Tradhtarët që harron Berisha

0

NGA FATOS LUBONJA

Në një nga foltoret e Ber ishës e dëgjova të kërkojë ndjesë në emër të PDsë për faktin se ajo i ka braktisur protestuesit e Astirit dhe jo vetëm kaq, por, me urdhër të Ramës, nuk e ka zgjedhur në listën e deputetëve Klevis Balliun, i vetmi deputet i PD-së që shkonte përditë në ato protesta. Përgjegjësinë për këtë ai ia veshi Lulzim Bashës. Në këtë pohim ka një gjysmë të vërtetë, por duke qenë i ndërtuar në stilin e kulturës së vjetër të manipulimit të njerëzve nëpërmjet të vërtetave selektive, ai nuk ngjit, përkundrazi u shtohet zhgënjimeve që përjetojmë përditë nga politika.

E them këtë, pasi kriza që ka hapur konflikti Berisha – Basha në PD mendoj se duhet shfrytëzuar për të hapur një moment reflektimi të sinqertë me njerëzit mbi problemet e thella të akumuluara jo vetëm tek opozita, por edhe më gjerë në sistemin e mbrapshtë politiko-ekonomik që kemi ngritur. Dhe marrja me gjysmën e “harruar” nga Berisha në historinë e Astirit do të ishte shumë e rëndësishme për këtë. Në pohimin e tij, Berisha ka “harruar” se drama e njerëzve të Astirit – metaforë e dramës që po përjetojnë të gjithë shqiptarët – nuk u gatua vetëm nga Edi Rama dhe Damian Gjiknuri i PS-së, por se ajo ishte pasojë e një megaoperacioni korruptiv ku protagonist ishte oligarku Ulaj, i mirënjohur si mik dhe megapërfitues në kohën e Berishës 2 dhe, po ashtu, se mosshkuarja e njerëzve të PD-së tek Astiri, ashtu sikurse edhe mosfutja në listë e Klevis Balliut duhet t’u faturohet pikërisht lidhjeve të vjetra Berisha – Basha me të dhe jo Ramës. Nuk po zgjatem me historinë që e dinë të gjithë, së bashku me ata që duartrokasin Reformën në Drejtësi, por po e përdor si hyrje për analizën time.

***

Duke shkruar gjatë viteve të fundit mbi gjendjen e opozitës dhe raportin e saj me sistemin dhe shqiptarët, përpara se të ngulmoja në idenë “më mirë tri banda se një bandë” – që ka mbetur si shprehja më e cituar – kam kaluar nëpër dy faza më optimiste. Ka qenë një fazë kur kam mbështetur ardhjen e Ramës në pushtet në 2013 jo pse kisha besim se ai do të sillte ndryshim, por me idenë se shqiptarët duhet ta provonin Ramën sa më parë që të bindeshin përfundimisht se edhe ky është pjesë e sistemit në mënyrë që të shpejtonin krijimin enjë opozite antisistem. Me këtë ide, më 2015 kam mbështetur lëvizjen qytetare me në krye kandidatin e tyre Bojaxhi për Bashkinë e Tiranës si dhe më pas “Libran” e Ben Blushit.

Duke parë dështimin e Bojaxhiut dhe Blushit, në një fazë të dytë i jam kthyer opozitës së vjetër me idenë (pragmatiste) se për të ardhur në pushteti PD ishte “e dënuar” të godiste edhe sistemin bashkë me Ramën, pasi tashmë ato ishin bërë dy anë të së njëjtës medalje.

Në fakt, opozita provoi të bënte disa akte që u interpretuan si dalje nga sistemi, siç ishte çadra me sloganin “për republikën e re” apo kur la Parlamentin. Por këtu më duhet të sqaroj se me sistem nuk kam parasysh institucionet formale, por “institucionet” informale që qëndrojnë prapa kësaj fasade, që ndryshe i quajmë kapësit e shtetit. Kurse opozita e çadrës dhe e braktisjes së Parlamentit e përqendroi sulmin e vet tek Edi Rama, pa kryer goditje serioze ndaj anës tjetër të medaljes, për shembull pa mbështetur fuqimisht njerëzit e Astirit apo protestuesit e Kukësit, pikërisht për shkak të miqve dhe bashkëpunëtorëve të saj të vjetër të sistemit.

Më në fund, duke parë se partia e Ramës po bëhej gjithnjë e më e rrezikshme pasi grumbulloi rreth vetës të gjithë oligarkët e sistemit dhe mediat e tyre duke rrezikuar asgjësimin e çdo hapësire të mbetur demokratike, kalova në një fazë të tretë kur fillova t’i mëshoj idesë, aspak entuziazmuese, por si alternativa më realiste e mbetur: “më mirë tri banda se një bandë”.

* * *

I përmenda këto tri faza si episode të serialit “Zbritja e Shqipërisë në spiralen ‘krimi ndjell krimin’”, për të marrë në analizë lëvizjen e Sali Berishës, i cili po kërkon kthimin e PD-së në kohët e mëhershme. Pyetja është: në cilin episod të serialit synon të na kthejë Berisha dhe a mund ai ta kthejë filmin mbrapsht apo do të kemi një episod të ri dhe cili mund të jetë ky?

Duke ndjekur foltoren e Berishës, ku bie në sy reduktimi i diskurit te Basha tradhtar si dhe “harrimi” i tradhtisë së “miqve” oligarkë dhe mediave të tyre që i ka rritur, fuqizuar dhe pasuruar kur ishte në pushtet, më rezulton se Berisha kërkon ta na kthejë tek episodi “Më mirë tri banda se një bandë” ose “kthim në pluralizmin oligarkik” duke i vënë titullin “Rikthim në pluralizëm”. Vazhdoj të mbetem i idesë se kjo do të ishte më pozitive sesa gjendja ku ndodhemi. Do t’i uroja sukses Berishës madje, por problemi është se kthimi te ky episod duket thuajse i pamundur dhe një ndër arsyet kryesore lidhet me “tradhtarët”, për të cilët Berisha hesht. Ashtu si PD-ja e Lulzim Bashës, unë i shoh edhe ata si “pengje” të Ramës, në fakt të këtij narkofashizmi ekonomik që e kanë ndërtuar vetë ku partia shtet, oligarkët dhe krimi i organizuar janë bërë të pasfidueshëm, pasi, përveç të tjerave, kanë me vete edhe mbështetjen amerikane.

Në këto kushte, që të kishte sukses, Berisha do të duhej të kthehej në një serial të mëhershëm, të kohës kur u premtonte shqiptarëve se do ta çlironte Shqipërinë nga “baronët e drogës”, “Klani i Zemunit”, “Dukët e krimit”, se do t’u vinte “ruspat” abuzimeve të tyre, se do të godiste mediat e ngritura me “pluhur të bardhë”, se TVSH do t’i kthente fuqinë në shërbim të interesit publik etj. si këto. Mirëpo, siç e tregoi edhe gjysmë e vërteta e Astirit që e përmenda në krye të shkrimit, ai nuk e bën dot këtë jo vetëm për shkak të lidhjeve të vjetra, por edhe sepse nuk do ta besonte kush pa futur në diskurin e foltoreve të tij edhe akuzën ndaj vetë Berishës si “tradhtari” që, kur e kishte në dorë, nuk i mbajti premtimet.

Kuptohet se dialogu i sinqertë me njerëzit mbi këtë çështje mungon krejtësisht edhe në kampin tjetër: atë të Lulzim Bashës dhe të vetëve, të cilëve duket se po mjaftohen me manipulimin e njerëzit nëpërmjet televizioneve dhe fotografive që botojnë me Yuri Kim si dhe me disa propozime ndryshimesh kushtetuese.

Bëhet edhe më dëshpëruese situata kur sheh apatinë apo mungesën e plotë në skenë të aktorëve të tjerë antisistem.

Prandaj, për të qenë realist, them se seriali “Zbritja e Shqipërisë në spiralen ‘krimi ndjell krimin’” me shumë gjasa do të ecë përpara sipas premtimit të skenaristit: “nuk keni parë gjë akoma”. Pa marrë përsipër të bëj profetin, them se episodi i ri do të na tregojë se si Rama, pasi t’ia shkulë të gjithë dhëmbët opozitës me darën e fuqishme që ka në dorë, njëri krah i së cilës janë amerikanët dhe tjetri “tradhtarët”, për të cilët Berisha nuk flet – të dy të interesuar për statuskuonë në emër të interesave të veta – do të vazhdojë të na befasojë me gjëra edhe më “të çuditshme” se ato që kemi parë deri tani, me pasoja edhe më dramatike.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.