Mielli mund të shtrenjtohet më tej me 12%, makaronat deri në 40%

0

Intervistë me Adi Haxhiymeri, Administrator i kompanisë “Bloja”

Rritja e çmimit të grurit do të vazhdojë dhe do të ketë ndikim të pashmangshëm në çmimin e nënprodukteve. Në një intervistë për “Monitor”, administratori i kompanisë “Bloja”, Adi Haxhiymeri, thotë se çmimi i miellit të prodhuar në vend mund të arrijë në rreth 65 lekë, nga 58 lekë që është aktualisht.

Shtrenjtim më të lartë pritet të ketë çmimi i makaronave, me të paktën 30-40%. Z. Haxhiymeri thotë se situata është e vështirë, sepse shtrenjtimi ka përfshirë jo vetëm lëndën e parë bazë, por edhe materialet ndihmëse, ambalazhet, naftën, etj. Të gjithë këta faktorë do të sjellin rritje të kostove të prodhimit që gradualisht do të transmetohet në çmimin final të produkteve. 

Sa janë rritur çmimet e grurit të importit këtë vit dhe cilat janë shkaqet e kësaj rritjeje?

Arsyet lidhen kryesisht me klimën. Për shkak të faktorëve klimatikë, prodhimi këtë vit ka qenë i ulët dhe kjo ka sjellë rënie drastike të ofertës së grurit në tregje. Vendet kryesore eksportuese të grurit, si Rusia, SHBA dhe Kanadaja prodhuan 20 milionë tonë grurë më pak këtë vit. Vetëm Rusia këtë vit prodhoi 14-15 milionë tonë më pak.

Thatësira bëri që Kanadaja të ulë prodhimin jashtë mase. Nëse flasim për grurin e fortë, që përdoret për prodhimin e makaronave, Kanadaja këtë vit prodhoi vetëm gjysmën e sasisë prej 6.5 milionë tonësh të vitit të kaluar. Po kështu, SHBA. Franca gjithashtu prodhoi 40% më pak. Të gjithë këta faktorë sollën rënie të ndjeshme të ofertës që e tronditi tregun, duke shtuar edhe kërkesat në rritje të Kinës, që është një importues i rëndësishëm i grurit dhe drithërave të tjera.

Në qoftë se vjet në këtë periudhë zhdoganonim me 220 dollarë për ton, muajin e kaluar zhdoganuam me më shumë se 340 dollarë për ton. Kjo provohet edhe nga të dhënat e organeve doganore. Është një rritje shumë e madhe në harkun e një viti.

Problemi është se kjo rritje po vazhdon më tej. Në kontratat që po mbyllim tani, çmimet janë rritur edhe me 20 USD për ton më shumë. Edhe kursi i këmbimit ka ndikimin e vet. Dollari në javët e fundit po rritet dhe ka kaluar nivelin e 105 lekëve. Një ngarkesë kushton rreth 2 milionë dollarë dhe qoftë edhe lëvizjet minimale të kursit kanë ndikimin e tyre.

Është e qartë për të gjithë se tendenca është drejt një rritjeje të mëtejshme. Çmimet që reflektohen në treg janë ato të ngarkesave të bëra minimalisht një muaj më parë. Çmimet e shitjes së miellit që ne aplikojmë sot reflektojnë çmimet e ngarkesave të gushtit.

Gruri i fortë që përdoret për prodhimin e makaronave është një problem jashtëzakonisht i madh. Italia, prodhuesi dhe eksportuesi më i madh në botë i makaronave, po e vuan shumë. Ne kemi një ngarkesë që do të niset këto ditë nga Italia dhe çmimi i grurit për këtë ngarkesë është 80% më i lartë krahasuar me ngarkesën e pesë muajve më parë. Çmimet e makaronave kanë filluar ta reflektojnë këtë rritje dhe besoj se deri në fund të vitit do ta reflektojnë në përmasa të plota.

Deri ku mund të arrijnë çmimet, sipas projeksioneve tuaja?

Kjo është e vështirë të thuhet dhe mund të interpretohet edhe si abuzim. Por, unë do të thoja që për miellin e zakonshëm të bukës, çmimi ynë i shitjes për furrat mund të arrijë deri në 65 lekë/kg, nga 58-60 lekë për kg që është aktualisht. Këto janë projeksione të përafërta sigurisht, por tendenca duket kjo, nëse rritja e çmimit të grurit nuk ndalon. Së fundmi, Rusia rriti sërish me 10 USD për tonë edhe taksën e eksportit, për të frenuar eksportet dhe për të ruajtur rezervat.

Ndërsa për makaronat mendoj se do të shtrenjtohen me të paktën 30-40%, që është e pashmangshme, duke parë nivelin e shtrenjtimit të lëndës së parë. Problem nuk është vetëm lënda e parë bazë. Po shtrenjtohen edhe artikuj të tjerë ndihmës.

Është rritur çmimi i paletave. Është rritur çmimi i kartonit me 30-40%. Është rritur çmimi i qeseve për ambalazhin e produktit. Me rritjen e çmimit të naftës, çmimet do të rriten edhe më shumë, sepse rritet direkt kosto e transportit, por edhe kosto e të gjitha lëndëve të tjera të para që na duhen për prodhim. Këto janë të gjitha zëra që ndikojnë në mënyrë të qartë dhe direkte në kosto.

Kuptohet, këto do të reflektohen dalëngadalë, sepse biznesi përpiqet t’i asimilojë pjesërisht, edhe për shkak të konkurrencës dhe nevojës për të ruajtur tregun. Por, në fund rritja e çmimeve do të jetë e pashmangshme, derisa të reflektohen kostot e shtuara nga të gjithë këta faktorë që përmenda.

Nga importohet kryesisht gruri sot?

Ne importojmë kryesisht nga Rusia, ashtu si shumica e shteteve të rajonit. Rusia ka raportin më të mirë mes çmimit dhe cilësisë së produktit. Një grurë të cilësisë së mirë në Rusi e blen më lirë se në tregje të tjera, duke qenë se edhe kostot e fermerëve në Rusi janë më të ulëta krahasuar me vendet më të zhvilluara.

Është edhe gruri serb, i një cilësie më të dobët, megjithatë mund të përzihet me grurë tjetër për të plotësuar parametrat minimalë të kërkuar. Ka fabrika që e përdorin. Megjithatë, edhe gruri serb është shtrenjtuar. Nga rreth 195 euro për ton vitin e kaluar, sot çmimi ka arritur në më shumë se 240 euro për tonë, pa llogaritur transportin, të paktën 20 euro për ton.

Madje edhe gruri i prodhimit vendas është shtrenjtuar. Nga 27-30 lekë për kg në muajin gusht, sot çmimi ka arritur mbi 40 lekë për kg.

A ka peshë gruri i prodhimit vendas si lëndë e parë industrinë e blojës?

Gruri vendas ka peshë të papërfillshme. Nëse ne importojmë rreth 250 mijë tonë grurë çdo vit, tregu vendas mund të ketë në shitje rreth 10 mijë tonë ose edhe më pak.

Megjithatë, statistikat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë një prodhim prej të paktën 230 mijë tonësh. Këto shifra nuk janë të sakta, apo gruri i prodhimit vendas shkon kryesisht për nevoja familjare?

Mendoj se këto shifra janë shumë larg realitetit, në fakt prodhohet shumë më pak. Por, edhe ajo sasi që prodhohet në masën dërrmuese, përdoret nga vetë fermerët. Shumë pak del në shtije. Do të ishte mirë që prodhimi i miellit të stimulohet, por kjo nuk bëhet. Kudo në botë, përfshi edhe vendet fqinje të rajonit, prodhimi i grurit subvencionohet.

Mendoni se për Shqipërinë është me interes të nxisë prodhimin e grurit, a është kjo kulturë eficiente për kushtet tona?

Ka shtete që e shfrytëzojnë tokën për produkte me çmime më të larta, siç mund të jenë perimet apo zarzavatet, të favorizuara edhe nga klima. Ato sjellin të ardhura më të larta dhe toka mund të përdoret 3-4 herë në vit, sepse ato kanë cikël më të shkurtër prodhimi. Gruri sjell vetëm një prodhim në vit dhe pastaj edhe rreziku është më i lartë, sepse fenomenet natyrore mund të shkaktojnë dëm të parikuperueshëm për gjithë vitin.

Avantazhet e perimeve dhe zarzavateve qëndrojnë, por mendoj se ne pjesërisht duhet të nxisim edhe mbjelljen e grurit, për të mos qenë totalisht të varur nga importet. Drithi nuk është vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët, sepse edhe ato ushqehen me drithëra.

Mendoj që së shpejti ne do të përballemi edhe me rritje të çmimit të mishit, sidomos të mishit të pulës dhe të vezëve. Për një kg mish duhen afërsisht 9 kg ushqim. Nëse kafshët konsumojnë ushqim me kosto më të lartë, automatikisht do të rritet edhe çmimi i mishit. Pra, kemi një rritje të çmimeve me efekt zinxhir dhe që nuk e dimë ku do të ndalojë.

A kanë prodhuesit shqiptarë tregje eksporti?

Ne prej 15 vitesh eksportojmë sasi mielli dhe makaronash, kryesisht në vendet e rajonit. Kemi arritur edhe në tregje më të largëta, si SHBA, por në sasi të vogla kuptohet. Por, sot e kemi të vështirë edhe të ndërtojmë çmime për eksport. Aty duhen lidhur kontrata në vlerë të madhe dhe ne nuk e dimë sa do të vazhdojnë të na rriten kostot, nuk e dimë nëse do të na rritet çmimi i energjisë elektrike. Kjo situatë na ka krijuar pasiguri dhe na ka lënë pezull.

Një hetim i Autoritetit të Konkurrencës që u mbyll vitin e kaluar arrinte në konkluzionin se prodhuesit kryesorë të miellit në vend kanë ndjekur një sjellje të bashkërenduar në përcaktimin e çmimeve. Cili është qëndrimi juaj ndaj rezultateve të këtij hetimi?

Për fat të keq, për këtë çështje kam dëgjuar komente të shumta nga persona krejtësisht të painformuar. Autoriteti i Konkurrencës prej dy vitesh po ushtron kontroll në këtë treg dhe bën shumë mirë. Duhet të vazhdojë dhe mundësisht ta shtrijë në sa më shumë produkte, për ne nuk ka asnjë problem.

Ata zhvilluan një monitorim për periudhën korrik 2020-2021. Të gjithë jemi dëshmitarë që gjatë pandemisë, me gjithë vështirësitë që u krijuan, ne bëmë përpjekje të jashtëzakonshme për të vijuar punën tonë, siguruam furnizimin me miell dhe nuk i rritëm çmimet.

Në asnjë rast, shqiptarët nuk u përballën me mungesë të miellit apo produkteve të tjera ushqimore, ndryshe nga sa ndodhi në vende më të zhvilluara. Ndërkohë, ne ishim në monitorim nga Autoriteti i Konkurrencës. Zhvilluam edhe seanca dëgjimore dhe mendoj se u mirëkuptuam me Komisionin e Konkurrencës që sjellja jonë kishte qenë korrekte.

Më pas, pati një rritje të çmimit të bukës që krijoi një lloj konfuzioni dhe presion publik, por nuk kishte lidhje me rezultatet e monitorimit. Madje, u habita që njëri prej anëtarëve, i cili votoi në favor të gjobitjes sonë, nuk ishte i pranishëm në seancën dëgjimore dhe nuk i dëgjoi fare argumentet tona.

E vërteta është se ky treg ka një konkurrencë të jashtëzakonshme. Të gjitha fabrikat punojnë nën kapacitet. Nëse do të punonim me kapacitet të plotë, do të prodhimin dy herë e gjysmë sa nevojat e tregut vendas.

Sa fitimprurës është aktiviteti juaj?

Nuk e beson njeri, por shifrat që fitojmë ne janë të papërfillshme. Volumet janë të mëdha, por fitimet janë qesharake. Llogaritë janë të thjeshta. Mjafton të shohësh sa kushton një kg grurë në doganë, të llogarisësh kostot tona dhe të shohësh sa kushton një kg miell në treg.

Sa e ndien industria juaj konkurrencën nga mielli i importit dhe a janë adresuar problemet e ngritura nga ju lidhur me abuzimet me cilësinë e miellit, konkretisht përdorimi i miellit me përqindje të ulët proteinike për prodhim buke?

Kjo është një luftë që ne e vazhdojmë prej një dekade dhe jemi shumë të lodhur. Mielli i importit na konkurron kryesisht, sepse është jashtë standardeve. Ai miell duhet të përdoret vetëm për biskota apo ëmbëlsira, sepse ka përmbajtje shumë të ulët proteinash, jashtë standardit ligjor prej 12% që kemi për prodhimin e bukës.

Deri pesë vite më parë, niveli standard i proteinës në miell ishte 7%. Këtë standard nuk e kishte asnjë vend në botë, tek ne kishte ngelur që nga koha e komunizmit. Ishim ne që kërkuam rritjen e këtij standardi dhe e çuam në 12%, sepse pjesa më e madhe popullsisë nuk i merr dot proteinat e mjaftueshme nga mishi, nga peshku apo nga ushqimet më të shtrenjta.

Mosrespektimi i këtij standardi çon në kequshqyerje dhe rritja e brezave me probleme. Përdorimi i miellit poshtë këtij standardi për prodhim buke është në shkelje të ligjit dhe është mashtrim që i bëhet konsumatorit. Është e domosdoshme që të kontrollohen bizneset që importojnë miell të tillë dhe të paraqesin faturat e shitjes, sepse me atë sasi mielli që importohet, i bie që ne të gjithë të hamë biskota. Ky miell futet si miell për qëllime të tjera dhe shitet si miell për bukë.

Nga importohet përgjithësisht ky miell?

Në pjesën më të madhe importohet nga Serbia dhe Kosova.

Cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballet sot industria juaj dhe si e parashikoni ecurinë e tregut për pjesën e mbetur të 2021 dhe për vitin 2022?

Nuk dua të jem negativ, por më duket se situata është e vështirë dhe do të rëndohet më tej. Oferta e grurit ka një cikël vjetor, nuk mund të rritet apo të ulet, si me naftën. Kjo rritje, e gërshetuar edhe me atë të produkteve të tjera, do të sjellë shtrenjtime të mallrave të konsumit të papërballueshme për tregun tonë.

Çfarë masash të mundshme nga qeveria mund të ndihmojnë në një amortizim, qoftë edhe të pjesshëm, të rritjes së çmimeve për bizneset dhe konsumatorët?

Kemi një problem: raporti që zënë taksat ndaj prodhimit kombëtar te ne është relativisht i ulët dhe nuk ka shumë hapësira për ulje. Mënyrat si mund të ndihmojë shteti janë disa. Disa shtete mund të kenë rezerva drithi që i hedhin në treg në periudha krizash me çmim të fiksuar. Shtetet që nuk kanë rezerva mund të dalin në treg, të blejnë grurë dhe ta shesin në tregun vendas me çmim të subvencionuar. Këto dy alternativa tani për Shqipërinë nuk mund të realizohen.

Varianti tjetër pastaj është që të prekësh TVSH-në. Sigurisht, ka mendime që kjo masë nuk është efikase, sepse edhe kur ulet TVSH-ja, çmimet nuk ulen, por në këtë rast mund të veprohet me një kontroll rigoroz mbi bizneset për të mos pasur abuzime, duke qenë se po flasim për produkte të veçanta. Megjithatë, sigurisht që diferencimi i TVSH-së shtron sfida që lidhen si me bazën e të ardhurave, ashtu edhe me administrimin. Për ta thënë mund ta themi kollaj, por për të parë sa mund të realizohet, duhet të jesh brenda mekanizmave të buxhetit dhe administrimit tatimor.

Zgjidhja e fundit pastaj mund të jetë që problemin t’ua lësh mekanizmave të ekonomisë së tregut. Kjo zgjidhje mund të funksionojë në ato ekonomi ku ushqimet zënë një peshë më të ulët në buxhetet familjare. Kur ushqimet zënë një peshë të lartë, është e vështirë që efekti nga një rritje e lartë e çmimeve të amortizohet pa ndërhyrje nga shteti. MONITOR

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.