BallinaOP EDBasha kishte vetëm një zgjidhje, Berisha jo

Basha kishte vetëm një zgjidhje, Berisha jo

Nga Gentian Kaba

Vendimi i dalë nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të shpallur “non grata” Berishën, la pa tekst për një kohë të gjatë shumë njerëz, kryesisht të rreshtuarit në kampin e djathtë, midis tyre edhe autorin e këtyre radhëve. Për të gjithë ishte e qartë se vendimi do të krijonte një pështjellim të pashmangshëm. Pasojat për demokratët dhe fatet e opozitës shqiptare do të vareshin nga qëndrimet e aktorëve në një lojë më të madhe se ata, ndërsa efektet do të binin gjerësisht mbi shoqërinë shqiptare.

Përballë vendosmërisë të treguar nga amerikanët, në dukje zgjedhjet përpara çdo vendimmarrësi në pozicionin e Lulzim Bashës ishin të kufizuara në jo më shumë se tre. E para ishte e papërballueshme për askënd. Përplasje me Amerikën. Mbrojtje me çdo kusht të pozicionit të Berishës, duke bunkerizuar dhe izoluar Partinë Demokratike ndërkombëtarisht, në një sovranitet që do të përkthehej vetëm me një fjalë, “Vetmi”

Ky qëndrim do të shkonte kundër linjës së mbajtur deri në atë moment nga kampi opozitar mbi vendime të ngjashme që kishin goditur politikanë të tjerë, si Dako dhe Doshi. Ato ishin parë si dogmatike, si të vërteta të pakundërshtueshme, pa asnjë debat rreth tyre, as pasojat për ndërhyrjen në politikën e brendshme.

Sigurisht është blasfemi të krahasosh personazhet, por qëndrimi i ndryshëm përballë të njëjtit vendim të marrë nga Shtetet e Bashkuara, do të rrezikonte besueshmërinë e PD-së brenda dhe jashtë vendit. Në Parlament dhe jashtë tij, opozita ndaj Ramës dhe shtetit të kapur nga korrupsioni do të tingëllonte hipokrite, rast që sigurisht kundërshtari politik nuk do të rrinte pa e përdorur, duke e kthyer përballjen politike të këtij sezoni në një debat larg interesave të qytetarëve shqiptarë, ndërsa Partinë Demokratike në mbrojtëse të vetes, jo të interesit publik.

Sigurisht, në maratonat televizive ku gjithkush është ekspert për gjithçka, kemi dëgjuar edhe se si është përdorur kthimi në pushtet i Talebanëve pas dy dekadash me Amerikanë kundër, si model suksesi. Por kush fton PD-në në këtë dimension konfliktualiteti, nuk i do të mirën as asaj dhe as Shqipërisë.

Zgjedhja e dytë ishte gjetja e një konsensusi me Doktor Berishën për një tërheqje të vullnetshme dhe të përkohshme, sigurisht duke vijuar betejën e tij ligjore, por pa qenë pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Kjo do t’i kishte shmangur shumë kokëçarje Partisë dhe anëtarësisë. Do të kishte lehtësuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të kishte krijuar kushtet e nevojshme që në një moment të dytë, Partia Demokratike do të mund të punonte për kthimin e masës ndaj Sali Berishës. Diçka që në rrethanat aktuale është e pamundur. Por vijën e kuqe për këtë veprim e tërhoqi Berisha.

Përkundër qëndrimeve të SHBA-ve, që kërkonin një zgjidhje të qartë nga Partia Demokratike duke e kushtëzuar bashkëpunimin e ardhshëm me këtë çështje, në më shumë se një interevistë, Berisha ka deklaruar se, “një parti që nuk mbron dinjitetin njerëzor meriton të mos ekzistojë”. Natyrisht, nëse kundër Berishës do të ishte ngritur një gjyq politik në Shqipëri, pa prova, pa fakte, ardhja e PD-së në mbrojtje të tij, do të ishte e detyrueshme.

Por, përballë vendimit politik të ardhur nga SHBA, qëllimet dhe funksionet e të cilit do t’i tregojë historia, artikulimi i mosekzistencës së PD-së në raport me qëndrimin e Partisë që e ka jetik partneritetin me SHBA, tingëlloi i paarsyeshëm dhe i dëmshëm për të ardhmen e kësaj force politike. Kjo e la Partinë midis dy zjarreve, duke pleksur kësodore cështjen si një nyje Gordiane, të zgjidhshme vetëm me shpatë, që s’kishte si të mos anonte nga krahu Atlantik.

E për rrjedhojë, vijmë te zgjidhja e tretë, që është ajo përballë të cilës ndodhemi. Largimi i përkohëshëm i Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së. Me një akt të fortë, Basha vendosi ta marrë i vetëm këtë vendim dhe të marrë mbi veten përgjegjësitë që burojnë. Kritikët, si ata që e akuzonin për mosmarrjen e vendimeve, si ata që prej vitesh rrojnë me togëfjalëshin “fajin e ka Saliu”, mbajtën qëndrime përçmuese, duke refuzuar të pranojnë se detyra e një lideri është pikërisht të marrë vendime që mund të perceptohen si jo popullore, por që janë në fakt stofa nga e cila përbëhen politikanët që nuk mendojnë për mbijetesën politike, por për të ardhmen e forcës që drejtojnë dhe të vendit.

Të tjerë dredhojnë me argumenta spekulative, të ngritura mbi atë që quajnë shantazhueshmëria e Bashës përballë të huajve, madje duke përdorur naivisht argumentin e djegies së mandateve dhe 30 qershorin 2019, kur Basha i rezistoi presionit amerikan, si për të thënë që këtë herë lideri i PD-së i kishte këmbët në një këpucë jo për shkak të rrethanave, por sepse amerikanët dinë gjëra për të. Pra, shteti më i fuqishëm në botë, që ka forcën bruto dhe morale për të luajtur “Zotin” në çdo cep të rruzullit, pa u fshehur pas skemave të këtushme, përcillet në opinionin publik sikur të drejtohet nga një baba Tak, që endet korridoreve të Departamentit të Shtetit me një valixhe të zezë plot “prova”.

Në fakt, djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve janë ilustrimi më i mirë për të treguar të kundërtën. Përtej ngatërrimitt të qëllimshëm që bëjnë detraktorët e Bashës ndaj krizës së 2019-ës, ajo tregoi qartë se Basha nuk u step përpara ndërkombëtarëve dhe nuk ndaloi një aksion politik të gjithëpranuar në atë moment brenda opozitës dhe më gjerë.

Të ngritur mbi fakte dhe prova të njohura botërisht dhe të publikuara në gazetën gjermane”Bild”, të cilat tregonin se si zgjedhjet vidheshin nga pushteti në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe të kërkosh të njëjtën qëndresë, për një çështje që nuk prek gjithë Partinë Demokratike, madje që nuk përjashton Berishën as nga PD, as nga vendi që ai ka në historinë e saj, por vetëm përkohësisht nga grupi parlamentar, do të thotë të kërkosh ta fusësh opozitën në një qorrsokak,duke privuar të gjithë, Berishën të parin, nga alternativa pozitive që mund të lindnin në të ardhmen.

Disa thonë jo. Sidomos ata që me plagët e tyre të vjetra janë koaguluar rreth Berishës dhe kalërojnë emocionet e Doktorit për të kapur më në fund një copëz PD-je, thonë se Basha kishte zgjidhje të tjera, si dorëheqja apo hedhja në votë e kërkesës që vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por këto nuk janë dobi në qëllimeve të demokratëve, madje spostojnë fiktivisht origjinën e të gjithës nga SHBA-të, te Basha apo te procesi, vetëm për qëllimet e disave. Në fakt, zgjidhje të tilla i shtojnë edhe më shumë pyetjet, përgjigjet e të cilave nuk i ka askush.

Jo vetëm sepse dorëheqja e një kryetari të sapo konfirmuar me shumicë dërrmuese votash, do ta shtynte vendimmarjen te nje tjetër, po me të njëjtat pasoja, por vetë hedhja në votë e përjashtimit apo jo të Doktor Berishës nga Grupi Parlamentar, do të ndizte edhe më shumë gjakrat, edhe më shumë përçarjen, edhe më shumë pasigurinë në raport me Amerikën, duke e devijuar debatin publik me muaj, ndoshta me vite, nga opozita ndaj Ramës dhe ndërtimi i një alternative ndaj këtij pushteti të korruptuar, te dritëhijet e një opozite që lufton brenda vetes, në armiqësi të përhershme me shtetin që shqiptarët kanë parë me të drejtë si “qyteti në kodër”.

Prandaj, në këtë rrugëtim të dhimbshëm për Partinë Demokratike, me një arenë ndërkombëtare sfiduese për shtete të mëdha e jo më për një parti politike shqiptare, Basha nuk kishte zgjidhje tjetër përveç asaj që ndërmori. Ajo ishte më racionalja dhe e vetmja që mbronte interesat e demokratëve. Ndërsa Berisha, përvec asaj që ka zgjedhur, kishte një të dytë, më pak të lëndimshme për PD-në, ajo e tërheqjes së përkohëshme, në pritje të një dite më të mirë dhe të një PD-je më të fortë në arenën ndërkombëtare. Kjo me siguri do të ishte një zgjedhje e mirë, për të gjithë. Kjo do ta bënte PD-në më të fortë dhe më të bashkuar.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular