Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho i ka konsideruar lajthitje deklaratat e Kryeministrit Edi Rama lidhur me SPAK-un
Në një intervistë për News24, Braho i bën thirrje kreut të qeverisë që të mbyllë gojën dhe mos të japë asnjë këshillë për SPAK-un.
Sipas tij, Prokuroria e Posaçme ka një strukturë dhe organizim të vetën, dhe nuk ka nevojë për sugjerime.
“Kryeministri kot merret me këtë histori. Larg duart nga SPAK-u. Janë strukturë më vete. Është pushtet më vete. Ka dëgjuar ai që të merret me duart e kryeministrit? I bëj thirrje edhe njëherë, s’ke punë fare. Mbylle gojën dhe mos jep asnjë sugjerim, asnjë këshill. SPAK-u e di punën e tij, ka ligjet e veta. Këto organe po s’patën pavarësinë e tyre, nuk mund të funksionojnë. Mos i thuaj në mbledhje partie. Në mbledhje partie mos e thuaj, thuaje në zyrën e Kryeministrit. Është lajthitje e madhe. Natyrisht plotësimet që bëri më pas ministri i drejtësisë, ishin më të matura. Më të përgjegjshme. Por ky njeri nuk rri rehat, kërkon të fusë hundët gjithandej. Kur them lajthitje, brenda lajthitjes përfshihen të gjitha, presione, frikë dhe u thotë që jam mbi ligjin. Kryeministri nuk është shteti, është pushteti dhe pushteti është strukturë ekzekutive e veçantë dhe e pavarur në katër shtylla. Mos u merr me SPAK-un në mënyrë kategorike. SPAK-u ka dhënë sot llogari për raportin e 2021-it” – tha Braho.