BallinaKultureFJALOR LEKSIKO-FRAZEOLOGJIK DHE ETNOLINGUISTIK I MALËSISË SË MADHE. PROF. DR. GJOVALIN SHKURTAJ...

FJALOR LEKSIKO-FRAZEOLOGJIK DHE ETNOLINGUISTIK I MALËSISË SË MADHE. PROF. DR. GJOVALIN SHKURTAJ Akademik Emeritus

FJALOR LEKSIKO-FRAZEOLOGJIK DHE ETNOLINGUISTIK I MALËSISË SË MADHE

PROF. DR. GJOVALIN SHKURTAJ Akademik Emeritus

 Dr. Hajri Mandri

Vepra Fjalori leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe, me autor akademik, prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, është një fjalor leksikor e frazeologjik që vjen në fushën e gjuhësisë, si pasuri e rrallë leksikore, frazeologjike, etno-folklorike e sociolinguistike.  Është për t’u vlerësuar si vepër e vështirë, për punën voluminoze që kërkon përkushtim të madh dhe kohë të gjatë gjysmëshekullore. Autori është i njohur në katedrat gjuhësore universitare dhe në ligjërimin publik në median e shkruar dhe elektronike, si një dialektolog i shquar në gjuhësinë shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Vepra e tij hedh dritë, jo vetëm për leksikun e pasur por edhe në urtësinë e Malësisë së Madhe, si bartëse dhe kultivare e fjalës së bukur shqipe që vazhdon të freskohet e pasurohet me burimet e pashtershme të dialekteve të saj. Pasuria e begatë me fjalë e frazeologjizma jep edhe një aspekt ndërkrahasimor midis varianteve të afërta të përdorimit të tyre në terrene konkrete. Shtysa dhe motivi i kësaj pune kolosale është dashuria e autorit që e frymëzon t’i përkushtohet si thotë vetë ai, “me shumë përvujtëni e nderim Malësisë dhe malësorëve të mi”.

Autori shpjegon kohezionin e brendshëm gjuhësor, mbi disa dallime e luhatje brendapërbrenda shqipes dhe sipas autorit, “emrat Gegë e Toskë nuk dalin asgjëkund në burimet historike. Ata kanë arritur me anën e zgjerimit të kuptimit të tyre të kryehershëm, kur ato ishin emërtime fisesh më të vogla”.  Në këtë vepër mësojmë se e përbashkëta e gjuhës sonë janë fjalët që kanë të njejtin kuptim dhe shqiptim në të gjitha dialektet dhe nëndialektet.

Patronimet, etnonimet, zbunimet shpjegohen dhe ilustrohen në vepër në mënyrë të posaçme. Të gjitha patronimet e meshkujve në Malësi janë të njëjta me emrin e babait në rasën emërore, si Mark Gjeloshi, Kol Marku, etj.  Meshkujt, jashtë farefisit ose të lagjes, zakonisht kishin tri gjymtyrë: Ded Gjo Luli, Gjok Pjetër Gjoka, etj. në rastet e dyemërsisë si “taktikë ligjërimore” me vlera etnolinguistike, thërriten me më shumë se një emër, herë për zbunim a përkëdheli, herë për të qeshur a për tallje. Krahasimet e kundrimet, shjellimet, përqasjet, shpjegimet, ilustrimet, ngjyrimet stilistike që marrin shprehjet, togfjalëshat, struktura e kompozime, konvertimet e transformimet brenda rrënjës së fjalës si lëndë burimore, na vjen nga një mjeshtër dhe njohës i rrallë, që fatmirësisht shoqëria shqiptare dhe bota akademike e ka në gjirin e saj.

Në bazë të strukturës leksiko-semantike të lëndës mësojmë mbi vlerën dhe kuptimin që merr fjala në situatë të ndryshme ligjërimore, ngarkesat stilistike dhe ngjyrimet emocionale që merr frazeologjia, apo njësitë që pasurojnë kulturën etnografike ligjërimore. Autori na jep potencën e fjalës, magjinë e saj, lidhjet e shumëfishta semantike në kuptime të drejtpërdrejta dhe të figurshme me mbartje metaforike, që merr fjala apo njësia frazeologjike në situata të caktuara komunikimi.

Kjo vepër tregon më së miri për pasurinë e madhe leksikore që fle ende në shtresimet dialektore, dhe që vjen nga autori, si një mesazh për të mos u humbur në tollovitjen ndërgjuhësore të ditëve që jetojmë.

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular