BallinaKryesoreKoha e trekëndëshit të Bermudës ka marrë fund, shqiptarëve do t’u hapet...

Koha e trekëndëshit të Bermudës ka marrë fund, shqiptarëve do t’u hapet rruga e mbyllur 30 vite. Vendosmëria ime është e pakthyeshme!

NDËRHYRJA E DYTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE,  LULZIM BASHA,  NË SEANCËN E KUVENDIT

Problemi i madh është kur vjen këtu me të vetmin citim që ke mësuar përmendësh që është Kanti, ndërkohë që unë të ftoj të lexosh edhe Frojdin edhe Jungun, ta bëra ftesën që herën e parë. Sepse je bërë kaq i lexueshëm sa që me  çdo fjali të gjithë e kuptojnë se ku e ke hallin.

E ke hallin ti tek Partia Demokratike,  ke hall ti sesa demokratë mbledh unë. Të ka marrë malli ty? Të ka marrë malli?

Thuaj më ka marrë malli për Sali Berishën dhe Ilir Metën, thuaje ta dëgjojnë të gjithë.

Shko dhe ti në foltore, ose fillo foltoren tënde. Bëni trekëndëshin e Bermudës dhe qani hallin bashkë  të tre nëse i keni të njëjtat. Unë jam këtu për të qarë hallet e shqiptarëve, as të tuat as të Sali Berishës dhe as të Ilir Metës. As të atyre që ju rrinë nga mbrapa ju. Kështu që, ti të paktën dil hapur, mos u fshi. A do ta plotësojnë dëshirën ty demokratët të na kthesh pas? Të jesh i sigurt që jo. Jo, s’kanë për ta plotësuar, mua do më kesh përballë, jo Sali Berishën.

Mua që të munda në 2011 dhe ta mbusha gropën e Hajdin Sejdisë, ta zhduka parfumin Hajdin Sejdia nga qendra e Tiranës dhe aty doli pastaj që nuk ishte bashki, por ishte bankomat. Ti e di vetë ku u arratise 3 javë me radhë derisa more veten për tu rikthyer. E di dhe unë. Se disa miq i ke ti, por disa miq i kam dhe unë.

Kështu që nëse te dukem i fortë, është problem i joti, i dobët nuk kam qenë ndonjëherë. Unë po flas me tone civile dhe nuk kam nevojë fare të poshtëroj, sepse ti poshtëro veten me mënyrën sesi flet këtu. Por, faktet të poshtërojnë dhe të nxjerrin gënjeshtarin , dështakun dhe kusarin që ke qenë gjithë jetën tënde në politikë.

Ja ku i ke faktet.

Kërkoja tigrit të ti japë. Bashkimi europian, fondi limit 15 milion euro, numri i shkollave 22, fondi për një shkollë 681 mijë euro. Fondi shqiptar i zhvillimit 34 milion e 223 mijë euro, 45 shkolla, mesatarja 760 mijë për shkollë. Bashkia Tiranë 10 milion e 721 mijë euro, 8 shkolla, 1 milion e 340 mijë. S’ke çfarë të sqarosh o tigër po rri rehat aty. Çfarë do të sqarosh ti? Ti do të manipulosh. Ishalla i ke djeg të gjitha ato që ke gjet tek zyra e paraardhësit. Bashkia tjetër, 30 milion euro, 14 shkolla, 2 milion e 173 mijë euro. Këto janë të vërtetat. Burimi, Partia demokratike. U kënaqët ë? Jo ore jo. Agjencia e prokurimit publik. Shiko si qeshin. Afroje pak. Shiko si u zgërdhinë. Kujtuan se ishte PD me vërtet.

APP, agjencia e prokurimit publik.

Do qeshni tani? Do qeshni? Ja ku i keni?

Shifrat tuaja, që ti si lexon se ti merresh me shifra të tjera sigurisht, ç’të interesojnë ty këto. Borxhin ia ke shqiptarëve.

Provat i ke në familjet e çdo shqiptari të goditur nga pandemia që paguan minimumi 1 milion lekë për tu kuruar për shkak të shëndetësisë tënde falas, shkon deri në 5000 euro, zhyten në borxhe. I ke në Shtish Tufinë dhe në Sharrë nëse nuk ke kohë të dalësh jashtë Tirane. I ke tek FMN-ja që të tha kur po haje hallvë në Egjipt që ke numrin më të lartë të vdekjeve për frymë. Këto janë faktet, faktet i ke brenda në raporte, në shtëpitë e shqiptarëve, tavolinat e shqiptarëve në xhepat e shqiptarëve. Dhe shkaktari je ti. Kështu që mos u kap kot pas trekëndëshit të Bermudës, megjithëse je njëri nga brinjët e trekëndëshit.

Koha e trekëndëshit të Bermudës ka marrë fund.

Misioni im dhe i partisë më të bukur të lindjes është që mos të përsërisim gabimet e 92 as të 97 dhe as të 2009 dhe të mos bëjmë më asnjë kompromis me të keqen. Qoftë kjo për hir të zgjedhurit të një presidenti, apo krijimit të një koalicioni apo të dhënies të besimit të një njeriu që nuk duhet të ishte as në politikë. Dhe në fakt e kam dhe unë pjesën time të fajit që je aty, por pjesën më të vogël se pjesën tjetër e kanë 2 brinjët e tjera të trekëndëshit të Bermudës.

Se fajin e kanë dy brinjët e tjera të trekëndëshit të Bermudës. Tani Salillari 1.81 miliardë lekë, Alko Impleksi, nipat e Sadri Abazit 306.4 milionë, Bami  639 milionë, Start Tek 567 milionë. Geci 970 milionë , MANTCI  1.83 miliardë lekë, ndërtim montim Patos i inceneratorit  të Fierit 447.2 milionë lekë, Alb Star i kullës së stadiumit 415  milionë lekë, Fusha 334 milionë lekë.  Këto janë klientët ku ndan paratë ti. Çfarë?! Këto janë pra lekët e shqiptarëve ku i çoni.

Këto janë meqë doje faktet, këto janë faktet, këto janë shifrat, këto janë shifrat dhe se sa qejf i ke plehrat ti e tregove në fushatë kur mblodhe gjithë grupin parlamentar  tek inceneratori i Elbasanit.

Ti që na flet ne për pastrimin e Shqipërisë, ti i vure flakën Durrësit, Kavajës, Fierit se harruam. Ti bëre mbledhje të veçantë me kryebashikiakët dhe the që as gjenerali në Kairo nuk guxon ta thotë. Do ju shkrij bashkitë the në qoftë se nuk pranoni të firmosni që lekët tuaja, apo lekët që ju jap me buxhet ti coni tek si i ka ai se janë dy Kloda, Klod Mërtiri me Klod Zotën, Mirel Mërtirin  me Klod Zotën. Mirel mo Mirel e ka mos ki merak se ty të ka plasur lufta, kanë shkuar lekët nga tigri tek Urja Hipi dhe më duket se kanë dalë tek Damiani. Kështu të paktën thotë Timsi, ose përndryshe keni lidhur ndonjë miqësi apo krushqi se 20 e ca herë me avion brenda pak viteve nuk shpjegohet, apo janë vetëm ujësjellësit?! Po qenë vetëm ujësjellësit ndoshta nuk i kam SPAK, i kap Prokuroria e Tiranës, sigurisht pas Vetingut.

Pra që ti themi gjërat shkoqur dhe qartë, këtu ka një betejë midis 30 viteve llum të tranzicionit dhe padiskutim maja e llumit je ti , padiskutim llumi nuk i takon vetëm një partie, kemi edhe ne pjesën tonë të llumit, por unë të siguroj që atë pjesë tonën të llumit që e kemi  peshkuar mirë tetë vitet e shkuara , një pjesë e ke pasuruar, një pjesë e ke graduar, një pjesë e ke grepuar, e ke përdorur, e ke hedhur kundër opozitës, e ke hedhur kundër ndryshimit, kundër proceseve demokratike që në fund të fundit çfarë janë?!

Janë mënyra e një shoqërie për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Pa kaluar në përplasje sociale. Atë pjesë të llumit Partia Demokratike dhe unë jemi të vendosur ta pastrojmë deri në fund. Sado të subvencionosh ti oligarkët dhe mediat e kapura apo të kundërtën. Sakrifica e demokratëve në emër të shqiptarëve nuk do të shkojë kotë. Masakra zgjedhore e 25 prillit nuk do të mbajë gjatë.

Vendosmëria ime është e pakthyeshme!

Trekëndëshi i Bermudës i ka ditët e numëruara! Kështu që jepini gajret njëri-tjetrit sa të doni, por shpëtim nga ajo për të cilën i keni hyrë në hak shqiptarëve ti i pari dhe mbi të gjithë, nuk keni për të pasur. Gjërat kanë ndryshuar një herë e mirë. Një pas një, brinjët e trekëndëshit të Bermudës do të bien.

Shqiptarëve do t’u hapet rruga e mbyllur 30 vite.

15 veta që kontrollojnë tranzicionin, politikën, ekonominë, median do të japin llogari, politikisht.

Ndaj, sa i përket punës së transparencës, meqë ti pretendoke se nuk e dinë se çfarë bankomati ishte bërë Bashkia e Tiranës kur ti ishe kryetar dhe se sa të dhembi kur e humbe bankomatin.

Meqë ti paske harruar bandat dhe banditët me të cilat e more tre herë bashkinë dhe u përpoqe ta marrësh për herë të katërt, meqë pretendon se nuk i njeh banditët me të cilët bëre masakrën zgjedhore të 25 prillit, meqë pretendon se nuk ke pasuri të pajustifikueshme të tuat të të afërmve të tu apo të ortakëve të tu apo të bashkëpronarëve të tu në Tiranë, në Shqipëri dhe anembanë botës, meqë pretendon të kundërtën dhe më thua mua mendohu mirë, mendohu mirë, e di ç’ke, bëhu ti burrë një herë në jetën tënde edhe votoje vettingun e politikanëve.

T’i marrim me radhë dhe ndryshe nga rregulli i vjetër, mos ta fillojmë nga plaku, po ta fillojmë nga i riu. E bëj unë i pari vettingun, mos ke merak, në të gjithë komponentët e tij. Bëje ti i dyti dhe pastaj të gjithë të tjerët në këtë sallë dhe të gjithë politikanët, nga i pari tek i fundit.

E ke fare thjeshtë, do t’i japësh fund këtij monologu që bën këtu, ku të ka shteruar edhe mundësia për të përsëritur të njëjtat figura letrare, e ke shumë të thjeshtë, voto vettingun në politikë. Dhe lëri punët e demokratëve, se demokratët i kanë gjërat e qarta dhe nuk ka gjë të të shpëtoj ty nga vendosmëria e tyre, për t’i dhënë fund këtij regjimi me mua në krye.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular