti i punës dhe shpirti i bashkëpunimit, ja, me dy fjalë, gjithë programi i organizimit moral të këtij shqiptari të ri. Emocioni i punës, si edhe emocioni i bashkëpunimit, duhet të bëhen fuqitë vepronjëse kryesore të epokës sonë. Duhet, pas kësaj, të luftohen pasionet egoiste, tendencat individuale dhe një kuptim i ri i punës duhet të përhapet e të zhvillohet njëherë e më parë, i bazuar te durimi dhe sistematiciteti.
Brezi i ri shqiptar ka për detyrë të krijojë një Shqipëri të re. Ky vend i ri nuk do të ngjajë, nga asnjë pikëpamje, me vendin e prindërve tanë, vendi i shkatërruar nga përbrenda, vendi i njerëzve të shpërndarë në vullnete, vendi ku gjithë elementet shoqërore rrojnë të veçuara nga njëra-tjetra dhe të tërhequra brenda qarqeve të ngushta familjare dhe fisnore. Ky është misioni i punës për rilindjen e epokës së re që kemi përpara nesh. Është një punë e përbashkët, një punë kolektive. Kolektive, me kuptimin më të gjerë të fjalës. Punë e përbashkët, kolektive nuk do të thotë të burgosen të gjitha energjitë e disa njerëzve të vetmuar në kënde që s’kanë asnjë afrim midis tyre, nuk do të thotë të kufizohen përpjekjet e jetës brenda në qarqet e vogla të interesave vetjake e të palidhura me interesin shoqëror… Ky kuptim i punës është një kuptim i trashëguar nga kohët e kaluara. Përfundimet e këtij kuptimi janë të dukshme; për këtë arsye ne kemi nevojë, pikë së pari, të krijojmë një ndryshim themelor në kuptimin e punës. Duhet të kuptojmë se në Atdhen e ri shqiptar, njeriu nuk është një individ i thjeshtë. Është një individ kompleks, një njeri shoqëror – një bashkatdhetar. Një njeri, që nuk duhet të mendojë vetëm veten, nuk është vetëm anëtar i familjes së tij, por është anëtar i një gjinie shumë më të madhe, i një bashkësie shumë më të gjerë dhe më të përhapur – është anëtar i shoqërisë dhe i shtetit.
“Jemi përpara të Shtetit dhe pastaj jemi të vetëhes s’onë. Vetëm gjysma e ditës është e jona. Gjysma tjatër i përket Shtetit. Bashkëatdhetari që rron i mënjanuar në këndin e vet dhe i kufizuar mbrënda qarkut t’interesavet të tija vehtjake, ose, fundi i fundit, të familjes së tij dhe që nuk çfaq asnjë dëshirë për një bashkëpunim shoqror, ësht typi i njeriut shqiptar t’epokavet prehistorike. Ky typ duhet të çduket nga mesi. Dhe duhet të luftohet rreptësisht. Në Shqipërinë e re vendin e njeriut të thjeshtë, që nuk ka asnjë interesim për punërat e përgjithëshme kombtare, duhet t’a marrë Bashkëatdhetari, që ndjenë se rron mbrënda në një .Tërësi shoqërore me qëllime dhe me ideale të përbashkëta nacjonaliste. Duhet të krijohet një typ njeriu shqiptar, që rron gjallërisht mbrënda në jetën shoqërore të Shqipris dhe që merr përsipër edhe një punë shoqërore. Një Bashkëatdhetar, me kuptim modern, njeriu shoqëror, që shpenzoi një pjesë të ditës së vet duke punuar për të tjerët dhe bashkë me të tjerët… Jemi një tok njerzish të shpërndarë e të vetmuar që s’dijnë ç’të bëjnë jashtë orëve të shkollës ose të zyrës. Kalojmë orët t’ona të pushimit nëpër kafenetë duke pirë duhan dhe duke u përrallosur për punërat akademike, që s’kanë asnjë lidhje me jetën e vendit: jemi Shqiptarë, që nuk rrojmë në Shqipri!”.
Ky është parashikimi më tragjik e njëherësh më profetik i përkufizimit merxhanian të njeriut-qytetar, i cili buçet fort në veshët e gjithë shqiptarëve të sotëm, për t’i zgjuar dhe burrëruar në luftën e krijimit të bashkatdhetarëve që rrojnë në Shqipëri dhe për Shqipërinë, ashtu siç e pati menduar dikur mendimtari ynë i madh. Nga kjo krijesë, nga ky formim duhet të konturohet i gjithë horizonti i asaj bote ndryshe të shqiptarëve që ne synojmë të projektojmë për të ardhmen. Ky është misioni dhe destinacioni i çdo ideologjie jo teorike, jo utopike, por thellësisht realiste e praktike, dhe për më tepër gjithëvepronjëse në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Këtë duhet të debatojnë e të studiojnë të gjithë intelektualët tanë që duan të mblidhen rreth një tryeze mendore. Ndryshe s’do ta përfundojmë kurrë periudhën e stërzgjatur të tranzicionit tonë shtetëror, shoqëror, politik, e për më tepër mendor.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular