BallinaKryesoreOrnella Darova, një histori suksesi shqiptare në Universitetin e Pensilvanisë

Ornella Darova, një histori suksesi shqiptare në Universitetin e Pensilvanisë

Ornella Darova, doktorante pranë Universitetit të Pennsylvanias, konsulente për Bankën Botërore për rritjen e firmave në Ballkanin Perëndimor, dhe konsulente për OECD mbi çeshtjet e rregullimit dhe konkurrencës në ekonomi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën ‟Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, studimet në Itali dhe Amerikë, eksperiencën në Ugandë dhe Sierra Leone, punën në Bankën Botërore, analizon shqiptarët në diasporë, modelin ekonomik të Shqipërisë dhe krizën e energjisë. Me Ornella Darovën bisedoi Editori i ‟Diellit” Sokol PAJA.

NJË SHQIPTARE KONSULENTE PËR BANKËN BOTËRORE

Ornella është një vajzë shqiptare dhe italiane që adhuron historinë shqiptare dhe ka një lidhje shumë të fortë me të. Kam lindur në Itali, ku edhe kam studiuar, dhe jam diplomuar në ekonomi pranë Universitetit Bocconi. Gjatë masterit kam marrë pjesë në disa projekte shkencore në vende të Afrikës Subsahariane. Kam punuar në Ugandë dhe Sierra Leone duke u specializuar në ekonominë e zhvillimit. Pas masterit jam punësuar pranë Bankës Botërore pikërisht për një projekt në Ballkanin Perëndimor duke patur bazën në Shqipëri: për mua ishte një kënaqësi e madhe profesionale dhe gjithashtu personale të punoja për të shpejtësuar rritjen ekonomike të vendit tim të origjinës. Pas kësaj eksperience fillova doktoraturën pranë Universitetit e Pennsylvania, dhe momentalisht jam në vitin e tretë. Jam sërisht konsulente për Bankën Botërore per një projekt mbi rritjen e firmave në Ballkanin Perëndimor, dhe jam gjithashtu konsulente për OECD mbi çeshtjet e rregullimit dhe konkurrencës në ekonomi. Në Amerikë fillohet pikërisht në vitin e tretë zhvillimi i kërkimit shkencor autonom nga kandidatët për doktoraturë: momentalisht, po përqendrohem mbi tematikat e lidhura me diversitetin gjinor dhe etnik në kontekste arsimore ose profesionale, por mendoj se sëshpejti do të zhvilloj edhe një ide mbi tregun e punës në Shqipëri.

ENERGJIA, GAZI, BURIMET NATYRORE DHE KRIZA E ÇMIMEVE NË SHQIPËRI

Ka disa aspekte për të përmendur, dhe çështja nuk është aspak e thjeshtë, edhe për shkak të faktit që informacioni dhe gazetaria e specializuar në fushën ekonomike në Shqipëri ka disa mangësi dhe qytetarët kanë mundësi të limituara per t’u informuar në këtë fushë. Do të nisem nga energjia elektrike. Duke marrë parasysh bilancin e energjisë elektrike që është publikuar nga Instat për dy tremujorët e vitit 2021, pra të fundit që janë botuar, mund të observojmë që Shqipëria në këtë periudhë nuk ka shfaqur një krizë energjetike të këtij lloji – madje e kunderta: prodhimi neto vendas është më shumë se dyfishuar në krahasim me periudhat korrisponduese në 2019 dhe 2020. Megjithatë, mund të vërejmë disa problematika. E para, dhe kryesorja: nuk ka asnjë strategji të mirëmenduar për diferencimin e burimeve të energjisë, madje thuajse totali i energjisë elektrike prodhohet në hidrocentrale nderkohë që dështimi i termocentralit të Vlorës jo vetëm që nuk ka kontribuar në prodhimin e energjisë, por ka edhe shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë humbje shumë të mëdha që akumulohen si pasojë e nevojës për mirëmbajtje dhe shlyerjes së kredisë së marrë për ndërtimin e tij. Edhe vetë Banka Botërore, dhënëse e kredisë për ndërtimin e termocentralit, ka dalë në përfundimin se borxhet e akumuluara nga KESH, korporata prodhuese e energjisë elektrike në Shqipëri, janë shkaku kryesor i kostos së lartë me të cilën përballet konsumatori. Fakti që KESH, e cila është përgjegjëse për gjenerimin e pjesës dërrmuese të energjisë që konsumohet në Shqipëri, mbart borxhe kaq të mëdha prej dekadash e bën të qartë shkallën e problematikës. Gjithashtu Shqipëria konsiderohet nga organizatat e fushës si një vend me shumë potencial për të prodhuar energji elektrike me burime të rinovueshme, por është e qartë që ky potenciali nuk po shfrytëzohet. Një problem që shtohet është keqmenaxhimi i infrastrukturave: humbjet e rrjetit në transmetim dhe shperndarje janë afërsisht 20% e totalit energjitik, një shifër që në BE dhe ShBA është afërsisht 5-6%.

GAZI, BURIM NË TË CILIN SHQIPËRIA KA AKSES MINIMAL

Një kapitull tjetër i rëndësishëm është gazi, burim në të cilin Shqipëria ka akses minimal. Edhe në këtë rast, është i qartë dëmi i shkaktuar nga dështimi i termocentralit të Vlorës: i cili nëse do të ishte aktiv, do kishte patur mundësinë e artë për t’u lidhur me fluksin e ri të gazit të  Azerbajxhanit nga TAP, duke zëvëndësuar edhe një pjesë të konsumit të naftës. E fundit, por jo për nga rëndësia, nafta: në fakt, burimi i parë i energjisë së konsumuar në Shqipëri. Shqipëria njihet për çmimet e karburantit më të larta jo vetëm në rajon, por në botë. Ky rekord i Shqipërisë nuk ekziston që dje, por prej shumë vitesh, sidomos nga barra e akcizave, e taksës për qarkullimin, dhe e taksës për karbonin, që vlen të theksohet se reflektohen gjithashtu në çmimin e mallrave të ndryshme, të cilat transportohen me mjete të tonazhit të lartë në Shqipëri në mungesë të formave të tjera të transportit. Mungesa e diversifikimit, çmimet e larta të përkeqësuara nga borxhet dhe infrastruktura e parenovuar, lënë konsumatorin Shqiptar në dorë të fatit dhe të tregut ndërkombëtar. Pra një situate tragjike, i shtohet barra e rritjes së çmimeve globale.

SHQIPTARËT NË DIASPORË SI NJË REFLEKTIM I VLERAVE MË TË MIRA QË KARAKTERIZOJNË POPULLIN TONË 

Fillimisht: numri i shqiptarëve jashtë Shqipërisë është padyshim më i madh se numri i atyre që banojnë në atdhe. Ky fakt mjafton për të treguar sa e rëndësishme është diaspora shqiptare. Por kur konsiderohen edhe emrat që mund të përmenden në diasporën shqiptare, kryesisht midis atyre që kanë marrë pjesë në shoqatën Vatra dhe në gazetën Dielli, pra duke kaluar nga sasia te cilësia, besoj që mund të thuhet me siguri se kontributi i Diasporës është themel. Është e qartë që shumë shqiptaret vlerësohen dhe realizojnë ëndrrat e tyre më tepër jashtë vendit se sa në Shqipëri: për sa kohë kjo të jetë e vërtetë, duket se diaspora do jetë një aset kombëtar me një potencial të madh. Gjithsesi, për të shfrytëzuar këtë potencial, është e domosdoshme dëshira e këtyre shqiptarëve për të dhënë kontributin e tyre edhe nga jashtë: një patriotizëm i shëndetshëm dhe shpresa për përmirësimin e Shqipërisë janë faktor të nevojshëm, që duhen ushqyer nga strategji të mirëfillta dhe të artikuluara. Diasporës i mbetet një detyrë që mendoj se çdo individ i përgjegjshëm duhet ta mbartë gjatë gjithë jetës. Shqiptarët anë e mbanë duhet të shërbejnë si një reflektim i vlerave më të mira që karakterizojnë popullin tonë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se bie mbi ne barra e ruajtjes dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë.

KOMPROMIS TË VIRTYTSHËM MIDIS INTEGRIMIT NË SHOQËRINË AMERIKANE DHE KONSERVIMIT TË KULTURËS TONË

Gjatë kohës relativisht të shkurtër që kam jetuar në ShBA, kam vënë re një dëshirë goxha të madhe midis shqiptarëve për t’u bashkuar dhe për t’u organizuar si komunitet. Në universitetin tim, ekziston një shoqatë e studentëve shqiptar; gjithashtu, në shumë universitete e tjerë, ka shoqata analoge. Kam vërejtur edhe prezencën e shoqatave profesionale të shqiptarëve, e shkollave të gjuhës shqipe për fëmijet apo të valleve tradicionale, dhe të manifestimeve dhe festave të komunitetit shqiptar. Edhe pse në Itali ka një diasporë shumë të madhe, kam përshtypjen që atje ekziston një organizim i ngjashëm, por jo kaq i fortë dhe krenar. Në Amerikë diversiteti nuk është aq tabu sa në Itali, dhe komunitetet janë disi më të ndërgjegjshëm për mbrojtjen e identitetit të tyre. Besoj se këto vlera janë për ti mbështetur, dhe është e rëndësishme që si komunitet të gjejmë një kompromis të virtytshëm midis integrimit në shoqërinë amerikane dhe konservimit të kulturës tonë.

SHQIPËRIA MUND TË BËHET VETËM NGA SHQIPTARËT

Fatkeqësisht Shqipëria vuan nga kaq shumë ‘sëmundje’ saqë është e pamundur ti përmend të gjitha. Por besoj që zgjidhjet i kemi brenda, jo jashtë. Edhe pse sot Shqipëria vuan nga një mungesë tepër e theksuar vlerash, nga një keqqeverisje që mban cinizmin si krenari, dhe nga korrupsioni i paskrupullt, shqiptarët kanë besën, bashkëpunimin, dhe altruizmin në themelet e kulturës së tyre. Besoj se do ishte më mirë të shikonim më shumë brenda nesh, të analizonim më tepër veten dhe të konsideronim më shumë trashëgiminë tonë, në vend që të presim gjykim apo zgjidhje nga jashtë. Në fund të fundit, Shqipëria mund të bëhet vetëm nga shqiptarët.

MBESA E VLLEZËRVE DAROVA, MUZIKANTË TË SHKËLQYER, BITËLLSAT E POGRADECIT

Jam mbesa e vllezërve Darova, muzikantë të shkëlqyer, Bitëllsat e Pogradecit. Vëllai i gjyshit tim ka qënë në burg më shumë se 30 vite për agjitacion e propagandë, dhe i gjithë fisi ka vuajtur nga persekutimi komunist. Një persekutim i egër që urrente familjen time siç urrente çdo familje nga elita shqiptare. Pikërisht kjo përbuzje ndaj suksesit, pasurisë, dhe arritjeve individuale ka qënë pjesë karakterizuese e ideologjisë komuniste dhe fatkeqësisht është një ndjesi që shumë individë vazhdojnë ta mbartin, për arsye të ndryshme. Mediokriteti, një farë sigurie dhe stabiliteti janë aspekte që në disa situata janë të dëshiruara nga natyra njerëzore më tepër sesa liria dhe mundësia për përmirësimin dhe rritjen personale, sidomos në kushtet e mungesës së shpresë. Marre nga gazetadielli.com

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular