BallinaUncategorized“Vota preferenciale e përfshirë tek propozimet”, Rrushaj: Do të çojmë përpara axhendën...

“Vota preferenciale e përfshirë tek propozimet”, Rrushaj: Do të çojmë përpara axhendën e ndryshimeve kushtetuese

Do të çojmë përpara axhendën e ndryshimeve kushtetuese si interesi më i mirë i shqiptarëve për politikanë të pakorruptuar e te palidhur me krimin, për votën e lirë dhe për shërbim më të mirë të qytetarëve në territorin ku jetojnë.

KOMUNIKIMI ME MEDIAN I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR, ALFRED RUSHAJ

Pyetje: PS ka depozituar një ndryshim kushtetues lidhur me vetingun e magjistratëve, ju një ndryshim kushtetues që lidhet me sistemin zgjedhor dhe vetingun e politikanëve. A do të diskutohen njëherësh këto çështje? A e kushtëzoni ju votën tuaj me vetingun e politikanëve .

Alfred Rushaj: Ndryshimet që janë depozituar kanë të bëjnë më ndryshimin e ligjit themeltar të Kushtetutës. Procedura e do që të gjitha ndryshimet që kanë të bëjnë me një ligj, përmblidhen dhe në këtë rast të Kushtetutës, pra diskutohen në një mbledhje të përbashkët të Komisionit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve. Kështu që, besoj se në mbledhjen e ardhshme të kësaj mbledhje të përbashkët do të diskutohen këto gjëra.

Pyetje: Pra, do të jetë një votë e kushtëzuar, vota juaj për vetingun e magjistratëve me vetingun e politikanëve dhe kërkesat tuaja?

Alfred Rushaj:  Axhenda jonë është e pavarur nga ajo e Partisë Socialiste. Ne mendojmë që duhet të shtyjmë përpara prioritetet e shqiptarëve, natyrisht dhe të opozitës shqiptare. Prioritet tona të shprehura disa herë kanë të bëjnë me votën e lirë dhe reformën zgjedhore. Kanë të bëjnë me reformën territoriale, me ofrimin sa më afër të shërbimeve ndaj qytetarëve që sot duhet të lëvizin në disa raste me qindra kilometra për t’i marrë. Dhe kanë të bëjnë dhe natyrisht me korrupsionin dhe pastërtinë e figurës apo integritetit të figurës së politikanëve shqiptarë. Është axhenda jonë dhe duhet çuar përpara.

Pyetje: Duke marrë nen për nen propozimet, ju jeni për lista të hapura apo për lista të mbyllura?

Alfred Rushaj:  Tek propozimi jonë vota preferenciale është e përfshirë. Natyrisht që të gjitha gjërat teknike siç do të duhet të detajohen, përfshi këtu edhe ndryshimet që janë apo do të jenë të kushtëzuara nga Gjykata Kushtetuese janë subjekt i diskutimit apo i përfshirjes në Kodin Zgjedhor. Ne gjithashtu kemi propozuar krijimin e komisionit bipartizan apo me përfshirjen e të gjitha palëve, që përfaqëson në Kuvend për të diskutuar çështje të reformës zgjedhore dhe për të dalë përfundimisht në një produkt që do të përfshihet në Kodin Zgjedhor.

Pyetje: Në parim jeni pro apo kundër?

Alfred Rushaj: Në parim ne jemi për të respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por siç e thash kjo është diçka që do të duhet të dalë nga diskutimet që do të bëjnë grupi i punës, pra Komisioni i Reformës Zgjedhore.
Pyetje: Lidhur me vetingun e politikanëve. Ju thoni në draft -propozimet tuaja që një person i cili është shpallur i pafajshëm nga gjykata ose është pushuar çështja për mungesë provash është një person që lidhet me krimin e organizuar. A nuk është kjo shkelje e të drejtave të njeriut?

Alfred Rushaj: Në propozimin tonë ne kemi përfshirë standardin i cili është diskutuar, miratuar, aplikuar dhe gjetur në përputhje me të gjitha konventat për rastin e magjistratëve. Nuk është e arsyeshme që gjyqtarët dhe prokurorët të gjykohet integriteti i figurës së tyre mbi bazën e një standardi, ndërsa ne politikanët të përdorin ndaj vetes të përdorim një standard tjetër. Ajo çfarë ju keni lexuar tek drafti ëshët diçka që tashmë ka kaluar në të gjitha filtrat e gjyqësorit, përfshirë edhe diskutimet apo opinionet që ka dhënë Komisioni i Venecias.

Pyetje: Po flas për parimet e të drejtës. Si mundet një njeri i shpallur i pafajshëm nga gjykata, sipas PD-së i lidhur me krimin?

Alfred Rushaj:  Më duket se iu shpjegova qartë. Çdo fjalë e përfshirë në draftin tonë është fjalë e marrë nga standardi që është vendosur tek magjistratët. Në qoftë se ju do ta kishit këtë shqetësim, këtë gjë duhet ta kishit bërë pak më përpara tek magjistratët. Por pavarësisht kësaj është marrë në atë formë që është rakorduar dhe kaluar në të gjitha filtrat e ligjshmërisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese dhe opinionit e Komisionit të Venecias.

Pyetje: Sa i takon vetingut të politikanëve. Nga njëra anë kryetari Basha e kritikon ashpër SPAK-un duke e cilësuar “si shpenzues të madh të parasë publike”. Dhe nga ana tjetër në propozimin e PD-së i lihet SPAK-ut dorë për të bërë vetingun e politikanëve. Si e vlerësoni këtë dualizëm?

Alfred Rushaj: Unë nuk shoh dualizëm. Basha është shprheur qartë edhe dje. Së pari, cili është qëndrimi i PD për këtë punë? Ne padyshim që kemi rezerva me punën e SPAK-ut dhe nuk është që është kemi lëvizur nga ai qëndrim. Ne po investojmë tek kjo gjë, për dy arsye.
Së pari, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur dhe nuk kemi asnjë merak pavarësisht se kush e bën vetingun e politikanëve.
Së dyti, duke qenë një proces publik dhe jo pas dyerve të mbyllura, prokurorët e SPAK-ut që do të merren me këtë punë, do të duhet që ta bëjnë vendimmarrjen e tyre publike. Standardi, do të jetë standard publik. Nuk mundet që kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj të gjykohet në bazë të një standardi, ndërsa ai i grupit të PS-së, Taulant Balla, të gjykohet në bazë të një standardi tjetër.  Në qoftë se kjo bëhet publikisht, pastaj kjo do të jetë gjykimi më i mirë që qytetarët shqiptarë do t’i japin SPAK-ut.

Pyetje: Për të mbetur tek pyetja e kolegut. Ju kërkoni që SPAK-u të bëjë vetingun e politikanëve. Ndërkohë që SPAK sot ka folur për mbingarkesë të punës. A po e kolapsin propozimi i PD-së punën e SPAK për ta bllokuar atë?

Alfred Rushaj:  Kjo është pyetje shumë e drejtë që është marrë në konsideratë nga ne kur është bërë propozimi. Në Kushtetutë ka vetëm një minimum të numrit të prokurorëve të SPAK që duhet të ketë kjo strukturë, 10 në mos gaboj, që sot janë diku tek 15 prokurorë të SPAK. Ajo çfarë ne propozojmë dhe dhet bërë, është që t’i japim SPAK-ut të gjithë burimet e nevojshme, si njerëzore të infrastrukturës dhe pa dyshim edhe financiare, që të mos e mbingarkojmë, përkundrazi ta lehtësojmë.

Propozimi ynë është të shtohen këto, por kjo është teknike dhe nuk ka asnjë ndalim në Kushtetutë, sepse siç thash, Kushtetuta parashikon numrin minimal të prokurorëve të SPAK.

Pyetje: Sa i takon Reformës Zgjedhore, a është konfuze Partia Demokratike në propozimin e saj? Ju keni kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për atë që e cilësoni si masakër zgjedhore, nga ana tjetër ju po kërkoni që të bëni një Reformë të re me autorët e masakrës zgjedhore.

Alfred Rushaj: Nuk ka asnjë konfuzion, përkundrazi, gjetjet do të dalin nga ky Komision Hetimor do të duhet të reflektojë tek ndryshimet e Kodit Zgjedhor që do të duhet të bëjnë palët. Që të ndryshosh Kodin Zgjedhor duhen aq vota, që të ndryshohet Kushtetuta duhen aq vota. Ne kemi mandatet që kemi në Parlament. Patjetër nëse do të ndryshohet Kodi Zgjedhor do të duhej ta votojë…

Pyetje: E kuptoj por, mos duhet më parë të hetoni atë që cilësoni si masakër zgjedhore dhe më pas të bëni një reformë të re zgjedhore?

Alfred Rushaj: Kam përshtypjen se ku konfuzoni propozimin tonë me përfundimin e këtij procesi. Propozimi ynë kushtetues ka të bëjë me zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme zgjedhore që u kryen në korrik të vitit 2020. Ngritjen e një Komisioni parlamentar për zgjedhjet i cili do të fillojë të diskutojë çështjet teknike për zgjedhjet por edhe problematikat dhe çështjet politike që do të dalin nga hetimi që do të bëjë për zgjedhjet Komisioni Hetimor. Gjërat janë në kohë. Nqse ka vullnet politik besoj që është kohë e mjaftueshme për t’i diskutuar, për të arritur në konkluzion dhe për t’i miratuar.

Pyetje: PD ka kërkuar ndryshime edhe përsa i përket Reformës Territoriale, por a ka në fakt opozita një propozim konkret se sa është numri i bashkive që kërkon, i komunave apo emërtesës Bashki Rurale?

Alfred Rushaj: Unë nuk do të doja që e gjithë vëmendja të kufizohej tek nëse duhet të ketë 60 komuna, 30 komuna apo 10 komuna. Ajo që është e rëndësishme është të diskutohet se nga jemi nisur ne për bërë këtë propozim. Tani që kanë kaluar 5 vjet së paku nga implentimi i Reformës Territoriale që e bëri në mënyrë të njëanshme mazhoranca e asaj kohe, kemi mjaftueshëm informacion, për të parë nëse qëllimi dhe objektivat që ka pasur Reforma në atë kohë, janë realizuar. Qëllimi në atë kohë ka qenë i shpallur formalisht, ishte që të reduktoheshin shpenzimet e tepërta. Këto jo vetëm që nuk janë minimizuar, por përkundrazi, janë shtuar. Kjo nuk është diçka që e themi ne, ka mjaft organizata ndërkombëtare të paanshme, përfshirë këtu Kongresin e autoriteteve lokale të Këshillit të Evropës, që është një trupë që meret me këtë çështje dhe e ka konfirmuar këtë. Dhe çështë më e rëndësishmja, parimi i shërbimeve sa më afër qytetarëve jo vetëm që nuk është përmirësuar, përkundrazi, është përkeqësuar.

Sot qytetarët e Shqipërisë që jetojnë në zona rurale, në disa raste duhet të bëjnë qindra km për të marrë një çertifikatë apo një shërbim. Kjo, pikë së pari do të duhet të ndryshojë.

Tjetra që është gjithashtu themelore përsa i përket pushtetit vendor, është decentralizimi.

Sot qeveria i ka marrë burimet për të financuar kompetencat pushtetit vendor dhe i ka shtuar detyrat dhe kompetencat. Duke e çuar totalisht në pamundësi për të realizuar shërbimet e veta. Ndarja territoriale në disa raste është bërë jo duke pasur parasysh, Kushstetutën, por mbi bazën e interesit të ngushtë politik. Këto janë arsyet nga jemi nisur ne për t’u ulur, për të bërë një Reformë tëre territoriale, pjesë e së cilës është ndarja territoriale. Është pak më komplekse se sa bashki kemi.

Pyetje: PS është shprehur e gatshme për të bashkëpunuar në lidhje me propozimet e PD-së. Ju vetë si kreu i grupit parlamentar të PD, a keni patur një komunikim me mazhorancën në lidhje me këto propozime?

Alfred Rushaj: Ju thoni bashkëpunim, unë do të thoja që nuk do të jetë bashkëpunim. Do të jetë diskutim siç e kërkon procedura dhe rregullorja e Kuvendit. Deri tani nuk jemi ulur. Por në mbledhjen e parë, siç e kërkon Rregullorja, do të thirret nga Kryetarja e Kuvendit dhe aty do të ulen anëtarët e Komisionit të Ligjeve të PD- së dhe PS-së, anëtarët e Këshillit të Legjislacionit të PD-së dhe ata të partisë tjetër dhe do të bëhet diskutimi përpara kamerave, që të gjithë shqiptarët të shohin kush janë argumentat tona dhe të palës tjetër.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular