BallinaKryesore"Nëna e Atit" e Entela Kasit, Besnik Mustafaj: Një ftesë për lexim

“Nëna e Atit” e Entela Kasit, Besnik Mustafaj: Një ftesë për lexim

Nga Besnik Mustafaj      

Sigurisht që një fjalë përcjellëse si kjo nuk është vendi i përshtatshëm për analiza të thella mbi krijimin letrar. Por është gjithsesi një rast i mirë për ta paralajmëruar lexuesin se po merr në dorë një vepër me vlerë, duke i treguar atij shkurtimisht edhe arsyen pse unë po bëhem në njëfarë mënyre garant. Domethënë, duke i treguar atij një a dy aspekte, të cilat, sipas meje, si lexues i veprës në dorëshkrimin, e bëjnë autoren dhe librin në fjalë të veçantë. Të tillë unë do të nënvizoja posaçërisht qasjen, që Entela Kasi ka në këto poezi ndaj identitetit. Sigurisht që kjo përçapje nuk është e re për letërsinë. Autorë të rëndësishëm qysh në Antikitetin grek e ndjenë nevojën për ta zhvilluar gjuhën e imagjinatës së tyre në këtë drejtim, duke kuptuar kështu se, nëtë vërtetë, marrëdhënia e brendshme me identitetin përbën një nga ankthet kryesore ekzistenciale të qenies njerëzore. Vlera e poetes Entela Kasi në këtë rast qëndron te ndershmëria e saj estetike për të shprehur veten e saj në këtë hulumtim identitar. Pikërisht përmes personalizimit në vetën e parë të qasjes, në poezitë e veta më të arrira, ajo ia del të na shfaqet natyrshëm moderne, duke qenë njëherësh edhe në vazhdën e një tradite të hershme dhe shumë të pasur të letërsisë botërore me këtë temë.

Për të bërë një skicë fare të shpejtë të udhëtimit të saj zbulues, do të thosha më së pari se poetesha e zgjedh me realizëm pikën e nisjes, duke e marrë të mirëqenë dhe pa komplekse faktin se identiteti i saj njerëzor dhe kulturor mishëron ndërthurjen e shumë prurjeve, që vijnë nga horizonte krejt të ndryshme. Pra, ajo nuk hiqet sikur në këtë eksplorim ekzistencial po niset nga e panjohura. Përkundrazi. Kjo vetëdije objektive i jep gjuhës së saj poetike një qetësi shpëtimtare, e mbron atëmirë nga emfaza dhe patetizmi, me të cilat është e mbushur poezia botërore, siç edhe ajo shqiptare kur marrin përsipër të shprehin indentitetin kombëtar, apo edhe më keq, ndonjë identitet racor. Entela Kasi synon të depërtojë me imagjinatë vetëm në identitetin e vet njerëzor dhe kulturor, pa bërë asnjë përgjithësim.

Mandej, me të njëjtën vetëdije objektive, poetja bën zgjedhjen e saj subjektive midis prurjeve, që kompozojnë identitetin duke u përqendruar tek rrënjët, e që përmblidhet në mënyrë konkrete dhe po aq metaforike tek poezia Amidah – nëna e atit.Gruaja mesdhetare, me zanafillë hebreje, të cilën fati, ndoshta edhe historia e ka sjellë në breg të liqenit të Ohrit.

Poetja Entela Kasi ndjehet plotësisht në të drejtën e saj për ta bërë këtëzgjedhje dhe as që merr mundimin të na shpjegojë, përse pikërisht kjo rrënjë e identitetit të saj është më e rëndësishme, domethënë më qendrore, më ushqyese për përfytyrimin e saj se të tjerat.

Nga kjo pikëpamje, ajo shfaq një sovranitet, që vetëm një poeti të vërtetë i shkon. Poezia e saj nuk është madje as një homazh i zakonshëm për këtë gjyshe, është diçka tjetër, shumë më e ndërlikuar.

Si procedim, poetja Entela Kasi ndjek shtegun më të thjeshtë. Ajo e vendos rrugëtimin e vet identitar në kohë, por pa përvijuar një trajektore lineare. Ka të tashme, ku piketë referencialeështë ajo vetë dhe askush tjetër. Ka edhe të shkuar, ku piketë referenciale është po ashtu e vetme-nëna e atit. E shkuara shtrihet prapa në pafundësi. Por, në këtë hartë nuk shohim të ardhmen. Dua të them se poetja nuk e shtrin udhëtimin e vet imagjinar drejt të ardhmes për të na bërë prognoza. Një shpalosje e tillë dy dimensionalee kohës në poezinë e Entela Kasit nuk më duket e rastësishme. Edhe pse me një lirizëm të pasur, poezia e Entela Kasit është e pastruar me kujdes nga ai optimizmi, që do të ishte i nevojshëm me energjinë e vet për t’u projektuar në të ardhmen.

Në të vërtetë, arsyet e mungesës së dimensionit të tretë kohor i gjejmë të pohuara midis rreshtash tek e tashmja identitare, një e tashme e përshkuar kryesisht nëpërmjet evokimit të së shkuarës. Një nga shembujt e shumtë, që mund të sillja, e kemi në poezinë “Atlantis”, që kur u fundos, mori me vete edhe “ca kamare turpi/ me kokanjerëzish/ si në teatër/ kur hyjmë në rend”. Siç e lexoj unë, poetja vëren në bashkëkohësinë e saj moderne se njeriu nuk është përmirësuar shumë pavarësisht katastrofave, që i ka shkaktuar vetes gjatë shekujve, katastrofa këto që po ky njeri i ka shqyrtuar e  pasqyruar në letërsinë e vet historike, biblike e mitologjike, por pa nxjerrë mësime të dobishme prej tyre. Pikërisht këto letërsi përbëjnë burimet, ku ushqehet përfytyrimi i poetes gjatë hulumtimit të saj identitar, për të na thënë se, në fakt, bëhet fjalë për një drama perpetum, një“përballje me bishën”, sado që kjo dramë, siç Entela Kasi ia del ta shprehë, mund tëpërcillet edhe me një gjuhë të bukur lirike.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular