BallinaAktualitetBujar Leskaj: Hasan Prishtina më në fund në Vlorën e Ismail Qemalit!

Bujar Leskaj: Hasan Prishtina më në fund në Vlorën e Ismail Qemalit!

Nga Bujar Leskaj

Hasan Prishtina më në fund në Vlorën e Ismail Qemalit!

Një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe më të hershëm të Ismail Qemal Vlorës në projektin e madh të Shpalljes së Pavarësisë, ministër në qeverinë e Atit të Kombit, për një kohë të shkurtër kryeministër e disa herë ministër në disa qeveri, patriot i vërtetë, i cili shkriu pasurinë për atdheun; i vrarë pabesisht në Selanik, Hasan Prishtina (Vuçiterni) mbas Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Kukësit më së fundi ka shtatoren e tij në Vlorë.
Shtatorja ka autor skulptorin nga Mitrovica, Sabri Behramaj, i cili ka krijuar një vepër artistike të punuar me shumë dashuri e respekt.
Ishte një projekt i inicuar përpara dhjetë viteve me vendosjen e shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë dhe Hasan Prishtinës në Vlorë dhe që u realizua së fundmi nga familjarët dhe nipi i tij, Mehmet Prishtina.
Sepse Hasan Bej Prishtina (Vuçiterni) ishte vizionari, luftëtari dhe hartuesi i konceptit të “Vilajetit Shqiptar” në pranverën e vitit 1912, e që u njoh në Stamboll si “Plani 14 pikësh”, i cili parashikonte bashkimin e 4 vilajeteve në një të vetëm, në një atdhe të përbashkët të shqiptarëve, duke u dhënë bashkëkombësve të tij modelin e politikanit që nuk blihet as nuk shitet në këmbim të kauzave të huaja politike.
Ishte Hasan Prishtina që me Ismail Qemal Vlorën e patriotë të tjerë vendosi të shpallë kryengritjen antiosmane, kur askush tjetër në Ballkan nuk e kishte nisur. Në parlamentin e Turqisë, për veprimtarinë e zjarrin e tij patriotik në mbrojtje të shqiptarëve, u quajt “Luani i Prishtinës”.
Ishte Hasan Prishtina, që së bashku me Isa Boletinin, Bajram Curri, dhe patriotë të tjerë, drejtuan kryengritjet e viteve 1911-1912 në Kosovë e Shkup.
Hasan Prishtina ëndërronte një Shqipëri të fortë, të bashkuar me Kosovën. “Nuk ka për të pasur Shqipëri pa Kosovën”- thoshte, duke bërë që kjo shprehje sot të jetë aksiomë e pakontestueshme.
Jeta e tij ishte luftë dhe përpjekje të vazhdueshme. Përveç persekutimeve deri edhe në vrasjen e padrejtë, një kalvar të vërtetë ka kaluar edhe rehabilitimi i figurës së tij. Vendosja e përmendoreve të tij në mbarë trojet shqiptare gjithmonë ka qenë e vonuar në kohë.
Respekt e mirënjohje zyrtarëve të lartë të Kosovës, të cilët shoqëruan rrugëtimin e shtatores së Hasan Prishtinës nga Kosova në Vlorë: nipin e tij, z. Mehmet Prishtina, kryetarin e Komunës së Drenasit z. Ramiz Lladrovci, ministrin e Mbrojtjes së Kosovës z. Armend Mehaj, kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, z. Përparim Rama, ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi.
Shumë shpejt në Vlorë, Instituti i Studimeve Politike do të zhvillojë një Akademi Përkujtimore në nder të patriotit e atdhetarit të madh, Hasan Prishtina me pjesëmarrjen e akademikëve nga Shqipëria e Kosova.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular