BallinaKultureRomani “Anja” i jep Ahmet Prençit çmimin e karrierës

Romani “Anja” i jep Ahmet Prençit çmimin e karrierës

Çmimi letrar “Gjergj Fishta në eventin kushtuar 150 – vjetorit të lindjes së poetit të madh dhe korifeut të Rilindjes sonë Kombëtare

  • Romani “ANJA” vlerësohet nga një juri e përbërë nga personalitete të letrave shqipe, si poeti laureat Rudolf Marku, shkrimtarja Natasha Lako dhe Bajram Kosumi, shkrimtar, profesor, studiues

Nga Halil RAMA

Në eventin kushtuar 150 – vjetorit të lindjes së poetit të madh dhe korifeut të Rilindjes sonë Kombëtare, At Gjergj Fishta, organizuar nga Bashkia dhe Biblioteka e Lezhës, poeti dhe prozatori Ahmet Prençi u vlerësua me Çmimin e Karrierës “Gjergj Fishta” për romanin “Anja”. Natyrisht që autori Prençi do të përjetonte një kënaqësi të jashtëzakonshme. Kjo edhe për faktin se romani i tij “ANJA” vlerësohet nga një juri e përbërë nga personalitete të letrave shqipe, si poeti laureat Rudolf Marku, shkrimtarja Natasha Lako dhe Bajram Kosumi, shkrimtar, profesor, studiues.

Poeti dhe prozatori Prençi mbrrin tek ky çmim i madh, pasi romani i tij “Anja”, i botuar para një viti  ka qenë ndër më të preferuarit e lexuesit, jo vetëm në metropolin shqiptar, por edhe në qytetet kryesore të vendit, fakt ky i evidentuar dukshëm në takimet e poetit me personalitete të letrave e lexues kualitativ, si dhe në studiot e televizioneve kryesore kombëtare e lokale, si në Tiranë dhe në Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Durrës, etj.

Çmimi letrar i karrierës “Gjergj Fishta” i jepet kështu romanit “ANJA”, që vjen si befasi në botën letrare përsa i përket trajtimit të dashurisë njerëzore dhe plagëve sociale.

Konceptet filozofike të Ahmet Prençit për vazhdimësinë e jetës, për familjen dhe shtetin e së drejtës, të shprehura aq qartë në romanin “Anja”, e bëjnë këtë një vepër letrare që sjell risi në prozën e sotme shqipe

Ligjërime të tilla si “Spërkatja e themeleve me gjak glorifikonte simbolikën e sakrificës njerëzore për shpirtin hyjnor”, apo se “Kullat ishin parzmoret e gurta të fshatit përballë luftrave qindravjeçare” dëshmojnë për një autor që njeh mirë historinë dhe traditën e vendlindjes së tij

Nëse, sipas shkrimtarit të mirënjohur Besnik Mustafaj, me vëllimin poetik të vitit 2016, “Udhë në pasqyrë”, poeti Ahmet Prençi” erdhi me një lloj tradite që ka letërsia shqipe, me romanin e tij të sapobotuar “ANJA” ai sjell risi në botën letrare, duke befasuar lexuesin e shumtë të tij. Kjo, jo vetëm për subjektin tepër interesant por dhe për gjuhën e pasur e mjetet shprehëse në karakterizimin e dy personazheve kryesorë të romanit, Anton Hila dhe Anja Steve: I pari, besnik i parimit për ta ngrysur jetën në vetminë e tij, ndërsa e dyta, një krijesë e magjishme franko-shqiptare që sjell pak Paris në Drinas, nga ku ngjizet dhe trashëgimtari i tyre me emrin e bukur ARBËR. Kësisoj, “Anja” është një risi në prozën e sotme shqipe, qoftë si subjekt dhe për karakterin e ndërthurjen e personazheve. Se në fund të fundit, edhe Antoni, i cili pas disfatës në dashuri në rininë e tij të herëshme, dhe që në mezin e moshës, kërkonte vetmi të përherëshme, më në fund e ka trashëgimtarin e tij.

Kështu, mesazhi që përcjell Ahmet Prençi tek lexuesi është ai i ripërtëritjes së jetës. Për këtë ai përdor magjinë dhe forma tjera të mbinatyrshme si element parësor të përmbajtjes, temës dhe vendosjes së personazheve,.

Kësisoj gjejmë në këtë roman portretizime e përshkrime brilante të ngjarjeve e rrethanave, të përjetimeve të dashurisë së dëlirë, por dhe të përjetimeve dramatike, deri sa tek Anton Hila shfaqet franko-shqiptarja Anja Steve, (me nënë shqiptare e me baba francez).

Të skeduara e përshkruara si rrëfime ngjarjesh e episodesh prej më shumë se tri dekadash, autori Prençi, sjell mjeshtërisht realitetin e qytetit të Drinasit ku po ndërtohej një vepër e rëndësishme energjitike, drejtues teknik i së cilës ishte inxhineri Anton Hila (ashtu si edhe peisazhin mahnitës të fshatit ku ai ka ndërtuar vilën e ku po kalonte vitet e fundit të jetës së tij).

Duke perifrazuar autorin Prençi: “Ndonjëherë në jetë, një takim krejt i rastësishëm mund të shndrrohet në ngjarje të rëndësishme, në një pikë kthese të jetës tënde, e cila mund të ndryshojë gjithçka…”. Kështu ndodh edhe me personazhet e këtij romani. Anja që ka ardhur për pushime në qytetin e vendlindjes së nënës së saj “brenda vetes, me instiktet e një princeshe pa oborr mbretëror, ndjente shpalljen e  një sfide për princin e panjohur”. Ndërsa Antoni, ndonëse vetmitar i deklaruar, trajtohet në roman si “Mbreti në rrjetë”.

Dhe në këtë rast, autori fantazon aq bukur saqë sipas tij:“Po të kishte patur rastin Klinton të njihte bukurinë franko-shqiptare, të ngjizur aq magjishëm tek Anja, ai me siguri do të kishte dhënë dorëheqjen nga posti i lartë, duke divorcuar edhe vetë Hilarin, për t’u martuar me Anjën”…Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe, kur autori Prençi na paraqet në portretin e Anjës vajzën ku ishin bërë bashkë të gjitha: inteligjenca, pasioni, bukuria dhe sinqeriteti.

Ndërsa Anja kërkonte pak Paris në Drinas…., për Antonin, tashmë në mesin e malit të moshës, (që për më optimistët konsiderohet mosha 50-vjeçare), ndërmarrja e një lidhje serioze dhe afatgjatë me një femër, duket si një ftesë për ecje alpine…. Kësisoj, Ahmet Prençi me romanin e tij na afron shumë pranë me personazhet. Ai i përgatit ato për një ngjarje të madhe dhe, sa më pranë saj janë ato, aq më i rreptë është sprovimi i tyre dhe më dramatik përcaktimi.

Ndërsa gjatë atij përjetimi magjik gjatë pesë ditëve në Drinas dhe në plazhin e qytetit bregdetar i ishte shprehur vajzës franko-shqiptare se: “Ti je një krijesë e magjishme Anja! Të dërgoi Zoti tek unë për të më thënë se unë jetoj, se mund të dashuroj përsëri. Ti më binde se jam në gjendje të dua përsëri….”, largimi i saj për në Francë, pa i thënë “lamtumirë”, do të ishte, siç e shtjellon më tej autori: “Një dashuri me ‘nekrologji’ të parashkruar”.

Gjithsesi, mesazhin e ripërtëritjes së jetës autori Ahmet Prençi e përcjell aq bukur nëpërmjet letrave të Anjës, që vijnë në sintezë me dashurinë e saj të zjarrtë për Anton Hilën. Janë letra që përshkruajnë dashurinë e zjarrtë dhe përbetimin e saj për të rritur e vetme trashëgimtarin e ngjizur në Shqipëri, të pagëzuar me emrin Arbër. Pa patur pranë atë që e konsideronte “vetmitarin e përjetshëm”, që e dashuroi dhe e dashuronte marrëzisht. Dhe në këtë kontekst autori shtjellon mjeshtërisht filozofinë e tij se “Gjithë dramat e kanë në gjenezën e vet dashurinë e verbër”.

Kështu, Ahmet Prençi, si një arkitekt i vërtetë ligjërimesh të këndshme, ndërthur dy linjat që të çojnë tek një roman shumë i arrirë dhe mjaft tërheqës për lexuesin. Nëpërmjet një procesi të gjatë e të nderlikuar krijues, ai dëshmon aftësinë për të treguar realitete të perceptuara dhe përjetime si realizim artistik në romanin “Anja”.

Ky roman që u vlerësua me çmimin e karrierës në një  event kaq të rëndësishëm siç është 150-vjetori i lindjes së poetit tonë kombëtar Gjergj Fishta, dëshmon për vlerat e rralla ideoartistike që ai përçon tek lexuesi.

Le të shërbejë ky çmim si inkurajim për suksese të mëtejsjme të autorit Ahmet Prençi në krijimtarinë e tij cilësore dhe mjaftë productive.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular