BallinaKryesore“Buxheti i vitit 2022 më i gënjeshtërti i miratuar në këto 9...

“Buxheti i vitit 2022 më i gënjeshtërti i miratuar në këto 9 vite”, Tabaku: Borxhi po shkon mbi 100%. Nga propozimi i PD për uljen e TVSH përfitojnë 650 mijë shqiptarë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, prezantoi sot në seancë plenare, amendamentet e PD-së për paketën fiskale. Në fjalën e saj Tabaku tha se paketa fiskale e sjellë nga qeveria, sjell një rritje të taksave për qytetarët me 50 milionë euro, si dhe rrit barrën mbi fermerët.

“Të nderuar qytetarë që mezi prisni për të miratohet buxheti që të shihni nëse ka ndonjë përfitim apo jo, të nderuar fermerë që keni protestuar me dinjitet edhe sot përpara parlamentit, megjithëse përpiqeni të sillni propozime kurrë nuk jeni dëgjuar në 9 vite. Të nderuar familjarë, studentë dhe nxënës të cilët do paguani çdo vit e më shumë taksa edhe me këtë paketë fiskale. Në 8 vite paketat kanë pasur një ngarkesë shtesë prej 2.2 miliardë euro. Këtë vit me të drejtë nuk është aq e lartë vetëm 50 milionë euro shtohen taksat këtë vit.

Shtohen për fermerët, shtohen për rata që punojnë. Vazhdon nga ana tjetër ulja e taksave për një pakicë. Sot diskutime duhet të ishte se si mundet që pas dy viteve të vështira ekonomike ne të dalim nga ky cirkuit rënie konsumi, nga ky cikël i vështirë që familjet shqiptare po kalojnë, nga rritja e papunësisë, por sot në këtë parlament do të ngrenë kartonët për të miratuar një ndryshim skeme që është në dëm të fermerit. Një ndryshim skeme që para pak vitesh e mbrojtën vetë. Kundërshtojnë atë që thoshin dhe thonë se kjo skemë favorizon të mëdhenjtë.

Unë e kam të vështirë në këtë parlament ta ndaj të vërtetën nga gënjeshtra, por besoj se kushdo çdo qytetar e ndjen dhe e ka parë në xhepin e vet. Unë sot jam këtu të prezantoj një amandament për TVSh-në. 120 amandamente ka prezantuar Partia Demokratike në 9 vite. Në fakt kisha hequr dorë nga paraqitja e amandamenteve. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike gjykoi se duhet të paraqesë një amandament për uljen e TVSh-së për produktet e shportës ushqimore nga 20% në 6% me qëllim nxitjen e konsumit”, tha Tabaku.

 

 

Fjala e plotë:

Të nderuar qytetarë, që mezi prisni të miratohet buxheti i radhës për të parë a ka ndonjë përfitim për ju apo jo!
Të nderuar fermerë, që keni protestuar me dinjitet edhe sot përpara Parlamentit, megjithëse përpiqeni, gjithmonë sillni alternativa, sillni propozime, kurrë nuk jeni dëgjuar në 9 vite!
Të nderuar familjarë, studentë, nxënës që po paguani çdo vit e më shumë taksa, sigurisht edhe me këtë paketë fiskale edhe më shumë!
Në tetë vite paketat fiskale kanë patur një ngarkesë shtesë prej 2.2 mld euro.
Këtë vit, ndoshta me të drejtë, nuk është aq e lartë, vetëm 50 mln euro shtohen taksat këtë vit. shtohen për fermerët, shtohen për ato që punojnë.
Dhe këtu nuk kemi patur asnjëherë debat: A është më mirë të taksojmë punën apo të taksojmë kapitalin?
Është hera e parë që e dëgjoj këtë debat në Parlamentin e Shqipërisë.
Por, sigurisht vazhdojnë përjashtimet fiskale. Vazhdon ulja e taksave për një pakicë.
Sot diskutimi dhe debati duhet të ishte se si mundet, pas dy viteve të vështira për ekonominë, ne të dalim nga ky cirkuit rënie, cirkuit konsumi, nga ky cikël i vështirë që familjet shqiptare janë duke kaluar, nga kjo situatë e vështirë për bujqësinë që edhe nga të dhënat e qeverisë 47 mijë të vëtëpunësuar kanë dalë nga skema e punësimit vitin e kaluar, që është një sektor me rënie?!
Por në fakt deputetët sot në Parlament do të ngrejnë kartonin për të miratuar një ndryshim skeme që është në dëm të fermerit. Një ndryshim skeme që nuk e mbështet sektorin. Një ndryshim skeme që para pak vitesh e mbrojtën vetë dhe thanë që “është duke treguar rezultate dhe po funksionon”. Ndërkohë që sot kundërshtojnë ato që thanë para pak vitesh dhe thonë se “kjo skemë sot ka favorizuar vetëm të mëdhenjtë”.
Unë pas 9 vitesh në Parlament e kam të vështirë ta ndaj të vërtetën nga gënjeshtrat, ndaj situatës ireale në të cilën jeton qeverie dhe tryezat dixhitale, me sportelet dixhitale dhe atë protestën që po ndodh sot jashtë.
Por besoj se çdo qytetar e ndjen në xhepin e vet, e ka parë në xhepin e vet.
Unë sot këtu jam për të prezantuar, në emër të Partisë Demokratike, një amendament për TVSH-në.
120 amendamente ka prezantuar Partia Demokratike në 9 vite.
Në fakt, kisha hequr dorë të prezantoja amendamente sepse këtu ku ka arritur situata me paketën fiskale, me mungesën e vizionit, me rritjen e taksave, me dëmtimin e shtresës së mesme, me dëmtimin përmes taksave të shtresës së mesme, unë nuk besoj se situata mund të korrigjohet.
Por, duke patur parasysh situatën e vështirë ekonomike, rritjen e paprecedentë të çmimeve, sidomos të shportës ushqimore, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, gjykoj, që duhet patjetër të prezantojmë një amendament për uljen e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore nga 20% në 6%, si një mjet për të nxitur konsumin.
Një pjesë e produkteve ushqimore në tregjet me pakicë kanë pasur një rritje prej pothuajse 30% të çmimeve. Grupi parlamentar i PD ka kërkuar, dy muaj më parë interpelancë për rritjen e çmimit të miellit dhe të bukës. Ka dy muaj që drejtoresha e Autoritetit të Konkurrencës është me covid dhe nuk vjen të raportojë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Ndërkohë, që ka një situatë, një tendencë për rritje çmimesh edhe në produkte të tjera, jo të shportës.
Por ne e gjykojmë që marrja e kësaj mase, në përputhje edhe me marrjen e masës edhe në vende të tjera, për diferencimin e TVSH-së do të kishte një përfitim të drejtpërdrejtë tek të paktën 659 mijë individë që sot jetojnë nën nivelin dhe në kufirin e varfërisë.
Unë e di që është bërë luks të flasësh për varfërinë sot:
Kur paketa fiskale ka një përjashtim, një ulje të TVSH-së për hoteleri turizëm;
Kur paketa fiskale që ka kaluar pak muaj më parë ka përjashtuar rentën minerare;
Kur paketa fiskale ka një ulje të taksave për karburantin e mjeteve lundruese;
Kur paketa fiskale ka kaq shumë favore për ata që ministri refuzon t’i konsiderojë oligarkë, kur në fakt janë oligarkët që vetë po i favorizojnë me këtë paketë fiskale;

Kur deri dje nuk kishim TVSH për jahtet;
Kur një sërë taksash janë të bëra me porosi, një sërë ligjesh janë të bëra me porosi, çfarë i kushton këtij parlamenti të marrë një masë për diferencimin e TVSH-së?
E di që sot do të dëgjojmë diskutime pa fund se si kjo do të prishë skemën e TVSH-së. Në fakt, skemën e TVSH-së nuk e prish rritja e konsumit. Kjo nuk duhet parë si një masë që shkakton rënie të ardhurash në buxhetin e shtetit. Nuk ka përse të kënaqet qeveria që merr më shumë të ardhura sepse janë rritur çmimet më shumë. Nuk se si të kënaqet qeveria, kur sot një pjesë e madhe e familjeve paguajnë 40% të buxhetit të tyre familjar për mbijetesë.

Nuk ka se si të kënaqet qeveria, kur sot shtresa e mesme është larguar ndërkohë që ministri sot thotë, është forcuar.

E konsideron si masë pozitive se tatimin që ishte shumë i lartë, 10% e çuan 23% tani po e ulin pak dhe do përfitojë pak shtresa e mesme që ka marrë rrugët dhe është larguar nga Shqipëria.

Unë besoj që nuk përse të flasim për një situatë virtuale që nuk ekziston as në xhepat e shqiptarëve, nuk ekziston as në familjet shqiptare, as për studentët shqiptarë dhe nuk ekziston për askënd.

Unë besoj që sot ky buxhet, më i gënjeshtërti i miratuar në këto 9 vite, ka probleme reale. Problemet nuk vijnë nga prezantimi për uljen e TVSH-së që PD ka bërë një muaj më parë.

Sot problemet vijnë nga fakti që 275 milionë euro për rindërtimin që do të përfundonte majin e vitit të kaluar dhe u shty për shtator, tani dëgjova u shty për shtatorin e vitit tjetër, janë tenderuar pa i pasur fondet.

Sot kemi 900 milionë euro borxhe të fshehura, 400 janë për faturat e arbitrazhit të cilat shtohen çdo ditë. Çdo ditë ka një faturë të re arbitrazhi si rezultat i vendimeve abuzive, i korrupsionit të qeverisë.

Këto janë problemet që ka buxheti.

Buxheti sot po formalizohet për herë të parë dhe borxhi po shkon mbi 100% te PBB bashkë me borxhin e fshehur dhe PPP-të.

Dëgjuam për suksesin imagjinar të Eurobondit i cili doli me një normë interesi në tregjet ndërkombëtare 3.75% ndërkohë që vendet e tjera të rajonit;

ü  Maqedonia 700 milionë euro – 1.62%
ü  Serbia 1 miliard Euro 15 vite – 2%

Kur krahasohemi me të tjerët sigurisht zhvishen të gjitha superlativat dhe kuptohet se ku qëdnron Shqipëria krahasuar me vendet e tjera.

E dini se kush është problemi që ka sot Shqipëria në tregjet ndërkombëtare?

Kredibiliteti.

Kredibiliteti që ka ndaj investitorëve të huaj si rezultat i faturave të arbitrazhit dhe kjo është një kosto që vjen nga qeveria dhe po paguan një normë interesi 2% më të lartë efektive se vendet e tjera vetëm si rezultat i vendimeve abuzive të qeverisë.

Dëgjova me shumë interes faktin që Ministri sapo tha, ka një bum tha nga makineritë që vijnë nga importi, që do të thotë se po rriten investimet.

Ndërkohë që ministrja në Komisionin e Ekonomisë erdhi dhe tha ne po heqim përjashtimin nga 50 milionë por e çojmë 500 milionë për makineritë sepse nuk ka më  bum tha, se ai bumi i parë që ishte në vitet e para kur u vendos ky përjashtim, ka ikur tha, dhe po e lëmë vetëm me 500 milionë dhe e dini përse po e lënë me 500 milionë sepse administrata tatimore është e paaftë që ta menaxhojë.

Një pjesë e madhe taksave ne i vendosim, sepse administrata tatimore e ka shumë të vështirë që të zbatojë taksat.

Se ne sot sistemin e taksave nuk e kemi për qytetarët, e kemi ose për të ndihmuar me favore një grup të caktuar njerëzish, quajini si të doni, oligarkë, biznese të mëdha, biznese pranë qeverisë, ose nmuk dinë t’i zbatojnë dot dhe janë të paaftë që t’i zbatojnë.

Këto situata sigurisht që duhen marrë parasysh edhe në momentin  kur diskutohet propozimi për përjashtimin e TVSH-së nga ana e PD-së. Propozimi është konkret , është në përputhje edhe me marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Kam këtu, 6 vende europiane që janë duke e zbatuar këtë, si një masë qoftë edhe tranzitore për të nxitur konsumin, por nga ana tjetër është edhe një masë që vjen në ndihmë të familjeve në nevojë.

Nqse janë të paaftë ta monitorojnë, ta mbikqyrin tregun, sigurisht që është çështje tjetër.

Para pak vitesh në këtë parlament erdhi një përjashtim i TVSH-së për shëndetësinë.

E kam dëgjuar ish-Ministrin Beqaj që sot fatkeqësisht do menaxhojë edhe fondet e donatorëve, që mburrej e krekosej këtu dhe thoshte, hoqëm TVSH-në në shëndetësi, ja ku është ilaçe sa kushtonte, ja sa kushton tani. Pra heqja e TVSH-së thoshte do të sjellë uljen e çmimeve.

Ndërkohë që logjikën që sot PD propozon për të hequr TVSH-në që të mbajmë një stabilitet çmimesh në produktet e shportës, nuk e pranojnë.

Po me të njëjtin argument e kundërshtojnë me kokëfortësi.

Unë besoj që në këtë sallë ka profesionistë, pavarësisht mendimeve politike që ka secila prej palëve.

Ka profesionistë por ka edhe qytetarë, por ka edhe deputetë që janë votuar nga qytetarë. Besoj që propozimin e PD shiheni së pari për ata 659 mijë shqiptarë që e kanë të pamundur të mbijetojnë vetëm si rezultat i çmimeve, por nga ana tjetër shiheni edhe për ata fermerë që janë duke u përdorur për propagandën e rradhës por që prej muajsh protestojnë për prishjen e skemën e TVSH-së në bujqësi që në fund të ditës do të rëndojë për rritjen e çmimeve të qytetarëve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular