BallinaKryesoreSuperliga europiane fiton betejën e parë ligjore me UEFA-n / Gjykata ultimatum...

Superliga europiane fiton betejën e parë ligjore me UEFA-n / Gjykata ultimatum Ceferinit: Hiq sanksionet, ose arrestohesh

Një gjykatë spanjolle i ka dhënë pesë ditë kohë Presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin që të heqë të gjitha sanksionet e vendosura ndaj klubeve themeluese të Superligës, në të kundërt mund të përballet me ndjekje penale për mosbindje të vendimit të gjykatës.

Vendimi është marrë nga gjyqtari madrilen, Manuel Ruiz de Lara, që shqyrtoi padinë e ngritur nga Real, Barcelona dhe Juventus ndaj Presidentit të UEFA-s dhe vetë organizatës së futbollit europian.

Në rast se UEFA nuk respekton urdhrin e gjykatës, nuk përjashtohet, sipas burimeve ligjore të konsultuara nga gazeta “As”, që magjistrati të lëshojë një urdhër arresti ndaj Ceferin për shpërfillje të vendimeve të gjykatës

Në bazë të ligjeve të BE-së, një urdhër i tillë ka juridiksion në të gjithë territorin e BE-së dhe vendeve të tjera që kanë marrëveshje gjyqësore me Europën. Të njëjtat burime, megjithatë, saktësojnë se UEFA dhe presidenti i saj, mund të pretendojnë se kanë hequr sanksionet e hapura kundër Real Madridit, Barcelonës dhe Juventusit për të mbetur në Superligë dhe dëshmia më e mirë për këtë është se të tre klubet po konkurrojnë në Ligën e Kampionëve pavarësisht nga fakti se Ceferin kërcënoi se do t’i dëbonte.

Por, në këtë drejtim, magjistrati thekson në urdhrin e tij se “për të respektuar masat paraprake të marra, një njoftim i vetëm i pezullimit nuk është i mjaftueshëm, por ai duhet të anulohet.

Në vlerësimin e gjykatës, mbajtja e procedurave disiplinore, edhe në një situatë pezullimi të përkohshëm, shfaq në vetvete efektet e praktikave antikonkurruese, e që dëmtojnë rregullat e tregut të lirë.

Gjykata thotë se “UEFA nuk e ka provuar në asnjë mënyrë që ka anuluar procedurat disiplinore të hapura për tre klubet” dhe për këtë arsye e paralajmëron seriozisht se po bëhet pengesë në zbatimin e parimit të tregut të lirë.

UEFA nisi një hetim disiplinor ndaj Juventusit, Barcelonës dhe Realit për mosbindjen e tyre duke mos u tërhequr nga projekti i Superligës europiane. Vetë presidenti i saj, Ceferin pati deklaruar se klubet rrezikonin përjashtimin nga Champions në sezonin e ardhshëm dhe gjoba të majme.

Projekti i Superligës u firmos në total nga 12 klubet më të mëdha europiane. Gjashtë prej tyre ishin angleze, tre italiane dhe tre spanjolle. Ekipet firmëtare angleze ishin Arsenal, Chelsea, Liverpool, Manchester United, Manchester City dhe Tottenham. Në Spanjë firmosën Real, Barcelona dhe Atletico, ndërsa në Itali, Juventusi, Milani dhe Interi. Të gjitha ekipet u tërhoqën pas kërcënimeve të UEFA-s, me përjashtim të Juventusit, Realit dhe Barcelonës.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular