SPAK çon në gjyq ish-zv.ministren: Nga përgjimet, deri te përfitimet në para, peshk apo edhe telefona celularë për punësime

0

NIKOLETA KOVAÇI/ Ish-zëvendësministrja e dikasterit të Brendshëm, Rovena Voda, përfundon në Gjykatë. Ka qenë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që ka lajmëruar ditën e djeshme përfundimin e hetimeve dhe mbylljen e dosjes për rastin e saj dhe të dy bashkëpunëtoreve të saj dhe e ka nisur dosjen për në gjykim.

Ish-numri dy i Ministrisë së Brendshme mësohet se do të gjykohet për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërkohë që SPAK bën me dije se ka mundur të sigurojë prova të mjaftueshme që vërtetojnë se Rovena Voda ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe materiale të padrejta nga dy të pandehurat që janë në hetim për të njëjtën dosje.

PËRFUNDIMI I HETIMEVE

Dje, SPAK bëri me dije se kanë përfunduar hetimet në lidhje me ish-zv-ministren e Brendshme, Rovena Voda, dhe e ka dërguar dosjen e saj në Gjykatë. Sipas të dhënave zyrtare mësohet se Voda së bashku me dy të pandehurat e tjera, Majlinda Hasani dhe Florida Beu, akuzohen për ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Sipas të dhënave të SPAK, fiksohet fakti se: “Në përfundim të hetimeve paraprake janë mbledhur prova, me të cilat provohet se e pandehura Rovena Voda, në cilësinë e zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe materiale të padrejta nga të pandehurat nën akuzë, Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Sipas materialit hetimor, bëhet me dije se përfitimet monetare dhe ato materiale të padrejta në këtë rast janë marrë dhe janë pranuar me qëllim që e pandehura Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, kjo për të favorizuar në mënyrë të padrejtë të pandehurën Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive”, thekson në përfundim të hetimeve SPAK.

Ndërsa hetimi për të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu është ndaluar po tek e njëjta akuzë e kryerjes së veprës penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim. Tri gratë pritet të dalin në gjyq, ndonëse ato janë hetuar në masën e arrestit shtëpiak, masë në të cilën u gjenden që nga mesi i korrikut të një viti më parë. Tri të pandehurat, sipas SPAK, kanë role të caktuara në dosjen që është përcjellë për gjykim, ndërkohë që historia nga ku nisi edhe zbulimi i kësaj afere që lidhet me marrjen e një shumë eurosh, një arkë peshk dhe të një aparati celular e ka zanafillën kohë para sesa zëvendësministrja e Brendshme të vihej në pranga nga Policia.

SPAK: KEMI PËRGJIME

Ish-zyrtarja e lartë e Ministrisë së Brendshme u akuzua për ndikim të paligjshëm për kohën kur ajo ishte në detyrë në fakt. Hetimi që kishte nisur për një çështje tjetër kishte përfshirë nevojën e mbajtjes nën përgjim të personave të dyshuar. Gjatë atij hetimi, Prokuroria hasi në një rast, që sipas tyre më vonë u konkretizua dhe u hetua si dosje në vete.

Nga hetimet e SPAK, rezultoi se Rovena Voda, në kohën kur ishte numri dy i Ministrisë së Brendshme, kishte marrë një 1 mijë Euro, një aparat celular dhe një arkë me peshk për të punësuar Florida Beun në ministri. Sipas Prokurorisë, Majlinda Hasani ka luajtur rolin e sekseres për të lidhur Florida Beun me ish-zëvendësministren, duke shfrytëzuar edhe lidhjen shoqërore që ka pasur me të. Si provë më të fortë, SPAK bëri me dije se ka në duar përgjimet telefonike mes palëve, të cilat janë transkriptuar dhe gjenden në dosjen hetimore. Në një prej momenteve që u bë me dije që në fillim të zbulimit të kësaj afere korruptive, sipas SPAK, ishte një bisedë mes Vodës dhe të pandehurës Florida Beu. Sipas përgjimeve bëhet me dije se më 13 shkurt 2020, avokatja Florida Beu dhe Rovena Voda zhvilluan një takim ku avokatja i kërkoi Vodës që ta favorizonte atë për t’u punësuar në Ministrinë e Brendshme. Në këtë bisedë, SPAK ka zbardhur përgjigjen e Vodës, e cila i thotë bashkëbisedueses së saj se: “Nuk të bëj dot shefe, por mund të të fus specialiste diku”!

Dëshmia e Vodës pas arrestimit

Voda menjëherë pas arrestimit, në korrikun e vitit 2021, mohoi të kishte shkelur ligjin apo të kishte bërë ndonjë shkelje: “Nuk kam kryer ndonjë shkelje ligjore apo ushtrim ndikimi të paligjshëm siç akuzohem. Kam respektuar në mënyrë rigoroze ligjin në ushtrimin e detyrës”. Ajo mohoi të ishte pjesë e asaj afere korruptive duke hedhur poshtë akuzat e Prokurorisë, akuza për të cilat SPAK pretendon se ka fakte, prova, pamje filmike dhe një mori bisedash telefonike mes protagonistëve.

Si u zbulua afera korruptive

Në vitin 2019, një sinjal i ardhur nga Kukësi, në të cilin thuhej se një prokuror ka favorizuar një grup trafikantësh të lëndëve narkotike, vuri në lëvizje Prokurorinë. Nisën hetimet intensive dhe prokurori i Kukësit u mbajt për shumë kohë nën përgjim për akuzën e favorizimit të këtyre trafikantëve. Sipas të dhënave të asaj kohe, përgjatë hetimit, në bisedat e shumta të transkriptuara del edhe emri i një biznesmeni, i cili ishte posedues karburantesh dhe zotëronte edhe një kompani të tregtimit të peshkut. Prokuroria dhe Policia arrestuan këtë biznesmen, i cili më pas rezultoi të ishte edhe vëllai i avokates që donte të punësohej nga numri 2 i Ministrisë së Brendshme. SPAK, që udhëhoqi hetimet për grupin e prokurorit dhe të biznesmenit nga Kukësi, urdhëroi të mbaheshin në përgjim familjarët e protagonistëve, të cilët më pas rezultuan të ishin të përfshirë në lidhjen për gjetjen e një vendi pune nga Voda për motrën e biznesmenit kuksian. Të dhënat saktësuan se Emirjan Beu është vëllai i Florida Beut, avokates që u akuzua se i ka dhënë një shumë parash ish zv.ministres së Brendshme, Rovena Voda, për ta punësuar atë në Ministrinë e Brendshme. Pikërisht nga përgjimet e Emirjan Beut dhe lidhjeve të tij me prokurorin nën akuzë u zbuluan të gjitha lidhjet mes tri të pandehurave të dosjes Voda.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.