BallinaKulture“Saga përtej Atlantikut”/Promovohet libri i Shefqet Mekos: Reflektim mbi çështjet që përballet...

“Saga përtej Atlantikut”/Promovohet libri i Shefqet Mekos: Reflektim mbi çështjet që përballet shoqëria shqiptare

Kolegu ynë gazetari Shefqet Meko, na befasoi me romanin e tij “Saga përtej Atlantikut”. Nuk është rastësi aritja e tij deri këtu. Ai ngjiti disa shkallë për të mbritur deri te romani. Qysh student boton në faqet e shtypit të kohës.  Pas mbarimit të fakultetit, për 10 vjet  ishte kryeredaktor i gazetës “Studenti i bujqësisë”, e cila u bë zëri i studentëve të Institutit të Lartë Bujqësor, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Pas viteve ’90, fillon punë në Radio “Tirana” ka la gjurmë të pa shlyera. Me nismën e tij në vitin 1994 u krijua Shoqata e Gazetarëve Shqiparë të Bujqësisë, ku Shefqeti ishte kryetar i parë i saj. Ai e antarësoi shoqatën në IFAJ (Federata Botërore e Gazetarëve të Bujqësisë). Prej 22 vjetësh jeton në Amerikë, ku është integruar plotësisht në jetën amerikane. Pasion i krijimtarisë, e ka ndjekur edhe në emigrim ku ka shkruar artikuj problemorë si dhe tre libra: “Unë ikanaku shqiptar” ”I tillë jam” dhe së fundi romanin “Saga përtej Atlantikut”. Me pasionin që ka, Shefqeti do na gostitë përsëri me krijime të tjera të bukura.

Shefqet Meko gazetari i njohur në Radio Tirana, publicist dhe një emër i njohur në median Bujqësore, promovoi në mesmuajin shtator në Tiranë, romanin e tij “Saga përtej Atlantikut”.

Në ceremoninë e organizuar për  promovimin e librit të tij, merrnin pjesë personalitete të botës akademike, diplomatët Arben Çejku, Albert Rakipi, shkrimtarët e njohur Besnik Mustafai, Prof. Hulusi Hako, Ahmet Prençi, gazetarë, dashamirës të librit dhe miq të Shefqetit, që kish ardhur nga Amerika në Tiranë dhe mblodhi bashkë artëdashës dhe miq të tij.

Meko në fjalën e tij, mes emocionesh u shpreh se “jo vetëm se jemi mbledhur sot këtu, por për ne të ikurut, Shqipëria ka mbetur po ajo në shpirt”. Ai falenderoj pjesëmarrësit për dëshirën që shprehin të lexojnë librin e tij. Ndërsa, një falenderim të veçantë adresoi për Bujar dhe Miranda Karoshin dhe shtëpinë botuese M&B, redaktorin Dëfrim Cani, korektoren Alma Meko (Balli), Mjeshtrin Zaim Elezi (Zaja), Elzana Agollin për kopertinën dhe Arben Çejkun me kompozimin e “Metamorfozës” që përmbledh në një diçiturë atë tronditje emocionale që shkakton i gjithë romani

“Falenderoj Ahmet Prençin që më ka nxjerrë nga pluhuri i harresës dhe më tha “zgjohu”. Ashtu sikurse dua të falenderoj mikun tim të vjetër Hashim Jacellari, që do t’i lexonte dëshirat e mia të para, duke më thënë vazhdo se mund të shkruash dhe të kesh sukses”, tha Meko.

“ Të jem i sinqertë, vijoi ai, unë nuk i përkas atyre njerzeve që kanë ëndërruar Amerikën, duke qënë në Shqipëri. Unë i përkas asaj pjese, ku dhuna dhe sistemi thonin ‘”dëgjo çfarë them unë”. Megjithatë falë atij vrulli që ndodhin në fund vitit ‘90 u ndryshuam të gjithë. Unë e kam dashur Shqipërinë aq sa e doni dhe ju. Unë kam qënë dy herë në USA dhe jam kthyer me dëshirë, se do të bëhet Shqipëria dhe unë prap besoj se Shqipëria do të bëhet sepse ka njerëz të mire”.

Meko tregoi se kur vajti në USA bëri një dosje të madhe, me dëshirën që mund të fillonte te “Zëri Amerikës” dhe të bënte gjëra të mëdha. Por Amerika tha ai, ka një trill shumë interesat që është “Harro çfarë ke qënë në vendin tend, shiko çmund të bëhesh këtu”.
”Ai vend të hapë dyert dhe ai vend bëhet si të thuash shërbëtori yt në kuptimin e shërbimeve të gjithëanëshme dhe ne që shkojmë në USA, gjejmë shumë gjëra të mira që Shqipëria sot e 30 vjet nuk i ka ngritur ende atje ku duhet. Pikërisht ato gjëra që duan njerzit të shohin, Shtetin dhe Ardheun si binomi që shkon paralel me njëri tjetrin”, u shpreh Meko, teksa solli në vëmendje se “gjatë ditëve që kam qënë këtu në Shqipëri, kam parë një mrekulli njerzore që në USA edhe 100 vjet të tjera nuk e gjen, sepse atje në USA unë jam i angazhur me punë e nuk kam kohë të shpreh shiprtin tim me njerezit”.

“Sinqerisht me 22 vite në USA unë kam punuar më shumë se kurrë dhe gjithënjë e kam kthyer kokën mbrapa. Jo si ai njeriu që shikon dhe thotë çfarë nuk bëra tek vendi im, por tek ai njeriu që kërkon pse nuk bëhet vendi im. Si mund ta bëjmë ne?  dhe më dhëmb ndonjëherë. Në këto kohë që kam takuar shumë njerëze, ku  kam prekur atë shpirt, dëshirë dhe revoltë që atdheun e dua më shumë si vendin tim dhe juve”, theksoi Meko.

Duke u ndalur tek tematika e librit, Meko theksoi se romani në fjalë është një produkt i marrëdhënieve në Shqipëri. Rromani është një frymëzim i njerzve që kam jetur dhe kaluar në vitet e jetës time këtu.

Gjithashtu tha Meko nuk mund të lë pa falenderuar pro, Hakon që më ka shpëuar nga shpata e Demokleut, që më rrinte në kokë mua si njeri i shtypirt . Shpesh thonim atherë shtypi të shtyp , unë mbase do të isha shtypur, por Prof Hako ka ditur të vendos logjikën dhe dashurinë njerzore para direktivës nga lartë. Faleminderit Profesor më ke shpëtuar, u shpreh Meko.

Ai tha se “fjalët shpesh mbarojnë, por vetë prania juaj këtu më kujton atë dëshirë njerzore që njeriu mbetet gjithëmonë i mirë edhe pse e keqja mundohet të lëvizë si ai bari I keq gjithëandej dhe Shqipëria dhe ju, keni të mirën brenda dhe e mira do të fitojë”.

Botimi romanit të Shefqet Mekos “Saga përtej Atlantikut”, ishte një ngjarje e rëndësishme për autorin dhe lexuesit.

Në optikën e poetit dhe shkrimtarit Ahmet Prençi, romani  “Saga përtej Atlantikut”, që Shefqet Meko po i jep lexuesit shqiptar, është një risi mjaft interesante që trajton fenomenet e mprehta sociale, profilet e veçanta të personazheve dhe frymën social – kohore që ata mbartin në vetvete.

Ky libër, trajton thellësisht një raport të brendshëm të kohës dhe vendeve. Skanon situate që lidhen me historinë, psikologjinë dhe individin në një shoqëri të kufizuar politikisht, kulturalisht dhe psikologjikisht siç ishte komunizmi. Nga ana tjetër na paraqet në mënyrë të detajuar mjedisin e një shoqërie të vendit të lirë, në Amerikën e përtej Atlantikut ku autori jeton prej vitesh. Diversiteti i dy kohëve dhe metamorfoza që ndodh me personazhin që i jeton dy kohët dhe dy vendet është në themel të këtij romani mjaft të spikatur e të veçantë.

Kontrastet e thella shtrihen në të gjithë subjektin dhe personazhet, të cilët valorizojnë të dhëna, dëshmi dhe informim të nevojshëm kohorë, njerëzorë dhe shoqrorë. Kjo e bën romanin tejet interesant në të gjitha faqet e tij.

Romani përcjell mjaft mirë një dëshmi social- psikologjike të fatit të individit dhe pesha që ai mbart në dy shoqëritë, atë totalitare dhe atë të lirë. Në një subjekt të zhdërvjellët, Shefqet Meko arrin të na e tipizojë një personazh të tillë, i cili nënkupton fate popujsh.

Romani mbart dy realitete njerëzore me gjithë marrëdhëniet, që nga ato të dashurisë, familjes, shoqërisë, të njeriut me shtetin etj. Kryepersonazhi i romanit Xhelo Lakrori ngjan me një pluskim të qartë në realitetet përkatëse, duke i dhënë romanit një komunikim të jashtëzakonshëm.

Romani është shkruar me një stil rrëfyes dhe emocionalitet që të mban mbërther deti në faqen e fundit”.

Ndërsa Arben Çejku, në recensën e përgatitur mbi këtë libër tha: “Pak kohë më parë lexova dorëshkrimin e romanit, “Saga përtej Atlantikut” të shkrimtarit Shefqet Meko. Libri tani sapo ka dalë në qarkullim dhe, për koinçidencë, bashkë me të, rrugëve të atdheut po qarkullon edhe vetë autori, i sapoardhur nga SHBA pas 10 vitesh mungesë! Duket sikur Xhelo Lakrori, personazhi kryesor i romanit e “bindi” Shefqetin që të vijë në Tiranë. Apo Shefqeti e solli Xhelon si “pararojën” e vizitës së tij? Nuk ka më bukur se kur autori dhe personazhi kryesor i romanit “shoqërojnë” njëri-tjetrin kudo ku hyjnë e dalin. Miqtë dhe shokët e dikurshëm i gëzohen një takimi apo kafeje me Shefqetin, po aq sa bëhen kureshtarë të njohin sa më parë edhe “krijesën” e tij më të re, Xhelo Lakrorin dhe sagën e tij shqiptaro – amerikane. Në fund të fundit, Shefqeti do të rikthehet në Amerikë, kurse Xhelo Lakrori do të mbetet këtu mes nesh si një mesazh dhe amanet nga shkrimtari. (Autorët shkojnë e vijnë – veprat mbesin!). Shefqeti, si shumë emigrantë të tjerë, mes përditshmëisë së tyre në vendet ku jetojnë dhe atdheut që u mungon, me sytë e mendjes dhe të zemrës, çdo ditë ndërtojnë nga një urë që i mban gjallë. Secili në mënyrën e tij! Ata që bëjnë libra, siç bën Meko, e bëjnë urën më të fortë, më të dukshme dhe më të përjetshme. Romani “Saga përtej Atlantikut” si dhe përmbledhja me tregime “I tillë jam”, janë dy vepra shumë të rëndësishme letrare, të cilat e tejkalojnë gjeografinë shpirtërore të autorit të tyre, duke u shndërruar në vlera të artit tonë kombëtar.

Shefqetin e kam njohur si koleg gazetar pas viteve ’90 dhe më bëri përshtypje stili lakonik dhe gdhendja mjeshtrore e personazheve në tregimet e tij të shkurtra. Pasi kam mbaruar së lexuari tregimet e tij, mësova se ai nuk kishte provuar prozën e gjatë, me përjashtim të ndonjë sprove të lënë përgjysmë. Tashmë Shefqeti kishte rënë në “gjumë letrar” dhe prej më shumë se 20 vitesh ai nuk kishte shkruar dhe botuar asgjë. Përmbledhja me tregime e botuar me nxitjen dhe përkujdesjen e zotit Prençi, më shumë dukej si epilogu i një karriere letrare të lënë në mes, sesa prologu i një fillimi të ri letrar. Por ata që janë shkrimtarë, ata që e kanë talentin brenda vetes, kurrë nuk e dinë se kur do të “vdesin” artistikisht! Shefqet Meko, me romanin e tij të ri, tregoi se talenti nuk vdes kurrë, se ai ringrihet si Sfinksi! Nxitja miqësore dhe inkurajimi që ka patur nga Ahmeti janë njëra anë e medaljes, ndërsa vullkani i një talenti të mbushur plot me dije dhe eksperienca të jashtëzakonshme personale, janë ana tjetër e saj. Të dyja së bashku “ringjallën” Shefqetin si shkrimtar, siç thotë edhe ai vetë këto ditë.

Ashtu si 20 vite më parë, kur i “hyri në këmbë” detit të emigracionit dhe i arriti qëllimet e tij personale e familjare, edhe tani, kur i “hyri në këmbë” detit të prozës së gjatë, Shefqeti ja doli me sukses të shkruajë një roman me vlera. Kjo, pikë së pari tregon fuqinë e një karakteri fisnik dhe mençurinë e një intelektuali mendjehapur, i cili përvojat e tij jetësore, i kthen në dritë shprese për të tjerët që vijnë pas tij. I bindur se “Saga përtej Atlantikut”, është një histori ku mund të gjejnë veten mijëra emigrantë shqiptaro-amerikanë, Shefqeti kujdeset që nëpërmjet krijimit të tij letrar, të konvergojë fatet e shumë e shumë njerëzve, por mbi të gjitha të nxjerrë në pah mesazhet e duhura për sot e për nesër. Ndaj mund të them se, “Saga…” është një vepër letrare gjithëpërfshirëse, të cilën do të kishte dëshirë ta shkruante çdo emigrant, që lufton përditë për ardhmërinë e tij, duke mbajtur këmbët gjithnjë në tabanin e historisë dhe vlerave të kombit nga vjen.

Historia e Xhelo Lakrorit, mund të duket si monografi personale e autorit. Ky është kurthi ku mund të bjerë një lexues sipërfaqësor; e vërteta është se personazhi kryesor e tejkalon disa herë atë që mund të konsiderohet si “autobiografia” e Shefqet Mekos. Në profilin e Xhelos, secili e gjen veten nga pak, sepse ai është simboli i qytetarit të lirë amerikan, i cili ende nuk është shkëputur plotësisht nga vargonjtë e një bote tjetër. Ai është simboli i qytetarit që zbaton ligjin, por që mentaliteti i tij ende bunkerizohet nga tentakulat e mentalitetit të së kaluarës.

Në qendër të romanit, pra, është Xhelo Lakrori, shqiptaro – amerikani, që punon për të ardhmen e tij amerikane, pa u shkëputur plotësisht nga reminishencat, formimi dhe sjellja e tij si “njeri i ri” së kaluarës socialiste. Edhe pse nuk është çliruar plotësisht nga e kaluara e tij, ajo gjithësesi, nuk e pengon dot atë që të ecë përpara. Xhelo i realizon objektivat e veta, sepse e ndihmon sistemi ne vendin ku jeton. Hija e së kaluarës thjeshtë i tërheq vëmendjen, mendimet, i merr kohë në ripërtypje ngjarjesh e fenomenesh, e cyt që të paralelizojë momente të së përditshmes, por nuk ka fuqinë e stërkëmbshit për ta penguar. Xhelo ka forcë për të tejkaluar jo vetëm të kaluarën, por edhe vetveten. Ai ka kuptuar vlerat e vetes falë lirisë që gëzon në vendin ku jeton! Ai në këtë vepër himnizon lirinë individuale! Sipas autorit, kjo është baza fundamentale e dinjitetit njerëzor. Pa lirinë individuale të garantuar dhe funksikonale, çdo gjë tjetër është fallsitet dhe tallje.

Në këtë libër, Meko rithekson se për lirinë, dinjitetin dhe pronën punohet çdo ditë dhe se njeriu duhet të jetë vigjilentë kurdoherë për të ruajtur atë që ka më të shtrenjta; jetën, lirinë, pronën, familjen.

Në kohët kur shoqëria jonë vazhdon të jetë tejet e politizuar, shkrimtari Shefqet Meko, me shembullin e Xhelo Lakrorit, sjell një mesazh të thjeshtë e të dobishëm; ta duam politikën, ta kuptojmë politikën, por të mos politizohemi deri në thua, aq sa të harrojmë detyrat tona bazë, aq sa të harrojmë vetë familjet tona! Edhe Xhelo Lakrori ra viktimë e politizimit të tij në një moment të caktuar, kur nuk kuptoi rolin dhe vendin që ai realisht zinte në shoqëri.

Ky roman, së bashku me “Metamorfoza e një Kryeqyteti” të Ylljet Aliçkës, “Dëmtuar gjatë rrugës” të Besnik Mustafajt dhe ndonjë tjetër, pasuron fondin e prozës moderne të shkruar në stilin e satirës dhe sarkazmës. Duhet shumë eksperiencë letrare dhe një mprehje shumë e hollë e lapsit krijues për të shkruar vepra të tilla, ku satirizmi mban gjallë frymën dhe ritmin e romanit. Besoj se Meko e ka kaluar këtë sprovë me sukses dhe ai duhet të vazhdojë në këtë lëmi për ta përsosur më tej këtë stil të veçantë krijues. Edhe pse ky është romani i parë i botuar i Shefqet Mekos, niveli i tij tregon për një pjekuri të lartë artistike të autorit. Unë e inkurajoj shkrimtarin Shefqet Meko që, pavarësisht angazhimeve të përditshme të jetës amerikane, të vijojë krijimtarinë e tij letrare që të sjellë para lexuesit sa më parë romanin e radhës. Nëse miku i tij, shkrimtari dhe poeti i talentuarAhmet Prençi, e shkundi dhe e motivoi për të shkruar këtë roman, vetë “Saga përtej Atlantikut”, tani është më shumë se motivim, për të mos e ndërprerë krijimtarinë. Rikthimi në Tiranë pas 10 vitesh i Shefqet Mekos, ngjason me rikthimin e tij në fushën e letërsisë pas 20 vitesh! Në rastin e Shefqetit, rikthimi shpirtëror (ardhja në atdhe) dhe letrarë (romani) kanë ushqyer njëri – tjetrin!  E.XH/

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular