BallinaIntervistaE PLOTË/ Rrëfimi i Yuri Kim, nga sulmet e Ramës ndaj SPAK...

E PLOTË/ Rrëfimi i Yuri Kim, nga sulmet e Ramës ndaj SPAK te Berisha ‘non grata’ e dënimi i ish-ministrave

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim është rrëfyer sot për rreth 30 minuta përballë Eni Vasilit në “Open” në News 24. Ajo ka komentuar thirrjet e Ramës për SPAK për të hetuar Berishën dhe Metën, marrëdhëniet me PD-në nëse Berisha zgjidhet kryetar si dhe dënimin e ish-ministrave, deputetit Bllako si dhe disa bandave.

Eni Vasili: Mirëmbrëma, mirë se vini, të nderuar shikues të Open, mirësevini në News 24. Ajo arriti në Tiranë si Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në janar 2020. Është një diplomate karriere që ka punuar në pika kyçe të politikës së jashtme në Europë, Azi, dhe Lindjen e Mesme. Me mua këtu është Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim. Mirëmbrëma, mire se erdhët.

Ambasadorja Kim: Mirëmbrëma. Shumë kënaqësi që jam këtu.

Eni Vasili: Shumë faleminderit që jeni këtu. Faleminderit për këtë intervistë.

Ambasadorja Kim: Kënaqësia është imja.

Eni Vasili: Gjithnjë një moment interesant ai i politikës për të folur me ambasadoren amerikane, por unë dua ta filloj ndryshe. Unë dua t’ju pyes për 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Nuk dua të flas aq shumë për politikën e ditës, dua të flas sigurisht për diplomacinë, në mënyrë të veçantë. Siç po thosha, ky vit shënon 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Veç të tjerave, ky është edhe një rast për të bërë një bilanc të këtyre marrëdhënieve, apo jo?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është e mrekullueshme të jem ambasadorja amerikane teksa mund të festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Siç e dini, vitin e kaluar, festuam 30 vjet që nga rivendosja e marrëdhënieve. Dhe nëse hedhim një vështrim tek 100 vitet si dhe tek 30 vitet, mendoj se të dy palët, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kemi arritur vërtet shumë. Mjafton të shohësh vetëm 30 vitet e fundit; kur bisedoj me miq që e njihnin Shqipërinë në vitin 1991 dhe iu përshkruaj se çfarë po bëjmë bashkë tani, në vitin 2022, e kanë të vështirë ta besojnë. Do t’ju jap vetëm pak shembuj. Në vitin 1991, siç e dimë të gjithë, Shqipëria ishte një nga vendet më të varfra në botë dhe në ato 30 vjet, ndërsa Shqipëria u çlirua nga diktatura komuniste, mendoj se populli shqiptar e ka provuar veten se është qëndrestar dhe kanë frymëzuar botën me vendosmërinë e tyre.

Prandaj u shpreha kur arrita këtu që programi ynë këtu, agjenda jonë është që të përqendrohemi tek demokracia, mbrojtja dhe biznesi. Pra, jeni çliruar nga diktatura komuniste; institucionet e demokracisë dhe ligjit, sundimi i ligjit, janë instaluar dhe po punojmë për t’i forcuar sa më shumë mundemi. Ju keni kaluar nga një vend i varur në një vend që është anëtar i NATO-s në 2009, një vend që është në pragun e Bashkimit European dhe, nga 1 janari i këtij viti, një vend që ulet në krah të Shteteve të Bashkuara, Kinës, Rusisë, Francës, Britanisë së Madhe, si anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ky është një kapërcim i madh. Dhe sigurisht çështja e dytë është mbrojtja. Dhe në 30 vjet, 100 vjet, kemi kaluar nga një diktaturë komuniste e mbyllur ndaj botës, tek Shqipëria që tani mirëpret forca të SHBA, duke filluar nga ky vit. Ndaj, ky është një ndryshim historik.

Më pas, së fundi, biznesi. Disa nga bizneset më të mëdha po vijnë në Shqipëri. Mund të flasim më vonë për këtë, por janë të përqendruar tek energjia tani dhe shoh edhe fusha të tjera që po hapen, përfshi teknologjinë. Kështu, kemi hidrocentralin e Skavicës, nuk është punë e mbyllur ende, por duket shumë mirë; kemi Vlorën, termocentralin që do të sjellë gaz të lëngshëm. Këto kanë implikime të stërmëdha për rolin e Shqipërisë në rajon, jo thjesht nga aftësia e Shqipërisë për të siguruar energji për veten, por edhe për kontributin e Shqipërisë në rajon si eksportuese neto e energjisë dhe sigurisë së energjisë.

Eni Vasili: Ndoshta më pas do të flasim edhe për emrat e bizneseve amerikane. Do të ishte shumë mirë nëse do t’i kishim, bizneseve që janë duke iu afruar Shqipërisë. Është gjithmonë një lajm shumë i mirë afrimi i komunitetit të biznesit nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë. Por, unë dua të flas pak edhe për Javën Amerikane, e cila fillon në datën 15 maj deri në datën 21 dhe do doja të dija se çfarë aktivitetesh janë parashikuar. Sigurisht i gjithë viti do të ishte një festë për të kremtuar 100-vjetorin e marrëdhënieve por Java Amerikane ka një fokus të veçantë.

Ambasadorja Kim: Po, do të kemi një numër aktivitetesh emocionuese. Do të kemi bandën e Forcës Ajrore të SHBA që vjen dhe kjo është shumë e bukur. Do të kemi një koncert të madh në Sheshin Skënderbej – mendoj të enjten, në mos gaboj. I gjithë informacioni do të jetë në faqen tonë të internetit por mendoj do të jetë të enjten në Tiranë dhe pastaj do të kemi një tjetër të shtunën në Shkodër, siç e dini një nga qytetet e mia të preferuara. Midis këtyre, do të kemi ushqim amerikan tek Pazari i Ri dhe disa filma amerikanë që do të shfaqen gjatë gjithë ditëve.

Eni Vasili: Dhe mund të kenë akses të gjithë besoj në këto aktivitete?

Ambasadorja Kim: Po, të gjitha aktivitetet janë falas dhe do ta bëjmë këtë së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe jemi shumë të emocionuar. Do të shkoj tek këto aktivitete vetë dhe shpresoj që do të mund të takoj sa më shumë qytetarë që të jetë e mundur.

Eni Vasili: Zonja Kim, ju ishit në Uashington javën e kaluar. Mediat njoftuan për një takim me ish-ambasadorët amerikanë në Shqipëri, por në fakt unë dua t’ju pyes për agjendën tuaj zyrtare, nëse ka patur një të tillë gjatë takimit tuaj në Uashington.

Ambasadorja Kim: Siç e dini, kishim këtu Ndihmës Sekretaren e Shtetit Karen Donfried jo shumë kohë më parë dhe unë doja të ndiqja çështjet e atij udhëtimi. Kështu, shkova në Uashington, isha atje për rreth një javë, në takime me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë, Shtëpisë së Bardhë, USAID dhe agjenci të tjera të qeverisë. Dhe ja çfarë gjeta: njerëzit janë vërtet të emocionuar për sa shumë është rritur marrëdhënia SHBA-Shqipëri. Janë të emocionuar për të gjithë përparimin që kemi bërë në demokraci, mbrojtje dhe biznes siç ju thashë. Dhe ajo që vërtetë tërhoqi vëmendjen e tyre ishte, jo thjesht përparimi që është bërë në reformën në drejtësi dhe përparimi i bërë për të siguruar një prani ushtarake amerikane këtu në Shqipëri. Ishin vërtet të emocionuar dhe përqendruar tek pjesa e energjisë. Siç e dini, Presidenti Biden e ka vendosur si prioritet që të injektojë 50 miliardë metra kub gaz në Europë, për t’i ndihmuar të bëhen të pavarur nga gazi rus dhe kur projekti i Vlorës – nëse ecën përpara dhe kur të jetë funksional – do të japë një kontribut domethënës në këto zhvillime. Janë shumë të emocionuar për të gjithë përparimin që kemi bërë së bashku dhe partneritetin që kemi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Shqipëria ka qenë bashkë-penëmbajtëse me Shtetet e Bashkuara për të gjitha çështjet e lidhura me Ukrainën. Është një rol udhëheqës me rëndësi dhe mendoj se Shqipëria e ka habitur botën me sa e efektshme dhe e fortë udhëheqësia e saj ka qenë. Sigurisht, kjo nuk do të thotë që s’ka gjëra ku duhet përparim.

Ka shumë fusha që kanë nevojë për përparim dhe, sigurisht, këtë e shihni në raportet që botojmë nga Departamenti i Shtetit dhe në raporte të tjera ndërkombëtare. Nuk janë të fshehta. Jemi shumë të qartë publikisht dhe privatisht me Qeverinë Shqiptare lidhur me fushat ku duam të mbështesim më shumë përmirësim.

Eni Vasili: Cilat janë këto?

Ambasadorja Kim: Për shembull, përpjekja e madhe për vitet e fundit ka qenë reforma në drejtësi. Kjo vazhdon të jetë një fushë që është një fokus parësor për ne si dhe për europianët. Dhe, nuk është thjesht sepse kërkohet për anëtarësimin në BE apo se e duam ne, Shtetet e Bashkuara, për miken dhe partneren tonë Shqipërinë, por sepse është ajo që populli shqiptar, qytetarët e zakonshëm shqiptarë duan më shumë. Mendoj se e shihni po aq sa edhe unë në sondazhe. Sigurisht e dëgjoj kur udhëtoj në vend, kur flas me njerëz të zakonshëm për ato që kanë në mend. Flasin për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Flasin për vende pune. Të rinjtë gjithmonë flasin për vende pune, apo jo? Dhe ç’më thonë? Më thonë se kanë gjithë shkollimin, e duan vendin e tyre, duan të qëndrojnë, por nuk mendojnë se kanë një shans të drejtë. Kjo është çështje e korrupsionit. Është një çështje e korrupsionit. Bizneset janë të interesuar për Shqipërinë. Gjithë kohën ka biznese amerikane që më kontaktojnë tani për shkak se shohin Bechtel dhe Exxon dhe Excelerate. Por çështja është që nuk janë të qartë për rregullat dhe mendoj se kur Shqipëria të ketë një sistem gjyqësor që provon se ndjekjet penale dhe gjykimet në gjykata janë të qarta dhe të pastra dhe në përputhje me ligjin, si në pjesën tjetër të Europës dhe në Amerikë, do të vijnë më shumë biznese. Do të ketë më shumë vende pune për shqiptarët dhe amerikanët. Përpos kësaj, kur korrupsioni të eliminohet dhe njerëzit të ndjejnë se e merr një vend pune sepse je i kualifikuar, jo sepse je nipi i këtij apo atij dhe vajza e këtij apo atij, gruaja e këtij apo atij dhe burri i kësaj apo asaj, por e merr bazuar në merita. Ky vend ka kaq shumë talent dhe ne si Shtetet e Bashkuara urojmë që korrupsioni, krimi i organizuar, gjykatat e korruptuara të eliminohen në mënyrë që potenciali, madhështia e popullit shqiptar të çlirohet, në mënyrë që të jeni edhe një mik më i mirë dhe një partner më i mirë për ne.

Eni Vasili: A është Shqipëria në rrugën e duhur për ngritjen e këtyre institucioneve për të cilat ju folët?

Ambasadorja Kim: Kjo është një rrugë shumë e vështirë por ne besojmë se jeni në rrugën e duhur dhe e shihni këtë të reflektuar në raportimet tona, e shihni të reflektuar në progres-raportet e BE-së. Sigurisht, edhe një herë, nuk do të thotë se çdo gjë është 100% dhe çdo gjë shkon sahat. Është e qartë që ka fusha ku duhet përparim dhe prandaj themi se, për shembull për reformën në drejtësi, nuk është e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por patjetër po bën përparim.

Eni Vasili: E kuptoj dhe meqenëse jemi këtu tek reforma në drejtësi, dhe sigurisht, pritshmëria e qytetarëve Shqiptarë, edhe për faktin se ajo është mbështetur shumë nga ju, ka vërtetë pritshmëri shumë të mëdha, le të ndalojmë. Kryeministri Rama ditët e fundit ka bërë disa deklarata, akuza le t’i quajmë, kritika të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar që të hetojnë kundërshtarët politikë, Berisha dhe Meta. Çfarë do ta konsideronit ju këtë, një shkundje ekstreme, të justifikuar, apo ka diçka që nuk shkon tek ndarja e pushteteve, një shkelje nëse mund ta quajmë të tillë?

Ambasadorja Kim: Fola për këtë pak ditë më parë, kur Ministri i Drejtësisë përsëriti atë që kishte thënë Kryeministri. Pikëpamja e Shteteve të Bashkuara është se kur shohim reformën në drejtësi, do ta dimë se vërtet ka pasur sukses kur të mos quhet më normale apo me vend që udhëheqësit politikë, qofshin në pushtet apo larg pushtetit, por sidomos nëse janë në pushtet, të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të individëve specifikë. Ajo që duam të shohim nuk është përmendja e emrave specifikë, por një sistem drejtësie të ngritur dhe institucione që kanë si vullnetin ashtu edhe aftësinë për të zbatuar ligjin, barabar, për këdo, në mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin. Ligji të aplikohet barabar. Ndaj, pres me kënaqësi ditën kur mund ta kemi këtë besim tek sistemi i drejtësisë i Shqipërisë, tek prokurorët dhe gjyqtarët e Shqipërisë.

Eni Vasili: Por a po e delegjitimon fakti që nuk ka ende një bilanc nga SPAK për çështjet e korrupsionit që ju i përmendët pak më parë si një nga mënyrat për ta shpëtuar vendin dhe për ta bërë mik të denjë edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mungesa e arrestimit të peshqve të mëdhenj, siç ambasadorët e tjerë përpara jush deklaruan se do të ndodhte?

Ambasadorja Kim: Faleminderit që e bëtë këtë pyetje. Kam sjellë disa fakte sepse mendoj që ka shumë njerëz që, për çfarëdo arsyesh, duan të thonë që reforma në drejtësi po dështon, ose që SPAK nuk po funksionon. Do t’ju them se në bisedat e mia me shqiptarë të zakonshëm, jo njerëz me tituj të bukur apo vila të bukura a shtëpi të bukura, por shqiptarë të zakonshëm. E dini ç’më thonë? Se besojnë në punën e SPAK-ut dhe që më në fund shohin rezultate reale të vijnë nga reforma në drejtësi. E dini pse e thonë këtë? Sepse ja faktet: çështjet kundër grupit të Emiljano Shullazit, kundër grupit Avdyli – ky është grupi i Shijakut, grupi i Petrit Sulejmanit, grupi i Esat Mehmetit, grupi i Admir Hoxhës, dhe grupi Ndoka u dënuan me vendime të formës së prerë. Grupe të tjera kriminale të rrezikshme janë nën hetim dhe gjykim. Grupi i Durrësit, grupi famëkeq i Durrësit është në gjykatë. Kur thoni se shkojnë pas të vegjëlve, ju vë në dukje këtë: ish-Ministri i Brendshëm, ish-Prokurori i Përgjithshëm, dy ish-kryebashkiakë janë dënuar me vendim të formës së prerë. S’ka pikëpyetje, janë dënuar. Një ish-Ministër i Mjedisit, një deputet në detyrë, dhe shumë zyrtarë të tjerë, në ministri të ndryshme janë nën hetim për çështjen e inceneratorëve.

Gjykatës dhe prokurorë u dënuan nga gjykata e shkallës së pare për kundravajtjen penale të korrupsionit, s’po përmend emra, mund t’i kërkoni vetë. Gjykata e shkallës së parë dënoi të gjithë strukturën qendrore të shtetit që kryente prokurimet publike në emër të të gjitha institucioneve shtetërore – kjo ka lidhje me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit. Janë në gjyq për korrupsion, shpërdorim detyre, dhe deklarim të rremë të të ardhurave. Të tjerë gjykatës dhe prokurorë po ashtu janë nën hetim. Tri kryebashkiakë janë në gjyq tani. 190,000 metra katrore tokë në Gjirin e Lalzt u konfiskuan. Disa çështje të tjera penale janë nën hetim për shpërdorim kryer kundër pronave të tjera publike. Po ju them disa statistika vetëm nga viti 2021: u kryen 715 procedime penale kundër 519 të dyshuarve; 239 persona të akuzuar u çuan në gjyq, nga të cilët 84 për krim të organizuar, 96 për korrupsion, 59 për kundravajtje të tjera; u dënuan 230 të pandehur, nga të cilët 94 për krim të organizuar dhe 136 për korrupsion dhe kundravajtje të lidhura me të; asete me vlerë mbi 70 milionë euro janë konfiskuar dhe transferuar tek shteti për t’u përdorur nga publiku. Këto janë fakte reale. Këto janë fakte reale dhe nëse i krahason këto të dhëna me të mëparshmet, mendoj është shumë e qartë se po ndodh përparim dhe njerëzit e zakonshëm e kuptojnë këtë. Njerëzit që kanë agjenda politike mund të flasin sa të duan se s’ka ndodhur asgjë, apo peshq të vegjël apo kjo e ajo. Njerëzit e zakonshëm kanë sy, veshë dhe trurin e tyre dhe mund ta shohin ç’po ndodh.

Eni Vasili: Ok, faktet janë ato që juve listuat, por dua të them diçka. Pritshmëria është shumë e madhe nga SPAK sepse pandëshkueshmëria ka qenë shumë e madhe në Shqipëri. Ndaj priten zyrtarë të lartë. Gjithçka ju listuat është e vërtetë, shumë ish-funksionarë ndër ta, kush prej tyre ju do ta konsideronit peshku i madh që plotëson atë pritshmëri të madhe të qytetarëve për zyrtarë të lartë, aktualë, jo ish?

Ambasadorja Kim: Mendoj se ky është një proces dhe merr kohë. Përsëris, reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po shohim përparim. Do t’ju pyes: kur ishte hera e fundit që dy ministra të partisë qeverisëse u futën në burg? Kur ishte hera e fundit? Më duket se s’ke ndonjë përgjigje të mirë për këtë.

Eni Vasili: Jo, nuk kam përgjigje fare…

Ambasadorja Kim: Kur ishte hera e fundit që deputetë janë hetuar dhe iu janë konfiskuar pronat? Nuk më duket se ke ndonjë përgjigje të mirë as për këtë. Dhe e di që tani, prirja është që të përpiqesh të numërosh sa nga kjo anë dhe sa nga ajo anë dhe mendoj që ajo që SPAK dhe elementët e tjerë të institucioneve të reformës në drejtësi duhet të tregojnë është që janë të pavarur, që funksionojnë me integritet, dhe se po zbatojnë ligjin. Sundimin e ligjit. Askush mbi ligjin.

Eni Vasili: Në fakt, Kryeministri Rama siç e thashë pak më parë, duket se paska një mendim tjetër në lidhje me këtë. Do ta quanit që po ushtron presion politik ndaj SPAK?

Ambasadorja Kim: Mendoj se ka mënyra të ndryshme për të shprehur mbështetje për reformën në drejtësi dhe mendoj që e kam shprehur pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje shumë qartë.

Eni Vasili: Le të ndalemi, meqenëse hymë pak a shumë tek politika, do të doja të ndalesha tek një moment që gjithashtu ka marrë vëmendjen e opinionit publik shqiptar. Futemi në situatën e krijuar tani mes jush ose më saktë Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Z. Berisha. Së fundi, një peticion online i disa qytetarëve shqiptarë i është drejtuar Departamentit të Shtetit duke thënë se përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara, pra ju, duhet t’i përmbahet statusit diplomatik dhe peticioni mbyllet me thirrjen, Ambassador Yuri Kim, Enough is Enough! Keni një opinion se cili ose cilët mund të jenë iniciatorët e këtij peticioni dhe a ju ka shqetësuar? A e keni besuar dhe a ju ka shqetësuar?

Ambasadorja Kim: Mendoj që njerëzit në një demokraci kanë të drejtën të shprehin pikëpamjet e tyre. Ndonjëherë bazohen në fakte, ndonjëherë jo, por pavarësisht kësaj, kanë të drejtën absolute ta shprehin. Kështu që respektoj pikëpamjet që shprehen. Do të them këtë – mendoj se ndonjëherë ka një keqkuptim se cili është roli i ambasadores amerikane, apo veprimet e ndërmarra nga ambasadorja amerikane. Unë nuk veproj mbi baza personale. E dini, nuk jam me pushime këtu. Unë përfaqësoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe flas në emër të Shteteve të Bashkuara. Mendoj që Sekretari i Shtetit, Presidenti kanë qenë shumë të qartë për rëndësinë që ka lufta kundër korrupsionit dhe, në fakt, qershorin e kaluar, Presidenti Biden nxori një deklaratë që shprehej se lufta kundër korrupsionit është interes i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ndaj, mos gabojë kush, do të vazhdojmë t’iu kërkojmë llogari atyre që janë përfshirë në korrupsion. Çështja tjetër është kjo, nëse është pjesë e kufirit tim diplomatik këtu. Patjetër që është. Unë nuk e sajoj vetë përshkrimin e punës time. Unë kam një numër objektivash specifike që më kërkohet të arrij, si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara dhe unë jam një nëpunëse publike e përkushtuar. Do të vazhdoj ta bëj punën time sipas udhëzimeve të Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Eni Vasili: E kuptoj. Gjithsesi, nga opozita ose nga një pjesë e opozitës, dy janë kritikat që ju drejtohen: që ju kërkoni të caktoni drejtuesit e saj me ndërhyrjet tuaja, duke ndërhyrë në punët e brendshme të opozitës, dhe nuk keni mbajtur qëndrime të forta ndaj aferave të qeverisë. A keni një koment për këtë?

Ambasadorja Kim: Ambasadorja Kim: Mendoj se gabohen, me gjithë respektin, janë gabim. Ne nuk u themi njerëzve se për cilin të votojnë, qoftë në zgjedhje apo brenda në parti. Ajo që ne bëjmë është të japim faktet dhe bëjmë të qartë se cili është pozicioni i Shteteve të Bashkuara. Por në fund, si drejtohet dhe cili e drejton këtë vend është një vendim i popullit shqiptar.

Eni Vasili: Po, por sipas të gjitha gjasave, më 22 maj, Z. Berisha pritet të zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike. Si e prisni këtë rikthim të Berishës?

Ambasadorja Kim: Ambasadorja Kim: Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për personat të cilët janë shpallur publikisht nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minim të demokracisë është shumë i qartë. Prandaj nuk do ta përsëris sërish.

Eni Vasili: Por, a mund të na thoni se cilat do të ishin marrëdhëniet e SHBA-së me një opozitë të drejtuar nga Z. Berisha tashmë që siç thatë është dezinjuar non-grata, pasi duket se tani kandidimi dhe fitorja e tij janë thuajse një fakt?

Ambasadorja Kim: Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbi këtë çështje është shumë, shumë i qartë por përfundimi është se nuk do të kemi të bëjmë me dikë i cili është shpallur publikisht nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor apo për minim të demokracisë dhe do të ishte fatkeqësi nëse nuk do të kishim marrëdhënie normale me një parti me të cilën kemi pasur një marrëdhënie të veçantë për një kohë kaq të gjatë.

Eni Vasili: Zoti Berisha ka thënë, ka deklaruar se dezinjimi mund të anulohet nëse ndryshon administrata në Shtetet e Bashkuara. Sa e vërtetë është kjo?

Ambasadorja Kim: Mbi 200 persona janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsioni domethënës dhe iu është ndaluar hyrja në SHBA, atyre dhe familjarëve të tyre. Nga këta, zero raste janë zmbrapsur. Nuk mendoj se është realiste të mendosh se një ndryshim i qeverisë do të ndryshonte disi faktet. Faktet janë të qarta dhe mendoj se çdo shqiptar i kupton faktet.

Eni Vasili: Gjithsesi, u zhvilluan disa zgjedhje të pjesshme lokale më 6 mars. Një kritikë tjetër që ju bëhet gjithmonë nga kjo pjesë e opozitës ka të bëjë me votën e 6 marsit dhe dua të di si e keni interpretuar ju. Duket se nga kjo vote iu dha prej demokratëve një mbështetje Komisionit të Ri-Themelimit dhe Z. Berisha. Gjithmonë nga kjo pjesë e opozitës vjen kritika se ju jeni kundër vullnetit të demokratëve, pra shumicës së tyre. Keni një koment?

Ambasadorja Kim: Mendoj se votuesit shqiptarë kanë të drejtën që t’i marrin vetë vendimet e tyre. Ne do të shpresonim që ata do t’i merrnin vendime te tyre duke marrë në konsideratë të gjitha faktet e disponueshme.

Eni Vasili: A keni ju një koment apo qëndrim për dorëheqjen e ish-kryetarit, Z. Basha?

Ambasadorja Kim: Jo. Siç e dini, ne nxorrëm një deklaratë kur Z. Basha dha dorëheqjen, duke shprehur respekt për vendimin e tij.

Eni Vasili: Zonja Ambasadore, ok, e lëmë opozitën qëndrojmë pak tek qeveria. Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për vendin tonë thotë se korrupsioni është i pranishëm në çdo degë të qeverisjes. Së pari, në një vështrim të përgjithshëm, si e gjykoni ju qeverisjen e Z. Rama?

Ambasadorja Kim: Ambasadorja Kim: Ashtu siç e thashë më parë, ka shumë hapësira përparimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Por ka edhe hapësira në të cilat ne duam të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë të fortë për përmirësim. Korrupsioni është një prej këtyre çështjeve. Nuk mendoj se çudit askënd ajo që shkruhet në raportet tona, që korrupsioni është një problem në të gjitha nivelet e qeverisë. Ndaj mendoj se ka veprime që duhet të vazhdojnë të ndërmerren dhe të shpeshtohen për t’u përballur më këtë problem. Dhe mendoj se po shohim diçka të tillë dhe mund t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me qeverinë, opozitën, OJQ-të, me cilindo që është palë, për t’u përpjekur për përmirësimin e situatës.

Eni Vasili: Po qëndroj edhe pak, problemi kryesor që theksohet në raportet e institucioneve ndërkombëtare është se në Shqipëri ka probleme me konkurencën dhe garën e lirë. Dhe po citoj, “Shumica e parave publike shkojnë në duart e pak oligarkëve, të cilët më pas si shpërblim apo detyrim ndihmojnë kryeministrin për të fituar zgjedhjet dhe kështu vazhdon prej vitesh,” according to reports. Ju e keni vërejtur këtë, jeni dakord me këtë?

Ambasadorja Kim: Ambasadorja Kim: Mendoj se të gjithë këto raporte ia vlen të lexohen dhe të veprohet bazuar mbi to. E dini, misioni i USAID-it këtu është shumë specifik. Është të forcojë demokracinë dhe të krijojë një mjedis që ka vend jo vetëm për demokraci por edhe për përparim, transparencë, mirëqeverisje, punësim dhe pavarësi.

Eni Vasili: Ndoshta nga gjithë eksperienca që keni parë në Shqipëri, cila është gjëja që ju shqetëson më shumë nga realiteti shqiptar dhe cila është gjëja që ju pëlqen më shumë?

Ambasadorja Kim: Mendoj se ajo që kam vënë re, sidomos këto ditë, është se shqiptarët nuk kanë një imazh të saktë, të përditësuar të vetes së tyre. Mendoj se kur flas me shqiptarët, ju përshkruani vendin tuaj dhe njerëzit tuaj në mënyra të cilat sipas meje tregojnë se ju e shihni veten tuaj nëpërmjet një pasqyre që është e njollosur. Ndaj, si një mike, më lejoni t’ju them çfarë shohim ne: ne shohim një popull i cili është jashtëzakonisht punëtor, të cilët kanë këmbëngulur, të cilët kanë vuajtur, ata kanë vuajtur, 45 vjet diktaturë komuniste të paraprirë nga 500 vjet pushtim nga një perandori. Ne jemi krenarë dhe na bën shumë përshtypje ajo që shqiptarët kanë arritur, sidomos në 35 vitet e fundit. Ju hodhët tutje vargonjtë e diktaturës komuniste. Sfidat mbeten, natyrisht, dhe vendi juaj mund të jetë shumë më tepër se sa është, por mendoni për gjithçka që keni arritur. Mendoni, edhe një here, faktin që jeni anëtare e NATO-s; do të bëheni, do të bëheni anëtare e BE-së dhe çdo shtet anëtar e pranon se populli shqiptar dhe qeveria shqiptare kanë bërë ndryshimet e nevojshme për të qenë anëtare e plotë e BE-së.

Ju keni qenë Kryesuese e OSBE-së, një prej organizatave më të rëndësishme të sigurisë në të gjithë Europën. Ju tani uleni, fizikisht, në krahun tonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke drejtuar përgjigjen botërore ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Kjo është një çështje themelore, një sfidë e cila do të ketë pasojat e saj jo vetëm për Europën, por për të gjithë botën, në çfarë bote jetojmë, çfarë rregullash vendosen, çfarë sjelljeje tolerohet, kush do të mbahet përgjegjës, si do të mbahen përgjegjës. Përfaqësuesi juaj në Këshillin e Sigurisë së OKB-së po bën një punë të mrekullueshme në përfaqësimin e vendit tuaj. Ne jemi shumë krenarë. Kur ne shohim këtë vend, ne shohim një vend plot potencial, ne shohim një vend ku kompani si Bechtel, Exxon, Excelerate dhe shumë kompani të tjera duan të jenë këtu. Dhe kjo, jo vetëm sepse kemi një lidhje emocionale. Kompanitë bëjnë llogaritë se ku do të shkojnë për të gjetur forcën më të mirë punëtore dhe kushtet më të mira për fitime, apo jo? Dhe kur ato shohin Shqipërinë, ato shohin një vend ku qartazi ka një forcë punëtore të arsimuar dhe të aftë. Shpresoj që edhe pjesa tjetër e vendit ta kuptojë këtë. Uroj që shqiptarët të vazhdojnë të kenë shpresë sepse edhe ne e kemi atë tek ju.

E di që ka disa të cilët duan të dorëzohen, të cilët do të thonë se asgjë nuk ka ndryshuar. Ata hiqen skur reforma në drejtësi ka dështuar. Ata pretendojnë se çdo gjë në Shqipëri është e tmerrshme. Ata pretendojnë se bota nuk mendon shumë për Shqipërinë. Ata janë gabim. Ata e kanë gabim. Ata po ju shpërqendrojnë dhe ajo që po përpiqen të bëjnë është që t’ju vrasin shpresën tuaj. Po përpiqen t’ju vrasin të ardhmen tuaj. Dhe ju nuk duhet ta pranoni këtë. Ju duhet të luftoni. Ju duhet ta mbani shpresën tuaj. Duhet të kujtoni se cilët jeni – kjo është toka e Skënderbeut. Këmbëngulni! Luftoni!

Eni Vasili: Zonja Ambasadore, faleminderit që ishit në Open sot. Faleminderit për shpjegimet që dhatë.

Ambasadorja Kim: Faleminderit juve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular