Portieri i Lazios dhe i Kombëtares Shqiptare, Thomas Strakosha, ka tërhequr vëmendjen me urimin e veçantë që i ka bërë të dashurës së tij, Esther Adjoa Asiedu.
Futbollisti ka postuar foton e së dashurës modele duke i shkruar: “Gëzuar ditëlindjen dashuria ime! Qëndro e njëjtë dhe kurrë mos ndrysho! Zoti të bekoftë!”.
Pas postimit ai ka marrë shumë komente nga miqtë dhe tifozët, të cilët e kanë uruar dhe nga ana e tyre partneren e tij. Portieri, i cili jeton në Itali, para Vitit të Ri ishte në Athinë me partneren, ku darkuan si një familje e kompletuar, pasi edhe vëllai i tij, Dimitris, u shfaq me partneren e tij në darkën familjare, që përbëhet nga nëna dhe babai, ish-futbollist me emër, Foto Strakosha.
Ai udhëtoi drejt Greqisë me të dashurën e huaj, duke e çuar kështu partneren në shtëpinë e prindërve si të fejuarën e tij.
Nga ky udhëtim i fundit në Athinë, Thomas ka postuar në “Instagram” disa foto familjare, ku modelen e huaj e prezanton si nusen e shtëpisë. Edhe foton e parë me të dashurën ai e postoi nga Greqia, shoqëruar me statusin “Zemra ime u kyç!”, duke ua prerë rrugën të gjitha atyre vajzave që mund ta ngacmojnë apo t’i shkruajnë mesazhe private futbollistit simpatik.
Esther Adjoa Asiedu është modelja që i ka rrëmbyer zemrën gardianit të Kombëtares, Thomas Strakosha. Çifti kaloi së bashku pushimet e verës në një nga ishujt grekë, ndërkohë që ka qenë vetë portieri i Lacios, i cili nëpërmjet një postimi në “Instastory” zbuloi lidhjen me modelen, që bie në sy për kaçurrelat dhe format e bukura fizike.
Ai publikoi një foto së bashku, duke i bashkëngjitur zemrat si “emoji”, që dëshmonte fillimisht se ai tashmë nuk është “single”. Edhe pse ishte munduar prej kohësh ta mbante të fshehtë lidhjen e dashurisë, Thomas vendosi kështu të zbulonte partneren e tij, e cila komentohet si mjaft seksi.
Ajo nuk ka shumë ndjekës në rrjetin social “Instagram”, ndërkohë që marrëveshjen për të dalë hapur e kanë bërë të dy, pasi edhe ajo publikoi njëkohësisht disa “story” në krahët e shqiptarit mjaft të pëlqyer të sportit, një nga djemtë e sportistit me emër, Foto Strakoshës.
JETA PËRTEJ FUTBOLLIT
Thomas Strakosha është një futbollist profesionist shqiptar, i cili luan si portier për klubin italian Lazio dhe Kombëtaren e Shqipërisë. Ai ka lindur në Athinë, por karrierën e vazhdon në Itali. Portieri 26-vjeçar i S. S Lazios dhe i Kombëtares Shqiptare të futbollit bie në sy për shtatlartësinë e tij, pasi është 1.93 m dhe peshon 78 kg
Pak kohë më parë, ai bë objekt i mediave pas një deklarate që u konsiderua sa e pabesueshme, aq edhe e papërgjegjshme. Ish-lojtari i Torinos, Massimo Brambati, akuzoi se në Serinë A ishin futbollistë të prekur nga koronavirusi, por që klubet e fshihnin.
Sipas personazhit kontrovers, njëri prej të infektuarve nga Covid-19 ishte pikërisht shqiptari Thomas Strakosha. Ai shkoi edhe më tej, duke akuzuar klubin e Lazio-s se e kishte fshehur këtë fakt, duke njoftuar se portieri kuqezi ishte dëmtuar.
Brambati tha se futbollisti tjetër i prekur ishte Kessie i Milanit, që gjatë udhëtimit nga Afrika udhëtoi përkrah Gervinho-s, duke bërë që edhe ky i fundit të vetizolohej. Këto fjalë të konsideruara të pavërteta nuk u pritën aspak mirë nga portieri shqiptar, i cili me vendim të klubit nuk mund të shprehej personalisht, duke qenë se çështja ishte delikate.
Përgënjeshtrimi u bë nga vëllai i Thomasit, Dimitris Strakosha. “Duhet të të vijë turp që përhap gënjeshtra! Nëse nuk do të kisha respekt për moshën që ke, do të hidhja personalisht në gjyq për dezinformim”, iu drejtua ai ish-lojtarit.
Me gjithë situatën e pazakontë të shkaktuar nga deklaratat e pabazuara, te Lazio ishin të qetë. Mbi të gjitha, sepse lëndimi i portierit kuqezi nuk ishte aq serioz sa u mendua dhe shpejt Thomas Strakosha pritej të kthehej në fushë.
Ndërkohë që atë periudhë pushimesh Strakosha vendosi të fluturonte drejt shtetit ku ka lindur, Greqisë. E pas disa lajmeve, Strakosha rezultoi vërtet me Covid-19, për t’u rikthyer në fushë më vonë.
Portieri që mungonte te Lazio, iu kthye stërvitjes te Lazio pas pothuaj 1 muaji mungesë. Portieri e kaloi Covid-19 dhe pas testeve mjekësore të kryera iu bashkuar grupit. Strakosha i mungoi edhe Kombëtares në ndeshjet e asaj periudhe, ndërkohë që sa i takon karrierës, klasifikohet si portieri i 3-të më i mirë në Europë.
“Babai i tij, Foto, do të jetë shumë krenar. Çdo ditë që po kalon, djali i tij Thomas bëhet më i zoti dhe më i mirë. Siguria që jep portieri i Kombëtares Shqiptare në katërkëndësh është mahnitëse. Edhe pse 25 vjeç, Thomas duket se ka arritur madhështinë dhe nivelin e babait të tij. Diçka të tillë e tregojnë edhe statistikat që në futboll janë shumë kokëforta dhe rrallë gabojnë”, komentonin mediat një vit më parë.
Lazio mund të mburret se ka në gjirin e saj portierin e tretë më të mirë në Europë. Pavarësisht se sezoni ka mbetur pezull, Strakosha ka arritur të grumbullojë shifra suksesi.
Kuqeziu ka arritur të neutralizojë 77.88% të goditjeve të shkuara drejt portës së tij. Vetëm portieri i Liverpool, Alison Becker, dhe ai i Reims, Rajkoviç, kanë bërë më mirë se ai. Podiumi europian është një medalje e vogël, e cila ui shtohet arritjeve të tjera të bëra nga portieri i bardhekaltërve.
Në katër vitet e tij te kryeqytetasit, Strakosha ka arritur të ndihmojë shokët e ekipit të fitojnë 3 trofe, dy Superkupa të Italisë dhe një Kupë të Italisë. Rritja e tij eksponenciale ka tërhequr interesin e shumë klubeve europiane, sidomos atyre angleze.
Por, Lazio e ka kundërpërgjigjen për negociatat, për të rinovuar kontratën që skadon këtë vit, edhe me 3 vite. Natyrisht, rritje do të pësonte edhe paga e shqiptarit, që në kryeqytetin italian fiton më pak se 1 milion euro.
Sa i përket jetës private ai është kokë e këmbë i dashuruar me modelen. Historia e njohjes së tyre nuk është bërë publike deri tani nga Thomas, por thuhet se janë takuar në ambiente të përbashkëta në Romë.
/Panoramaplus.al