BallinaIntervistaINTERVISTA/Shemsi Prençi: Forcat tona, të papërgatitura për operacione emergjencash me rrezik të...

INTERVISTA/Shemsi Prençi: Forcat tona, të papërgatitura për operacione emergjencash me rrezik të lartë

Flet Shemsi Prençi, ish-Drejtor i Emergjencave Civile

Përmbytjet apo zjarret nuk janë ngjarje shumë të largëta për shqiptarët, ashtu si për shumë vende të tjera në botë, të cilat po përballen vazhdimisht me këto kërcënime. Rritja e intensitetit të reshjeve po bëhet shkak që vërshimet e ujit të jenë të papritura dhe të menjëhershme, duke rritur rrezikun.

Ndërkohë që “pushteti” i zjarrit u pa qartësisht këtë verë, teksa gjunjëzoi shtete të tëra. Ish-kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, shprehet se Shqipëria përveçse nuk ka një strategji për këtë aspekt dhe minimizimin e rreziqeve që vijnë nga ndryshimet klimatike, nuk zotëron as kapacitetet teknike dhe njerëzore për përballimin e situatave.

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 apo zjarret e këtij viti që u shuan vetëm pas ndërhyrjes së ndihmës nga mekanizimi europian treguan sesa e pafuqishme është Shqipëria dhe nevojën e madhe që kemi sot për parapërgatitje, mirinformim, edukim të popullatës në përballje më situata fatkeqësish dhe ndarje të qartë detyrash mes gjithë hallkave institucionale.

Sa e prekur është Shqipëria nga ndryshimet klimatike në këndvështrimin tuaj, të cilat shpesh trajtohen si një problem që nuk ekziston?

Para 7 vitesh, në Japoni, është mbajtur konferenca më e rëndësishme nga ku ka dalë një “bibël”, do ta quaja, “Kuadri Sendai”, i cili delegon kompetencat te çdo qeveri dhe pushtet vendor lidhur me zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë e natyrës. Qeveria shqiptare nuk ka denjuar të përfaqësohet, edhe pse ka pasur ftesë nga organizatorët.

Në atë kohë, unë si Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, ua kam bërë të ditur institucioneve më të larta që ky është aktiviteti më i dobishëm dhe më i denjë që Shqipëria duhet të përfaqësohet. Ka shkuar vetëm presidenti Nishani dhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

Ky kuadër është dokumenti më i rëndësishëm botëror për ndryshimet klimatike, që detyron qeveritë për investime në infrastrukturën kritike për zvogëlimin e rrezikut. Qeveria shqiptare, jo vetëm nuk e ka studiuar sa dhe si duhet këtë dokument, por nuk përmbush as detyrimet që ka me ligjin “Për mbrojtjen civile të RSH”, ku detyrohet të financojë 4% të buxhetit vjetor për ndërhyje në infrastrukturat kritike për zvogëlimin e rrezikut.

Shqipëria është vlerësuar si vendi më i rrezikuar nga disa prej llojeve të fatkeqësive, duke marrë në konsideratë disa faktorë: pozicionin gjeografik, lumenjtë e shkurtër që vërshojnë me kohë të shkurtër në Ultësirën Perëndimore, duke shkaktuar përmbytje të menjëhershme, prerja e paligjshme e pyjeve në 30 vite, shfrytëzimi barbar dhe pa kriter i shtretërve të lumenjve nga kompanitë e inerteve dhe ku qeveria s’ka vënë kurrë disiplinë për normën e shfrytëzimit.

Po kështu, cenimi i sipërfaqes së tokës nga ndërtimet pa leje, mosgarantimi i një rrjeti kullues duke nisur nga hidrovoret, te kanalet e ujërave të larta dhe të mesme, mbajtja pastër e rrjetit kullues të ujërave të larta dhe ujërave të mesme e kolektorët janë të tjera probleme.

E fundit dhe çfarë është kryesorja lidhet me kapacitetet njerëzore dhe teknike për reagimin, që qeveria nuk i ka plotësuar kurrë, qoftë për zjarret dhe përmbytjet. Forcat tona nuk janë përgatitur për operacione të tilla me rrezik të lartë. Kjo ishte dhe arsyeja pse flota shqiptare, në kulmin e zjarreve këtë verë, nuk bëri fluturime për fikjen. Vetëm helikopterët e ardhur nga mekanizmi europian për të ndihmuar Shqipërinë dhe ato të një kompanie private fluturuan në atë kohë në Shqipëri. Vendi ynë nuk është përgatitur për operacionet e fikjes së zjarrit nga ajri.

Po sa i takon përgatitjes dhe kapaciteteve njerëzore për operimin nga toka?

Edhe nga toka, për sa u përket përmbytjeve, me përjashtim të 5 ekipeve që janë trajnuar, forcat e tjera nuk dinë si të veprojnë. Kjo kuptohet qartë nga dalja e ushtrisë me këpucë dhe lopatë si në flakë dhe në ujë.

Dua të sjell në vëmendje këtu se rasti i tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe ai i zjarreve në vitin 2021 tregoi më së miri se ushtria shqiptare nuk ka asnjë pajisje, përveç lopatave dhe degëve të pemëve për emergjenca. Stërvitja e organizuar nga NATO Defender 2021 nuk la asnjë gjurmë në ushtrinë shqiptare, ndaj ne s’kemi mundësi të reagojmë në asnjë lloj forme në kuadrin e mbrojtjes civile.

Në vitin 2019 ndryshoi kuadri për mbrojtjen civile. Ku jemi sot me ristrukturimin, sipas këtij kuadri dhe reformimin e kësaj pjese?

Po në 2019-n ndryshoi ligji “Për mbrojtjen civile”, i cili krijoi Agjencinë Kombëtare për Mbrojtjen Civile. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet, ligji nuk është vënë në zbatim, sepse nuk është bërë e mundur nxjerrja e të gjitha akteve nënligjore për zbatimin e mbrojtjes civile. Agjencia nuk disponon kapacitete reaguese, por vetëm planifikuese. Rekrutimi i punonjësve është bërë mbi baza të bindjes politike dhe jo ekspertë, inxhinierë dhe njerëz të aftë për të planifikuar reagimin ndaj fatkeqësive të natyrës.

Në kohën kur drejtoja Emergjencat, i propozova qeverisë që të shihej mundësia për një strategji për mbrojtjen civile, si dokumenti kyç ku duhet të bazohet një plan masash për mbrojtjen civile në Republikën e Shqipërisë. Aty do të ishin të detajuara detyrat për çdo ministri, sipas fushave të përgjegjësisë, si dhe për çdo njësi të qeverisjes vendore.

Qeveria shqiptare nuk ka pranuar të hartohet një strategji e mbrojtjes civile edhe pas Kongresit të Tretë Botëror të Mbrojtjes Civile të Sendai në Japoni. Në fillim të gushtit 2021, grupi i ekspertëve në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ka dalë me një kod të kuq për klimën dhe parashikon që ndryshimet e saj po ecin me hapa të shpejta. Rritja e temperaturave po kalon nga 1-2 gradë Celsius.

Globi është në prag rreziku dhe çdo shtet duhet të japë kontributin e vet për ndikimin në ngrohjen globale. Qeveria shqiptare s’ka marrë asnjë masë. Nuk ka rritur numrin e vrojtuesve për të përshpejtuar ndërhyrjet në raste zjarresh që vihen në mënyrë kriminale e të qëllimshme.

Për rrjedhojë, gjatë muajve korrik-gusht çdo ditë në Shqipëri ka pasur 100 vatra zjarri dhe të paktën 20-30 kanë qenë të fuqishëm në pyje dhe zona të mbrojtura. Në këto kushte sot, më shumë se kurrë qeveria shqiptare, një herë të vetme, të caktojë dhe të vlerësojë si prioritet mbrojtjen civile të Republikës së Shqipërisë.

Çfarë masash mund të merren për të avancuar në këtë drejtim sa i takon reagimit në raste të fatkeqësish?

Së pari, duke nisur nga puna për të hartuar një strategji të mbrojtjes civile.

Së dyti, një plan kombëtar.

Së treti duhet të ketë plane operacionale për çdo lloj fatkeqësie dhe duhet të planifikojë edhe faktorët ndihmues, sepse në raste të jashtëzakonshme angazhohet edhe popullata me moshë nga 18-70 vjeç për të dhënë kontribut.

Së katërti, duhet të ngrihen struktura dhe kapacitete teknike për disa lloj fatkeqësish si tërmete, përmbytje, vërshime lumenjsh, rrëshqitje. Me urgjencë, qeveria shqiptare, Ministria e Arsimit, duhet të përgatisë kurrikula nisur nga klasa e 5 deri në universitete për edukimin në shkolla dhe popullatë për mënyrën e sjelljes ndaj fatkeqësive, si forma më efikase për zvogëlimin e rrezikut në aspektin e humbjes së jetës njerëzore.

Disa fatkeqësi kërkojë shpejtësi në reagim. Zjarri duhet fikur në embrion, sepse është më e thjeshtë. Imagjino të futet zjarr në pyllin shekullor të Llogorasë, as NATO nuk e fik dot. Qeveria duhet të njohë dokumentin e Sendait dhe të hartojë plane afatmesme dhe afatgjatë dhe të sigurohen kapacitete reagues teknike dhe njerëzore për çdo lloj fatkeqësie.

Klima po jep efekte dhe kjo duket si sa i takon përmbytjeve edhe zjarreve, dhe duhet të mendojë për vërshimet e përrenjve, ndërkohë që duhet të përgatisim shoqërinë shqiptare ndaj tërmeteve, sepse jemi në kuadër të përsëritjes së cikleve. Në këtë kontekst, buletinin ditor të IGJEO duhet ta njohë çdo ditë nga Kryeministri tek ministrat, të mbërrijë tek të gjitha hallkat.

Si e shihni lidhjen mes pushtetit qendror dhe vendor dhe reagimit të tyre të përbashkët në raste fatkeqësish?

Pika më e dobët që ne kemi sot është koordinimi operacional i pushtetit vendor me atë qendror. Shumica e bashkive nuk kanë kapacitete teknike dhe njerëzore, si për përmbytje ashtu dhe për zjarret apo vërshimet e ujit, për të mos folur për tërmetin. Këtë gjë e konstatuam sikurse thashë gjatë ngjarjes së 2019-s dhe zjarreve të këtij viti, kur qeveria nuk ishte në gjendje të dërgonte kapacitete, sepse nuk kishte. Kur nuk ka qeveria, si mund të ketë Bashkia e Finiqit për shembull, që ka veç një inspektor të mbrojtjes civile.

Duhet bashkërendim i të gjithëve, që nga faza e parapërgatitjes deri te parandalimi e reagimi ndaj fatkeqësive. Agjencia jonë e Mbrojtjes Civile ende s’ka dalë me një dokument serioz apo kod të kuq, siç e ka Organizata e Kombeve të Bashkuara mbi ngrohjen globale dhe planin e koordinimit mbi pasojat e saj.

Duhet që në punë të përfshihen të gjithë qarqet, strukturat e ministrive, të bashkive, prefekturave, policisë dhe shërbimi zjarrfikës. Nëse nuk përfshihen në një plan kombëtar për reagim ku caktohen treguesit e parë dhe mbështetësit në fatkeqësi të vogël dhe të mesme, atëherë s’mund të kemi menaxhimin e një krize apo të një fatkeqësie të caktuar.

Shpresoj që qeveria shqiptare dhe personat e ngarkuar me menaxhimin e krizës të kenë nxjerrë mësim nga tërmeti i 2019-s, përmbytjet në Shkodër në fillim të vitit 2021 dhe nga zjarret në muajt qershor, korrik, gusht 2021, me qëllim që qeveria e re “Rama 3” të vlerësojë si prioritet mbrojtën civile të Republikës së Shqipërisë, jetëve njerëzore dhe pasurisë kombëtare dhe private./MONITOR

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular