BallinaKryesore100 vjetori i Betejës së Lan Lurës dhe i tërheqjes përfundimtare të...

100 vjetori i Betejës së Lan Lurës dhe i tërheqjes përfundimtare të serbëve nga territoret shqiptare

Situata politiko – ushtarake e vitit 1921

Nga Sakip Cami

Pas mbarimit me sukses të luftës së Dibrës të gushtit 1920, me 17 dhjetor 1920 Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve sipas kufijve të vitit 1913.

Jugosllavia duke shfrytëzuar një klauzolë të vendimit të Lidhjes së Kombeve për ratifikimin e kufijve nga kjo datë e në vazhdim, nuk i largoi fuqitë e veta ushtarake nga Shqipëria. Ajo kishte për qëllim që të depërtonte në kufirin e Tre Qafave, “Qafën e Buallit”, “Qafën e Murrës” dhe “Qafën e Merkurthit”, si hap të parë që më pas të depërtonte drejt Durrësit, ëndrrës së vjetër për dalje në Detin Adriatik.

Nisur nga këto veprime të qeverisë jugosllave, qeveria shqiptare ju drejtua Lidhjes së Kombeve me një kërkesë për një komision ndërkombëtar, pasi Jugosllavia po vazhdonte agresionin e saj drejt vendit tonë. Jugosllavia për të mos rënë në sy të Lidhjes së Kombeve e paraqiti atë si çështje të bejlerëve shqiptarë që luftojnë për pushtet duke ju referuar kështu bajraktarit të Mirditës Markagjoni që më 17 korrik 1921 kishte shpallur në Prizren Republikën Autonome të Mirditës. Qeveria e Tiranës nuk mund ta lejonte këtë akt irredentist dhe nisi drejt Mirditës trupat e saj qeveritare.

Ismail Strazimiri, bashkëkohës dhe bashkëluftëtar në këtë luftë në kujtimet e tij shkruan:” Me nji urdhër të kryeministrit Iljas Bej Vrioni, të ministrit të brendshem Sulejman Delvina dhe të ministrit të luftës Selaudin Shkoza, Elez Isufi u nis për me u marrë vesh me Marka Gjonin.Elezi shkoi në Lurë dhe dërgoi Ibrahim Gjocin ke Marka Gjoni për ta caktue vendin e kohën e takimit. Kur u kthye Ibrahim Gjoci e njoftoi Elez Isufin se Marka Gjoni kishte dredhue dhe nuk dëshironte me hy në marrveshje me qeverinë.
Serbia u përpoq që të dërgonte në Mirditë për të ndihmuar bajraktarin Markagjoni trupa shqiptare që komandoheshin nga Taf Kaziu, Halit Lleshi , trupa të cilat nuk arritën në Mirditë dhe nuk e ndihmuan dot bajraktarin e Mirditës. Për këtë Serbia dërgoi për në Mirditë trupat e saj për të ndihmuar .

Profesor Kristo Frashëri te Historia e Dibrës, faqe 363 shkruan se Jugosllavia e nxiti politikisht dhe e ndihmoi financiarisht kapedanin konservator të Mirditës Marka Gjonin që të organizonte një kryengritje të armatosur kundër shtetit shqiptar, rebelim që filloi në fund të qershorit të vitit 1921. Meqenëse kapidani nuk pati mbështetje në masë as edhe nga mirditorët e tij u detyrua të arratisej në Jugosllavi. Kthehet përsëri për të marrë fronin, por hasi në rezistencën e malsorëve dhe luftëtarëve të Reçit, Dardhës, Çidhnës dhe Lurës që drejtoheshin nga Elez Isufi.

Në qershor të vitit 1921, për të përballuar në mënyrë sa më të shpejtë dhe efektive problemet e shkaktuara në Mirditë u formuan edhe 3 batalione të lëvizëshme që vareshin direkt nga Ministria e Luftës dhe komandanti i operacionit Ali Rizai. (AQSH Fondi i kryeministrisë D>II-15/1, viti 1920, f.81.)

Me ardhjen në fuqi të qeverisë së “Grupit të shenjtë” qeverisë që kryesohej nga Iljas Bej Vrioni u vendos që të mos lëshohet asnjë pëllëmbë territor dhe të kundërpërgjigjej me luftë të armatosur.

Beteja e Qafë Gëlqeres në Lan Lurë

Pala serbe njoftoi komandën shqiptare në Arras se në rast se nuk lirohej Arrasi e gjithë katundet për rreth tij brënda 24 oreve, do t’i bombardonte dhe do t’i sulmonte për t’i pushtuar.

Kur panë autoritetet serbe se shqiptarët nuk e morën në konsideratë notën e tyre verbale dhe nuk i liruan teritoret, me 18 shtator 1921 filluan me bombarduar me topa e me msye me ushtri të rregullt. Gjëmimi i topave serbe dëgjohesh deri në thellësitë e Lurës. Me nji here u çue Elez Isufi dhe me nji fuqi që mbodh aty për aty u nis me shkue në ndihmë të Arrasit. Pa humbur kohë e thirri të nipin Suf Xhelilin e kapiten Rizain që të vinin në ndihmë me forcat që dispononin. Ndër kohë, lëshoi kushtrimin edhe në Dardhë e në Reç.
Kur arrit i populli i Dardhës dhe i Reçit, simbas kushtrimit të marrë dhe batalioni i kapiten Ali Rizait e fuqija e Suf Xhelilit, u nis lufta e egër në mes të shqiptarëve e të serbëve që kishin sjell njiqind topa të vegjel e të mëdhej të cilët i përdoren në këtë levizje.

Raportet zyrtare të dhëna prej komandantëve të kufirit vërtetojnë se vetëm në ballin e Lurës janë përdor tridhjetë topa. Për ballë frontit të Dibrës serbët kishin përdorur regjimentet 12,17,18,19,25,27, dhe 28, përveç forcave serbe të ardhun nga Prizreni për tu përdor kundra ballit të Lurës .

Ismail Strazimiri, dëshmitar okular dhe pjesëmarrës në këtë betejë në librin e tij me kujtime e përshkruan me detaje atë:

Përballë kësaj mizorije serbe të armatosun gjer në dhembë qëndroi fuqia e dibranëve me rreth njëqind e sa vetë nga Arrasi, Sina e Epër, Sina e Poshme, Grykë Noka, Çidhna, Mustafe si dhe me nja njëqind e sa vetë nga Dardha, Reçi e Lura. E tërë fuqija e dibranëve përbëhej nga 200 – 300 forca dhe nga nji top dhe disa mitroloze që ua morën me luftë serbve.Me gjithë forcat e qeverisë të komanduara nga Ali Rizai bëheshin 400 burra të armatosur.

Luftëtarët herë herë shkëputeshin për të parë fëmijët e tyre që i kishin strehuar ndër shpella, pyje e bjeshkët e nalta dhe që po vuanin nga uria dhe të ftohtit.

Përmbi katundin Sine e Epër e Sine e Poshtme të Dibres ngrihen male të larta, ku kishte organizuar pritë Murat Kaloshi me nji fuqi dibranësh, çidhnakësh e të tjerë duke bërë një qëndresë heroike.

“Nga ana e Lurës, pa rreshtun, serbët mësynin vazhdimisht, por hasën në rezistencë e luftëtarëve dibranë që luftonin në pozicionet e tyre dhe në vendin e tyre që e njihnin pëllëmbë për pëllëmbë.

Suf Xhelili me vetëm njëzet e shtatë trima e zbrapsi sulmin e nji fuqie serbe që përbëhej prej katërqind ushtarësh duke e kaluar matanë Drinit dhe duke i marrë edhe armatimin, një top dhe disa mitroloza.

Zotësia e trimërija e komandant Ali Rizait ishte e jashtëzakonshme. Malësorët dibranë e admironin atë për drejtësinë dhe guximin.

Me 26 tetor 1921 serbet arritën të kapën dy pika strategjike, Shkallën e Deshve dhe Sharrën e Zogollit dhe e prenë rrugën prej nga i shkonte ushqimi e municioni forcave tona në Lurë. Në këtë mënyrë pozita e Lurës gati mbet e rrethueme dhe e rrezikshme, mbasi nuk i shkonte më as ushqim as edhe municion.

Historiani Fatos Daci e përshkruan me detaje dhe me emra këtë betejë me heroizëm të të pashoq. “Beteja e fundit me ushtrinë pushtuese serbe u zhvillua në Lanë-Lurë, në vendin e quajtur Qafa e Gëlqeres. Qeveria serbe, në tentativë që të zinte vijën strategjike Qafë-Buall, Lanë-Lurë e Qafë-Murrë dërgoi në këtë rajon 5400 ushtarë, që rreshtoheshin në 12 regjimente me 31 topa. Ndërkohë, më parë në Reç-Dardhë ishin pozicionuar edhe 2000 mercenarë të Tafë Kaziut e të Halit Lleshit për synimin për t’i shkuar në ndihmë të ashtuquajturës Republikë të Mirditës të Gjon Marka Gjonit.

Përballë tyre ishin rreth 400 vetë të forcave qeveritare të komanduar nga Ali Rizai dhe rreth 700 forca vullnetare të Reçit, Dardhës e Lurës. Prandaj, më 26 tetor 1921 serbët nisën përpunimin me artileri të zonës ku do të zhvilloheshin luftime me forcat qeveritare e vullnetare dibrane. Kjo situatë vazhdoi dhe më 27 tetor, ndërsa më 28 tetor shpërtheu lufta frontale mes dy palëve. Beteja u zhvillua shumë e ashpër. Lurasit e reç-dardhasit luftuan me heroizëm e trimëri të pashoqe. Lufta u bë dhe trup me trup. forcat dibrane dhe ato qeveritare e ndalën përparimin e ushtrisë serbe te Qafa e Gëlqeres.

Lurasit në këtë luftë komandoheshin nga Selman Mena, Ibrahim Gjoçi, Gjon Doçi dhe Hakik Mena. Vetëm nga Lura, në këtë betejë morën pjesë 34 veta, si: Gjon B. Doçi (i cili dhe u plagos), Kolë Mark Rajta, Ibrahim Gjoçi, Ahmet Gjoçi, Hasem Haldeda, Ali Vladi, Xhemë Vladi, Dullë Vladi, Osman Vladi, Liman Buci, Mehmet Ajazi, Islam Peka, Han Hoti, Demë Leka, Sulë Buci, Dan Kaçorri, Kolë Rajta, Liman Haldeda, Xhemë Haldeda, Riza Vladi, Musë Vladi, Xhafer Haldeda, Selman Haldeda, Bajram Haldeda, Ramadan Markola, Dan Haldeda, Rexhep Haldeda, Sulë Mena, Demë Mena, Bajram Vladi.

Luftuan si luanë të vërtetë gjithë ushtarët e civilat, shkruan Ismail Strazimiri dëshmitar okular, ndërsa evidenton oficerët që morën pjesë në këtë luftë:
Kapiten Ali Rizai, Kapiten Suf Xhelili, Kapiten Murat Kaloshi, Kapiten Ibrahim Gjoçi, Kapiten Haziz Pilafi, Toger Mehmet Skepi, Toger Misim Ahmeti, Toger Qazim Aziz Ndreu, Toger Dervish Lusha, Toger Haxhi Noka, Toger Xhezmi Frashëri, Toger Xhevdet Starova, N/Toger Abdulla Tirana, N/Toger Munir Tershana, N/Toger Rrok Qafa, N/Toger Hakik Mema, N/Toger Demir Curri, Aspirant Gani Dida, Asp.Sali Doda,Asp.Dali Lami, Asp.Selman Ahmeti, Asp.Hasan Faliu, Asp.Bajram Lusha,

Asp.Hysni Kaca, Asp.Xhetan Gjoni, Asp. Sadik Kerçova, Asp. Sul Cani etj… Më 9 nëntor 1921 Konferenca e Ambasadorëve e quajti Jugosllavinë agresore dhe hodhi poshtë pretendimet e saj për “vijën strategjike”. Megjithatë ajo vazhdoi provokacionet për të shkaktuar trazira, provokime që dështuan me turp.

Ushtria serbe me 8 Dhjetor 1921 u tërhoq në kufirin e përcaktuar prej konferencës së ambasadorëve, në Londër dhe i liruen tokat shqiptare të Dibrës.

Me 10 dhjetor 1921 fuqit tona kombëtare hynë në Diber, Peshkopi e në Lume si ngadhnjimtarë tue pasë në ballë komandantin e pergjithshëm Elez Isufi dhe Kapiten Ali Rizain, dy burra të çmueshem që meritojne çdo nderim për trimëni, burrërine e atdhedashuni e tregueme kurdoherë e veçanarisht gjatë kohës kritike që vazhdoi lufta.

Populli e përjetësoi në këngë këtë betejë të madhe:

“Qafë Gëlqerja gropa gropa,

Fort po e rref serbi me topa

Qafë Gëlqerja krisa krisa

Qëndrojnë trimat në kambë si lisa…”

Hymni i djelmënisë dibrane

Këtu në Lurë dhe në këtë kohë u këndua për herë të parë “Hymni i djelmënisë dibrane” të shkruar nga Haki Sharofi dhe të muzikuar nga Sami Gonxhe

Drin, o lum i gjanë, Plaku i malësisë
A ke me ia lanë Dibrën Serbisë ?
Kurrë nuk durohet kjo robëni
Dibra e Mojsiut asht Shqipëni

Çohi burra, çohi
Gjithë me besa besë
Për Dibrën luftoni
Me të madhen shpresë

Lurë o vend i naltë, vend i trimënisë !
Aty u banë fjalët, besa e lirisë:
Dibra do shpëtue, vend i Kastriotit
Dibrani lirue, si ka qenë motit

Çohi burra, çohi !
Gjithë me besa besë !
Dhe lirinë festoni
Me të madhen shpresë !

Dibra historike, me lufta valë- valë,
Dera e Kastriotit, gjinit tand ka dalë.
Ke pasur kreshnikë, por ke edhe sot,
Ai për Shqipni, gjakun s’kursen dot.

Në kuadrin e 100 vjetorit të betejës së Lan Lurës, këtë hymn e ka ripërgatitur dhe rimuzikuar Prof. Isak Shehu dhe e kanë kënduar tenorët e mirënjohur Arif Vladi dhe Kastriot Tusha. Hymni është në You Tube dhe është një kontribut i rëndësishëm jo vetëm muzikor, por edhe historik.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular