BallinaIntervistaBasha: Foltorja e Berishës e mbushur me faktorë të krimit të organizuar...

Basha: Foltorja e Berishës e mbushur me faktorë të krimit të organizuar që kanë punuar për Ramën

Kryetari i PD-së Lulzim Basha vjen me deklarata të forta kundër Berishës në një intervistë që do të transmetohet në orën 15:00 në Ora News.

Për gazetarin Everest Dedaj, Basha paralajmëron përjashtimin e Berishës nëse sjellja e tij politike vijon të jetë e njëjtë dhe sipas Bashës dëmton interesat e PD-së.

Basha akuzon Berishën se ka shndërruar foltoren në një strehë ku pjesëmarrës ka dhe pjesëtarë të  krimit të organizuar.

“Partia demokratike ka evidentuar faktorë të krimit të organizuar që në zgjedhjet e 25-Prillit, masakrën zgjedhore të 25 Prillit, kanë qenë rreshtua në krahë të Edi Ramës.Ndaj vendimi i Kryesisë për të thirrur Kuvendin Kombëtar, një Kuvend, dhe nuk ka dy palë në PD, ka vetëm një palë, dhe nga ana tjetër ka një individ që ka nisur një betejë personale me SHBA të cilët e kanë shpallur ‘Non Grata’. thotë Basha.

Intervista e plotë

Lulzim Basha për Ora News: Qartë shkurt e prerë. Nuk ka asnjë shans që ata një pjesë e të cilëve kemi nxjerrë nga zyrat e shtetit dhe do i nxjerrim bashkë me Edi Ramën të vijnë e të uzurpojnë PD-në. Nuk ka shans të ndodhë. 18 dhjetori është dita e bashkimit të PD-së. Është dita e dhënies fund të tollovisë për interesa personale të Sali Berishës. Dita e përgjigjes së merituar për Aqif Rakipët, Tom Doshët, Suel Çelët që mendojnë se u erdhi dita se pasi kanë kapur Edi Ramën e PS-së të kapin dhe PD-në.”

Ora News:Duket si propagandë?

Lulzim Basha: “Propagandë është ajo që bën Sali Berisha që nga njëra anë shpik marrëveshje të paqenë midis meje e Edi Ramës. E nga ana tjetër flet si Edi Rama edhe kur më sulmon mua edhe kur refuzon vetingun politik që e ndan shapin nga sheqeri  edhe në PD edhe në PS”.

Ora News:Një ditë më parë ju thirrët kryetarët e degëve për të diskutuar për Kuvendin Kombëtar, ndërsa pak më herët mblodhët kryesinë. Pse Basha nuk bën një përpjekje për të pasur një Kuvend Kombëtar për të mbivendosur një Kuvend tjetër të thirrur nga Berisha. Pra që të ketë një përpjekje për bashkimin e faktorëve të PD, për mos ta  çuar këtë forcë në përçarje?

Lulzim Basha: Unë jam përpjekur të tregojë respekt për të gjithë demokratët që kanë zgjedhur që të dëgjojnë Berishën, kur ai e nisi këtë lëvizje në emër të demokracisë së brendshme të zbatimit të statutit. Aty ka disa kategori njerëzish, aty shkojnë demokratë që kanë respekt për të, shkojnë demokratë  për ta dëgjuar pavarësisht mendimin që mund të kenë për të, shkojnë demokratë që janë të pakënaqur me mua, kundërshtarët e mi politik, në asnjë moment s’I kam etiketuar apo sulmuar. Aty shkojnë me shumicë njerëz që nuk përfaqësojnë demokratët, përfitues gjatë viteve të qeverisjes, të bërë milioner dhe multimilioner paligjshmërisht duke shkelur mbi sakrificën e demokratëve, ndërsa në procesin e të ashtëquajtur mbledhjen e firmave, partia demokratike ka evidentuar faktorë të krimit të organizuar që në zgjedhjet e 25 prillit kanë qenë rreshtuar në krahë të Edi Ramës.

Ndaj vendimi i Kryesisë për të thirrur Kuvendin Kombëtar, një Kuvend, dhe nuk ka dy palë në PD, ka vetëm një palë, dhe nga ana tjetër ka një individ që ka nisur një betejë personale me SHBA të cilët e kanë shpallur ‘Non Grata’. E ka nisur këtë betejë me zotimin që nuk do ta përfshinte PD, ndërkohë që ka nisur lëvizjet brenda PD me pretekstin e zbatimit të statutit të demokracisë brendshme të degjenerojë në atë formë me kyçjen që ai e çuan formularë në një kasafortë ku ai pretendon se është vullneti i demokratëve. Për fat të keq sipas të dhënave tona, ky nuk është  një proces, as në lidhje me statutin dhe as në lidhje me rregullat e funksionimit të brendshme të PD. Nga ana retorike është linçim i atyre që mendojnë ndryshe brenda familjes sonë politike. 

Interesat e Berishës, dhe problemet e tij në këtë rast shpallja ‘Non Grata’ nuk mund të shërbejnë për ta përdorur PD si mburojë. Dhe nga ana tjetër kemi një përpjeke të pakicë të pakicës jashtë statutit dhe jashtë rregullave, dhe një proces të diskredituar. Dhe për t’i dhënë fund kësaj kulture linçimi, kësaj frymë përçarje, për të bërë të qartë se PD ka lindur është dhe vazhdon të jetë properëndimore për të mundur regjimin që kemi përballë më 18 Dhjetor do kemi Kuvendin Kombëtar të PD

Ora News: Zoti Basha, a mendoni se realisht 18 dhjetori do ta ruaj Partisë Demokratike një Kuvend një parti?

Lulzim Basha: Pa pikë diskutimi që po! Sepse ne nuk kemi një interpretim apo një mendim ndryshe sa i takon orientimit të Partisë Demokratike. Demokratët nuk kanë mendime të ndryshme nëse Partisë Demokratike papritur duhet të kthehet me fytyrë nga lindje, nga Rusia e Putinit, apo nga të tjera fuqi jo perëndimore.

Ora News: Ama zoti Basha keni krahun tuaj më të fortë, siç e keni pasur në 8 vitet e opozitë zotin Sali Berisha, i cili iu etiketon dhe iu akuzon më ashpër sesa kundërshtari politik Edi Rama.

Lulzim Basha: Me të njëjtin fjalor, me të njëjtat argumente, dhe kjo nuk i shërben Partisë Demokratike, nuk është çështja e sulmeve ndaj meje. Sulmet ndaj meje, fatkeqësisht zbulojnë diçka më të rëndë, që për hir të interesave të tij personale, Sali Berisha po i mbivendos agjendës dhe aksionit politik të Partisë Demokratike interesat e veta personale. Partia Demokratike është në betejë. Tre komisione hetimore, ndryshime kushtetuese, denoncime të përditshme dhe përballje të përditshme me Edi Ramën, kjo është ajo që demokratët meritojnë dhe presin në mënyrë që një orë e më parë vendi të kthehet në shinat e legjitimitetit dhe të demokracisë. Sepse kjo është e vetmja arsye se pse jemi në atë parlament, për t’i dhënë fund gjendjes që ka krijuar masakra e 25 prillit. Në vend që t’i bashkohet kësaj përpjekje ose të paktën të mos e pengojë këtë përpjekje, Sali Berisha ka vendosur ta dëmtojë interesin e Partisë Demokratike, përmes një lëvizje që siç e keni parë dhe siç është denoncuar publikisht edhe nga drejtuesit dhe institucionet më të larta të Partisë Demokratike dhe jo vetëm, papritur sheh nën flamurin e saj kriminelë që më 25 Prill demokratët i kanë pasur përballë dhe që tani papritur ndodhen me të njëjtën agjendë si Sali Berisha.

Ora News: A jepni garanci ju zoti Basha që nëse ju do ta fitoni këtë betejë do të pastroni realisht apo do ti shohim realisht ato të foltores që ju sot thoni që ka kriminelë, do ti shohim prapë në Partinë Demokratike?

Lulzim Basha: Beteja bëhet në emër të ardhmes së Shqipërisë. Beteja bëhet në emër dhe nderim të sakrificës së çdo demokrati dhe minimumi i minimumit për sakrificën e çdo demokrati është që ata, që demokratët i kanë padur përballë me armë, me para, me kërcënime, më 25 Prill, mos të kenë guximin të afrohen asnjë kilometër në selinë e Partisë Demokratike, apo në selinë e kuvendit, aty ku do të mbahet kuvendi i Partisë Demokratike, sepse e kundërta do të ishte vdekja e kësaj partie. Ndaj për këtë, që të përgjigjem qartë, shkurt dhe prerë, nuk ka asnjë shans, që ata, një pjesë prej të cilëve i kemi nxjerrë nga zyrat e shtetit me ligjin për dekriminalizimin dhe pjesën tjetër do ti nxjerrim nga zyrat e shtetit bashkë me Edi Ramën, të vijnë dhe të uzurpojnë Partinë Demokratike. Nuk ka shans të ndodhë. 18 Dhjetori është dita e bashkimit të Partisë Demokratike, është dita e dhënies fund të tollovisë për interesa personale të Sali Berishës, është dita e përgjigjes së merituar për Aqif Rakipët, për Tom Doshët, për Suel Çelët, që mendojnë se u erdhi dita, që pasi kanë kapur Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, të kapin dhe Partinë Demokratike.

Ora News: Zoti Basha, ka një perceptim, ose mund t’iu pyes drejtpërdrejt, a jeni inkoherent ju në atë ç’ka thoni aktualisht, pastrimin e llumit të tranzicionit, kur në fakt, në vitin 2013 Partia Demokratike humbi me një milion vota dhe u prit që një lider i ri si zoti Basha ta kryente më herët këtë vetëpastrim të partisë?

Lulzim Basha: Po pa diskutim që ky është një proces, që ka nisur që atëherë. Ka nisur me vetëdije të plotë. Ligji i dekriminalizimit është pjesa mbi ujë e dukshme për këdo dhe për faktorin ndërkombëtar, e përkthimit në vepra të angazhimit tim për pastrimin e politikës shqiptare, duke filluar nga Partia Demokratike. Tashmë kemi nismën për vettingun e politikanëve. Nuk janë fjalët, janë veprat që flasin.

Ora News: Duket si propagandë dhe në fakt ashtu ju akuzojnë?

Lulzim Basha: Nëse do të ishte propagandë, atëherë, nuk do të kishim sot një ligj të miratuar me detyrim, në parlament, nga Edi Rama, sepse ai e kundërshtoi për 6 muaj. Ne nuk kishim vota ta kalonim vetëm. Ishte aksioni ynë politik, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Europian, që detyroi miratimin e ligjit për dekriminalizimin. Ndërsa sot, në tavolinën e parlamentit ndodhet ndryshimi kushtetues, që i hap rrugë vetting-ut të politikanëve. Kjo nuk është propagandë, ky është fakt. Propagandë është ajo që bën foltorja. Propagandë është ajo që bën Sali Berisha, i cili nga njëra anë shpik marrëveshje të paqena midis Edi Ramës dhe meje dhe nga ana tjetër flet si Edi Rama, edhe kur më sulmon mua, edhe kur refuzon vetting-un politik. Vetting-u politik e ndan shapin nga sheqeri edhe në PD, edhe në PS.

Ora News: Por zoti Berisha, ka një argument të fortë, fakti që ju nuk e keni sjellë Partinë Demokratike në pushtet?

Lulzim Basha: Partia Demokratike ka bërë më 25 Prill një nga betejat më të mëdha të saj, ka nga ata që thonë betejën më të madhe të saj. Argumenti më i fortë është, pikërisht, sepse këto mbeturina të tranzicionit që marrin formë në aleancën e pushtetarëve apo të ikurve nga pushteti, faktorëve të krimit të organizuar dhe oligarkëve, ky karosel nuk do të ndalet, do të vazhdojë dhe duke vazhduar ka 30 vjet që e mban Shqipërinë peng. Ndaj sot, ballë për ballë ndodhet Partia Demokratike, unë, si kryetar i zgjedhur i saj, me një anëtar një votë, një garë transparente, me 3 kandidatë, sipas statutit, i vendosur të çoj përpara një aksion politik të shpallur para shqiptarëve dhe të konkretizuar  me nisma, që nga komisionet hetimore, te ndryshimet kushtetuese, me vendimin për të konkretizuar platformën qytetare për demokracinë, që është vendimi kryesor i vendimit të  hënës dhe që do të jetë një nga temat kryesore të kuvendit të 18 dhjetorit, dhe nga ana tjetër fije të dukshme dhe të padukshme, që bashkojnë 3 faktorë të cilët kanë kontrolluar 30 vjet tranzicionin, pavarësisht nëse kanë qenë në pushtet, apo ne opozitë. 

Dhe këtu dua ta bëj fare të qartë, se beteja jonë nuk është me personin, por me fenomenin. Me fenomenin e një individi, kushdo qoftë ky. Kundërshtari i shqiptarëve dhe i të ardhmes së shqiptarëve Edi Rama, Sali Berisha apo kushdo tjetër që mendojnë se janë më të barabartë se të barabartët, se janë mbi ligjin, se janë mbi statutin e partisë në këtë rast, se formacionet e tyre politike nuk janë familje që bashkohen nga vlera, por vegla që mund të përdoren për të marrë apo mbajtur pushtetin në kurriz të të ardhmes së  shqiptarëve. Kjo është beteja që po përvijohet. PD, Partia Demokratike e lindur për tu përballur në emër të gjithë shqiptarëve me një pakicë në vitet 90 me regjimin dhe përsëri PD pas 30 vitesh e bashkuar me të gjithë forcat e gjalla të shoqërisë për ti dhënë fund 30 viteve tranzicion. Një karruseli me të njëjtët aktorë që sillen dhe vërtiten, por në fund çfarë shohim, një pakicë që pasurohet dhe një shumicë që varfërohet dhe largohet.

Ora News: Treshja e Bermudës keni thënë ju, por presidenti tha që Basha do të japë përgjigje për 4 çështje kryesore të cilat i braktisi qytetarët. Zgjedhjet e pjesshme, djegia e mandateve dhe beteja të tjera të cilat ju i keni lënë në mes sipas presidentit?

Lulzim Basha: Nuk ka pikë diskutimi që në përpjekjen për të zhvlerësuar betejat e jashtëzakonshme që PD ka kryer dhe që unë kam drejtuar në emër të saj dhe ne emër të shqiptarëve kemi kundër një makineri të tërë propagande, gënjeshtrat, gjysmë të vërtetash, spekulimesh të pacipta. Nuk më habisin shumë prej tyre. Jam habitur ndoshta ditët e para kur i kam dëgjuar nga goja e Sali Berishës. Por derisa nuk habitem më as nga kjo, nuk pres të habitem nga aktorë të tjerë. Asgjë nuk e lëkund vendosmërinë timë për të bërë bashkë me demokratët shqiptarë dhe me të gjithë shqiptarët që duan ndryshimin e ndalur padrejtësisht dhe përdhunshëm me 25 Prill, në betejën për të ardhmen e tyre. Për tu përballur me të gjithë ata që duan status quone. Dhe që për hir të status quosë nga e cila kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë dhe kur janë në qeveri dhe kur janë në opozitë duan ta mbajën karuselin në lëvizje. Trekëndëshi i Bermudës nëse mund ti referohem përsëri metaforës që përdora është trekëndëshi i cili përthith gjithçka që i duhet këtij vendi. Përmirësimin e cilësisë në arsim, në sistemin shëndetësor, sjelljen e konkurencës dhe jo monopolet, shanset e rinisë për punësim, të drejtat e pronarëve dhe të përndjekurve. Të gjitha shtresat shoqërore humbasin ndërkohë që trekëndëshi i Bermudës i përthith çdo shans për të ecur përpara. Prandaj kjo në thelb është një betejë midis të shkuarës dhe të nesërmes. Dhe unë ju garantoj që jam i vendosur në emër të gjithë demokratëve, por dhe në emër të gjithë shqiptarëve të eci përpara drejt të nesëemes dhe jo ti kthejmë sytë sërish nga e shkuara.

Ora News: Zoti Basha ju padyshim jeni lajmi në këto kohë, por do bëj 2 pyetje të shkurtra për të respektuar dhe kohën e intervistës. A i shkon për shtat një lideri perëndimor që të përmendë nenin 27, siç quhet neni fshesa në statut. Kush është kundër për ta përjashtuar?

Lulzim Basha: Ka një keqkuptim dhe një banalizim këtu, të asaj që unë i qëndroj që prej  ditës se parë si kryetar. Kam thënë që as nuk përjashtoj njëri por as nuk mbaj njeri me zor në Partinë Demokratike. Nuk jam unë ai që vendos masa disiplinore në Partinë Demokratike. Është statuti që i ka përcaktuar. Sepse pa statutin partia është një xhungël me të cilët vullneti i çdo demokrati mund të dhunohet e drejta e çdo demokrati mund të humbasë. Ndaj angazhimi jo vetëm i imi por i çdo demokrati është të zbatojë statutin. Ajo që kam thënë dhe i qëndroj pa më të voglin hezitim është që çdo përpjekje për të përçarë Partinë Demokratike për të dëmtuar interesat politike dhe elektorale të Partisë Demokratike do të trajtohet pa më të voglin hezitim sipas statuti.

Ora News: Thënë këto do të përjashtohet Berisha?

Lulzim Basha: Besoj që përgjigjia ime ishte e qartë dhe shteruese. Partia Demokratike nuk vepron me nëse. Unë si kryetar i saj nuk mund të veproj me nëse. Detyrimet e kryetarit të Partisë Demokratike dhe të çdo institucioni të Partisë Demokratike janë gdhendur në statut. Pyetja e vërtet është, nëse Sali Berisha e nisi betejën për statutin për demokracinë e brendshme dhe po e përfundon, në fakt po del sinqerisht aty ku në fakt edhe nisi zanafilla e kësaj për të përdorur Partinë Demokratike për non gratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse në funksion të kësaj përveç linçimit, gjuhës përçarëse, shfokusimit, përpjekjes për të shfokusuar aksionin e Partisë Demokratike të opozitës kundër regjimit të Edi Ramës, do ti shkoj deri në fund duke mos njohur organet legjitime dhe vendimet legjitime padyshim që statuti do të funksionojë. Njësoj për të si për çdo anëtar të Partisë Demokratike, nga anëtari më i ri dhe më i thjeshtë tek kryetari i Partisë Demokratike natyrisht dhe çdo ish kryetar i Partisë Demokratike.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular