BallinaIntervistaVetëm heqja mënjanë e Berishës hap rrugë për bashkim dhe fuqizim real...

Vetëm heqja mënjanë e Berishës hap rrugë për bashkim dhe fuqizim real të PD-së

Intervistë e publicistit dhe presidentit të Institutit Europian Pashko, Preç Zogaj për gazetën “MAPO”. Duke komentuar zhvillimet më të fundit në PD pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, Zogaj thotë se bashkimi me individë të penduar apo të joshur nuk është bashkim palësh, ndaj edhe lëvizja do të dështojë. Zgjidhja mendon ai, është tërheqja reale e Berishës.

Pak ditë më parë Gjykata e Tiranës regjistroi ndryshimet statutore , të bëra në 11 dhjetor nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së. Kjo- sipas anëtarëve të këtij Komisioni- do të thotë se e gjithë kryesia dhe drejtuesit e mbetur të PD janë të shkarkuar dhe tani legalisht partia drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit. A është kështu apo duhet pritur vendimi i Apelit, siç thotë pala tjetër?

Grupi i Rithemelimit ka nxituar të bëhet përmbaruesi i një vendimi të shkallës së parë, që nuk është i formës së prerë. Patjetër që duhej pritur vendimi i Gjykatës së Apelit.

A duhet apeluar dhe, a ka vlerë politike tashmë ky apelim?
Beteja ligjore duhet të shkojë në fund. Për kryesinë e PD-së, për zotin Alibeaj dhe zotin Bardhi beteja ligjore është një obligim për të gjithë demokratët, të cilët mes alternativave ku i vuri shpallja “non grata” e Sali Berishës kanë zgjedhur qartazi një Parti Demokratike në marrëdhënie të ngushta me SHBA. Aq më shumë, po të kemi parasysh faktin se gjyqtari Zhukri kishte kërkuar zyrtarisht tërheqjen nga shqyrtimi i çështjes, duke u ndier në konflikt interesi për shkak të lidhjeve me Sali Berishën. Gjë që e bën dukshëm vulnerabël vendimin e tij.

 

 

Përpara vendimit të gjyqtarit Zhukri është edhe vendimi i zgjedhësve në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në gjashtë bashki , që nxorën në epërsi Shtëpinë e Lirisë. A janë zgjedhjet vërtetimi më i mirë se kush e ka shumicën?
Po. Zgjedhjet janë dhe s’ka tjetër. Le të jemi të qartë: zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashki nga gjashtëdhjetë e ca që ka Shqipëria nxorën fituese absolute Partinë Sociliste në pushtet. Dy opozitat humbëse në raport me PS-në, u renditën siç po thoni ju. E papritur në zgjedhjet e 6 marsit ishte shifra dyzet për qind e abstenuesve demokratë në raport me zgjedhjet e 25 prillit, të vitit të shkuar. Që do të thotë se partia e parë e së djathtës opozitare ishin Abstenuesit. Gjithsesi, renditja e partive në zgjedhje, humbëse apo fituese qofshin , nuk ka sens të reflektohet në një vendim gjykate për ndryshimet statutore. Gjykata nuk numëron vota, por vlerëson ligjshmërinë e akteve në raport me statutin e Partisë. Votat lëvizin nga zgjedhjet në zgjedhje. Duhet të votojë gjithë Shqipëria për të nxjerrë sa ka secili grupim.

Pse, sipas jush, PD mori këtë rezultat?
Kam shkruar shpesh dhe gjatë për ketë pyetje. Pa dashur t’u kthehem të gjitha përgjigjeve që kam dhënë, më lejoni të përsëris se zgjedhjet e pjesshme vendore në Shqipëri i ka fituar dhe i fiton gjithmonë pala që i ka. Kështu ndodhi edhe më 6 mars. Pesë kishte PS, pesë fitoi. Një kishte Lëvizja e Rithemelimit, një fitoi, Shkodrën. E vetmja “risi” e 6 marsit është rezultati më i lartë se kurrë i PS-së. Në pesë bashkitë që fitoi, edhe në bashkinë që nuk fitoi. PD erdhi në këto zgjedhje nën agresionin gjashtëmujor të Foltores së Sali Berishës dhe në një kohë kur paqartësia për shkakun e krizës brenda saj ishte ende shumë e madhe. Çuditërisht, në katër javët e fushatës së 6 marsit Basha u rikthye në asimetrinë e famshme, duke lënë pa përgjigje deri akuzat e drejtpërdrejta të Berishës kundër tij. Vërtet që kandidatët e PD-së paraqitën një model ndryshe, por populli ka një fjalë të urtë: “si është vendi bëhet kuvendi”. Gjithsesi, rëndësia e zgjedhjeve të pjesshme në gjashtë bashki është fryrë qëllimshëm për t’u dhënë ngjarjeve në PD drejtimin që kanë marrë.

Pas renditjes në vend të tretë, Lulzim Basha u dorëhoq. Si e vlerësoni aktin e tij?
Pak më lart fola për pompimin e qëllimshëm të 6 marsit. Nuk ka ndodhur në Shqipëri dhe nuk kam dëgjuar as në botë që një kryetar partie të japë dorëheqjen se humb në zgjedhje të pjesshme. Në këtë kontekst, dorëheqja e Bashës ishte e papritur. Për mua së paku. Ajo erdhi në kushtet e presionit të deputetëve që i kërkuan të bënte një hap prapa për t’u dhënë atyre dhe partisë në përgjithësi mundësinë e menaxhimit të humbjes pa çeduar nga kauza. Nga kjo pikëpamje dorëheqja e Bashës ishte zhbllokuese për ngërçin e krijuar dhe i jepte një shans bashkimit si palë të demokratëve. Kjo është ana pozitive e dorëheqjes. Por mund ta marrim edhe si fijen e kashtës që rrëzoi devenë. Pikëpyetje të ndryshme më kalojnë nëpër mend, që do të sqarohen nga zhvillimet. Ana negative, që nuk ka lidhje thjesht me një dorëheqje, është lënia pa mbrojtje dhe pa mesazhe e zgjedhësve që votuan PD, e anëtarëve dhe strukturave anembanë vendit që kanë mbështetur PD-në zyrtare. Kjo është e rëndë dhe duhet të korrigjohet sa më shpejt. Në kushtet në të cilat u hodhën, votat e 6 marsit për kandidatët demokratë janë nga më të pastrat e më largpamëset.

Për bashkim ka folur e po vepron edhe Sali Berisha me Grupin e tij të Rithemelimit, duke e parë bashkimin brenda strukturave që kanë ngritur dhe Kuvendit që kanë planifikuar të mbajnë në fund të prillit. Sa shanse ka që ky bashkim të jetë real, duke pasur parasysh se, edhe e bashkuar PD është ende shumë larg PS-së, pra duhet më shumë…

Bashkimi që ka në mend dhe po përpiqet të realizojë Sali Berisha e presupozon palën tjetër si të mundur, si të penduar së cilës i ofrohet mundësia të tretet në numrat e tij. Kjo qasje megalomane, nga pozitat e fitimtarit të vogël brenda humbjes së madhe të mbarë opozitës, injoron arsyen themelore të ndarjes së PD-së në dy palë dhe është një fyerje për të gjithë ata që bash për ketë arsye nuk janë bashkuar me Foltoren e Sali Berishës. Arsyeja është shpallja e tij non grata nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken dhe kryesorja, paralajmërimi se SHBA do të ndërpresin marrëdhëniet më PD-në nëse drejtohet nga një person i shpallur “non grata” prej tyre. Për këtë ka ndodhur ndarja. Në momentin kur SHBA bëri paralajmërimin e lartpërmendur nuk ishte më në lojë fati i një njeriu, por identiteti, orientimi dhe e ardhmja e gjithë familjes politike.

Në këto kushte shumica e deputetëve, e Kryesisë, e Këshillit Kombëtar, e Kolegjit të kryetarëve dhe mijëra demokratë anembanë vendit zgjodhën një PD-në në marrëdhënie të ngushta me SHBA. Nuk ka ndodhur asgjë e re që kjo palë të rishikojë apo të heqë dorë nga kjo zgjedhje. Po ashtu edhe për palën e Foltores: nuk ka asnjë shenjë apo deklarim nga SHBA që të mbështesë narrativën dhe pretendimet e Sali Berishës, sikurse nuk ka asnjë zhvillim që lidhet me padinë e tij kundër Sekretarit Blinken, në Francë. Po të ketë, pra po të jepte SHBA ndonjë sinjal se është tërhequr nga qëndrimet e saj, nuk ka dyshim se kjo do të reflektohet në qëndrimet e palës kundër Foltores. Por sa kohë që sinjale të tilla nuk ka, palët mbeten palë në arsyet përjashtuese që i kanë krijuar. Do të thotë se bashkimi i tyre pa një hap prapa të Sali Berishës është retorikë, është thjesht slogan.

Por Berisha po merr deputetë nga grupi i PD-së, pavarësisht se nuk ka nga SHBA sinjale nga këto që ju po thoni. Keni një koment për këtë?

Nuk e di çfarë po merr. Ka gjithnjë njerëz që shkojnë nga fryn era. Ka edhe që ndryshojnë mendje dhe fillojnë e besojnë narrativën e Berishës. Por marrja e njërit dhe tjetrit si individë të penduar, të joshur apo të frikësuar nuk është bashkim palësh. Unë këtu po flas për deputetë, zyrtarë, anëtarë, simpatizantë, zgjedhës të PD-së që kanë bërë një zgjedhje politike parimore dhe besojnë se nuk fitohet me SHBA kundër. Dhe as duhet të fitohet. “Me SHBA apo kundër saj”, mbetet vija ndarëse në fuqi. Numrat në të dy anët e kësaj vije janë e do të jenë të lëvizshëm në vartësi të transparencës ligjore në lidhje me akuzat që i janë bërë Berishës nga SHBA. Pakica është në rrugë të hapur dhe të drejtë. Ajo nuk ka përse të tretet në një shumicë në rrugë të mbyllur me “non grata-n” në krye, por veç të konsolidohet dhe shërbejë zhvillimet në favor të saj.

Ndryshe nga ju, a ka edhe që e besojnë se Berisha është fitues?

Po, ka edhe të tillë. Njerëzit duan dikë që t’i çojë në fitore. Është e natyrshme, e drejtë. Berisha ka vënë një bast të rëndë me demokratët dhe zgjedhësit opozitarë: Ndoshta vjen Tramp, ndoshta ma heqin shpalljen “non grata”, ndoshta e fitoj çështjen në Paris… Një seri “ndoshta”-sh, në hava. Në zgjedhjet e 6 marsit ai e tendosi në ekstrem përpjekjen gjashtëmujore. I ka marrë gjithë votat e mundshme. Kurrë nuk do të jetë kaq e madhe sa më 6 mars paqartësia në favor të tij. Kurrë nuk do të jetë aq e vogël hapësira e konkurrencës së tij. Kurrë nuk do të mund të zhvillojë një fushatë kaq të pabarabartë në dëm të palës tjetër, sa kësaj radhe. Shanset e tij për t’u rikthyer te fitorja në vitin 2005 u ideuan dhe u sendërtuan në një kontekst krejt tjetër nga ky i sotmi, ku autori këtyre radhëve, ka pasur një rol. Kuadri i atëhershëm dhe kuadri i sotëm s’kanë të krahasuar. Gjëja më e mirë që mund të bënte Berisha sot është të investohet për bashkimin duke qëndruar vetë mënjanë. Realisht mënjanë, jo si me Bashën ku me protagonizmin e tij ka bashkautorësinë e plotë në humbjet e PD-së, edhe pas vitit 2013.

Ata që dolën të votonin më 6 mars, duke votuar më shumë Berishën, e bënë më shumë kundër shpalljes së tij “non grata” nga SHBA apo votuan kundër Bashës që përjashtoi Berishën, për këtë shkak?

Është e pamundur të bëhet kjo ndarje “sa për këtë arsye, sa për atë arsye”. Është një ushtrim që të shtyn me lehtësi drejt spekulimit. Ajo që mund të them, bazuar në njohjet personale por edhe përmes analizës politike të hapësirave ku po zhvillohet debati mes demokratëve, është kjo: jo të gjithë ata që kanë votuar Shtëpinë e Lirisë janë antiamerikanë. Ka prej tyre që kanë dashur e duan të besojnë narrativën e Berishës, sa kohë që“ non grata” është në nivelin e shpalljes. Nga ana tjetër mund të them se votuesit e PD-së zyrtare janë provuar si proamerikanë. Gjashtë muajt e fushatës agresive të berishistëve në mediat e shumta, në rrjete e kudo, kanë qenë më se të mjaftueshme për t’ua kthyer mendjen. Por nuk ua kanë kthyer. Dua të pohoj me kënaqësi se proamerikanët në Shqipëri, edhe duke u mbështetur në numrin e vogël të votuesve që morën pjesë në zgjedhjet e 6 marsit, janë shumë më shumë se shtatëdhjetë përqind dhe shumë më pak se tridhjetë përqind.

Nga ana tjetër, shumë pyesin a dështuan SHBA dhe ambasadorja Juri Kim, a ishte një veprim jo i llogaritur mirë apo një aksion i pa çuar deri në fund shpallja “non grata” e Berishës?
Mendoj se SHBA nuk janë nisur e nuk nisen nga kalkulime të këtij lloji. Zyrtarët e lartë amerikanë e kanë bërë të qartëe se shpalljet “non grata” për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë mbështeten në legjislacionin e tyre dhe në informacionin që mbledhin, shkëmbejnë dhe shoshitin një mori institucionesh, departamente dhe agjenci si FBI, CIA e tjerë. Pra nuk janë politike. Veç kësaj, SHBA nuk janë duke luajtur ragbi me të shpallurit “non grata”, prej tyre. Nuk ua lejon madhështia. SHBA e kanë shpallur antikorrupsionin si përparësi të politikës së tyre të jashtme. Ata kanë bërë shpalljet dhe kanë paralajmëruar të tjera. Kanë paralajmëruar ndërprerjen e marrëdhënieve me parti që drejtohen nga “non grata”. Kanë kërkuar të nisin hetimet në Shqipëri që ata t’u përgjigjen SPAK-ut për provat që u kërkohen. Më tej, u takon organeve të drejtësisë, partive dhe qytetarëve shqiptarë të reagojnë.

Të mos presë kush që SHBA t’i mbajnë dorën ndokujt si të votojë. Kjo është kundër principit mbi të cilën është ngritur fuqia e atij vendi. Por jam i bindur se mbështetja amerikane për të luftuar pandëshkueshmërinë në Shqipëri, do të forcohet. Ky është premtimi për popullin shqiptar që SHBA po e mbajnë e do ta mbajnë deri në fund. Shqipëria nuk çlirohet dot nga zgjedha e kastës plurale njëzetepesë vjeçare pa mbështetjen e fuqishme amerikane. Gjatë këtij muaji dhe ne vijim, SHBA po udhëheqin aleancën e kombeve të lira në mbështetje të Ukrainës kundër agresionit barbar të Rusisë. Ata që kanë menduar të shfrytëzojnë fokusimin e saj në Ukrainë për t’i bërë ndonjë gol këndej nga Tirana, ma merr mendja se i kanë bërë llogaritë gabim./Gazeta MAPO.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments