BallinaTe tjera“Ke dashur të shthurësh rininë!”, zbardhet dokumenti si komunistët e Kamzës i...

“Ke dashur të shthurësh rininë!”, zbardhet dokumenti si komunistët e Kamzës i bënë gjyq publik Fadil Paçramit

Kanë qenë plot 1500 punonjës të Kamzës, që në 10 korrik të vitit 1973 janë thirrur nga Partia për t’i bërë gjyqin politik deputetit të zonës së tyre, Fadil Paçrami

I shkarkuar tashmë nga të gjitha funksionet e larta shtetërore e partiake, Paçrami ishte “ftuar” në tubimin popullor jo thjesht për të revokuar mandatin e deputetit që e mbante prej dekadash, por më së shumti për të dhënë llogari pse kishte devijuar nga vija e partisë dhe i ishte bashkuar armikut të klasës.

Në dokumentin që Gazeta Panorama.al zbardh, bie në sy një rrebesh i tërë pyetjesh sikur nuk kishin përballë deputetin e tyre, por me një kriminel që kishte bërë veç të zeza për zonën e tij elektorale.

Tubimi ka zgjatur plotë tri orë për t’u mbyllur me thirrjet histerike “Poshtë tradhtari!”, “Poshtë bukëshkalët!” e të tjera. Më poshtë publikojmë të plotë dokumentin që mban datën 10 korrik 1973. Është një raport që ia adreson Komitetit Qendror sekretari i parë i Komitetit të Partisë Tiranë, Manush Myftiu.

 

 

Dokumenti1 Pacrami Mandati Deputetit11

Dokumenti

Komitetit qendror të P.P.SH.

Tiranë

Bashkangjitur ju dërgojmë informacionin mbi zhvillimin e mbledhjes së punonjësve të Kamzës, ku u diskutua dhe iu kërkua llogari Fadil Paçramit për pikëpamjet dhe veprimtarinë e tij revizioniste, antiparti e armiqësore dhe ku ai u revokua si deputet.

SEKRETARI I PARË I K.P. TIRANËS

(Manush Myftiu)

I N F O R M A C I O N

Punonjësit e N. B. “Ylli i Kuq” u njohën me përmbajtjen e raportit të shokut Enver Hoxha mbajtur në Plenumin e 4-të të K. Q. të P.P.SH., si dhe me vendimet shumë të rëndësishme të këtij Plenumi. Ata diskutuan në mënyrë të veçantë dhe dënuan ashpër pikëpamjet dhe veprimtarinë antiparti të Fadil Paçramit e Todi Lubonjës. Me qenë se Fadil Paçrami ka qenë zgjedhur deputet në zonën e tyre elektorale, ata vendosën unanimisht që ta revokojnë dhe vendimin e tyre ia njoftuan Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Mendimi i të gjithë zgjedhësve ishte se Fadil Paçrami nuk meriton më besimin e tyre; sepse ai është një revizionist, armik, që ka punuar e luftuar kundër vijës së partisë e udhëheqjes së saj, kundër interesave të popullit, socializmit e revolucionit në Shqipëri. Gjithashtu, ata kërkuan me insistim që Fadil Paçrami të vinte në Kamzë e të jepte llogari përpara tyre për qëllimet dhe veprimtarinë e tij armiqësore, për dëmin që u ka shkaktuar interesave të partisë dhe të popullit.

Mbledhja u la të zhvillohet më 9 korrik 1973, por u anulua për shkak se Fadil Paçrami njoftoi se ish i sëmurë. Megjithëkëtë, ai erdhi në Kamzë një orë para kohës së caktuar. Kur mësoi që mbledhja ish anuluar, kërkoi të grumbulloheshin punonjësit që ishin aty pranë në sektorin e Qendrës. Kjo gjë nuk u pranua nga ana jonë dhe vendosëm që mbledhja të bëhej të nesërmen, më datë 10 korrik 1973.

Ndërkaq, komunistë në Kamzë u njohën edhe me fjalën e mbylljes të shokut Enver në Plenumin IV të K.Q. të Partisë. Në mbledhjen e organizuar morën pjesë mbi 1500 punonjës. Kishte nga ata që, megjithëse u kërkua të mos vinin në këtë mbledhje sepse do të vazhdonin ujitjen ose punët në blegtori e tjerë, nuk pranonin dhe kërkonin me insistim të merrnin pjesë duke thënë: duam t’u tregojmë vendin revizionistëve, tradhtarëve, atyre që duan që të na minojnë nga brenda etj.

Në mbledhje morën pjesë punonjësit e Ndërmarrjes Bujqësore Kamzë si dhe disa kuadro e studentë të Institutit të Lartë Shtetëror të Bujqësisë, zgjedhës të zonës Nr. 237, ku ish deputet Fadil Paçrami. Në sallën e kinemasë merrnin pjesë mbi 700 vetë, ndërsa të tjerët dëgjonin me altoparlantë rreth pallatit të kulturës.

Një orë para se të fillonte mbledhja, në sallë nuk kishte vend të qëndroje në këmbë. Ajo filloi në orën 18:00 dhe mbaroi në 21:15. Fadil Paçrami u prit nga kryetari i kryesisë së Frontit të Ndërmarrjes dhe para fillimit të mbledhjes u ul në rreshtin e parë të sallës. Në ardhjen e paraqitjen e tij të gjithë vunë re mendjemadhësinë, fudullëkun, sikur me atë nuk kish ndodhur gjë, ai mendonte se ishte fjala vetëm për të hequr thjesht mandatin dhe të kalonte radhën.

Mbasi zuri vend presidiumi, mbledhjen e hapi kryetari i frontit, shoku Rapo Nurçellari. Ky njoftoi kolektivin që sipas kërkesës aonë, Fadil Paçrami u soll për të dhënë llogari për fajet e tij të rënda përpara partisë dhe popullit.

Qysh në fillim iu dha fjala Fadil Paçramit, i cili tha

“Unë kam bërë gabime dhe faje dhe më vjen keq që nuk realizova besimin që më dhatë. Partia më vuri në dukje të gjitha gabimet që unë kisha, si shfaqje të mendjemadhësisë, të liberalizmit dhe me të drejtë Partia më hoqi si anëtar të Komitetit Qendror, bile më përjashtoi fare nga radhët e saj. Në këto kushte, ju keni të drejtë të më hiqni si deputet, si kryetar i Kuvendit Popullor, sepse unë nuk meritova besimin tuaj dhe të partisë.

Unë humba të kaluarën time, të tashmen dhe të ardhshmen time, por do të pyes ndonjëri pse jetoj unë tani, çfarë qëllimi i kam vënë vetes? Unë do të punoj si qytetar i thjeshtë sepse mua nuk më beson më njeri”.

Në këtë kohë ndërpremë Fadil Paçramin duke i thënë: Kolektivi përpara pak ditësh ka kërkuar të revokojë mandatin tënd si deputet. Ti asnjëherë dhe asgjëkund nuk ke bërë autokritikë. Tani ne nuk presim qëndrim tjetër. Jeni këtu jo për t’u justifikuar, por për të dhënë llogari përpara zgjedhësve, pse keni rënë në batakun e revizionizmit, pse keni tradhtuar idealet e shenjta të partisë etj.

Ai i revoltuar tha: “Unë nuk kam tradhtuar, këtë epitet nuk ma ka thënë njeri, këto gjëra kam thënë në ndërmarrjen time, këto i kam thënë në Komitetin Qendror, këto do të them edhe sot. Unë kam humbur jetën dhe veprimtarinë time dhe po mendohem çdo ditë se ku më çoj kjo rrugë, duke i vënë vetes për detyrë të punoj sipas porosisë së partisë”.

Në këtë kohë u ngrit e tërë salla duke i thënë: Ti je tradhtar, ti je kundërrevolucionar, ti je revizionist, prandaj do të na përgjigjesh mirë dhe hapur pa demagogji pyetjeve që do të bëjmë për veprimtarinë tënde armiqësore. Punonjësit i bënë atij mbi 35 pyetje nga më të ndryshmet si:
Në qoftë se do të triumfonte vija juaj liberale, çfarë kishit ndërmend të sillnit në Shqipëri?
Pse ju nuk keni ndjekur e zbatuar vijën e partisë, direktivat e saj, kur ato ishin të qarta për të gjithë ne?
Pse keni dashur degjenerimin e rinisë, me shfaqjet e modës, shthurjeve, indisiplinimeve në shkolla etj.?

Pse ti u përpoqe duke shfrytëzuar luftën kundër konservatorizmit t’i linje shteg përhapjes së liberalizmit në vendin tonë?
Pse ke dashur të likuidoje partinë dhe udhëheqjen e sajë?
Cilat ishin qëllimet tuaja kur thoshit “të mos merremi me kontradiktat tona me armiqtë, por vetëm me kontradiktat midis nesh”?
Cila ishte veprimtaria e juaj kundër konservatorizmit që e përmendni shpesh?
Pse keni dashur të reviziononi ideologjinë e partisë sonë?
Pse keni mohuar rolin udhëheqës të organizatave të partisë veçanërisht në organizatat e institucioneve kulturale e artistike?

Cili ishte qëllimi juaj, kur urdhëruat të hiqet ora politike në Institutin Bujqësor ose të mos kishte pedagog që të merreshin e të ndihmonin organizatat e rinisë? Pse për ju krijimtari është vetëm ajo e pas viteve 1960?

Pse keni rënë në batakun e revizionizmit etj., etj.

Këtyre pyetjeve e të tjera, Fadil Paçrami nuk iu përgjigj, rrëshqiste vazhdimisht me gjithë ndërhyrjet nga salla. Përsëriste shpesh “që kam 30 e ca vjet anëtar partie, kam luftuar kundër revizionizmit dhe për këtë në kohën e Koçi Xoxes jam përjashtuar edhe nga partia, nuk kam tradhtuar njeri, nuk jam kundërrevolucionar, kam bërë gabim që luftova vetëm në një krah” etj.

Në këtë kohë, e gjithë salla, e indinjuar nga qëndrimi i tij, kërkoi të mos e dëgjonin dhe ta ulnin në vend. Diskutimet e punonjësve ishin të shumta. Nuk kërkonin leje për të diskutuar, siç ndodh zakonisht. Çoheshin vetë, renditeshin njëri pas tjetrit në tribunë e kush të diskutonte më parë. Të gjithë dënuan me vendosmëri pikëpamjet e qëndrimet e Fadil Paçramit, qëllimet dhe veprimet e tij antiparti.

Ata shpjeguan e argumentuan përmbajtjen ideologjike e politike të veprimtarisë së tij. Duke mos luftuar në të dy krahët, thanë punonjësit, ai dëshironte që tek ne të penetronte ideologjia borgjeze e revizioniste, të degjenerohej jeta në vendin tonë, veçanërisht rinia, arti dhe kultura, donte të likuidonte rolin udhëheqës të organizatave bazë të partisë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular