BallinaKryesoreNjë akuzë në vend të urimit

Një akuzë në vend të urimit

Pak e dinë se ku bie Pajuni i largët i njësisë Papër në Elbasan.

E pra, aty në Pajun ka një shkollë.

Brenda saj ka një kopësht fëmijësh, me një edukatore shembullore prej 10 vitesh, DANIELA SALIAJ.

Brenda atij kopështi ka 10 fëmijë të mrekullueshëm.

Ose më saktë na ishte një herë një kopësht…

Edhe Daniela edukatore nuk është më.

Ishte…, sepse nga nesër kopështi nuk ekziston më.

Arleo, Qemali, Ajsi, Jurgeni, Rajani, Kalusi, Asia, Reldi etj, ndryshe nga fëmijët e tjerë, nesër nuk do të gëzohen për fillimin e vitit shkollor.

E madje nuk do të shohin në fshat më për t’i dhënë një lule oborri, as edukatoren e tyre.

Kryetari i Bashkisë Elbasan dhe Ministrja e Arsimit nga Elbasani, falë humanizmit që i karakterizon e mbyllën kopshtin pavarësisht se drejtoria me shkresë (poshtë) kërkon ligjërisht vazhdimin e tij funksionimit të tij. Ata i hodhën fëmijët nga 3 deri në 6 vjeç në mes të katër rrugëve.

Pas kësaj fëmijët as do mund të takohen më, as do mund të lozin më bashkë, as të gëzojnë, as të mësojnë.

Sepse kështu ka vendosur Llatja i Elbasanit.

As më shumë e as më pak, ky është një akt i shëmtuar mizorie pushteti.

E gjithçka ka nga pas një arsye po kaq mizore, një hakmarrje politike krejt të ulët ndaj edukatores “demokrate”- siç e cilësojnë!

DANIELA, po është e vërtetë që ka vite e angazhuar pranë PD me ëndrrat, idealet e dëshirat e saj.

Megjithëse ka të gjitha arsimimet, kualifikimet dhe përkushtimin e duhur, ajo është larguar më përdhunë nga puna.

Megjithëse është kryefamiljare e vetme, e mbetur e ve me dy fëmijë, dhe ligji detyron institucionet që ajo të jetë domosdoshmërisht e punësuar, Kryetarit të Bashkisë dhe Ministres së Arsimit nuk ia bën as syri, as zemra tërr!

Ato janë siç i do partia.

Paturpësisht të pamëshirshëm ndaj “armiqve” politikë, qofshin këta gra apo fëmijë.

Vetëm e vetëm që të ekzekutojnë Danielën, pushkatojnë fëmijërinë e 10 fëmijëve duke i mbyllur atyre kopshtin.

Më poshtërsi të poshtër se kaq nuk mund të ketë.

E kjo dramë nuk ka ndodhur vetëm me fëmijët e Pajunit e vetëm me Danielën.

Raste të tilla ka me qindra kudo në vend.

Pas maskave të buzëqeshjeve e shtrirjes së shtirur të duarve për bashkëpunim, gjithmonë këta kanë të fshehur një kamë helmatisëse, që godet pas shpine çdo festë.

Urimet e tyre i ngjanë atyre kobeve që i ngjallin ekstazë kënaqësie përcjellësve hipokritë.

Pa urimet hipokrite e hakmarrjet e tyre primitive fëmijët e Pajunit, Elbasanit e Shqipërisë do të ishin më të qetë, më të lumtur, më mirë e me të ardhme të pa kompromentuar.

Mësuesit e edukatoret do të ndjeheshin më me dinjitet, më të vlerësuar e më të respektuar.

Urimi im sot, pa fëmijët e Pajunit dhe qindra e mijëra si ata, sado i bukur të parashtrohet nuk do ishte i vërtetë.

Prandaj më mirë sot dua TË AKUZOJ!

TË AKUZOJ rrënuesit e arsimit!

TË AKUZOJ pashpirtësinë e pushtetarëve!

TË AKUZOJ abuzivizmin e pushtetit!

TË AKUZOJ padrejtësinë e qeverisjes!

TË AKUZOJ banalitetin e banalëve!

TË AKUZOJ banditizmin e njerëzve të cilëve karrikja i duket si majë Olimpi!

Për mësuesit, edukatoret e nxënësit, përulje respekti e dashurie!

Image

© SYRI.net

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular