BallinaAktualitet28 NËNTORIN S’E MBAN DOT GJALLË “RACA”, DUHEN TË TJERA FITORE

28 NËNTORIN S’E MBAN DOT GJALLË “RACA”, DUHEN TË TJERA FITORE

Nga Ilir NIKOLLA

Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, statistikat e Shqipërisë flasin se kemi më shumë se 18 mijë vdekje shtesë, mbi trendin normal të fataliteteve vjetore, që publikon çdo vit INSTAT. E megjithatë shifrat zyrtare të lidhura me virusin raportohen veç pak më shumë se 3 mijë. Të tjerët përfshihen në kolonat “e paditur”, njësoj si para nja 10-15 vitesh kur të ardhurat nga trafiku që pastroheshin në buxhetin e shtetit, raportoheshin si “të ndryshme” apo “të tjera”. Para nja 40 vjetësh, taksat që shteti komunist u mbante drejtpërdrejt mbi pagën të gjithë shqiptarëve nuk klasifikoheshin si taksa, por fshiheshin nën raportimin “mosrealizim plani”. Pra, thuhej se s’ishte taksë por ishte një pagesë që maste distancën nga ëndrrat 5-vjeçare të diktatorit me paratë reale që mblidheshin në buxhetin e shtetit.

Kjo pandryshueshmëri e kësaj teknologjie të mosmbajtjes së përgjegjësisë për keqqeverimin dhe të zëvendësimit të saj me kulturën e manipulimit, ma zuri krejt vigjiljen e 109-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. 18 mijë jetë të humbura janë nota më e drejtë që mund t’i vihet përvjetorit të pavarësisë tonë. Ajo shifër zëvendësohet me numrin 3 mijë në qitapët e qeverisë, kështu edhe kryeministri del se u përball me tallazet e pandemisë e grupet armiqësore të Perëndimit por ja doli të sillte vaksinat e “të mbronte” gjindjen nën hyqëm.
Në të njëjtën vigjilje na shfaqet një deputete e kryeministrit, që për nga racizmi që shfaq ndaj një pjese të bashkatdhetarëve të saj ja kalon ku e ku diktatorit. Prej disa ditësh në Tiranë (Laprakë kryesisht), por edhe në disa qendra të tjera urbane vijojnë protestat ndaj planeve për prishjen e qindra mijë shtëpive, pa transparencë e me prapavijën e qartë për t’u hapur rrugë mamuthëve të betonit, por asnjë nga këto abuzime s’është më i sinqertë sesa ç’ka thotë deputetja e Ramës Luljeta Bozo për viktimat e tërmetit të dy viteve më parë. Thëniet e saj “u dhamë vila në vend të kasolleve” dhe “ku kishin parë ata bide”, për nga racizmi arrogant ja kalojnë qindfish “aksioneve” të propaganduesve të diktatorit për të çuar “kulturë e pastërti” në zonat e pagdhendura (lexo reaksionare e antiregjim) të veriut të vendit.

Deputetja e Edvinit të paktën është e sinqertë, thotë atë që mendon dhe ma jep pa pikë retushimi notën që merr shtetformimi ynë 109-vjeçar. Miku im Ndriçim Kulla, me optimizmin e tij të sëmurë, riciklon vazhdimisht tezat e (neo)shqiptarizmës si një perspektivë që herët a vonë do të kapet e do ja dalë, por Luljeta Bozo e 2021-it, me konseguencën e vet na flet se s’kemi lëvizur hiç nga operacioni i “kalimit të Shkumbinit” në 1944.
18 mijë vdekjet shtesë të pandemisë, për të cilat ka një omerta që duhet të bëjë me turp cilindo “punëtor” të fjalës së lirë e cilindo rrogëtar të politikës, janë nota e vërtetë e aftësisë tonë për t’u bërë ballë të papriturave të kohëve moderne. Kjo shifër gati e nulifikon krizën që na godet kohë pas kohe kur s’bie shi në kaskadën e Drinit, e natyrisht e bën krejt të pandjeshme shifrën ulëritëse të thuajse 50 % të shqiptarëve, që sipas Bankës Botërore janë në rrezikun ekstrem të jetesës poshtë pragut të varfërisë.

Partizanllëku i optimistëve se raca do na ndihmojë të mbijetojmë kundërshtohet fort nga mbretërimi i Edi Ramës, me gjithë 18 mijë kurbanët, të cilëve u refuzohet edhe vetë shkaku i ikjes, por strehohen nën shifrat “të tjera”. Nga “kalimi mbi Shkumbin” më 1944 bëhen 78 vjet, një pjesë goxha e rëndësishme e 109 viteve të pavarësisë tonë. Nëse shpresën do ta varnim tek raca, ajo mund të dalë mbi ujë në çdo 500 vjet, siç Rilindja Kombëtare “trashëgoi” Heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti, por këso trandjesh fatlume janë të rralla. Më mirë të regjistrojmë përditë fitore të vogla, sesa të përkundemi me shpresën se fitorja e madhe do të vijë.
Në 109-vjetorin e pavarësisë tonë, ndjej se kjo datë po shndërrohet përditë e më shumë në një festë të diasporës, në një “proud to be albanian” e atyre që janë jashtë kufijve të Shqipërisë Londineze, aty ku nuk mbërrin dora e hyqymetit për t’u prishur shtëpitë apo siç shprehet Luljeta Bozo, për t’u kërkuar haraç se i bënë me bide.

Ky 28 nëntor nuk asociohet assesi me shpresën. Sportin kombëtar të llogaritjes së datës se kur do të anëtarësoheshim në BE e kemi zëvendësuar me polemikën se pse Kosova nuk po e do vëllamërinë Vuçiç-Rama. Vështirësinë për të qëmtuar gjasat e triumfit zulmëmadh grish ta zëvendësojmë me përpjekjen për fitore të vogla. Siç burimi i pashterrshëm i krenarisë tonë, E Shejtja Nëna Tereze, na grish përherë, në aventurën “punë të vogla me dashuri të madhe”, 28 nëntori i sivjetëm le të kthehet në një lojë mbarëkombëtare për të gjetur ç’ka mund të përmirësojmë deri vitin tjetër.

Me keqardhje për optimizmin madhështor të Ndriçim Kullës me shokë (më lejoni të mos i përmend të tjerët, secili le të lexojë kontributin e tij), ftoj të vendosim ambicie më të matshme. Le ta zëmë, të përpiqemi që 110-vjetori të na gjejë me një numër më të vogël azilantësh në BE, me një bllokadë mbarëkombëtare ndaj një mbetjeje racizmi si Luljeta Bozo, me marrjen fund të propagandës për një abetare mbarëkombëëtare dhe me miratimin më në fund të një teksti të tillë, me një data-base të të gjithë të sëmurëve mendorë në vend, të cilët të akomodohen në struktura të specializuara, me një ndalim të hemorragjisë së shpopullimit të fshatrave…

Në fakt, këto ambicie të vogla kanë gjalluar prej dekadash, por kanr mbetur aty, te parealizuara, se “hyqymeti” ka pasur të tjera prioritete, të cilat na kanë çuar në ditën ku jemi sot, që 28 nëntori është gjithçka ndër ne, por përditë e më pak është ditë krenarie dhe optimizmi. Si ilaç për krenarinë, hëpërhë kemi tezat e Neo-shqiptarizmës që ende na mbajnë gjallë, por optimizmi do ushqyer përditë, prandaj, grish që përditë të tentojmë fitoret e vogla, në mënyrë që të mos arrijë dita që edhe 28 nëntori të vihet në diskutim: dikur me ditën e bashkim-vëllazërimit me sllavët, më vonë ndoshta me “unifikim” me ndonjëfarë kremte globale, të tëhuajësuar nga gjithfarë ngjyre kombëtare.

Ta gëzojmë 28 nëntorin, me apelin se fitoret duhen mbrojtur, se ato nuk janë të përjetshme.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular