BallinaKronikeMasakra në Kosovë u krye nga një person, ministri i jep ultimatumin:...

Masakra në Kosovë u krye nga një person, ministri i jep ultimatumin: Dorëzohu!

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e trefishtë që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Gllogjan të Deçanit, ku të vdekur mbetën dy nxënës-maturantë dhe shoferi i autobusit.

Policia e tregon se autobusi që ishte në qarkullim nga Gjakova për në Gllogjan ku ishin tetë pasagjerë, ishte sulmuar me armë zjarri që dyshohet të jetë e llojit AK-47.

I dyshuari i këtij akti kriminal gjendet ende në arrati. Policia ka thënë se tash për tash, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist. Ndërsa dyshimet e para janë se sulmin makabër e ka kryer një person i vetëm. Kryeprokurori Blerim Isufaj ka thënë se hetimet janë duke u zhvilluar në disa pista, porse ende nuk ka ndonjë të dyshuar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaron se i lëshoi ultimatum vrasësit të sulmit të mbrëmshëm në Gllogjan të Deçanit ku mbetën të vrarë tre persona që të dorëzohet.

“Unë nuk po i bëj ftesë, por them që i bëj ultimatum vrasësit që të dorëzohet për shkak se për çdo ditë ai lëndon të tjerët dhe e dimë shumë mirë që kushdo që ndihmon vrasësit implikohet në vepër të rëndë penale dhe nuk bëhet fjalë për çfarëdo solidariteti me vrasësin e dy nxënësve dhe shoferit të autobusit. Prandaj sa më parë që dorëzohet aq më mirë edhe për rrethin e tij por aq më mirë edhe për qytetarët e gjithë Kosovës”.

Gjithashtu Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për media nga Deçani u bëri sërish thirrje qytetarëve që kushdo që ka çfarëdo informacioni lidhur me zbardhjen e rastit të lajmërohet në Policinë e Kosovës dhe në Prokurori, njofton Klankosova.tv.

“Mbrëmë Gllogjani, Deçani dhe e gjithë Kosovë është tronditur rëndë nga sulmi makabër ndaj autobusit që transportonte nxënësit tanë nga Gjakova për në Deçan, si pasojë e këtij sulmi na u vranë dy nxënës Gentiana Mustafaj e Ledion Hamzaj dhe shoferi i autobusit Gani Gjokaj”.

“U bëj ftesë të gjithë qytetarëve të Kosovës që për çfarëdo informacioni që mund të na ndihmojë në zbardhjen e këtij rasti t’i drejtohen Policisë së Kosovës, Prokurorisë në mënyrë që rasti të zgjidhet sa më parë. Mund të deklaroj lirshëm që tani kemi informacione të ndryshme të ardhura në rrugë të ndryshme të cilat Policia e Kosovës nën direktivat e Prokurorisë është duke i trajtuar një për një. Janë duke u trajtuar disa pista për të cilat të gjitha kapacitetet e policisë janë i hetuar”, tha Sveçla.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular