BallinaIntervistaDr. Zheni Gjergji: Ja 5 faktorët që po ndikojnë në shtimin e...

Dr. Zheni Gjergji: Ja 5 faktorët që po ndikojnë në shtimin e problemeve me veshkat, trajtimi i tyre

Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik në mbarë botën, të cilat shoqërohen me një numër të lartë të vdekshmërisë. Sëmundja kronike e veshkës fillon në mënyrë të heshtur, shenjat dhe simptomat e saj janë jo specifike të tilla si: dobësi trupore, lodhje, ulje të oreksit, çrregullime të urinimit, ënjtje të syve në mëngjes, ënjtje të këmbëve, krampe muskulore, etj. Sëmundjet më të shpeshta të veshkave janë infeksionet urinare, gurët në veshka, sëmundja kronike e veshkës dhe dëmtimi akut i veshkës. Zakonisht këto sëmundje shfaqen edhe më shumë me rritjen e moshës, por të gjitha grupmoshat rrezikojnë të preken nga sëmundjet e veshkave. Por, cilat janë faktorët që i shkaktojnë këto sëmundje? Cilat janë simptomat? Sa ndikon mënyra e të ushqyerit dhe stili i jetesës? Në një intervistë për mediat, Prof. Asc. Dr. Zheni Gjergji, e cila është mjeke Nefrologe dhe deputete e PD, i jep përgjigje të gjithë këtyre pyetjeve, duke ndarë edhe disa këshilla sesi mund të parandalohen dhe kurohen këto sëmundje.

-Doktoreshë Gjergji, cilat janë disa nga sëmundjet më të shpeshta të veshkave dhe si është incidenca në Shqipëri lidhur me numrin e pacientëve të prekur dhe moshat gjithashtu?

Sëmundja kronike e veshkave sot përbën një problem të rëndësishëm të shëndetit publik mbarëbotëror. Prevalenca botërore  e SKV  është 13.4%. Prevalenca e sëmundjeve kronike të veshkave (SKV)  në Shqipëri është afërsisht 1 në 8 persona. Pra një në tetë persona  kanë SKV në një stad të caktuar. Sëmundjet kronike të veshkave mund të ndodhin në çdo moshë, por ato janë më të zakonshme me kalimin e viteve dhe kryesisht te femrat. Megjithëse gjysma e individëve 75 vjeç e lart kanë SKV në një stad të caktuar, shumë nga ata nuk kanë një sëmundje të veshkave, por një plakje normale të veshkave.

– Kush janë shkaqet që ndikojnë zakonisht në përhapjen e këtyre sëmundjeve dhe sa ndikojnë faktorët gjenetikë?

Shkaqet e sëmundjeve kronike të veshkave janë disa:

A) Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni) dhe

B) Diabeti janë shkaktarët më të zakonshëm të sëmundjes së veshkave. Presioni i lartë i gjakut shkakton pak më shumë se një të katërtën e të gjitha rasteve të dëmtimit të veshkave. Diabeti është shkaku i rreth një të tretës së të gjitha rasteve dhe është shkaku më i zakonshëm i Insuficiencës Renale në shumicën e vendeve të zhvilluara. Patologji të tjera më pak të zakonshme përfshijnë  infeksioni i veshkave (Pielonefriti Chronic) dhe Glomerulonefritin.

C) Sëmundjet e trashëguara të veshkave të tilla si Veshka Polikistike, apo anomali të lindura si patologjitë e segmentit apo refluksi veziko-urinar që shkaktojnë një bllokim kronik të sistemit urinar mund të jenë shkaktarë të sëmundjes kronike të veshkave.

Ç) Ka edhe disa medikamente që mund të shkaktojnë këto sëmundje, sidomos disa nga ilaçet kundër dhimbjes (analgjezikët dhe antiinflamatorët) nëse merren për një kohë të gjatë.

D) Shkaktarë të sëmundjes kronike të veshkave janë dhe disa sëmundje autoimune si Lupusi Eritematoz i Diseminuar, apo patologji të tjera si Mieloma etj. Shpesh mjekët nuk mund të përcaktojnë shkaqet e sëmundjes kronike të veshkave..

– Anomalitë e lindura, si veshka në formë patkoi apo të tjera të kësaj natyre, a mund të trajtohen për të mos e dëmtuar plotësisht veshkën tonë?

Anomalitë kongjenitale të traktit urinar ndodhin gjatë zhvillimit embrional. Shkaqet më të zakonshme përfshijnë faktorët gjenetikë, infeksionet virale të fetusit, veprimin e toksinave dhe ilaçeve. Me keqformime të theksuara të veshkave, fetusi nuk është i mundshëm dhe vdes në fazat e hershme të shtatzënisë, ndërsa fetusi me anomali më të buta zakonisht mbijeton. Rreth 10% e fëmijëve lindin me anomali potencialisht serioze të sistemit gjenitourinar. Një prej tyre është dhe veshka në formë patkoi. Veshka patkoi, e njohur edhe si ren arcuatus (në latinisht), bashkim i veshkave ose super veshka, është një çrregullim kongjenital që prek rreth 1 në 500 njerëz që është më i zakonshëm te meshkujt, shpesh asimptomatik dhe zakonisht diagnostikohet rastësisht. Në këtë çrregullim, veshkat e pacientit bashkohen së bashku për të formuar një formë patkoi gjatë zhvillimit në mitër. Anatomia jonormale mund të ndikojë në drenazhimin e veshkave duke rezultuar në rritje të shpeshtësisë së formimit të  gurëve në veshka dhe infeksioneve të traktit urinar, si dhe në rritjen e rrezikut të disa llojeve të kancerit të veshkave. Anomalitë e bashkimit të veshkave mund të kategorizohen në dy grupe: veshkë patkua dhe ektopi e shkrirë e kryqëzuar. “Veshka patkua” është anomalia më e zakonshme e shkrirjes renale. Trajtimi i kësaj anomalie mbetet i vështirë për shkak të komplikacioneve. Simfiziotomia, e cila përfshin ndarjen e isthmusit të shkrirë në mënyrë që të çlirohen veshkat, dikur ishte një trajtim i rekomanduar për këtë gjendje, por sot nuk rekomandohet për shkak të komplikimeve dhe përfitimit minimal. Për më tepër, veshkat mund të mbeten në vendndodhjen e tyre origjinale jonormale pas operacionit. Në vend të kësaj ndërhyrje sot menaxhimi fokusohet në trajtimin e pasojave nëse pacienti bëhet simptomatik. Ndaj ajo që dua të theksoj si nefrologe me një eksperiencë 20 vjeçare është kontrolli bazë mjekësor që në embrion për diagnostikimin e hershëm të patologjive renale të trashëguara, apo rastësore dhe vlerësimi sa më shpejtë i situatës për të vendosur nëse shtatzënia mund të vazhdojë, apo mund të ndërpritet në bazë të vullnetit të prindërve.

– Thuhet se, ata persona që konsumojnë pak ujë gjatë ditës dhe përdorin shumë kripëra në dietën e tyre ushqimore, mund të preken më lehtësisht nga sëmundjet e veshkave? Sa e vërtetë qëndron kjo hipotezë?

Uji mbetet elementi bazë jetësor i organizmit të njeriut. Konsumimi i tij rekomandohet 2.5 – 3 litra /24 orë. Ka shumë njerëz që konsumojnë më shume ujë në 24 orë, por unë do t’i rekomandoja që të këshilloheshin me mjekun e tyre të familjes ose nefrologun që në bazë të anamnezës së tij të jetës të përcaktohet dhe sasia e ujit. Ndërkohë konsumimi i kripës sot në sasi të shtuar vlerësohet si një nga faktorët kryesor të hipertensionit, i cili është shkaku kryesor i sëmundjes kronike të veshkave. Ndaj 2,5 gr /24 orë është e rekomandueshme sot në dietën ushqimore ditore për një jetë të shëndetshme pa hipertension, pa sëmundje të veshkave.

– Cilat janë disa nga sëmundjet e tjera që dëmtojnë veshkën? Cila është balanca që duhet të ndjekim në të tilla raste për të kuruar sëmundjen, por nga ana tjetër për të mos dëmtuar veshkën?

Ne i renditëm sëmundjet kryesore që prekin veshkën më lart, ndaj njohja e shkaqeve të sëmundjes së veshkave duhet të na bëjë të ndërgjegjshëm që një ekzaminim i thjeshtë si : analiza e urinës, matja e uresë në gjak, kreatinemisë dhe ekoja e veshkave mbeten elementët e një diagnoze të hershme të sëmundjes kronike të veshkave. Shumica e individëve që janë të prekur nga sëmundjet kronike të veshkave në fazat e hershme nuk kanë simptoma, ndaj kalojnë pa u diagnostikuar. Në Ditën Botërore të Veshkave ( 14 Mars) ne inkurajojmë dhe u bëjmë thirrje të gjithë njerëzve të kryejnë kontrolle nëse ata janë të rrezikuar nga sëmundjet e veshkave, si dhe të kryejnë ekzaminimet për të parë funksionimin e veshkave. Zbulimi dhe parandalimi i hershëm është vendimtar, pasi mund të ngadalësojë përparimin e sëmundjes dhe të parandalojë nevojën për trajtime të tjera mjekësore.

-Sipas jush, kush janë mundësitë e mjekimit të azotemisë renale?

Nuk ka shërim për sëmundjet kronike të veshkave, megjithëse trajtimi mund të ngadalësojë ose të ndalojë përparimin e sëmundjes, si dhe mund të parandalojë zhvillimin e problemeve të tjera serioze. Trajtimet kryesore janë një dietë e përshtatshme dhe ilaçet, dhe për ata që arrijnë ESRD-në, trajtim dializë afatgjatë ose transplantim i veshkave. Në fazat e hershme të sëmundjeve të veshkave, një dietë e përshtatshme dhe ilaçet mund të ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrave kritikë në trup, gjë që normalisht do ta kontrollonin veshkat. Megjithatë, kur keni dëmtim të veshkave, mbetjet dhe lëngjet grumbullohen në trupin tuaj, prandaj keni nevojë për trajtime të dializës për të hequr këto mbeturina dhe lëngje të tepërta nga gjaku. Dializa mund të bëhet ose me makinë (hemodializë) ose duke përdorur lëngje në bark (dializë peritoneale). Në pacientët e përshtatshëm, një transplantim i veshkave i kombinuar me ilaçe dhe një dietë të shëndetshme mund të rivendosë funksionin normal të veshkave. Dializa dhe transplantimi i veshkave njihen si terapitë zëvendësuese të veshkave sepse ato përpiqen të “zëvendësojnë” funksionin normal të veshkave.

– Sa efikase është dializa në rastin e pacientëve me insuficiencë renale? Shumë nga këta pacientë dhe familjarë të tyre kanë edhe shumë paqartësi në këtë drejtim, duke e lidhur procesin e dializës me jetëgjatësinë e pacientit. Në të vërtetë, a shkurtohet jetëgjatësia e një pacienti, pasi kalon në dializë?

Trajtimi i pacientëve që kanë humbur funksionin e veshkave, pra janë në stadin e 5 të sëmundjes kanë vetëm tre mundësi trajtimi:

1.      Hemodializa

2.      Dializa peritoneale

3.      Transplanti renal.

Natyrisht duke vlerësuar moshën e pacientit, shkakun e sëmundjes së veshkave, aksesin me qendrën mjekësore, statusin ekonomiko-social, nefrologu zgjedh dhe diskuton me pacientin dhe familjarët e tij llojin e mundësisë së trajtimit. Terapitë renale zëvendësuese nuk ndikojnë në uljen e jetëgjatësisë së pacientit. Përkundrazi, trajtimet dialitike mbeten alternativa të zgjedhjes së parë për trajtimin e pacientëve në stadet terminale të saj.

– Hemodializa dhe dializa peritoneale; cila është më e këshillueshme dhe nëse mund të bëjmë një lloj krahasimi mes të dyjave, se cilat janë anët pozitive dhe negative të secilës metodë?

Mjeku nefrolog duke gjykuar moshën e pacientit, sëmundjen bazë që ka shkaktuar SKV dhe kushtet socio-ekonomike rekomandon llojin e terapisë dialitike.

1.      Hemodializa është alternativa e parë që i ofrohet pacientit. Kjo është një metodë që përdoret që nga vitet 60 të shekullit të kaluar. Bëhet 3 herë në javë nga 4 orë në qendrën e hemodializës. Hemodializa nuk e shkurton jetën e pacientit, por ajo kërkon një bashkëpunim rigoroz midis pacientit dhe nefrologut e stafit të hemodializës, kërkon një dietë rigoroze, higjienë e marrje të medikamenteve me rregull, mbështetje psikologjike. Në momentet e para kur pacienti fillon trajtimin hemodialitik përballet edhe me të “këqijat” e këtij trajtimi si problemet e aksesit vascular, mirëmbajtja e fistulës, transporti deri te qendra hemodializës, stresi psokologjik. Nga përvoja kam trajtuar pacientë  që bëjnë hemodializë prej 18-20 vite. Hemodializa sot në botë po realizohet si trajtim edhe në kushte shtëpie.

2.      Dializa peritoneale është një tjetër formë e dializës e përdorur për largimin e produkteve të dëmshme dhe lëngjeve të tepërta. Ajo funksionon sipas të njëjtave parime si dializa, por gjaku pastrohet teksa është brenda trupit dhe jo në pajisje duke shtuar lëngje të pastra në abdomen, të cilat mundësojnë të mbledhjen e produkteve të dëmshme nga gjaku dhe më pas nxjerrjen e tyre jashtë. Kjo procedurë zakonisht zhvillohet në shtëpi. Disa pacientë mund ta kryejnë dializën peritoneale vazhdimisht ndërsa kryejnë aktivitetet e përditshme (dializa peritoneale ambulatore).

– Çfarë vështirësish hasin sot pacientët me dializë; sa është përmirësuar situata dhe a vazhdojnë ende problemet me radhët e pritjes në qendra apo ilaçet me rimbursim?

Prej vitit 2005 situata në trajtimin e pacientëve me sëmundje renale kronike ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë me hapjen e disa qendrave hemodialitike në qytetet kryesore të vendit.  Dikur në pamundësi për një trajtim dialitik në Shqipëri pasi kishte vetëm një qendër hemodialize ne QSUT, me numër të kufizuar makinash, pacientët duhet të merrnin rrugët e Europës ose në Maqedoni si një  nga vendet që na ka ndihmuar shumë në trajtimin e tyre; sot ky lloj trajtimi ka arritur nivele të kënaqshme e të krahasueshme me ato europiane. Transporti mbetet një nga problemet kryesore të këtyre pacientëve pasi rimbursimi bëhet sipas çmimeve referuese të transportit publik, ndërkohë që disa prej tyre nuk kanë akses në transportin publik për shkak të vendbanimit. E dyta në kushte pandemie kjo grup popullate ka një risk të lartë e nuk mund të udhëtojë me transporte publike (disa muaj ky transport u mbyll fare në fillimin e pandemisë). Rimbursimi i medikamenteve në hemodializë për disa lloj medikamentesh ende mbetet problem që duhet të zgjidhet.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular