Vdes “Zhos Profesionisti” /Jean-Paul Belmondo ndërron jetë…këtë herë me të vërtetë

0

Jean-Paul Belmondo, aktori francez që fitoi famën ndërkombëtarisht me filmin “Breathless”, të regjisorit Jean-Luc Godard, ndërsa për publikun shqiptar mbahet mend për rolin e tij në filmin “Profesionisti” ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare

Lajmi është dhënë për AFP-në nga avokati i aktorit francez. Belmondo, që nga francezët thirrej Bebel ishte një prej yjeve më të mëdhenj të kinemasë franceze në vitet ’60-’70, që me portretin e ashpër dhe asimetrik shihej si kontrast i rivalit-bashkëpunëtor, Alain Delon.

Ashtu si Delon, Belmondo ishte protagonist në gjeneratës që ngriti në nivelet më të larta globale kinematografinë europiane.

I lindur në vitin 1933 në një lagje të pasurish të Parisit, si djali i skulptorit Paul Belmondo, Jean ndoqi arsimin në një seri shkollash e institucionesh elitare, por asnjëherë nuk shkëlqeu në to. Ishte më shumë i interesuar për sportin, sidomos boksin ku si adoleshent nisi një karrierë amatoreske në këtë sport.

Tuberkulozi e detyroi që të hiqte dorë nga kjo karrierë dhe të shfaqte më shumë interes për aktrimin. Në vitin 1952 aplikoi dhe ndoqi studimet në Akademinë e Arteve Dramatike.

Pas diplomimit karrierën e nisi në teatër, ndërsa ekranin e nisi me hapa të vegjël me role dytësore, kur u pa nga regjisori Godard. Ky i fundit nuhati talentin e tij, duke i dhënë udhë një bashkëpunimi disavjeçar, që do t’i ngjiste në majat e sukseseve që të dy.

Publiku shqiptar e mban mend për rolin e tij në filmin “Profesionisti”, prodhim i vitit 1981 i regjisorit Georges Lautner. Filmi i zhanrit aksion thriller bëri bashkë edhe disa emra të tjerë, si Enio Morricone, që kompozoi kolonën e famshme zanore “Chi Mai”.

“Profesionisti” luhet rreth një agjenti të shërbimeve sekret franceze, Josselin (Zhos) Beaumont (Jean-Paul Belmondo) që gjatë një misioni për të vrarë një udhëheqës afrikan me emrin Njala tradhtohet nga politika dhe eprorët e tij. Pas shumë vuajtjesh nëpër gjykata e burgje, “Profesionisti” arrin që të arratiset dhe të eleminojë disa prej eprorëve të tij, ndërsa kërkon që ta përfundojë misionin e vrasjes së udhëheqësit afrikan, por pak para se ta kryejë këtë mision, vritet nga agjentët sekretë francezë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.