BallinaIntervistaPërjashtime pas protestës, sekretari i PD: Organizatorët duhet të mbajnë përgjegjësi! Do...

Përjashtime pas protestës, sekretari i PD: Organizatorët duhet të mbajnë përgjegjësi! Do takohem edhe me të larguarit. Nuk e kisha menduar që…

MARIGLEN KUME/ Skenat e dhunshme të protestuesve të ditës së shtunë në selinë blu tani ia kanë lënë vendin reflektimit të zyrtarëve.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, sekretari organizativ i kësaj force politike, Flamur Hoxha, teksa e cilësoi ditën e shtunë si ditën më të zezë e të paimagjinueshme për demokratët, tha se tashmë është koha që organizatorët të marrin përgjegjësitë duke nënkuptuar përjashtimet.

Por, nga ana tjetër, ai premtoi se do të takohej edhe me demokratët e larguar për t’i rikthyer. Teksa u ndal te dita e shtunë, Hoxha tha se nëse nuk do të kishin qenë dyert prej hekuri që të çonin në katin e dytë, situata do të kishte precipituar në një situatë të paimagjinueshme, ndërsa deri në pikën ku shkoi situata, ai tha se brenda në seli disa personave u ra të fiktë.

Z. Hoxha, si u ndjetë ditën e shtunë teksa ishit brenda dhe simpatizantët që ishin jashtë protestonin dhunshëm?

Nuk e kisha menduar kurrë që në Partinë Demokratike mes kontribuuesve e mbështetësve që kanë qenë bashkë në këta 31 vjet do përballeshin me një sulm agresiv të pashembullt, të një dite të zezë, të një pakice, të cilët shërbyen për t’i hedhur helm baltë e dhunë njëri-tjetrit. Unë e kam parë veten tek ata. Tek ata protestues kur, me aq sa kam parë, janë kontribuues tanë. Janë njerëz, të cilët kemi qenë bashkë në shumë protesta. Duke filluar që nga themelimi i PD-së. Mos harrojmë se unë kam qenë pjesë qytetare demokrate e protestave, duke përfshirë edhe protestat e viteve ‘97-‘98. Gjithmonë kemi protestuar siç protestojnë demokratët. Me dy gishtat lart dhe me qytetari dhe asnjëherë me dhunë që s’i ka shërbyer kurrë PD-së. Ishte një dhunë që nuk i shërbente askujt. Përgjegjësit nuk duhet të fshihen pas gishtit. Ata që morën këtë nismë, për të protestuar si asnjëherë në oborrin e partisë së tyre, janë përgjegjësit që përdorën militantizmin dhe emocionet e demokratëve në një situatë të pashembullt kur për hir të së vërtetës, nëse do kishte një përplasje fizike mes nesh, ndoshta unë do të shikoja edhe pozicionin tim politik

Mendoni se dhuna nga ana e protestuesve u provokua më parë. Nga njëra anë deklaratat e z. Berisha, por nga ana tjetër edhe e selisë së PD-së me fortifikimin e saj, pra, vendosja e sigurisë së shtuar?

Mendoj që nisma që më datë 8 në të gjitha mënyrat ishte për të uzurpuar selinë e PDsë, sipas gjykimit tim është provokimi më i madh. Selia e PD, zyrat, karriget nuk janë PD. Këto janë vetëm infrastruktura që i shërbej administratës dhe deputetëve dhe ka qenë gjithmonë e hapur. Pikërisht kjo mënyrë me çdo kusht me ultimatum, i ka shërbyer provokimit më të madh, për të cilin ju me të drejtë thoni për “fortifikimin”, vendosjen e një derë për mos të krijuar komunikimin e dy grupeve pasi do kishte pasoja të imagjinueshme. Fortifikimi bëri të mirën që më 8 janar të kishte një situatë të jashtëzakonshme ku e deklaroj ndoshta në këto 31 vite, i ka hedhur një perde të errët turpi duke përfshirë edhe mua dhe të gjithë ata që do jenë në PD. Kjo perde për dikë do jetë më e rëndë e për dikë më e lehtë. Mendoj që në PD pjesa e cila ka qenë më shumë jetëgjatë në këto 31 vite gjykoj që mban përgjegjësinë jo vetëm për këtë situatë, por edhe për atë që nuk u arrit që nga shtatori, për të qenë bashkë, për të qenë të bashkuar, për një parti larg interesave personale të secilit duke përfshirë edhe liderin historik. Në këtë situatë që koha do ta vërtetojë, do duhet pak kohë për të rikuperuar, por neve nuk duhet të na mungojë kuraja për të kuvenduar me maturi, për të vendosur në peshoren e moralit, qoftë vullnetin tonë apo qoftë edhe dëshirën për të kontribuar në këtë mision. Për të larguar një pjesë që nuk e meriton, për të hapur partinë, dhe për të arritur të kemi njerëz më të mirë se vetja. Unë kam qenë opozitar i përjetshëm në PD, do doja të mos isha pjesë sot. Do doja që të ishin të rinj që mbartin interesin e demokratëve si primar dhe jo interesin e karriges personale. Këtë e kanë bërë dhe prandaj ndoshta PD në këto 31 vite nuk ka arritur të marrë rezultatin e duhur për të qeverisur pa paterica.

Deri më datën 8 janar, demokratët në bazë, por edhe grupi parlamentar, ishin të dyzuar, por nuk kishin mllef për njëri-tjetrin. Ndërkohë, pas 8 janarit, duke marrë parasysh edhe reagimet, tani kemi një mllef mes palëve. Si mund të kurohet kjo plagë e PD-së?

Është një plagë që do pak kohë dhe përkushtim dhe vëmendje karshi çdo demokrati, i cili ndodhet në këtë front të një lufte verbale deri në luftë fizike, siç ishte rasti me z. Bejkon, ku përfshihen njerëz që nuk do duhet të përfaqësonin PD-në. E them këtë sepse ne nuk duhet të na mungojë kuraja për t’u ballafaquar si qytetar dhe jo si pjesë emocionale e asaj që rëndomtë shqiptarët e kanë vuajtur. Ne duhet të largohemi nga të pasurit një kryetar që shkon drejt kultit të individit. Kjo ka krijuar defekt në PD dhe i ka larguar njerëzit që duan të kontribuojnë dhe duhet ta ndjejnë veten lider brenda vetes. Kryetarët shkojnë e vijnë dhe nuk duhet që demokratët të përplasen me njëri-tjetrin. Unë e ndiej dhe e kam kaluar me buzëqeshje sepse në vetvete nuk kam mllef për askënd, as për të majtë. Këtë e kam ndier nga qëndrimi politik që kam mbajtur si drejtues politik i Qarkut Kukës. Kam marr një vendim i pandikuar nga askush. Përgjegjësia ime është që të flas e të transmetoj qëndrimin tim, jo të bëhem pjesë e servilizmit të kryetarëve. S’e kam bërë as për Bashën e as për Berishën. Ndoshta s’kam punuar kurrë në administratën e partisë, ndoshta skam arsye pse të mbaj anën e ndokujt. Është një situatë e rëndë, por PD duhet të ndërrojë mentalitet, duhet të largohet nga dhuna. Duhet të bëhet një parti më e madhe. PD s’ka qenë e madhe. Me përjashtim të vitit ‘92, PD ka qenë një pozitë gjysmë-opozitë, e cila, qoftë brenda saj, qoftë edhe me pjesën e aleatëve jo të këndshëm për PD-në, ka qëndruar në pushtet dhe ka mbajtur një pozicion jo të fortë e solid për t’i pasur në krah demokratët. Më keq akoma mos t’i përdorë demokratët si në rastin e fundit, që shpresoj të mos ripërsëritet.

Ju në PD nuk jeni thjesht një deputet, tani keni edhe një post politik që është sekretari organizativ. Deputetët që janë pranë Berishës janë përfaqësues të demokratëve. Për të mbajtur PD-në të fortë, PD zyrtare do bashkëbisedojë me ta për të gjetur rrugën më të mirë?

Nëse do isha deputet, ndoshta do kisha mbajtur edhe një qëndrim krahu. Ose këtë, ose andej. Pikërisht për funksionin që m’u besua, që është posti më i rëndësishëm e që ka të bëjë me strukturat, me frymën që do përçojmë te demokratët, por edhe për natyrën time larg urrejtjes, do përpiqem që të mos transmetoj ndarje. Do ulem me çdo demokrat, do ulem me ata që nuk janë më për t’i rikthyer. Për të pasur gjuhën e bashkëpunimit deri nëse jemi tek objektivat e përbashkëta për ta bashkuar PD-në larg interesave personale. Nuk jam në PD për interesat e mia. Mund të isha shumë komod në pozicionin tim qytetar, civil, familjar, larg kësaj situate të jashtëzakonshme. Pjesa ku unë ndodhem sot në këtë sekretariat është një nga pozicionet më të vështira në këto 31 vite. Ndryshe do ishte ‘90-‘91 ose ‘97-’98, kur në njëfarë mënyre kishim një kundërshtar, ndërsa tani kemi krijuar kundërshtar brenda vetes. Dua të jem i drejtpërdrejtë me demokratët që të mos mbajmë brenda vetes mllefe. Uroj që të bëhemi bashkë dhe të shohim më me realitet. Brenda një viti secili prej nesh do ta shohë veten në një autokritikë brenda vetes. Unë jam deputet për herë të parë. Ndoshta për të shkuarën e marrëdhënies së kryetarit me deputetët s’mund të flas shumë, por me Bashën kam qenë kritik që në 2017 për këtë situatë. Dhe pikërisht me këtë nuk jam dakord që pas 25 prillit askush nga ata që ka përfituar poste, pushtete, bashkëpunim, kanë qenë bashkë ministra, ish-ministra. Ata nuk gjetën gjuhën dhe u kthyen në atë që nuk duhet të bënin. Nëse duhet të revoltohesha për 25 prillin, jam unë që kemi arritur së bashku me demokratët rezultat spektakolar. Për këtë them se ata që s’patën kurajën për të dalë të parët u futën në vorbullën e hipokrizisë. Ne ishim dhe duhet të ishim opozitë e fortë.

Në kuvendin e 18 dhjetorit u miratua një pikë ku thuhej se personat që punojnë kundër interesit politik të PD-së, do përjashtohen. Protesta e 8 janarit dëmtoi interesat politike të PD-së dhe do ketë masa për organizatorët?

Unë nuk do doja që të jepja një vendim që i takon kryesisë së PD, që me votë do marrë vendime të rëndësishme për PDnë. Uroj që të jetë një grup sa më i vogël që të ndëshkohen për atë që kanë arritur. Nuk do doja kurrë që të merrej një masë e tillë, por tashmë jemi në një prag të vendimeve tona të qarta. Nëse nuk jemi të qartë sot se çfarë kemi bërë keq, nuk mund të ecim përpara. Nëse është dikush tjetër përgjegjës, duhet të mbajë përgjegjësi. Unë nuk arrij të mendoj sesi do ulem nesër që të bisedoj me deputetët e PD-së që ishin pjesë e nismës dhe se çfarë mund të më thonë ata për këtë që ndodhi. Si mund ta mendoni diçka të tillë? Po sikur të isha unë ai jashtë dhe ata brenda, si do ndiheshin ata? Ishte një skenë e jashtëzakonshme këtu brenda. Në një ambient të mbyllur që sulmohej nga të 4 anët. Ndërsa ne përdorëm një derë për të mos pasur konflikt fizik. Përdorëm mundësitë për të ruajtur xhamat e dyert. Përdorëm fikset e zjarrit për të larguar me tym ata pak njerëz që nuk arrijnë të kuptojnë se çfarë kërkonin. Kjo godinë nuk merr më shumë se 200-300 veta. Mbi të gjitha ne u gjendëm në panik nga thyerja e xhamave, nga gazi. Ka pasur njerëz që u ka rënë të fiktë. Më vjen keq për demokratët jashtë godinës që hëngrën gaz, por ishte e vetmja mënyrë për t’i shpërndarë. Demokratët u bën viktimë e një grupi të vogël të dhunshëm. Ne jemi shqiptarë dhe demokratë. Ja hymë në godinë dhe e bëmë me turne. Çfarë ndodh?

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular